Në xhepin e përparëses së mjekut

14 Tetor 2013, 18:11Blog TEMA

Nga Arnold Grabocka

 

Arrestimet më të fundit të mjekëve në Korçë, janë simptomë e spektrit që prej rënies së regjimit monist përndjek sistemin shëndetësor.

Korrupsioni i mjekëve, infermierëve, farmacistëve, shfrytëzimi i pozicionit të dobët të pacientit për ta shtrydhur atë prej kacidheve të fundit, është një skemë e mirënjohur, por e keqanalizuar, e spitaleve publike në gjithë Shqipërinë.

Mënyrat e vjeljes ilegale të sistemit shëndetësor shqiptar ndaj taksapaguesit-pacient konsistojnë në këto katër nënkategori:

Absentizmi, pagesat informale, abuzimi mbi pronësinë e spitalit dhe shitja e pozicionit.

1. Absentizmi ka të bëjë me neglizhimin e punës (me rrogë dhe orar fiks) së pari në formën e mosparaqitjes së rregullt në punë; së dyti, ka të bëjë me qëndrimin në punë më pak orë sesa është përcaktuar në kontratë, ose rendimenti më i ulët sesa mund të justifikojë  rroga fikse. Absentizmi ka implikime direkte edhe prej mosrespektimit të Betimit të Hipokratit.

2. Pagesa informale ka të bëjë me dhënien ose marrjen e parave “nën tavolinë” për shërbime, të cilat në kushte normale jepen falas; trajtim i privilegjuar nëpër institucione publike, kundrejt shumave të ndryshme parash.

3. Abuzimi mbi pronësinë e spitalit ka të bëjë me përdorimin e materialeve spitalore, hapësirës, mjeteve të transportit apo buxhetit spitalor për interesa të ngushta vetjake.

4. Shitja e pozicionit ka të bëjë me dhënien ose marrjen e ryshfetit për të punësuar dikë, me nepotizëm të plotë, pa respektuar sistemin kapilar meritokratik.

Kujtdo, të cilit i bie për pjesë fatkeqësia e marrjes së shërbimeve prej spitaleve publike shqiptare, i duhet të stërvitë syrin dhe mendjen për të lokalizuar këto katër forma bazike korrupsioni spitalor.

Arrestimi i disa mjekëve, simptomë e rrënimit të sistemit publik shëndetësor, duhet të shihet si një alarm, jo vetëm për forcat e rendit, por edhe për qytetarët, të cilët duhet të jenë të parët në denoncimin e përditshëm të këtyre aferave.

Pafund histori bëmash dhe aventurash korruptive spitalore tregohen prej atyre që kanë pasur fatkeqësinë të kenë të bëjnë me këtë sistem.

Specifikisht në Spitalin Publik të Korçës ndodhin çudira dita-ditës. Atje gjen gjithçka: nga sorollatja burokratike derisa organet të dështojnë në funksionin e tyre (prej plakjes a sëmundjes), tek monstrifikimi i personelit mjekësor, e deri tek skemat e ilaçeve mes mjekut dhe farmacistit, a infermierit dhe farmacistit.

Madje siç shihet edhe tek foto që më dërguan prej një aventure të tillë në Korçë (bashkëngjitur), spitalet publike gëlojnë edhe nga skedinat sportive të personelit.

Duket se halli më i madh i stafit të spitalit ka të bëjë me rezultatet e mesditës të së dielës në Serinë A italiane, dhe jo me hallin e ndonjë pacienti aty-këtu.

Por nuk dua të ndalem në bëmat konkrete të doktorëve, apo në manifestim praktik të katër formave të korrupsionit spitalor. Kjo do të ishte monotone, e përsëritur nëpër kafene a vizita familjare (vetëm emrat e pacientëve a prejardhja e tyre ndryshojnë sipas rastit).

Dua të ndalem tek një studim që kemi bërë para një viti në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, specifikisht për të parë situatën e Spitalit Publik të Korçës.

Në anketim u morën gjithsej 300 persona, 150 prej të cilëve ishin duke u kuruar në këtë spital gjatë mbarëvajtjes së studimit, dhe 150 të tjerë sapo kishin dalë prej spitalit. Gjithë metodologjia dhe mikro-kozmosi i përfaqësimit mund të gjenden online.

Një sërë të dhënash të nxjerra prej anketimit përbëjnë fakte tepër shqetësuese.

Së pari, prej gjithë të anketuarve, vetëm 21% u përgjigjën se infermierët i kishin trajtuar gjithnjë me kujdesin e nevojshëm. Në shumicën e rasteve, vetëm ndonjëherë infermierët ishin kujdesur për nevojat e pacientëve përgjatë qëndrimit të tyre në spital. Dhe në fakt, për 15% të rasteve nuk ishte treguar asnjë lloj përkujdesje prej mjekëve. Në fakt, 52% e të anketuarve nuk ishin të kënaqur me shërbimin infermierik të Spitalit të Korçës.

Një fenomen i ngjashëm arrogance spitalore u vërejt edhe në lidhje me trajtimin që u japin mjekët pacientëve. Vetëm 5% e të anketuarve deklaruan se kanë marrë gjithnjë përkujdesjen e duhur prej mjekëve. Për shumicën e të anketuarve (34%) mjekët vetëm ndonjëherë paraqitën përkujdesje korrekte, ndërsa për 41% të të anketuarve, mjekët nuk kanë paraqitur asnjëherë përkujdesje. Vetëm për 20% të të anketuarve mjekët zakonisht kanë paraqitur përkujdesje.

Si rezultat, sipas studimit vetëm 1 në 2 pacientë të Spitalit të Korçës marrin përkujdesje prej infermierëve, dhe vetëm 1 në 4 pacientë marrin përkujdesje prej mjekëve.

Shqetësuese po ashtu është se në kohën e anketimit, 64% e pacientëve të anketuara kishin paguar infermierët për shërbimet e ofruara. Në përgjithësi, tek pjesa e atyre që kanë paguar për shërbimet infermierike, qëndronte edhe ideja se pa paguar shuma monetare të caktuara, shërbimi infermierik nuk sigurohet, pra konsiderohet si një privilegj i pagarantueshëm, prej infermierëve. Midis atyre që deklaruan se kishin paguar për shërbimet infermierike, shuma më shpesh e paguar ishte 100- 500 Lek. 86% e atyre që deklaruan se kanë paguar para për shërbimin infermierik në Spitalin Publik të Korçës kanë paguar këtë shumë. Por ka edhe nga ata që kanë paguar shifra më të larta, të cilat shkojnë mbi 5000 Lek. Në çdo 3 persona, 2 paguajnë për shërbimin infermierik të marrë. Kjo dukej të ishte shpeshtësia e pagimit informal ndaj infermierëve.

I njëjti rezultat u pa edhe kur të anketuarit u pyetën në lidhje me shifrat që u kishin paguar mjekëve. 29% të tyre treguan se u kishin paguar mjekëve 100-500 lek, ndërsa shumica (32%) deklaruan se kishin paguar 550-1000 lek.

8% të të anketuarve kanë paguar 1500-5000 lek, e kështu me radhë deri tek shifra marramendëse mbi 10.000 Lek.

Kësisoj duket se një pjesë e mjekëve dhe infermierëve punojnë në mënyrë kohezive me njëri-tjetrin në përcaktimin e shumës të cilën padrejtësisht do të vjelin prej pacientit. Shpesh, këto shuma merren duke pranuar para “të future në xhepin e përparëses në shenjë mirënjohje” sikundër deklaruan edhe mjekët e arrestuar në Korçë.

Kësisoj, 72% e pacientëve dhe ish-pacientëve të anketuar pranuan, para një viti, se në një mënyrë a në një tjetër u ishte dashur të jepnin në mënyrë informale para gjatë qëndrimit në spital. Këto shifra varionin nga 200-1000 lek (për një vaksinë), e deri në mbi 10.000 lek për raste serioze. 15% e tyre ia kishin dhënë këto para informalisht vetëm mjekut; 6% ia kishin dhënë vetëm infermierit. 36% e tyre i kishin dhënë para për shërbimet e ofruara edhe mjekut, edhe infermierit. 35% i kishin dhënë para gjithë stafit mjekësor. 8% e të anketuarve madje refuzuan edhe të përgjigjen në lidhje me këtë.

Pavarësisht statistikave, problemi kryesor qëndron tek keqinformimi i pacientit. Pacienti nuk i di të drejtat dhe detyrimet e tij, në shumicën e rasteve. Ai madje mund ta konsiderojë si një detyrim moral futjen e parave “tek xhepi i përparëses”, duke u bërë bashkëfajtor në këtë fajde. Kësisoj, përpara se të ndërmerren hapa ligjorë në eradikimin e sistemit korruptiv spitalor, duhet një rifokusim dhe ringritje e institucioneve informuese.

Në rastin e Korçës, 78% e të anketuarve as nuk e dinin se ku duhet të denoncohet rryshfeti, dhe as nuk ishin të informuar mbi kuptimin e rryshfetit spitalor. Ata nuk e dinin ku të informoheshin dhe as se ekziston një entitet institucional i quajtur “Zyra e Informacionit”. Kësisoj, përpos hetimit në shkallë të gjerë të gjithë strukturës së shëndetësisë, nevojitet një fushatë informacioni, ku vetë pacienti të bëhet zot i të drejtave që në kushte normale gëzon.

Sot, në xhepin e përparëses të mjekut nuk rëndon vetëm ryshfeti në kurrizin e pacientit, por njëkohësisht edhe keqinformimi dhe terri i informacionit.

10 komente në “Në xhepin e përparëses së mjekut”

  1. antipod says:

    mjeket e shkrete nuk kane faj.ata kane bere betimin e hipokritit dhe e mbajne ate.eshte faji jone qe dliresine e tyre si prej virgjereshe mundohemi ta shkaterrojme duke u dhene para me zor.

  2. ABC says:

    Hmm duhet te shkruash dhe nje artikull per rryfshetet qe merr jot eme tek konsullata ne Korce.

  3. kurioz says:

    Po sikur te permendesh sa e ka rrogen nje infermiere?!!!
    Po sikur te permendesh me cfare situatash perballet personeli mjekesor c`do dite neper keto institucione!!!!
    Po sikur te thuash qe kercenohen per largim nga puna nga ata 20-30% te mjekeve ( kuadrove te reja qe drejtojne keto institucione sa here qe nderrohet pushteti, pa dallim!) qe jane po ata qe marrin pjesen me te madhe te rryshfeteve sepse jane dhe “me te miret ” ne treg!!!!!!!!!??
    Kjo pune nuk behet duke i rene me te dobteve qe pastaj ta botosh ne gazete si arritje e atij apo ketij pushteti!! Bej kuader te forte ligjor, jep rroga me dinjitoze dhe flasim per mjekesi pastaj!!!!!!!!!

  4. eisa says:

    Zoti grabocka e lexova artikullin tuaj me vemendie Po kini te drejt se nje pies e njerzve nuk kan car ti japin miekut apo ifermieres po pote them se asnje ifermiere nuk kerkon lek pavarsisht sa rog mer ,ne qoft s nje piestar i familjes se pacientit i jep 5000lek te vietra si simbol oe i ri te semurit te koka car te keqe ka ose miekut.mieku shpeton nje jet njeriu .PO une kam dhen po smi ka kerkuar mjeku po me shpetoi njerin e dashur te familjes time ja kam ber hallall ate se nxori ne selamet 1000 lekshia ime .Po tjeter ghe kur behet korupsion me shuma te mbedha nje kafe ta jep kush do tu ritet roga miekve dhe ifermieret se jan me te rezikuarit na cdo lloi smundie .Dhe ju qe komentoni nuk e keni provuar turnin e nates apo tu vdes nje njeri ne duar Kam shum resoekt per mjeket apo ifermieret

  5. Tutkuni says:

    Eshte e naturshme qe jo te gjithe mjeket duhen futur nenje thes.Si kudo ka mjeke te pergjegjkshem,te ndershem dhe mjeke te papergjegjshem dhe jo te ndershem…Paradoksi eshte se keta te fundit jane shtuar shume sidomos ne metropolin Tirane..Faji eshte se keta jane kthyer ne milioner dhe rrogen e shtetit e kane sa per sy e faqe qe jane ne pune..Perse?Sepse shumeica e kesaj oligarqie bluxash te bardha ,i kane kthyer klinikat ne miniera floriri,kushtete vertete jane disa here me te mnira se ne spiatale,por shumat qe paguajne pacientet per tu kuruar ne to jane marramendese,megjithese disa shiten si bamirese…Nje mjek tipi milioner i cili me parate e ftuara ne menyre tejet te dyshimte ne kliniken e tij private,qe i “shtyn ditet”njereze me kancer,eshte mjeku mafioz Agim Sallaku.Njekohesisht drejtor i Spitalit te Onkologjise,ku aparatura e skanerti ri me muaj e “prishur”se punon per bukuri ne kliniken e tij private”Sue Ryder Albania”…Naga pacinete te pakenaqur qe kemi pyetur ne hyrje te ketij spitali shumica thone se ai eshte nje mitmarres rytfetci,dhe se me keto para ka cuar te bijen te studioje ne Universiten e Londres…Keto duhet ti shikoje me perparesi zoti kyeminister..Ky doktor mburret se nuk kane cfare me bejne se me mbron Jozefina Topalli..Shurt eshte figura me negative e mjekut shqiptar i maskuar me nje dhimsuri te rreme ndaj pacienteve qe i josh ne klinike duke u thene pa i pare analizat se jane ne faze terminale dhe se i kane ditet e numeruar…TURP!

    1. Splinter says:

      Doktore dallkauke te paafte qe ne mengjez behen tape qe vetem te shohin xhepin.
      Ndodh ne cdo spital ne Shqiperi .
      Gjithe administrata shqiptare eshte infectuar vuajtjet e popullit kane arritur kulmin.
      Keta vetem doctore mjeke sound te quhen.
      Vetem nje emer u shkon atyre per shtat: dallkauke materialiste.

  6. user says:

    Gjithe keto fjale te bukura per te artikuluar nje fenomen qe e njohim te gjithe. Nuk mendoj se eshte problemi i pacientit, se kur jeta e njeriut qe do varet nga vemendja e nje personi, askujt nuk i shkon mendja per denoncime. Puna eshte qe mungon nje gje fare e thjeshte ketu tek ne, tek mjeket tane, dhe eshte Humanizmi. Shkollat dhe Sistemi shendetesor ketu kane bere ca gjoja reforma, po kane harruar te nxjerrin nga bankat njerez, me ato tipare dhe ndjeshmeri qe mbi te gjithe te tjeret duhet ti zoteroje mjeku. Qekur kujdesi shendetesor eshte bere biznes, te tilla fenomene nuk do te na ndahen.
    Nuk jam aspak dakord qe ben pergjegjes pacientin per te tilla zhvatje, sikurse ai eshte viktima ne kete mes. Nese mjeket ne korce jane tashme publikisht te njohur per te tilla matrapazlliqe ndoshta shteti duhet te beje dicka.

  7. Arnoud Korca says:

    Para pak vitesh cova prindin per operim nga apandesiti ne spitalin e Korces, mjeket bene pune te mire, e operuan, e shpetuan. Por, me te mbaruar operacioni, me derguan infermierin e kirurgjise me kerkesen per leke dhe me kontretisht me specifikimin e shumave perkatese, une ia dhashe menjehere dhe ndoshta jam fajtor per korrupsion pasiv. Sapo hyra tek dhoma e mjekeve, ishin 4 mjeke, kirurgu, anestezisti, nje mjeke abdominale dhe ndihmes kirurgu, me folen per operacionin, dhe menjehere njeri me tha “leket leri mbi tavoline se i ndajme vete”, ne mes te mexhlisit! Ua lashe sic me thane. Mendova cdo te kishte ndodhur po te mos ua kisha dhene…, prindi im nuk do te merrte trajtimin e duhur post-operator, nuk do ti benin terapite, nuk do te merrte vizita nga mjeku, me pak fjale do ti rrezikohej jeta edhe pasi i kishte shpetuar operacionit.

  8. hydajeti says:

    para disa vitesh rugtoja per ne gramsh ne elbasan na zuri nata e veshtire te gjeje vend me fjete i zgjas sportelistit pasaporte me5o lek ryshfet per nji vend, me shau me turperoj me tha se jam ivalid dhe me zi e kam gjet kete vend pune turp te kesh. Edhe sot e kesaj dite pas 40 vjetesh me vjen turp nga vetja per veprimin qe bera. Asnjeher skam provuar me te jap ryshfet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje