Halli i vërtetë i PD, jo konsensusi, por ligji

17 Tetor 2013, 20:04Blog TEMA

Nga Alfred Peza

 

Partia Demokratike sot është edhe një hap larg të të bërit opozitarizëm cilësor. Sepse ajo kërkoi të prodhonte opozitarizëm nëpërmjet një kauze të rreme, që po e dëmton tani edhe atë vetë. Qëndrimi i opozitës së re, në lidhje me diskutimin e aktit normativ të qeverisë, për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, nuk është gjë tjetër, veçse një rikthim në këtë stinë të re, tek kohët e saj të vjetra.

Partia Demokratike, në emër të konsensusit, nuk kërkoi gjë tjetër këtë javë, veçse të marrë vetë ligjin. Ndaj kërkesa e saj që të japë konsensus, po qe se bini dakord të na jepni ligjin, është zhvlerësim i vetë konsensusit. I atij konsensusi të madh që së bashku me 2 ligjet e tjera të miratuara më 30 maj, me standardin e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe rotacionin normal me votë të pushteti, na çoi dje tek i shumëpritur progres – raport i Komisionit Europian, që rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE, Shqipërisë.

Të nderuar kolegë të opozitës!

Pavarësisht bindjeve tona politike, të rikujtoj se ndodhemi në këtë sallë që të bëjmë gjithçka që do të na kërkohet për integrimin e vendit. Edhe ju, edhe lideri juaj, edhe kryetari juaj, e thoni me fjalë. Por, çështja është se ato që na mbeten në fund të gjithëve, janë veprat. Në shoqëritë demokratike, administrata dhe nëpunësit civilë janë pasqyrë e partive politike. Në Shqipëri, partitë politike janë bërë pasqyrë e administratës dhe e nëpunësve civilë. Kjo duhet të marrë fund, njëherë e përgjithmonë. Ja pse ne jemi sot këtu.

Opozita bën si e shqetësuar për konsensusin. Por, në emër të tij, kërkon të minojë zbatimin e ligjit, nëse sot ne nuk miratojmë aktin normativ për shtyrjen e kohës së hyrjes së tij në fuqi. E gjitha kjo, me të vetmin qëllim: Për ta bërë të zbatueshëm këtë ligj. Në funksion të njerëzve, efiçencës së drejtimit dhe menaxhimit të qeverisë e shtetit. Sipas parimit: Në qoftë se është sistemi që i pengon njerëzit, sistemi duhet të ndryshojë. Nëse nuk e ndryshojnë, do të thotë se ne kujdesemi më shumë për sistemin se sa për njerëzit. Kjo është totalisht e papranueshme.

Ne sot kemi në dorë një ligj që nuk mund ta zbatojmë. Njësoj si të kemi në duar një celular të sofistikuar, të bukur dhe me dizajn të përsosur, por nuk kemi kodin për ta hapur atë. Për ta bërë të funksionueshëm që të na shërbejë. Kështu siç është sot, ne kemi një konsensus. Por nuk kemi një ligj. Për të shkatërruar mundësinë e zbatimit të ligjit, me ëndrrën se do të na fusë në krizë nëpërmjet pamundësisë së qeverisjes, opozita po përdor si pretekst konsensusin.

Partia Demokratike po kërkon të bëjë kurban ligjin në emër të konsensusit. Në demokracinë funksionale sot, trendi, tendenca apo boshti nuk është: Të majtë e të djathtë; socialistë apo demokratë; liberalë ose konservatorë. Por, konstruktivë – destruktivë.

Partia Demokratike në emër të konsensusit i ka thënë shqiptarëve këto ditë se akti normativ i qeverisë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil që ne po diskutojmë sot, nuk është gjë tjetër veçse një skenari ynë për të mos e marrë statusin e vendit kandidat për në BE, në dhjetor.

E si në situatën sinoptike të Enver Hoxhës për poliagjentin Mehmet Shehu, ne ishim aq të “djallëzuar”, “antidemokratë” e “antishqiptarë” sa e bënim të gjithë këtë, që merita për marrjen e statusit të mos i njihet PD. Por, nëpërmjet këtij akti normativ, ne ta shtynim procesin e zbatimit të ligjit për në “kalendar greke”, derisa merita të na njihej ne.

Çfarë u tha dje në progres raport? Citoj: “Reforma e administratës publike është prioritet kyç i opinionit. Miratimi në maj i ligjit të shërbimit civil, një nga masat e kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat, ishte një hap i madh drejt depolitizimit të administratës publike”.

Më tej, raporti godet “Thembrën e Akilit” të qëndrimeve të sotme të opozitës, kur thotë se: “Ligji shfuqizonte legjislacionin ekzistues pa ofruar dispozitat e nevojshme kalimtare, derisa legjislacioni i implementuar të hyjë në fuqi. Qeveria miratoi në shtator mendimet teknike për të shmangur vakumin ligjor. Miratimi në kohë i legjislacionit sekondar, në përputhje me parimet e zbatimit të ligjit, është thelbësor”.

Pra, jo konsensusi për konsensus, i tundur në ajrin e ndotur të politikës së vjetër, si çarçafët e virgjërisë së dikurshme, POR miratimi në kohë i legjislacionit sekondar (pra akti i sotëm normativ), në përputhje me parimet e zbatimit të ligjit, është thelbësor.

Partia Demokratike mund dhe duhet t’ia kishte kursyer shqiptarëve këtë diskutim, këtë seancë dhe këtë rendje symbyllazi për të gjetur “Gozhdën e Nastradinit”, në të cilën synon që të varë xhaketën e vjetër të opozitarizmit të ri. Duke përgatitur vetë kur ishte ende në qeverisje, aktet nënligjore të ligjit të shërbimit civil.

Nuk kishte kohë që ta bënte këtë në përfundim të mandatit të saj të dytë. Pasi në kohën e miratimit të këtij ligji me konsensus, vendi kishte hyrë zyrtarisht në fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit.

Por, Partia Demokratike kishte kohë që ta bënte këtë, gjatë mandatit të saj të tretë. Po. Po. Se për shkak të një boshllëku kushtetues PD qëndroi jo për 2, por 3 mandate në pushtet. Një mandat që zgjati plot 11 javë, derisa mazhoranca jonë mori në dorë frenat e qeverisjes së vendit një muaj më parë. Nëse gjatë dy mandateve të para 4-vjeçare qeverisëse, opozita e sotme bëri edhe ndonjë punë të mirë, gjatë mandatit të saj të tretë e të shkurtër qeverisës, ndër shumë gjëra të këqija që bëri, mund të bënte qoftë edhe një punë të mirë.

Të kishte përgatitur siç e kishte edhe detyrim ligjor e kushtetues amendimet e këtij ligji dhe më 1 tetor, bashkë me hyrjen e tij në fuqi, të gjithë së bashku, me konsensus ishim mbledhur në këtë sallë dhe i kishim miratuar. Nga ai moment e në vazhdim, edhe ne qeverisnim me ligjin e ri dhe opozita rrinte e qetë për njerëzit e saj në administratë. Kaq e thjeshtë është.

Pyetja ime për opozitën tani NUK është më: A e bën dot? POR: Pse nuk e bëre?!

Pse nuk gjetët kohën nga 23 qershori, deri në mes të shtatorit kur qeveria jonë bëri betimin, që ti përgatisnit këto akte?

Pse gjetët kohën për të zhvatur, shpërndarë e falur toka, prona, llokma, tendera, monopole, reparte ushtarake, leje ndërtimi, puse nafte, miniera pa fund?

Po për të marrë vendime në Këshillin e Ministrave në ato 8 javë, më shumë se në 8 vitet e fundit?

Pse kishit kohë për të bërë emërime pafund kudo e në çdo vend?

Po për të lidhur kontrata të përhershme e të përkohshme pune, ku të mundnin e si të mundnin?

Për të vendosur gjobat e fundit, për të dhënë koncesionet e fundit, për të firmosur privatizimet e fundit?

Përgjigja është fare e thjeshtë: Sepse ju nuk ju duhet konsensusi. Sepse ju e keni shkatërruar atë gjatë 8 viteve të qeverisjes së kaluar. As nuk e keni kërkuar, as nuk e keni dhënë e as nuk e keni ushqyer. Ju nuk ju duhet as administrata dhe as nëpunësit e saj. Sepse ju i keni shkatërruar ato. Ju nuk ju duhet as shërbimi civil. Por vetëm ligji. Për ta bllokuar. Për ta bërë të papërdorshëm. Të pa vlerë.

Konsensusi ishte maska. E cila ra dje, pas publikimit të Progres Raportit të Komisionit Europian që i rekomandoi Këshillit të Ministrave të BE, dhënien pa kushte të statusit të vendit kandidat, Shqipërisë. E ndërsa konsensusi ra, Ligji mbetet. Bashkë me Aktin Normativ të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

I ftoj edhe kolegët e opozitës, që ta votojnë. Jo për t’i dhënë mundësi ligjit që të zbatohet. Por, për t’i dhënë mundësinë e fundit vetes, që të shpëtoni nderin e konsensusit të madh që nuk dha, por që morët në maj. E bashkë me të, për të shpëtuar edhe nderin e opozitës së hallakatur nga fluturimi me dy koka.

5 komente në “Halli i vërtetë i PD, jo konsensusi, por ligji”

  1. ali says:

    O patriot Peza ! Halli i opozites tash permblidhet vetem dy pika kardinale. Sqaroj se humbja e pushtetit
    nga ana berishizmit nuk eshte fare problem per ta . Kjo eshte vetem loje e tyre gjoja se po u digjet xhani
    per administraten ,etj.etj.
    1. berishizmi hallin e ka te pasuria e vjedhur dhe e grabitur permes dhunes e shantazhit .Prona e siguruar
    ne kete rruge mafioze tash duhet mbrojtur me cdo kusht .Dhe prandaj ulurinje ,bejne aq zhurme e rremuje
    qe ta mbrojne ate me zjarr e hekur !
    2.berishizmit i ka hyre data se qeveria Rama do t’u konfiskoi keto grabitje e vjedhe dhe do t’i coje keta ne bangen e drejtesise, ne qelite e burgut 313 !
    Pra , e gjithe rremuja e uluritjet e tyre konsistojn ne keto dy shtylla te kundershtimit te kesaj bande krahi-
    nore ,hajdute,vrasese, etj.etj.

    1. Ilir Gruda says:

      Shume e sakte!!!!!!!!

  2. Auron says:

    E kemi thene se, PD-ja nuk eshte PARTI POLITIKE,AQ ME PAK OPOZITARE,POR NJE BANDE KRIMINALE,QE ,NJE NGA NJE DUHET TE DALIN PARA DREJTESISE,QE NGA Sali Berisha i PARI e deri ne NXJERRJEN E SAJ JASHTE LIGJIT Si Agimi i Arte ne Greqi!!!
    Nuk ka bere AGIMI I ARTE ME SHUME KRIME NE GREQI SA PD-ja NE SHQIPERI!!!

  3. Shqiperia Moderne says:

    z.Peza mire fole per llokmat vjedhura ne muajt e fundit, nuk di e e ke denoncuar repartin ushatarak ne Peqin qe ish kryehajduti i e mafiozi i PD Dashnor Sula, qe ju harrofte emri, e pervetesuar me firmen e Arben Imamit dhe e ka kthyer ne fabrike fishekzjarresh, apo pikat e tij te karburantit qe furnizohen me karburant kontrabande, po kete e di. Ti duhet te jesh i pari qe duhet te angazhohesh ne nje investigim te qarte te ish deputetit te Peqinit, lidhjet e tij me krimin. Po nuk e denoncove, harroji votat 4 vitet e ardhshme. Fillo dhe investigo. Ke shume njerez te ndershem ne Peqin qe mund te te ndihmojne te zbulosh mafiozlliqet e Dashnor Sules, ketij shemtire, surrat bretkose.

  4. Zeçir says:

    Tik-Tak; Tik-Tak; Tik-Tak! Ku janë zhelet e Jozefinës, z. Peza. Kam dëshirë që edhe Jozefinës, Bregut, Palokes dhe ca të tjerëve, si Berishes të iu lejohet nga z.Ruçi dhe z.Meta, që të diskutojnë me kohë të pakufizuar në Parlament! Tik-Tak, Tik-Tak; Tik-Tak!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje