Shkarkohet drejtori i burgut të Rrogozhinës, i dha leje të paligjshme të dënuarit për tre vrasje

10 Tetor 2013, 17:24Kronika TEMA

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka shkarkuar drejtorin e burgut të Rrogozhinës, Rezart Tusha, pas një leje të paligjshme për një të burgosur. Bashkë me të është shkarkuar edhe mjeku i burgut.

“Dje në Burgun e Rrogozhinës është dhënë një leje e veçantë për të dënuarin Kasandër Noga, një leje e paligjshme, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve. Për këtë shkak, janë liruar nga detyra Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, z. Rezart Tusha dhe mjeku i burgut, z. Alban Haxhi, si dhe kanë filluar veprimet procedurale hetimore.

Nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore, ka rezultuar se ka shkelje në dhënien e kësaj leje, si dhe nuk janë respektuar kërkesat ligjore. I dënuari ka kërkuar leje për të takuar nënën e tij, me pretendimin se ajo ishte e sëmurë, por nga verifikimi i epikrizës së gjendjes shëndetësore të nënës së të dënuarit rezulton se dokumenti është fals. Kjo, pasi një nga mjekët e komisionit të aprovimit të epikrizës gjendet aktualisht jashtë shtetit.

Sa më sipër, Ministria e Drejtësisë ngriti një grup hetimor dhe një grup inspektimi të veçantë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kryesuar nga drejtori Artur Zoto, të cilët konkluduan paligjshmërinë në dhënien e lejes së veçantë dhënë të dënuarit K. Noga. Gjithashtu, u bë referimi i veprës penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Kavajës për ish- drejtorin Tusha dhe mjekun Haxhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Referimi i veprës penale për veprën e falsifikimit të dokumenteve u bë edhe për familjarin e të dënuarit Noga, i cili ka dorëzuar epikrizën e rreme në këtë institucion”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.

Kasandër Noga është dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes në bashkëpunim” në tre raste, nga të cilat i kanë mbetur edhe 15 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë për të kryer dënimin.

1 komente në “Shkarkohet drejtori i burgut të Rrogozhinës, i dha leje të paligjshme të dënuarit për tre vrasje”

  1. aron says:

    Po te duan qe te heqin keta te LSI-se edhe pa aresye te heqin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje