Nga Prof. As. Dr. Jetmir Aliçka
Matura shtetërore ka dështuar. Ky pohim (kjo deklaratë), ka dy tre javë, që në median e shkruar dhe atë vizive, po përbën lajm. Që një standard i fushës së edukimit si Matura Shtetërore nxit diskutime, debate, prodhon deklarata, intervista, është një lajm i mirë. Problemet e edukimit po shqetësojnë shoqërinë dhe shoqëria po përfshihet në to.
I përfshirë në këtë shqetësim, me statusin e një prej autorëve të Maturës Shtetërore, me statusin e një drejtori të shkollës së mesme, që e aplikoj dhe ndjek atë që nga krijimi i saj, me statusin e një prej ish- anëtarëve të Komitetit të Maturës Shtetërore, do të përpiqem të sqaroj modestisht pse Matura Shtetërore duhet trajtuar me kujdes, si një standard unik në këto vite tranzicioni, por jo vetëm.
Matura Shtetërore erdhi si një domosdoshmëri për ndryshim, sepse: sistemi parauniversitar i edukimit po degradonte gradualisht për shkak edhe të një fiktiviteti dhe falsiteti spektakolar në vlerësimin e nxënësve; sepse sistemi i pranimit në shkollat e larta (konkursi) u kthye në një përçudnim e shkatërrim i çdo vlere e morali; sepse sistemi i edukimit, në përgjithësi, po kalonte një krizë të thellë besimi, rrjedhojë ndërmjet të tjerash edhe e mungesës së standardeve të vlerësimit.
Pra, Matura Shtetërore u krijua si një domosdoshmëri, jo si një luks. Aktualisht, pas 7 vitesh aplikimi të MSH, me të drejtë shtrohet pyetja: cilat kanë qenë impaktet e MSH dhe a i realizoi pritshmëritë e saj?
Matura Shtetërore ka dështuar – është konkluzioni i kritizerëve e skeptikëve të saj, që kohët e fundit janë shtuar jo pak. Ata, kryesisht, përfaqësojnë shkollat e larta. Është cenuar rëndë sistemi i pranimeve në shkollat e larta dhe konkretisht parimi i meritë – preferencës, argumentojnë ata. Kandidatët, që vijnë kryesisht nga zona rurale, por jo vetëm, në provimet e Maturës Shtetërore kopjojnë dhe grumbullojnë pikë më shumë se kandidatët e Tiranës apo qyteteve të mëdha të vendit, ku administrimi realizohet në mënyrë korrekte. Për rrjedhojë, ata fitojnë në degët e preferuara me një standard vlerësimi të dyshimtë, duke ju zënë vendin kandidatëve që e meritojnë realisht. Shkaku, pra, i cenimit të parimit meritë– preferencë është MSH, apo më saktë abuzimi në administrimin e saj. Padyshim një e vërtetë e padiskutueshme.
Njëkohësisht, mendoj se duhet t’i referohemi edhe disa të vërtetave të tjera. MSH u krijua si një model prove, një standard i ri vlerësimi, i krahasueshëm me standardet perëndimore. Një vlerësim nga jashtë shkolle, një vlerësim me kode fshehtësie për çdo nxënës, një vlerësim ku zbatohej parimi i barazisë, (të gjithë nxënësit nisen nga i njëjti start, testohen dhe vlerësohen me të njëjtin standard), një vlerësim ku cenimi i sekretit të testit, pothuajse është një mision i pamundur, një vlerësim i cili përbente bazën e aplikimit të parimit meritë- preference etj. Në tre vitet e para të aplikimit të Maturës Shtetërore, për herë të parë në historinë e këtyre 23 viteve pluralizëm, askush nga maturantët, apo edhe nga prindërit e opinioni i gjerë, nuk ka kontestuar vërtetësinë dhe transparencën e sistemit të pranimit në shkollën e lartë. Një sistem, ku askush nuk mund të ndërhyjë për të bërë favorizime, falsifikime; ku askush nuk mund të kontestojë transparencën me të cilat bëhet llogaritja e pikëve, listimi i kandidatëve dhe shpallja e fituesve. Një sistem, një standard, i cili zhduku abuzivizmin dhe korrupsionin në pranimet në shkollat e larta. U krijuan institucionet e Maturës Shtetërore: Banka e të dhënave për përmbajtjen e testeve (10- fishi i të dhënave që përmban testi përfundimtar), institucioni i hartimit të testeve, i korrigjuesve të testeve, i administratorëve, sekretimit elektronik të çdo testi, rankimit elektronik të kandidatëve, i transparencës për të dhënat bazë të arritjeve të nxënësve për të tre vitet, i elementëve të sigurisë në përgatitjen e diplomave, etj. Shkolla e mesme filloi të ndjente pozitivisht impaktet e Maturës Shtetërore (mund t’i referohemi statistikave të atyre viteve, me të cilat merrej seriozisht Komiteti i Maturës Shtetërore).
Pra, disa të vërteta, të cilat nuk mund të anashkalohen.
Por pritshmëritë, në veçanti në tre vitet e fundit, filluan të lëkundeshin. Në të gjitha analizat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës gjatë këtyre 3 viteve të fundit, përsëritej si refren konstatimi , sipas të cilit “Matura Shtetërore është një standard shumë i mirë, por probleme kemi me administrimin”. Dhe vetëm kaq. Asnjë masë, asnjë përpjekje minimale për të shmangur këtë degradim. Edhe shoqata jo fitimprurëse më e papërgjegjshme, pas këtij konstatimi do të kishte bërë disa sugjerime për përmirësimin e gjendjes. Gjithsesi ndodhemi para një fakti të pamohueshëm. Si rrjedhojë e një degradimi të administrimit të provimeve të MSH, pritshmëritë kanë ardhur duke rënë dhe është cenuar parimi i meritë- preferencës. Pra, vetëm një shkak dhe ky është administrimi abuziv i provimeve të Maturës Shtetërore. Tjetër shkak që ka sjellë këto pasoja nuk shoh. Nuk shoh as personalisht, por dhe as në të gjitha debatet, diskutimet, intervistat e deritanishme. Nuk shoh as edhe tek ndonjë prononcim disi të mjegullt të ndonjë funksionari të lartë të MASH. Njëkohësisht, besoj se duhet të pranojmë që Matura Shtetërore nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë çelësi magjik që bën mrekulli. Po ashtu, besoj se nuk do të mund të harrojmë që e gjithë shoqëria jonë është jo pak e lodhur nga një lëngim i gjatë, e veçanërisht edukimi, nga një lëngim i gjatë e i frikshëm.
Në këtë realitet, cilat do të ishin zgjidhjet? Dy alternativa zgjidhjesh diskutohen aktualisht, jo vetëm në opinionin shoqëror, por edhe në mjedisin akademik e zyrtar. E para, Matura Shtetërore të konsiderohet e dështuar dhe duhet gjetur një sistem tjetër apo standard tjetër. E dyta, përmirësimi i Maturës Shtetërore, apo më konkretisht përmirësimi rrënjësor i administrimit të provimeve.
Po ndalemi tek alternative e parë. Po mendojmë për një çast, në mënyrë hipotetike, se Matura shtetërore ka dështuar. Me çfarë do ta zëvendësojmë? Përfaqësuesit e arsimit të lartë që mbështesin dështimin e MSH, e shohin zgjidhjen tek ideja që kandidatët, të cilët do të frekuentojnë shkollat e larta, duhet t’i zgjedhin fakultetet, t’i seleksionojnë ata vetë e jo t’ua imponojnë të tjerët. Në pamje të parë kanë të drejtë. Por çfarë kuptohet me seleksionim nga fakultetet? Ndoshta jam i gabuar, por çfarëdo emri t’i vëmë këtij seleksionimi, ato janë përzgjedhje, konkurs, provim, garë apo nuk di çfarë. A mund të më thonë si do të realizojnë përzgjedhjen në degët e kërkuara si juridik, mjekësi, farmaci, stomatologji, ekonomik, shkenca politike etj. ku kërkesat për to i kalojnë disa mijëra kandidatë në secilën prej tyre? Apo do t’i ulim përsëri nëpër stadiume kandidatët, siç ka ndodhur para Maturës Shtetërore? Cila përzgjedhje është më e besueshme, ajo që do të organizojë fakulteti, ku vetë pedagogët që hartojnë testin, janë po ata vetë që do të përzgjedhin e listojnë fituesit, apo përzgjedhja elektronike e Maturës Shtetërore e bërë nga sistemi, nga vetë shteti? Ku ka konflikte interesi, tek përzgjedhjet që do të realizohen nga shkollat e larta, apo tek Matura Shtetërore? Apo do të krijojmë përsëri kushtet për lulëzimin e hargalisjen e kurseve private nga pedagogë abuzivë? Çfarë sigurie ka një test i prodhuar nga dega, fakulteti dhe çfarë sigurie ka pasur një test i prodhuar nga Matura Shtetërore, siguria e të cilit garantohet nga shteti? Apo do të vazhdojmë të shesim testet pa ju tharë boja? Pra do t’i besojmë më shumë garës që organizohet nga dega, fakulteti apo garës që organizohet, udhëhiqet e garantohet nga shteti?
Ndalemi tek alternativa e dytë. Përmirësimi i Maturës Shtetërore dhe kryesisht, përmirësimi rrënjësor i administrimit të provimit. A mund të realizohet ky përmirësim? Janë dy modele që flasin në favor të kësaj zgjidhje. Tre vitet e para të aplikimit të Maturës Shtetërore, siç theksuam më sipër, realizuan deri diku pritshmëritë, si dhe nuk kishte cenim të parimit meritë– preferencë. Modeli i dytë, modeli i Tiranës. Edhe pse në një sërë qytetesh e komunash pati degradim të procesit të administrimit, kjo nuk u ndje në Tiranë, ose të paktën ishim në kufijtë e lejuar të gabimit. Nëse do të kemi vullnetin të studiojmë këto përvoja, mund të gjendet një zgjidhje pa kosto. Në favor të kësaj zgjidhje do të propozoja edhe diçka tjetër. Një ndarje përgjegjësish, një përfshirje dhe një bashkëpunim më konstruktiv, më të sinqertë e më transparent me shkollat e larta. Çka do të thotë, që përfaqësues të shkollave të larta të marrin pjesë në gjithë procesin e MSH, në hartimin e formulimin e testeve, në administrimin e provimit së bashku me administratorët e sistemit parauniversitar dhe në grupet e korrigjimit të këtyre testeve. Sigurisht i bëjnë nder procesit. Sigurisht që do t’i jepnin një frymë tjetër procesit të MSH, pse jo, do të rriste rigorozitetin, përgjegjësinë e gjithsecilit që do të merrte pjesë në këtë proces. Po sikur, në bashkëpunim përsëri me shkollat e larta, për degët ku kërkesa është më e madhe se oferta, të rritnim shkallën e vështirësisë së testit dhe po ashtu të rritnim koeficientët e provimeve me zgjedhje në këto degë, a nuk do të ishte edhe ky një aset në dobi të përmirësimit të MSH dhe cilësisë së pranimeve në shkollat e larta?
Gjithmonë kam besuar dhe besoj se në se kjo punë do të merret me gjakftohtësi, durim dhe vullnet të mire mund të gjenden shumë asete të tjera në favor të përmirësimit të MSH, të cilat mund t’i trajtojmë në ndonjë shkrim tjetër.
Cekëm dy alternativa zgjidhjesh. Mund të ketë edhe më shumë. Por në këto dy alternativa, personalisht më duket më oportune e dyta. Është më e besueshme, nuk ka kosto dhe kërkon vetëm angazhim, përkushtim e vendosmëri.
Shpresoj që qeveria e re, ministrja e re nuk do të investojë para për zhurmues e detektorë në provimet e MSH, duke denigruar, depersonalizuar e terrorizuar maturantët, por për ide, risi dhe veprim efikas.
Pershendetje Zoti Jetmir,
Keni bere nje analize te shkelqyer. Une qe po shkruaj e njoh mire arsimin. Kam punuar dhe punoj ne arsim, i kam kaluar te gjitha nivelet. Kisha degjuar per abuzimet ne maturen shteterore por nuk i kisha pare konkretisht. Sivjet me ra radha te jem prezent ne hoborrin e nje shkolle te mesme ne Elbasan, Ozot çme kane pare syte. Madje kishte nxenes qe e dinin tezen, pra ishrte hapur. Kjo u duk ne nxenes qe nuk kishin frekuentuar X lende, e japin provim me zgjedhje e marrin 10 absolute. Matura duhet te reformohet urgjentisht, jam me alternativen e dyte. Universiteti te jete pjese e procesit, te gjenden rruget se si do te zgjidhet kjo. Problemi i dyte eshte fiktiviteti. Ka nxenes sidomos ata me njohje qe dalin me 10.absolute ne Universitet ngeli. Te ushtrohet kontroll i rrepte dhe i vazhdueshem me provime tek mesuesit dhe po u pane diferencime ne note nga 2 e lart te kete masa deri ne penalizim te mesuesit perkates. Per kete duhet studim, te krijohen grupe pune urgjentisht e ti jepet zgjidhje. Nxenesit qe mesojne humbin ata qe kopjojne fitojne. Turp, turp.
Dili ne mbrojtje kesaj pjelle por edhe une si mesuese do te te them qe Matura Shteterore eshte kthyer ne turp e kaq mjafton
Matura shteterore, me detyrim dhe me zgjedhje, eshte nje nga praktikumet me te deshtuara dhe me te korruptuara per pranimin e studenteve ne arsimin e larte qe ka aplikuar qeverisja e Sali Berishes.
Sot ka modele shume te mira per te realizuar nje pedagogji kreative ne fushen e pranimeve dhe per te zgjedhur branshin real te studimeve universitare.
Personi qe ka shkruar kam mendimin se nuk e njeh fare metodologjine e pranimit ne Arsimin e Larte dhe me e keqja nuk merr ne konsiderate mendimin e drejtuesve te universitetve publike, nuk kerkon qe te realizohet nje studim me aktore te interesuar per kete problematike qe e ka shkaterruar arsimin e mesem dhe te larte, publik apo privat.
Do t’i sugjeronim qe meqenese ka qene ne Komitetin e Matures shterore, le te monitoronte nje provim te kesaj mature kudo, si ne Tirane e ne menyre te veçante ne rrethe dhe kishte per te pare konkretisht korrupsionin e shtrire ne te gjithe vendin dhe deshtimin e plote te saj.
Matura, si qeveria qe e inicioi, deshtoi.
Pse i trembet zoteria nje diçkaje tjeter, qe ai, me pervojen qe ka, s’e ka harruar. Perse te mos provojme dy rruge:
Matura, si qeveria qe e inicioi, deshtoi.
Pse i trembet zoteria nje diçkaje tjeter, qe ai, me pervojen qe ka, s’e ka harruar. Perse te mos provojme dy rruge:
1.Ate te djeshmen, pra te provimit nga nje komision i ngritur nga drejtoria e shkolles, me perfaqesues nga drejtoria arsimore. Kjo per arsye se mesuesi i lendes, ose mesuesit e te njejtit profil, kurre s’ka ndodhur qe t’i vene dhjete a nente a tete a shtate nje nxenesit qe e kishin shtyre deri ne mature, te krimbur ne katra e pesa. Une, me po aq pervoje sa zoteria qe na paska qene edhe ne kupola arsimi e reformimi, ende me del ne enderr ai komisioni i matures se viteve 60, edhe pse ne disa lende kam shkelqyer, mos kam qene edhe me i miri i matures 1963-64. Nuk eshte kthim mbrapa, se nuk shquhem si nostalgjik, eshte nje nga modelet qe ne deget ku shkonin maturantet e arsimit te pergjithshem e ato profesional, dhane nje produkt jashtezakonisht pozitiv. Jane po ato breza qe iu nenshtruan kesaj metode provimi qe u bene emra te perveçem e te pergjithshem ne thuajse te gjitha deget e ekonomise, shkences, artit, etj., madje dhe qe udheheqin sot keto dege, qeverine, parlamentin e kudi une. Ne kete drejtim une do te fusja edhe nje diçka etike: si ka mundesi qe nxenesit e shkolles se mesme te te gjitha niveleve ua kemi besuar edukimin e shkollimin mesuesve per vite te tera, ndersa kur vjen puna e provimit, pra per te bere vleresimin, ne ketyre mesuesve nuk u besojme!!! A s’eshte paradoks e fyerje per ta? Dhe e dyta: Universitetet. Ato te bejne pranimet. Pune e madhe fort se do te behen provimet ne stadiume e pallate sporti! Mos u tremb, zoteri! Se nje nxenesi te dobet, te nivelit nen 7-te, nuk do t’ja mbaje te shkoje ne ate stadiumin a pallatin e sportit ku do konkurohet per deget e preferuara, pasi mund te vihen sanksione per ata qe konkurojne ketu. Besoj se jam kuptuar!
Sa me vjen per te qeshur kur lexoj te tilla shkrime. Banka Boterore e ka nxjere analfabetizmin funksional 57% kurse keta flasin per mature shteterore dhe nexens me 10 absolute. Arsimi te ne eshte ku therret qameti zoteria flet per mature dhe standarte mature hahhah . Ne fakt duhet te mbroj pak MSH dhe arsimin ne Tirane sepse fal politikave te tyre fiton 30 milion a me teper ne muaj. Dhe cfare shkolle nga pikpamja fizike etj… !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Z.Jetmir duke qene drejtor i shkolles private F. konica,dhe paguhet 3500 euro ne muaj,nga pronari i shkolles,ka per detyre qe maturantet e kesaj shkolle duhet te perfundojne provimet e matures me mesatare 9.5 e lart dhe kete e reklamon neper tv.si arritje personale te tij.Eshte i lidhur me dr.arsimore Tirane ,qe dekonspiron tezat e provimit kundrejt shumes se lekeve…Bashke me dr. Arjana Bekteshi,kane bere sh. pislleqe-psh.Cdo mesues qe do te behet drejtues shkolle (drejtor ose n\drejtor)duhet te ndjeke kurse me pagese ne shkollen F.Konica ,qe i” drejtonte”per aty Drejtoresha,duke marre pjesen e vet.Per te dhene proven e se vertetes,qysh ne fillim,kuadrot e para te ketyre mesues-kursant u bene drejtues te emeruar nga dr.Bekteshi.Me pas ne kete shkolle pati dyndje mesuees me pare ne duar ,per tu regjistruar Si “kuadrot” e ardhshem te Tiranes dhe me gjere neper Shqiperi…(Ne kohen e Sales burri i A.Bekteshi dhe Jetmiri kane kuadro ne ambasaden shqiptare ne Rome)SABRIU