Januzaj: O sa mirë me qenë...?!

9 Tetor 2013, 10:43Blog TEMA

Nga Arben Manaj

 

Hamletjane duket dilema e yllit shqiptar të “Djajve të Kuq”. Adnan Januzaj ndodhet në udhëkryqin më të madh të karrierës së tij ndërkombëtare dhe do duhet të zgjedhë mes zemrës dhe mendjes.

Polemika e nisur në shtypin anglez pas lojës së jashtëzakonshme të tij të shtunën ndaj Sunderland-it, ku me dy golat e shënuar prej tij, i dha fitoren e rëndësishme kampionëve të Anglisë dhe trajnerit Dejvid Mois, nën presion për fillimin jo fort të mirë të Mançester Junajtid, realisht më të dobëtit në 20 e ca vjet, ka ngritur dilema morale dhe etike për Federatën Angleze të Futbollit, dhe ka prekur sedrën e këtij sporti kombëtar për shkak të mungesës së klasit të pritshëm në talente angleze.

Duhet apo jo ta adoptojë një vend i madh si Anglia, vendlindja e futbollit, një lojtar, një talent si shqiptari Januzaj, siç duket se ka kërkuar trajneri i kombëtares angleze?

A duhet ndryshuar procedura për dhënien e shtetësisë për lojtarët që duan të luajnë për ngjyrat e dhe fanellën e Anglisë?

Shumica e komentatorëve sportiv anglezë duket se janë kundër idesë së dhënies së shtetësisë së Januzajt dhe mundësisë së tij për të luajtur me Anglinë, përmes të drejtës së kohës së qëndrimit.

U bënë dy vjet që Adnan Januzaj është me kontratë me Mançesterin dhe normalisht i duhen edhe tre vjet për të marrë lejen e përhershme të qëndrimit, por duket se edhe mund të ekzistojnë procedura të përshpejtuara për një gjë të tillë, nisur nga fakti se ai është shtetas i BE-së, konkretisht i lindur dhe rritur në Belgjikë.

Ndërkohë që Mançesteri i ka ofruar afro 60 mijë stërlina në javë talentit 18 vjeçar dhe “të ardhmes së ekipit”, siç po cilësohet në shtypin sportiv anglez, kontrata e Januzajt, me gjak shqiptar, skadon në fund të sezonit dhe interesi për të sigurisht do të fusë në lojë Barcelonën dhe Realin, mendojnë specialistët anglezë të futbollit.

Me Leo Mesin e krahason shtypi anglez, edhe pse është qindra gola dhe mijëra driblime larg tij, e megjithatë nuk ka arsye që Anglia ta adoptojë Januzjan, mbizotëron mendimi sportiv anglez.

Fakti është se ai është larg angazhimeve ndërkombëtare të kësaj jave, pasi ende nuk ka vendosur me kë do luajë dhe në lojë janë Belgjika, Shqipëria, Turqia, Serbia dhe së fundmi Anglia.

Me siguri Januzaj do ketë biseduar me lojtarin e tij të ekipit, uellsianin Rajën Gigs apo edhe mund t’i marr një mendje drejtuesit të Mançesterit, Patrik Vieras, i lindur në Senegal, por që luajti me Francën, apo edhe të bisedojë me Lorik Canën.

Përzgjedhja do jetë e tij, dhe për çfarëdo alternativë që do përzgjedh, ai nuk do duhet paragjykuar dhe linçuar, nëse nuk luan për atë që do donin shumica e shqiptarëve.

Përse? Sepse, Januzaj është praktikisht lojtari shqiptar, që ka arritur të luajë me klubin më të madh sportiv se çdo shqiptar tjetër dhe e ardhmja e tij tek Mançesteri dhe në futbollin anglez është e shkëlqyer.

Janë lojtarë të tjerë më të mëdhenj se ai, dhe më me emër, që kanë lënë klube të njohura gjetkë, për të pasur mundësinë për të luajtur në kampionatin më të madh në botë dhe më të financuarin dhe me audiencën më të madhe në botë.

Adnan Januzaj është në duart e ekipit ëndërr dhe luan në “Teatrin e Ëndrrave”, në Old Traford.

Nëse Januzaj do të përzgjidhte Anglinë, shanset dhe mundësitë e tij për një karrierë të jashtëzakonshme janë shumë më të mëdha edhe nëse do te luajë me Belgjikën e rilindur, për të mos folur për Shqipërinë, që duket se s’ka shanse për këtë Botëror.

Në fund të fundit, nuk është faji i Januzajt që Shqipëria ka atë futboll që ka dhe i ofron shanse të kufizuara, krahasimisht me opsionet e tjera që ai ka.

Paramendoni nëse Januzaj do të ishte djali juaj, vëllai juaj, i afërmi juaj, a nuk do të donit që ai të kishte mundësitë më të mëdha dhe të ndiqte ëndrrën e tij?

Absolutisht, nëse do të ishim të sinqertë me veten, për një moment të vetëm.

Me Anglinë, më shumë se me çdo ekip tjetër, Adnan Januzaj do kishte, nëse gjithçka shkon sipas asaj që specialistët parashikojnë, shanset më të mëdha për të qenë në majat e futbollit botëror, dhe pa mëdyshje do citohej si anglez i natyralizuar me origjinë shqiptare.

Ky do ishte një kontribut jo i vogël për emrin shqiptar, nëse nuk do na linte nacionalizmi të gjykonim drejt. A nuk ka edhe shqiptarë të tjerë që në forma dhe rrugë të pandershme fitojnë dhe pasurohen në Perëndim, por duke i dhënë një emër të keq Shqipërisë apo Kosovës?

Të paktën Januzaj, nëse do donim ngushëllim, garanton pikërisht të kundërtën, për të mirën e tij dhe kombit, që ka më shumë për zëmër. Unë personalisht këtë nuk e dyshoj, ndaj nuk e paragjykoj në çdo vendim që do të marrë.

31 komente në “Januzaj: O sa mirë me qenë…?!”

  1. beso says:

    O Arben,po ky problem nuk ekziston.Januzaj te loze ku i do qejfi,te zgjedhe ku i behet me mire,nuk eshte se ne jemi ne nivelin e Anglise dhe i kemi shanset te barabarta.Eshte njesoj si Schvarzeneger qe shkoi ne Amerike dhe u be ai qe u be,po te rrinte ne Graz do kishte shanse me pak te behej guvernator.Mjaft lojtare franceze me ngjyre ose jo,si Zidane,Henry&Co. kane dhene per vendin prites dhe jane vleresuar.Nuk besoj se ne shqiptaret kemi probleme te tilla prapambetjeje.Ku ti behet me mire Januzajt,e ndjekte fati dhe suksesi.

    1. baca says:

      po nëqoftëse të gjithë lojtarë e mirë shqiptarë zgjedhin një kombëtare tjetër, atëherë po pyes benin shqipëria do hyjë ndonjëherë në botëror apo në evropian ?????

      1. N Shabani says:

        Edhe une jam dakord me artikullin e Benit eshte shume e qarte qe djali ka lindur ne Belgjike dhe sigurisht qe do te kete nje karriere te shkelqyer po luajti me skuadren e Anglise.Nuk ka pse te na vije keq dhe ta paragjykojme, nuk eshte faji i tij qe ne jemi kaq prapa me sportin. Ai kudo qe te jete dhe kudo qe te luaje eshte nje djale shqiptar, ai tq pakten nuk ka thene qe eshte grek si Pirro Dhima kjo duhet te na ngushelloje. Urime djalit me ke do qe te jete zgjedhja e tij ai prape mbetet shqiptar.

  2. ATDHE says:

    JANUZAJ DUHET TE ZGJEDHE SHQIPERINE….PER DISA ARSYE:

    1- KA GJAK SHQIPTARI.
    2- KOMBETARET NUK SJELLIN PERFITIME TE MEDHA MONETARE.
    3- SHQIPETARET PO E THERRASIN.

    JANUZAJ DUHET TI JAPE NJE SHANS SHQIPERISE. AI DUHET TE KUPTOJE QE NUK BEHET FJALE PER KE DO LUAJE, POR PER SHERBIMIN ME TE MADH QE MUND TI JAPE IMAZHIT TE SHQIPERISE… DHE KY ESHTE CELESI…

    1. kujtimi says:

      jam plotsisht me ty,shembullin e ka te machester ku rajan gigs nuk besoj qe ka pas probleme me lujt me anglin por luajti per vendin e tij apo drogba etj,suksesi i tij si ekonomik apo dhe fama nuk jan te lidhura me kombetaren,ajo asht thjesht ceshtje zemre,shembulli ma i fresket asht ai i sadikajt qe e thirri suedia por nuk pranoj sepse donte te luante per shqiperin,asht per tu cuditur se shum shqiptar me tu larguar nga shqiperia harroj ta kthejn koken pas,dhe ky fatkeqesisht nuk quhet nacionalizem,por me thjesht seder kombetare qe mjer kush e humb

    2. petref velcani says:

      nuk besoj se ka ndonje shqiptar qe i kerkon jonuzaj, te luaj me tiranen apo vllaznine.po flitet per flamur,per simbol kombetar.te githe e kemi per detyre te promovojme simbolin e perbashket.nese jonuzaj do zgjthte ekipin qe i interesonte atij,do quhej thjeshte nje futbolliste i madh.po te sakrifikonte privilegjet qe te jep nje vend i madh ,per shqiperin , ai do jete :nje futbolliste i madh por dhe nje atdhetar i madh.pra i dyfishohet madheshtija.mbi te gjtha kthehet ne nje hero per kombin e vet.sa shqiptar nderrojne emrin ne greqi ,per te shmangur diskriminimin grek .ne i falim bashkatdhetaret ,por jo ti respektojme per kete .atdhedashuri ,do te thote sakrifice.jonuzaj ka fatin te hyje ne historine e shqiperise ose jo .le te beje zgjedhjen e tij……

  3. Ramon says:

    MOS ja prishni endren djalit ,kudo qe te veje ngelet SHQIPTAR, mos ja helmoni karjeren pa filluar.

  4. Joni says:

    Hi Arben edhe une jetoj ne Angli dhe e ndjek shume futbollin angles pasi jam dhe British tani. I kam degjuar te gjithe komentet per A. Januzaj (Januzai) por asnje nga komentatoret Angleze te futbollit tek Sky dhe tek BBC asnje nga keta nuk e permendet fare faktin qe Adnani eshte Shqiptar, se sa ne % nuk e di akoma se kur e kerkon dhe serbi dhe turku ka mundesi dhe Greku te huje ne loje se ka me shume experience ne rrembimin e talenteve Shqiptare.
    Une personalisht uroj qe ai te luaje per Anglin por keta prap si Belg do e njofin.
    So what`s the point Mate
    I uroj Adnanit gjithe te mire dhe te zgjethe cte doje kurse Kasamint ne te semes

    1. Ilir Gruda says:

      ‘Joni, me vjen keq por detyrohem te them qe se ose nuk ke lexuar gje kurre….ose nuk kupton fare anglisht megjithse thua qe jam ‘british!!!! Lexo ose pyet yi perkthejne artikujt per Jonuzaj ne gazetat e sotme falas METRO dhe EVENNING STANDART,, Citohet disa here se edhte lindur ne Belgjike me prinder SHQIPTAR ish shtetas te Yugos..Me gjysh shqiptare emigrant ne Turqi….Pra mund te luaj per belgjiken-lindur..turqine.-gjyshi banues atje…Serbine -prinderit si ish shtetas…dhe SHQIPERINE si Shqipetare qe eshte…Theksohet se FANELA KUQ E ZI eshte ma romantike per te

  5. Skrapari says:

    Adnan januzaj thuaj po shqiperis se ka nevoj per ty dhe ti do lesh history ne futboollin shqiptar

  6. Drilona says:

    Dakort me Arbenin jam! Mos ta paragjykojme djalin! Ku ti behet me mire! Le te jemi mendje hapur!

  7. Arber Pashtriku says:

    Me vjen keq me gjithe respketin dua ta kundershtoj fort Arben Manajn.
    Une besoj se nese Januzaj do te zgjdhte Angline do te bente nje gabim te madh. E para shtypi tabloid ketu eshte jashtezakonisht malinj kur vjen puna per ceshtje te tilla delikate. Manaj vetem te lexoje nje artilull ne dailymail qe ishte fyes dhe gati gati racist ndaj Januzajt, nenes se tij dhe kombit te cilit ai i perket. Dhe kjo vetem pasi u fol ne MOTD te Gary Lineker.Januzaj kurre vete nuk ka shprehur deshire te luaje per Angline.
    Keta ketu te duan shume kur jep kontribut per ta por imagjino nje performance te dobet dhe cfare do te degjosh prej tyre.
    E dyta fakti qe Januzaj mund te luaj per nje kombetare tjeter te vogel pak te njohur apo aspak te njohur nuk ja pakeson shanset e karrires futbollistike. Ai qe tani po luan me nje nga klubet me te mira te planetit.
    Fakti qe Shqiperia nuk eshte kualifikur asnjehere nuk do te thote kurresesi se nuk do te kualfikohet kurre. Jemi me afer se kurre edhe pa Januzajn.
    Manaj permend Rajan Gigs i cili megjithese mund te zgjidhte te luante per Angline zgjodhi te luante per ne vend te vogel sic eshte Wells-i dhe kjo zgjedhje e tija nuk ja ka pakesuar atij madheshtine ne fushen e futbollit.
    Januzaj ne nje bote te lire eshte i lire te beje zgjedhjen e tij dhe te veshe ate fanelle qe ndjen se duhet te veshe por kurre nuk besoj se do ndjente kenaqesi me te madhe dhe satisfaksion shpirteror pervec fanelles KUQ e ZI.

  8. QANI MUSLIMONI says:

    Adnand Jonuzaj! Thuaj po Anglise pa as me te voglin hezitim,leri keta patriota shqiptare te kenaqen me qenien tende shqiptar, te jesh i sigurte qe keta qe te bejne thirrje te luash per shqiperine do jene te paret qe do te fyejne ne stadium me liber shtepie edhe per gabimin me te vogel gjate ndeshjes. Leri thirrjet fallco patriotike te ketyre, ti je i yni dhe na krenon sa me lart te ngjitesh.

  9. Maria says:

    Përse? Sepse, Januzaj është praktikisht lojtari shqiptar, që ka arritur të luajë me klubin më të madh sportiv se çdo shqiptar tjetër dhe e ardhmja e tij tek Mançesteri dhe në futbollin anglez është e shkëlqyer.

    Ore a shef ndopak futboll jashte Anglise ti?
    Pse si te duket Xh. Shaqiri tek Bayern, apo Bayern te duket ekip “kot’ ne raport me MU per shkak te trofeve me te shumte…

  10. kinezi says:

    Imagjinoni ta kishim patur Januzajn qe ne fillim te edicionit… Sa ndeshje do kishin perfunduar me tjeter rezultat… Te pakten Shqiperi-Norvegji dhe Slloveni-Shqiperi… Ndaj superportierve duhen supersulmues!

  11. belorta says:

    Januzaj, thuaji PO Anglise.

  12. Artur.A says:

    Me pelqen dilema e shtruar ne fillim : “Adnan Januzaj ndodhet në udhëkryqin më të madh të karrierës së tij ndërkombëtare dhe do duhet të zgjedhë mes zemrës dhe mendjes.”
    Nuk mund ti privohet talentit ajo qe per vite me ralle i eshte privuar sportisteve Shqipetare te viteve 70-80. Dhe mua (si shqiptar) do te me pelqente te perfaqesonte Shqiperine , por une mendoj se ai eshte me shume Belg . Nuk flas ketu per gjakun apo origjinen ,por per edukacionin dhe shkollen e futbollit ku ai eshte kultivuar . Une mandoj se ai do te zgjedh ne mes dy perfaqesive ,ate Angleze dhe ate Belge .
    Ndersa e keqia jone si shqiptare jo vetem ne futboll ,por edhe ne sportet e tjera , eshte se ne (specialistet) rendim neper bote per te gjetur ndonje talent me origjine shqiptare e per te formuar “Kombetare”
    Humben klast sportive , humben ekipet zinxhir ,humben kampionatet shqiptare me rivalitet . Ndaj kombetaret do te jene gjithmon te cala , sepse lojtaret nuk mund te flasin shqip me njeri tjetrin .

    Ndaj i uroj Adnanit nje kariere te shkelqyer sido qe ta beje zgjedhjen,dhe asnje here te mos e haroje qe ka gjak shqiptari .

  13. SAMI says:

    NUK KA KOMENT ,DJALOSHI TE LUAJE KU T’TJA THOTE MENDJA DHE ZEMRA,POR ASENJEHERE MOS TA HARROJ ORIGJINEN.

  14. Dardan says:

    Degjo plakun ti Uliks I Vogel Shqiptar! Ti je egzaktesisht brenda dilemes se Odises Legjendar, ose te qendrosh ne ishullin perrallor te Circes me rini te perjeteshme ose te marresh rrugen plot tallaze dhe mundime drejt Itakes tende, Shqiperise.
    Mos harro o djalosh shqiptar se ti je sternip i Odiseut Legjendar ashtu sic edhe shqiptaret e vertete jane race e vyer qe e ka origjinen nga heronjte dhe luftetaret e antikitetit.
    Te gjithe edime luften tende te brendeshme, por ti qe mbart cilesi dhe virtute heronjsh do te vendosesh ne ate krah qe vendosi stergjyshi yt Uliksi I Pavdekshem

  15. teuta says:

    Unë besoj se Adnani më i lumtur do të ishte sikur edhe vetëm një her e kualifikon kombin e ti në një botror apo europjan se sa të fitonte botrorin apo europianin me cilin do ved tjetër, fundi i fundit Adnani ka mundësi të shoh Anglezet dhe të marrë mësim nga ta.
    Kush do të gëzohej nëse ai fiton diçka me Anglin?
    Ndëdsa paramendoni çka do të ndodhte sikur edhe vetëm do ta kualifikonte vetëm një her Shqiprin, do ta adhuronin për jet të gjith Shqiptaret ku do që të jenë.
    Andaj unë nëse e zhgjedhë shqipërin edhe sikur kurr të mos fitoj asgjë do ta adhuroj, në të kunderten ai për mua do të jet si çdo futbollist tjetër pa marr parasysh qfar kombit i takon….

  16. ylli rks says:

    Shqipni duhet te behet fer dhe mos ti kerkoj Adnanit qe ti bashkohet komtares. Shqipnia nuk ashte Kosove, dhe moralisht djalit nuk duhet ti kerkohet angazhimi per Shqipnin, se sjemi nje po jemi dy. Ai (Ergys Kaq`), mohoj gjithqka popullit kosovar e ate edhe duke ju rrefy lojtarit serb, na leni rahat ne hallet tona… Une qe 27 vite jetoj ne Kosove, per Shqipni nuk do luaj. Adnanit i ka dhan shume ma shume Belgjika dhe pa as ni medyshje ai duhet ta perfaqsoj ate, sa i perket gkakut, ai ashte i kuq! Kosova ashte republi, Kosova ashte shtet!

    1. Ateisti says:

      Ti qenke nje gomar race, po race fare ama! Cili je ti mer toc qe te pecaktosh kush do luaj me Shqiperine dhe kush jo. Jo se na plasi shume per patriotet e tu por dhe te na besh si nacionalist i merzitur per gjera qe thone lojtaret shqiptare kjo s’ka bythe ku te rrije. Dhe se fundi,mundohu te shkruash pak me shqip.

    2. Nik/Vlore says:

      Ylli,
      babai yt ta ka vene emrin shqip ,por me siguri ka pasur parasysh yllin serb.Perktheje emrin ne gjuhen tende..zvezda I thone yllit ne serbisht?

      Nuk e percakton as ti dhe as ca palo “shqiptare” ketu ne shqiperi,se cfare eshte Kosova.Kosoven e percakton historia,gjeografia,gjuha,letersia,zakonet,ndergjegja kombetare si pjese e Shqiperise.
      Nuk ngeli kjo gje as ne doren tende as ne te timen dhe as ne dore te ndonje tjetri…I ka ca matesa dhe kjo pune.Nuk eshte futja kot se keshtu me pelqen mua.

  17. Piperi says:

    Ndoshta Jonzaj esht ne nje mosh te re; por ne te mund te ekzistonte dhe endrra deshira e te berit nje Kombetare Shqiptare TE MADHE! Ai nuk esht kampion akoma, megjithese jam i sigurt qe do te jet. Por kampionet kan fuqi dhe mundesi te krijojn dhe te ndertojn.
    Jonuzaj mund te jet ai qe do te hedhi hapat e par per te krijuar nje Skuader Kuqezi qe do te ler gjurmet e saj ne FUTBOLL!
    Ai mund te behet PIONERI i SKUADRES SE FRIKSHME KUQEZI!
    Ai mund te shnderrohet ne nje IKONE per SHQIPERIN!

  18. qytetari says:

    Eshte shume i ri dhe akoma nuk eshte ligjerisht pergjegjes per veten e tij. Per cdo gje qe ka te bej me te duhet te merret leja e prinderve.Lereni te rritet.Jonuzaj do te bente mire te pyeste zemren e tij.Ndjenja kombetare po rritet me nje shpejtesi marramendese tek te gjithe shqipetaret dhe vecanerisht tek brezi i ri. Sa me te pasur,te shkolluar, te iluminuar dhe te gjezdisur jane shqiptaret aq me nacionalist po behen. Shqiptaria eshte ne ADN e tyre ne dashurine per prinerit gjysherit dhe familjet shqiptare.
    Arben e ke shkruajtur kete artikull me mendjen e nje emigranti qe i shkreti akoma ska marre dokumentat.E vetmja gje e mire nga ky artikull eshte permendja si shembul i Rajan Gigs dhe Lorik Canes.

  19. Billy says:

    Ekipin kombetar na, me pas bythe le ta bajme ktu me futbollin tone. Ne dasht dhe me kinezt apo turqit qe banojne ne Shqipni dhe qe munden me mar shtetesine shqiptare.
    Lereni Adnand Januzajn me lujt ku ti doje e bardha zemer, ku ka ma teper fitim per mu njoft ne bote, por dhe fitim financiar.
    Lereni Januzajn me shku ne botnor ne Brazil dhe bani tifo per te dhe shkoni aty se keni per ke me tund flamurin shqiptar.

  20. selimi says:

    Ky djale i talentuar duhet ta zgjedhe vete rrugen e tij. Te shkoje aty ku ka vlere talenti i tij.Ai s mund te mbylle perspektiven e tij per nje xhest medemek ” Patriotizmi”.Ne e kemi abone gjithnje ne vendin e parafundit ne grup.Ta leme djalin ne endrren e tij, gjth te tjerat jane dengla.Sepse edhe te luash per djepin e futbollit te planetit eshte nder per ne.

  21. bato says:

    Talenti Januzaj, ne se do qe te renditet ne majat e yjve te futbollit boteror, te qendroje me Mancesterin, ose me Barcen apo Realin. Kombetare te zgjedhe ke te doje. Eshte e drejta e tij sepse ne fund te fundit ka lindur ne Belgjike e jo ne Kosove apo Shqiperi.Vjen apo nuk vjen me kombetaren tone Januzaj, ne perhere do te ngelemi ne vendin e parafundit edhe per te pakten 100 vjet te tjere, me kete federate dhe qeverite qe nuk investojne asgje per sportet. Lereni djalin e talentuar te na ngreje emrin larte ne klubet me te mira te botes. Te krenohemi qe nxorem nje talent e jo te bejme presion qe te luaje tre ndeshje pa marre asnje diete apo veshje, ne stadiume mjerane me trainere medioker te blere nga funderrinat e kampionateve europiane.

  22. turi says:

    jonuzajn e duam te gjithe. po po ka kariere me te mire me belgun le te ri me belgun,se ne qejfi na behet qe 1 shqipetar 1 dite te jete kandidat per topin e arte, dhe po ja dha kete munci belgjika atje le te luaje,po nuk i jepe kete munci belgu atere na linde pyetja dhe deshira pse nuk vin jonuzaj…..

  23. Kruja says:

    Keshille e keqe e nje artikulli qe le shije mediokriteti.

    C’fare lidhje ka karriera profesionale, talenti, dhe majat e karrieres futbollistike te Jonuzajt me faktin se do te grumbullohet perkohesisht me kombetaren shqiptare?

    Artikull shkruesit I sugjeroj te pranoje sfiden dhe te shruaje mbi kete teze:

    Perfaqesueset e kombit perkates I demtojne ose te pakten I frenojne talentet e futobollit pasi I armiqesojne me klubet ku ata luajne, u demtojne talentin dhe motivimin per lojen, dhe shkaterrojne endrrat profesionale te futbolliteve te rinj.

    Zoteri Arben, te sfidoj te shkruash nje shkrim me tezen e mesiperme. Binde Jonuzajn dhe te gjithe shqiptaret duke mbrojtur si ‘profesionist’ qe je tezen e mesiperme.

    Eshte per te ardhur keq kur gazetat u japin honorare shkrimeve te tilla mediokre.

  24. shqiptar me zemer says:

    hera e pare qe me pelqen si komentojne shqiptaret me kemb ne toke llogjik dhe pa u shar ke qejf ti lexosh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje