Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ndodhet në Brdo Kranj të Sllovenisë, ku po merr pjesë në Ministerialin Gjithëpërfshirës të Rajonit 2013, ka thënë se do të depolitizojë dhe luftojë korrupsionin në institucionin që drejton. Deklarata e saj u bë gjatë një takimi me ndihmës/asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Evelyn Farkas.
“Në takimin me znj. Farkas, Ministrja Kodheli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria shqiptare e konsideron SHBA-në si partnerin kryesor strategjik si në politikën e jashtme, ashtu edhe në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Ministrja Kodheli i shprehu znj. Farkas mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë në procesin e reformimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke i ndihmuar këto të fundit të arrijnë standardet e NATO-s, në kapacitetet e mbrojtjes dhe modernizimin ushtarak.
Ministrja Kodheli garantoi përfaqësuesen e Departamenti Amerikan të Mbrojtjes për vendosmërinë e saj si Ministre e Mbrojtjes dhe të qeverisë shqiptare për angazhimin ndaj fenomeneve negative, me fokus luftën ndaj korrupsionit, si dhe në rritjen e profesionalizimit dhe depolitizimin në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Ministrisë.
Nga ana saj, Farkas u ndal veçanërisht në disa çështje që kërkojnë rritjen e nivelit të bashkëpunimit në të ardhmen, duke përmendur bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, trajnimit dhe kualifikimit të personelit të Forcave të Armatosura, me synim rritjen e standardit profesional të ushtarakëve.
Farkas theksoi gjithashtu se fenomeni i korrupsionit dhe lufta ndaj tij mbetet një nga fushat që kërkon prioritet dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kodheli ndërkohë është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Roman Jakiç.
Kodheli vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Sllovenisë. Të dy ministrat ranë dakord për rritjen e bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, më konkretisht, bashkëpunimin në përballimin e emergjencave civile, duke marrë pjesë në organizimin e stërvitjeve të përbashkëta, trajnime dhe shkëmbim eksperience në kuadër të stërvitjeve malore.