Foto arkiv
Atentatet me eksploziv u rikthyen në Shqipëri sidomos në shtator. Disa episode të njëpasnjëshëm risollën frikën dhe terrorin ndër qytetarë. Pse është kaq e vështirë të parandalohet dhe ndëshkohet më pas ky lloj krimi. Një histori e shkurtër me shumë viktima dhe akoma më shumë tmerr. Rëfimi i disa ekspertëve të policisë, nga vijnë, si prodhohen dhe si mund të hetohet ky krim i frikshëm që deri më tani ka mbetur pothuajse gjithmonë pa autorë
Nga Lorenc Vangjeli
Dikur ishte një pamje që në Shqipëri vinte vetëm nëpërmjet televizionit apo kinemasë. Sot është bërë gati-gati diçka normale brenda anormalitetit. Mekanizmi është i thjeshtë dhe i ngjashëm për tmerr nga njëri tmerr në tjetrin: mjafton si fillim urrejtja, pastaj lidhjet e duhura me botën e nëndheshme të krimit, paratë, një sasi eksplozivi dhe një kartë e paregjistruar telefonike. Të gjitha së bashku krijojnë shpërthimin barbar që mund të ndodhë në makinë, në apartament apo gjetkë, kudo ku mund të gjendet shënjestra. Pastaj pjesa tjetër është histori. Policia identifikon viktimat e të plagosurit, njofton nisjen e hetimit dhe hetimi që nuk çon gjëkundi. As autorë dhe as të ndëshkuar, në pritje të shpërthimit të radhës.
Është fjala për figurën më të sofistikuar të krimit ordiner e të organizuar mbas viteve 90’, vendosjen e eksplozivëve të telekomanduar. Një krim që pothuaj “garanton” rast pas rasti goditjen e shënjestrës dhe afron mundësi vetëm teorike për zbulimin e autorësisë. Një krim i veçantë që sjell panik e terror jo vetëm tek të shënjestruarit direkt e të afërmit e tyre, por tek gjithë publiku.
Nga peshkimi me dinamit, tek hedhja në erë e shtyllave të tensionit të lartë, nga goditjet kundër pronës e biznesit e deri tek atentatet me mina të telekomanduara, përgjithësisht kjo figurë tmerrësisht e rëndë krimi, nuk ka mundur të gjejë përgjigjen e duhur të shtetit. Sa për shkak të mënyrës së sofistifikuar të realizimit të saj, po aq dhe për paaftësi të policisë dhe strukturave kriminale. Dinamika e këtij krimi ka ardhur në rritje dhe vetëm për muajin e kaluar u shënuan disa ngjarje të njëpasnjëshme të tilla. Si zakonisht, pa autor.
Revista Java ka kontaktuar një numër specialistësh të rendit. Të gjithë pranojnë vështirësinë ekstreme të hetimit të këtij krimi, por njëkohësisht, pranojnë edhe një diletantizëm ekstrem në hetim. Duke nisur që me strukturimin e tij.
“Është një krim kompleks që kërkon njohje të gjerë dhe hetim të përqendruar e bashkëpunim perfekt mes policisë, prokurorisë, Shërbimit Informativ. Kërkon një sistem të tërë të koordinuar që mund të jetë një task- forcë që përqendron hetimin në një dorë dhe jo të shpërndarë e të coptuar si deri më tani. Për momentin, vetë mina e telekomanduar quhet armë dhe mënyra e sigurimit të saj hetohet nga antiterrori, kurse atentati kur ka viktima, hetohet nga sektori i krimeve të rënda, vrasjeve. Kjo duhet të ndryshojë. Shpresoj që në këtë periudhë ndryshimi pushtetesh, të krijohet mundësia për t’u pyetur specialistët dhe të ndryshojë dhe mënyra tradicionale e hetimit të kësaj vepre të rëndë penale”, thotë një nga ekspertët e rendit.
Ai shton se nevojitet koordinim edhe me homologët e huaj, kryesisht të vendeve fqinje, edhe ekspertizë e huaj, edhe krijimi i kapaciteteve laboratorike të nevojshme, por të munguara deri më tani.
“Këta hapa të shpejtë që përmend nuk garantojnë sukses në zbulimin e ndëshkimin e këtij lloj krimi, por janë një hap drejt suksesit”, thotë ai pa pranuar të identifikohet. Ai kërkon të theksojë se “reformat e herëpashershme të bëra në polici, sidomos ato të lëvizjes së specialistëve mbi baza politike, kanë sjellë kryesisht kaos e demoralizim. Specializohet dikush, por vjen shpejt një ditë që ngaqë nuk i pëlqen me eprorit, lë vendin e punës dhe kështu merr me vete edhe çfarë di duke lënë pas vetëm ca dosje të thata që në shumicën e rasteve nuk thonë asgjë”.
Në kushtet e anonimatit, specialisti i rendit thotë se kërkohet dhe një bashkëpunim ndryshe edhe me kompanitë celulare që operojnë në vend.
“Tani ligji kërkon të bëhet identifikimi i çdo mbajtësi të numrit celular. Por edhe në rastet, kur shpërthimi lejon gjetjet e numrit të celularit që ka shërbyer si detonator, përsëri kemi dështuar. Sepse ato ose ishin regjistruar me emra qytetarësh të vdekur, ose me emra të shitësve që i blejnë ato me shumicë nga kompanitë. Në një rast të evidentuar në Elbasan dhe në një tjetër më të freskët në Kavajë, kur u arrit deri tek “pronarët” e numrit, doli që ata nuk kishin asnjë lidhje me shpërthimin dhe se ishin thjesht tregtues të atyre numrave.
Me siguri duhet që kompanitë të shesin vetëm në pikat e tyre të licencuara dhe absolutisht në asnjë rast në rrugë nga ambulantët”, thotë specialisti i rendit.
Nga vijnë
Sidomos krimi, kur kërkon gjen! Fillimisht ishte dinamiti i thjeshtë. Një kallëp i tillë gjendej me vështirësi deri në 97’, por pas shpërthimit të depove të ushtrisë në mars të atij viti, ai u bë një mall që mund të sigurohej nga kushdo. Edhe pse deri më atëherë, ishin vërejtur tentativa të ndryshme për të bërë eksploziv në mënyrë artizanale, i cili përdorej kryesisht për peshkim apo më rrallë, edhe për krime kundër jetës dhe pronës. Policia ka zbuluar disa episode të prodhimit artizanal, por edhe shumë të sofistikuar të mjeteve shpërthyese. Në Vlorë është shënuar tre vjet më parë një rast kur bomba i shpërtheu një qytetari në dorë teksa po bënte montimin, në Fier u arrestuan dy persona të cilët kishin shndërruar një pikë shërbimi për riparim celularësh në bazë për montimin e eksplozivëve me celular. Po kështu edhe në Tiranë në një apartament në rrugën e Elbasanit. Në Shkodër është arrestuar një teknik televizorësh që montonte mina të telekomanduara.
Por burimi kryesor dhe më i rëndësishmi është Mali i Zi. Në fillim të viteve 90’, çmimi shkonte deri në 10-15 mijë marka gjermane. Sot ai ka rënë dhe vetëm për dy mijë euro mund të sigurohet një armë e tillë e frikshme nga i njëjti burim. Ngjarjet e ndodhura me këtë lloj “protagonisti” në Tiranë, Durrës, Shkodër, Laç, Lezhë besohet se arma është mall importi malazez. Policia beson se bazat kryesore të gjetjes së tyre ndodhen në Shkodër dhe Mamurras dhe që andej shpërndahen dhe gjetkë. Prej disa vjetësh policia beson se tashmë mina të tilla mund të prodhohen dhe në tregun vendas.
Si funksionon
Duhen vetëm pak njohuri fillestare në elektronike dhe inxhinieri elektrike, vullneti kriminal për ta vënë në jetë krimin dhe gjithçka është e thjeshtë. Fillimisht sigurohet mjeti shpërthyes. I cili është një sasi eksplozivi, zakonisht C4 që ka forcë shumë të madhe shpërthyese, pastaj në të montohet një celular. Thirrja që i drejtohet nga distanca celularit nga një celular tjetër shërben si detonator dhe shpërthimi. Gjithçka është shumë e rrezikshme. Duke nisur që me montimin e minës në objektiv. Në vitin 2002, E. R., me një armë të tillë në dorë u hodh në erë në afërsi të banesës që kishte shënjestruar për ta goditur. Ka mbetur enigmë nëse bëhej fjalë për një aksident apo që bashkëpunëtorët e tij i kishin bërë një thirrje më të shpejtë në kohë celularit-detonator.
Me dinamitin gjithçka është edhe më e thjeshtë. Pak fitil që i vihet flaka dhe vendosja e tij në objektin e shënjestruar. Aq fitil sa i duhet atentatorit që të largohet nga vendngjarja. Por këto janë raste më të rralla.
Rastet më të rënda
Fundi i viteve 90’ ishte veçanërisht i rëndë në Tropojë dhe përgjithësisht në veriun e vendit. Një seri atentatesh me mina të telekomanduara në rrugët malore që të çonin në Bajram Curri shkaktuan viktima dhe shumë terror në vend. Në pothuaj asnjë rast, përveç dyshimeve, nuk është arrestuar askush. Por vetë të afërmit e viktimave të shpërthimeve, me hetime vetjake e vinin gishtin diku dhe merrnin hak po vetë.
Në vitin 2004, një biznesmen i njohur në Tiranë vritet me eksploziv në afërsi të apartamentit të tij.
Në distancën e më pak se një viti, 2010-2011, vetëm në Vlorë ndodhën një seri atentatesh me eksploziv. I pari në tetor 2010 ndodhi në qendër të Vlorës, por pa viktima. Në nëntor hidhet në erë makina e biznesmenit E. Ç., por sërish pa viktima. Në prill të vitit 2011 hidhet në erë, në mes të qyteti makina Opel Corsa e viktimës R. A dhe plagosen dhe katër të tjerë.
Në korrik, kati i nëntë i një pallati pranë portit të Vlorës hidhet në erë dhe vritet N. A., që dyshohej se humbi jetën duke përgatitur eksplozivin. Në shtator të të njëjtit vit, shënjestër e krimit ishte gjykatësi S. K. Bomba ishte vënë nën sediljen e shoferit.
E gjithë kjo spirale krimi me karakteristika të njëjta për Vlorën, e çoi policinë në dyshimin se ekziston një grup kriminal i strukturuar, që vepron kryesisht me porosi.
Policia dyshon, sidomos në rastin e atentatit ndaj gjykatësit se mënyra perfekte e zbatimit të atentatit, dëshmon se pjesëtarë në të kanë qenë disa persona.
“Mënyra e vendosjes së eksplozivit, lloji i minës shpërthyese, komandimi në distancë i saj tregojnë që autorët veprojnë si profesionistë të krimit”, thotë një tjetër specialist i rendit. Ai kritikon rëndë edhe një dështim të mënyrës së hetimit nga policia. Duke nisur me ngjarjen e korrikut 2011, kur vetëm një muaj e gjysëm nga atentati ndaj gjyqtarit, ndodhi incidenti fatal për N. A., i cili dyshohej se po montonte një bombë të telekomanduar. “Policia gaboi kur e mbylli ngjarjen si aksident. Duhet të kishte patjetër një hetim shumë më të thelluar”, thotë ai.
Të njëjtën gjë ka pohuar dhe ish-ministri i Brendshëm, sot President i Republikës Bujar Nishani në një debat televiziv me gazetarë në studion e Blendi Fevziut.
Vetëm muajin e kaluar ndodhën dhe tre episode të tjerë të ngjashëm. Një polic në Shkodër, kryetari i komunës Golem dhe makina e një biznesmeni laçian në Tiranë, u bënë shënjestra atentatesh. Më herët, administratori i fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, Anvar Rizik, u vra me minë të telekomanduar në portën e shtëpisë së tij, dy-tre biznesmenë ndërtimi janë goditur në makinat e tyre në Tiranë. Fabrika e çimentos në Fushë Krujë është një shënjestër e vazhdueshme e sulmeve me eksploziv.
Eksperti i policisë ka megjithatë një përgjigje tjetër. Sidomos kur flet si politikan që gjithë të keqen e sheh tek politika në vend.
“Vetëm me politikë të drejtë luftohet krimi në përgjithësi dhe kjo figurë krimi në veçanti”, thotë ai. Dhe ka të drejtë. Dikur, vite më parë, Fatos Nano kur u pyet se pse nuk hidheshin më në erë shtyllat e tensionit të lartë, gjë që ishte bërë e zakonshme gjatë qeverisjes së tij, dha një batutë idhnake: “Sepse ata që e bënin më parë këtë punë, tani janë në punë në zyrat e shtetit”.
Si ka mundesi qe ne kohen e xhaxhit nuk ja mbante bitha ndokujt te shkrepte nje fishek edhe kot e jo me te perdorte kallash, granada, kundertank, tank , ekspoziv, raketa. Shyqyr qe nuk kishte ne depot ushtarake ndonje bombe atomike se do na kishte marre lumi sot.
Si ka mundesi? Ne kohen e xhaxhi strategut behej pune voluminoze e serioze o homo. Drejtuesit e organeve te drejtesise ishin pa perjashtim eksperte te shkolluar, te afte dhe me pervoje shumevjecare.
Ne ate kohe ligji funksiononte sic duhet dhe keqeberesve u dridheshin leqet e kembeve kur mendonin se c’do te hiqnin pasi te ndeshkoheshin. Pervec kesaj numri i krimineleve ishte shume here me i vogel se sot, nderkohe qe kuota e zbulimit te krimeve te bera ishte e nje niveli shume te larte.
Ne kohen e xhaxhi strategut nuk u be asnjehere nje njoftim zyrtar ku te thuhej si pa te keq, se “autoret e krimit u larguan ne drejtim te paditur…”. Dhe a e di se pse nuk thuhej dicka e tille? Nuk thuhej se e para kjo thenie eshte nje gabim taktik, i cili mund te krijonte pershtypjen tek keqberesit se ruajtesit e rendit flene gjum ne orar te punes, dhe e dyta dhe me e rendesishmja eshte se shancet qe kriminelet t’i shpetonin prangave ishte relativisht zero.
Mendoj qe me shume do te rendohet gjendja duke patur shtete brenda shtetit si Lazarati. Kur t’i deshton totalisht perpara krimit te dukshem, si do ta luftosh te padukshmen?!
Krimet e pazbuluara jane paaftesia e eksperteve te policise,Dhe kerkesa e llogarise te instancave me larte-Shtetit politikes.Ne rastin e Shqiperise politikanet jane te lidhur drejte perdrejte me krimin.
ME MINISTËR SAJMEN NJË GJË ËSHTË E GARANTUAR QË NGA VDEKJA NATYRALE SDO IKIM NGA KJO BOTË, POR NË MËNYRA NGA MË TË LARMISHMET, SI HEDHJE TRUSH,ZORRËSH NË ERË, SPËRKATJE ME PLUMBA KALLASHI ETJ.LUM SI NE PËR RILINDJEN QË EDHE VDEKJEN SPO E LODH DUKE PRIT POR PO E BËN EDHE ATË INTERESANTE,SI NGJYRAT E GJAKUT NË KRYEMINISTRI.
O EDIIIIII! NUK BËHET SHTETI ME ÇAPAÇULË O NJERI!!!!
PËRPARA RIPJERDHJE!
Zoti minister SAIMIR TAHIRI, mos u lodh kot duke pushuar vetem polic nga puna,problemi krimit qendron gjetk, po nuk funksionoj shiku qe han leket e SHQIPTARVE,dhe mender pirdhen ter diten e dites me raki dhe rrin xurxull,nuk zhduket krimi,shiko nga sistemi kaluar dhe mso per zhdukjen e krimit se nuk esht turp,se edhe PPSHja luften kunder kriminalitetit e kish kopjuar tek shtetet e perendimit,shiku ne SHQIPRI nuk funksionon fare, te vriten qindra njerez me shperthim bombe dhe mos zbulohen njerzit qe i prodhojn ose i fusin ne teritorin SHQIPTAR kto mina me telekomand,kjo tregon qe punonjesit e shikut duke filluar nga kryetari jan debitor me shtetin shqiptar dhe duhet te kthejn mbrapsh rrogat qe kan marr dhe pa ber asnje lek pun dhe per mendimin tim me mir shkriheni shikun se sa e mbani si figur,jan mbledhur ca injorant pa shkoll ne shik nga PDja dhe e kan kthyer kte istitucion ne shoqat pianecesh dhe antishqiptaresh, se dhe kryetari esht me nenshtetsin e nje shteti tjeter,e pa par dhe e degjuar ne asnje vend tjeter te botes kjo gje.
Specialistet e afte nuke duhet te kene ngjyrime Politike.Ato duhet te stimulohen me paga e Paisjet me te domosdoshme per Zbulimin e krimit. Nga Qeveria e re presim shume……….