INTERVISTA/ Topi: Edhe pse PD humbi thellë, vazhdon me të njëjtën filozofi politike

2 Tetor 2013, 19:28Politika TEMA

Komentet e ish- Presidentit të Republikës për vendimet e para të kabinetin të majtë qeveritar. Qëndrimi për ligjet e miratuara dhe kurimi i imazhit në institucionet shtetërore. Marrëdhëniet me PD-në dhe objektivat për të ardhmen.

Bisedoi: Rozeta Rapushi, Revista KLAN

 

Sapo hyn zyrën e tij, të bie në sy portreti i themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Foto jo e ardhur rishtazi pas vendimit të qeverisë së majtë për zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës, me atë të Ismail Qemalit në institucionet shtetërore. Por e vendosur aty nga krijimi i Partisë Fryma së Re Demokratike (FRD). Në nisjen e një bisede për zhvillimin e intervistës për Revistën Klan, ish- kreu i shtetit, sot në krye të FRD-së, Bamir Topi, nuk mund të mos e ndalë diskutimin pak sekonda mbi vendimin e nxehtë të qeverisë Rama për heqjen e portretit të presidentit Bujar Nishani, sepse vetë ai është gjendur në mes të një cikloni të tillë pak kohë më parë. “A e mbani mend se si vepruan”… shprehet ai për aktin jo zyrtar të PD-së për heqjen e fotos së tij nga institucionet shtetërore, duke e kaluar shpejt bisedën për të vijuar me pyetjet konkrete.

I gjendur tashmë në rolin e një politikani me eksperiencë, por jashtë të dyja aleancave të mëdha dhe interesave të ndarjes së pushtetit, Bamir Topi, mund të japë pa doreza vlerësimet e para për vendimet e qeverisë Rama, për të cilat ka disa rezerva, por nuk i kursen njëherazi kritikat edhe për opozitën e re demokrate, partinë për të cilën ka luftuar gjatë gjithë karrierës së tij dhe që tashmë, i nevojitet një “mea culpa”.

Zoti Topi, Fryma e Re Demokratike (FRD), arriti të marrë rreth 30.000 vota në rang vendi në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, por pa mundur të sigurojë një deputet në Kuvend. Kush ju dëmtoi dhe si e përktheni ju këtë rezultat?

Ky rezultat nuk ishte ai që ne kemi pritur, ndonëse FRD në momentin e zhvillimit të zgjedhjeve nuk kishte më shumë se një vit jetë. Duke marrë në konsideratë defektet e Kodit Zgjedhor, që nuk i vendoste të gjitha partitë në një pozicion të barabartë, aq më shumë partitë që nuk konkurronin në koalicion apo një parti të re si FRD, presionit që i është bërë nga pushteti i cili u dorëzua pas zgjedhjeve të 23 qershorit, probleme të natyrës objektive që lidhen me eksperiencën e njerëzve që kanë milituar tek ne në organizim, por edhe nga pamjaftueshmëria financiare, pasi zgjedhjet sa vijnë e bëhen më të kushtueshme, të gjitha këto, sollën një rezultat që në shifra tregon që është një parti që është futur në tregun politik. Por nga pritshmëritë, besoj që ne duhet të kishim një rezultat më të mirë. Kjo që dua të them tani është më shumë një vlerësim i karakterit subjektiv, sepse nuk kemi të dhëna konkrete dhe jemi një parti serioze që nuk bazohemi në të dhëna të pakonfirmuara, por ne jemi dëmtuar shumë gjatë procesit të numërimit për shkak se nuk kemi pasur komisionerë dhe vëzhguesit tanë janë penguar në mjaft raste për të qenë prezentë në momentin e përpilimit të rezultatit. Pikërisht aty ku janë numëruar votat.

Cilat janë objektivat e forcës politike që ju drejtoni për të ardhmen?

FRD do të vazhdojë misionin e vet politik, duke u riorganizuar në vazhdimësi, për të qenë prezent në debatin politik të ditës. Është e vërtetë që debati politik institucional zhvillohet në Parlament, por zhvillohet edhe jashtë tij. Aq më tepër kur brenda FRD-së ka zëra të spikatur që kanë një eksperiencë politike dhe institucionale, dhe janë njerëz që influencojnë në opinionin publik. Kështu që ne do të vazhdojmë jetën tonë politike. Do të marrim pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen për kryetarin e Bashkisë së Korçës me të gjithë impenjimin e duhur. Dhe ajo që unë vërej me kënaqësi është se njerëzit që kanë qenë pjesëmarrës në strukturat e FRD-së kanë një dëshirë të jashtëzakonshme për të vazhduar me intensitet dhe mjaft të tjerë që dëshirojnë të futen në këtë parti sepse kanë parë se ka një profil serioz, qytetar, që nuk është marrë me gjëra të karakterit anësor por me gjëra të karakterit esencial që kanë të bëjnë me demokracinë dhe shtetin.

Shumë pak vota ju lanë juve jashtë Parlamentit. A mos ndikoi negativisht debati politik i lindur me një prej ish anëtarëve të kësaj force politike, Aleksandër Biberaj? Apo largimi i tij, si pasojë e mosvendosjes së emrit në krye të listës për deputetë…

Jo. Absolutisht nuk ka lidhje. Nuk dëshiroj t’i rikthehem një momenti që është i ezauruar me kohë. Këtu, unë e ritheksoj, se është defekti i Kodit Elektoral dhe problemet kanë ndodhur në komisione, dhe faktet nuk janë bërë publikë nga FRD, por nga ato parti që kanë komisionerë. Vetë në zyrën e tyre, janë shprehur për interes të tyre, që puna e komisioneve zgjedhore ka qenë e tillë, që ka lejuar që procesi i numërimit të mos ketë qenë korrekt.

Cili është pozicioni i FRD-së në politikë aktualisht?

FRD është një parti e qendrës së djathtë. Përsa i përket se çfarë këndvështrimi kemi ne për politikën dhe spektrin politik, ne kemi qenë ndoshta partia e parë, që e kemi artikuluar më fort nevojën e një rotacioni politik, ndonëse në pushtet ishte një parti e djathtë. Pikërisht këtu është debati që në substancë ka të bëjë me pyetjen nëse kjo parti e cila ka qenë në pushtet, a kishte përfaqësuar realisht aspiratat e së djathtës shqiptare? Këtu është një debat i fortë dhe lidhet me çështje shumë të rëndësishme. Qoftë me programin bazal të një partie të qendrës së djathtë, qoftë me këndvështrimin dhe pozicionin e një partie politike që i ka pasur të gjitha mundësitë për forcimin e shtetit të së drejtës. Lidhet me pozicionin që duhet të kishte për një çështjeje e cila është bërë gangrenë për shoqërinë shqiptare, sikurse është çështja e pronave. Me pozicionime të kësaj partie politike, ndaj ish- të përndjekurve politikë. Me çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e administratës dhe shumë probleme të tjera. Kemi parë që çështja më madhore që ka të bëjë me këtë vend, e cila është interpretuar jo mirë nga partia që ka qenë në pushtet, ka qenë pikërisht realizimi i atyre pikave madhore që kanë të bëjnë me programin e një partie të qendrës së djathtë. Kjo është arsyeja që FRD ka mbajtur një pozicion të vetin, specifik. Nuk ka qenë në asnjë moment e predispozuar që të bëjë një koalicion me një parti të majtë, sepse nuk i lidh as filozofia politike, as programi. Por kemi qenë jashtë çdo lloj predispozicioni për të bashkëpunuar me partinë e cila ishte në pushtet. Pasi doli totalisht nga ato shina ku ne mendojmë që duhet të ecë një parti politike shqiptare, aq më shumë një parti e qendrës së djathtë. Kjo ka qenë arsyeja që ne kemi garuar të vetëm. Ne do të vazhdojmë të garojmë të vetëm edhe në Korçë. Sepse nuk besojmë që në harkun kohor të tre muajve gjërat të kenë ndryshuar. Aq më shumë duke parë që në partinë respektive vazhdon, ndoshta për inerci të ekspozohet e njëjta filozofi politike, e njëjta linjë politike, me të njëjtat metoda, pa asnjë lloj reflektimi. Ajo parti, e cila ka pasur një humbje të thellë në zgjedhje sipas këndvështrimit tonë, nuk ka dhënë absolutisht asnjë lloj shenje, asnjë lloj simptome të reflektimit. Por përkundrazi, po mundohen që të retushojnë një imazh të dëmtuar, thjesht në sipërfaqe pa ju futur gjërave në esencë. Dhe gjëja më e rëndësishme në esencë është funksionimi i rregullave demokratike të brendshme në një parti që ndoshta vërtet e ka emrin Partia Demokratike, por në praktikë nuk është sjellë si e tillë.

Në këto kushte, nuk e shihni një bashkëpunim me PD-në as tashmë që kreu i saj është Lulzim Basha dhe ish- lideri Sali Berisha, zyrtarisht është tërhequr nga funksionet kyçe?

Kjo nuk është një çështje që lidhet me emrin e një individi. Në këndvështrimin tim, gjërat nuk funksionojnë në analizën e profilit personal, por funksionojnë në gjykimin e pozicioneve institucionale. Sa kohë nuk ka absolutisht asnjë lloj ndryshimi në filozofinë e asaj partie, aq më shumë kur ish- lideri i asaj partie vazhdon të jetë prezent në jetën politike me të njëjtat metoda dhe mënyra sjelljeje, unë besoj se nuk janë kushtet për të funksionuar mundësia e një komunikimi dhe bashkëpunimi politik. Sot kjo është arsyeja që ne jemi ende në inercinë e periudhës parazgjedhore, por me një ndryshim të madh: që partia që ishte në pushtet, tashmë ka zbritur nga pushteti dhe kjo ka ardhur si pasojë e verdiktit të qartë të qytetarëve shqiptarë, që e dënuan me votën e tyre. Dhe në këtë mënyrë, direkt apo indirekt i japin të drejtë edhe këndvështrimit të FRD, e cila ka mbajtur një qëndrim gati- gati të sinkronizuar me atë të qytetarëve shqiptarë. FRD-ja u ka ofruar shqiptarëve alternativa që, vërtet parti të tjera i kanë shprehur, por jo me aq forcë sa FRD. Sikurse është çështja e ndryshimit të Kushtetutës për probleme madhore që kanë të bëjnë me demokracinë, konsolidimi i institucioneve të pavarura, ruajtja e raportit normal midis institucioneve. Sepse në demokraci institucionet nuk mund të veprojnë në mënyrë të segmentuar, duhet të veprojnë së bashku si dhe futja e metodave dhe standardeve perëndimore të pa influencuara nga pushtetet e radhës.

Pra për ju ndryshimi i kreut të PD-së, nuk do të sjellë ndryshime në këtë forcë politike apo në marrëdhënie me partitë e tjera?

Ne po e vrojtojmë situatën politike. Por fakti që aty, në PD nuk ka një “mea culpa” të atij që e ka drejtuar atë parti dhe aq më shumë kur ka një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, a thua sikur nuk ka ndodhur asgjë, përderisa nuk ka një reflektim edhe në raportet e krijuara midis ish- pushtetit dhe institucioneve… Është e tepër tua them se kam qenë ish Kryetar i Shtetit dhe raportet e krijuara nga ish mazhoranca jo vetëm me kreun e shtetit por edhe me krerët e institucioneve të pavarura, ka qenë një marrëdhënie mizerabël e injektuar nga interesa okulte të pushtetit të ikur. Dhe kur kjo vjen e transmetohet tek një parti e sapolindur, sikurse ishte FRD-ja, ku ish- pushteti me një sjellje aspak qytetare ndaj militantëve të FRD-së, pa qenë nevoja t’ju them këtu për largimet nga puna, për presione të natyrave të ndryshme sikurse ne e kemi konstatuar. Unë them përderisa nuk ka një reflektim, nuk ka bazë për një riorientim të një marrëdhënie të re. Ne jemi një parti politike që nuk i largohet bashkëpunimeve të mundshme por kjo duhet të demonstrohet. Sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm për demokracinë shqiptare, që jo gjithçka kondicionohet nga numrat, pasi ato vërtetë në një moment të caktuar duken shumë apo duken pak, por është vetë dinamika e politikës shqiptare, janë vetë konjukturat politike që në një moment ato numra që duken shumë mund të vijë puna që të reduktohen dhe anasjelltas.

Si i keni marrëdhëniet me të majtën, tashmë në pushtet?

Sot marrëdhëniet me të majtën janë statike. Ato që kanë qenë, s’ka asnjë lloj evoluimi. Sot mazhoranca e re si duket është në hallet e veta të stabilizimit të punës në qeveri. Ne e kemi parë programin, e kemi ndjekur debatin, por nuk kemi bërë një prononcim shumë të thelluar për këtë punë, pasi na duhet të shohim se si do të ndërtohet. Qeveria nuk është vetëm ekipi i ministrave, ka një sens më të gjerë në mënyrën e kompozimin dhe strukturat e tjera, në mënyrën e përcaktimit të një vizioni për qeverisjen e vendit. Në parim, ne jemi për një mbështetje të cilësdo qeveri kur vjen puna për problemet madhore të vendit dhe të qeverisë. Por sigurisht që ne do të jemi kritikë, oponentë në rast se gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur. Tek e fundit ne kemi synimet tona politike, programin tonë dhe politika funksionon në këtë mënyrë. Situata e marrëdhënieve politike dhe institucionale me partitë, qoftë mazhorancën edhe opozitën, tani është në një moment statik.

Çfarë mendoni për qeverinë e re? Për vendimet e para të dhëna prej saj?

Në këndvështrimin tim, mendoj që një qeveri e re, që vjen pas tetë vitesh të një qeverie tjetër, e cila sidomos në mandatin e dytë dhe në periudhën e transferimit të pushtetit u soll jo korrekt, do të mendoja që do të vinte me ide të qarta. E pati kohën e nevojshme si asnjë qeveri tjetër. Një periudhë dy mujore që nga certifikimi i rezultatit dhe deri në momentin e emërimit dhe dekretimit të saj. Kishte kohën e nevojshme që të tregonte se mund ta fillojë mandatin për të përballuar çështje shumë të rëndësishme. Unë nuk mund të them se nuk janë çështje të rëndësishme si ajo e ndalimit të importit të plehrave. Sepse kam qenë në atë pozicion dhe nuk e kam dekretuar ligjin për importin e plehrave. Por çështje të tjera, si ajo që ka të bëjë me etikën, apo situata që ka të bëjë me vendimin për çështjen e fotografisë, janë çështje që nuk janë substanciale në lidhje me atë që publiku pret nga qeveria e re. Kështu që ende sot kjo qeveri është nën vëzhgim. Nuk jam me mendimin që duhen të paragjykohen, ndonëse i takojnë një krahu tjetër politik. Por do të shohim se si do të vazhdojë performimin e saj. Por mendimi im është që pavarësisht axhendës së ngjeshur ndërkombëtare, qeveria ka probleme shumë të forta për të përballuar, rikuperuar dhe ajo që duhet të mbahet në qendër të vëmendjes, është rritja imediate e transparencës për publikun lidhur me çështje shumë të rëndësishme, sikurse është historia e borxhit publik, problemet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë që kanë pasur ministra të caktuar lidhur me transferimin e pronave publike në interes të privatëve, çështje të tjera që kanë të bëjnë me prezantimin e platformave diplomatike të Shqipërisë për çështje të caktuara, apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimin, etj. Sepse unë kam vënë re se më shumë po i kushtohet rëndësi, hapësirave fizike që kanë sot spitalet dhe ende nuk po kemi një zë të qartë për të thënë se çfarë ka ndodhur me shëndetësinë shqiptare, cili është problemi me furnizimin me ilaçe. Të gjitha janë të rëndësishme, por duhet të kemi parasysh çështjet më serioze dhe dominante. Këtë duhet të kuptojë pushteti i ri. Se Shqipëria ka shumë probleme, por midis problemeve, njerëzit duhet të dinë për problemet më të rëndësishme dhe më substanciale. Për të parë se si e kanë gjetur; duam të dimë si e kanë gjetur, jo inventarin e zyrës, por pushtetin për të parë si kanë punuar të tjerët. Dakord, një zyrë e shtetit duhet të jetë serioze për imazhin. Por më e rëndësishme është të dihet, si e keni gjetur shtetin shqiptar? Si e keni gjetur ekonominë? Sa të vërteta ishin të dhënat e INSTAT-it? Si është situata me financat? Duhet të dalë një zë i qartë e të thotë: shqiptarë, në javën e parë të qeverisjes nga inventari që ne bëjmë, të dhënat zyrtare janë këto. Pastaj nga kjo pikënisje gjykohet puna e qeverisë. Nga ky këndvështrim, puna e qeverisë në ditët e para lë për të dëshiruar.

Gjatë bisedës më thatë se jeni për ndryshime në Kushtetutën e vendit. Më konkretisht çfarë do të ndryshonit?

Në momentin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008, kur unë isha President i Republikës, u bënë disa ndryshime të shpejta, të pa konsultuara, të cilat vërtetë që patën pasoja të rënda për demokracinë. Këto ishin historia e Kodit Zgjedhor, e zgjedhjes së Presidentit me 71 vota, etj. Probleme që lidhen me mënyrën e funksionimit të institucioneve të pavarura. Duke u ndalur tek Kodi Zgjedhor, problemet janë me vetë frymën autoritariste që imponon ai për krerët e partive, që kanë absolutisht situatën nën kontroll përsa i përket si funksionon partia apo listën e deputetëve. Probleme që janë baza e demokracisë. Unë mendoj se ka shumë elementë që ne do i demonstrojmë nëpërmjet një pakete ndryshimesh kushtetuese, që kanë qenë pjesë e programit tonë politik. Uroj që të merret në konsideratë edhe nga forca të tjera politike pasi votimi në Kuvend kërkon 2/3 e votave ose referendum. Nëse partitë kanë vullnetin që disa gjëra të riparohen, atëherë nuk ka arsye që opozita të mos japë vota për ndryshime kushtetuese. Këto lidhen edhe me një ndarje të re elektorale, pasi ka flukse nga periferia në qytete dhe ndryshimet janë në interes të shtetit dhe demokracisë.

Keni nisur të mendoni për garën elektorale në pushtetin vendor 2015? Aleancat e mundshme?

Zgjedhjet e vitit 2015, janë edhe afër edhe larg. Ne sa kemi kaluar zgjedhjet e përgjithshme dhe jemi në një fazë analize në strukturat tona. Gjatë analizës vjen dhe nevoja e forcimit të punës në strukturat e FRD-së. Sfida e parë janë zgjedhjet lokale të pjesshme në Korçë. Duam të shohim të gjitha mundësitë se si do shkojnë. Jemi në vlerësimin fillestar. Por pjesëmarrja në zgjedhjet lokale është një sfidë shumë e rëndësishme, sepse ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, nuk i vendos partitë politike para presionit nëse do dalësh i vetëm apo jo në koalicion. Në zgjedhjet lokale konkurrohet për shumë nivele. Është një sfidë e vërtetë dhe mund të marrim rezultate të mira.

6 komente në “INTERVISTA/ Topi: Edhe pse PD humbi thellë, vazhdon me të njëjtën filozofi politike”

  1. Ben Belaja says:

    Nuk eshte filozofi zoti Topi!
    Jane instiktet e kafshes Sali, qe jane injektuar ne te gjithe “elementet ” e mbetur ne krye te PD.
    http://goo.gl/cRSFiP

  2. Loreta says:

    Kam zgjedhur TEMEN per te anuncuar nje lajm sensacional.

    Nje artefac
    kt qe eshte zbuluar kohet e fundit mund hedhi drite mbi ate qe do te konsiderohet si me i vjetri ne bote ne lidhje me ta shtuquajturin homo scriptus. Shqiperia mundet te hyje ne historine e shkrimit si vendi ku eshte krijuar proto shkrimi i pare ne bote pra elementet e pare te shkrimit njerezor perpare rreth 8ooo vjetesh.

  3. demokrat says:

    Po zoti Topi, por mos u mjaftoni vetem me fotografimin e situtes, kerkohet me teper vizibilitet dhe force nga ana juaj per ta marre per dore opoziten e marr peng nga Berisha dhe per ti dhene asa nje fizionomi dhe permbajtje te re.Shqiptaret zor se do te mund te perkrahim nje opozite ne frymen e Berishes dhe me teatralitetin e Bashes. Rasti i Alfanos ne Itali tregoi se edhe “djemte” e kryetarit mund dhe duhet te rebelohen kur ne pikepyetje eshte demokracia edhe brenda partive quasi personale.

  4. Pashuku i Jozefines says:

    Po Lizandra Saraci, ajo keshilltarja jote ne presidence cfare mendon? ?

  5. WWW says:

    loreta,me gjere te lutem…

  6. Gjergj Simaku says:

    Topi pret ti jape Rama ndonje llokem per FRD-ne ne rrang drejtoresh dhe si shperblim te ndikoje ne rrjedhjen e votave te PD-se ne zgjedhjet lokale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje