Tallu me Kosovën!

18 Tetor 2013, 11:39Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Pse të mos tallen me popullin e Kosovës këta njerëz? Ambiciet personale i kanë realizuar: plaçkitja e vendit po rrumbullakohet, po bëhen bilancet e sundimit – “Sa para i fshehëm në bankat e Zvicrës?”, “Sa para janë në vend të sigurt në Stamboll?”, “Sa para rrodhën nga kontrolli i pompave të benzinës?”, “Sa tenderë fiktivë u shpallën në KEK?” -, gjurmët e korrupsionit dhe krimeve po fshihen me të gjitha mjetet e mundshme, dëshmitarët po frikësohen sa herë që diç e tillë të jetë e mundshme. E tash çfarë ka mbetur?

Humori.

Tallja me shtetin.

“Pas nesh ky vend shkoftë në greminë”. Ky është slogani i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe ato nacionale, pa marrë parasysh kur mbahen ato. Para çarjes së pritshme dhe të merituar PDK-ja e ka ndarë mendjen të tallet me popullin e Kosovës, me institucione, me një fjalë: po tallet me vetë idenë e shtetit.

 

Zabërhanët e Zanzibarit

Në fakt edhe në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të talljeve me shtetin: besoj të gjithë lexuesve u kujtohet kur PDK-ja prej kafehanes “Zanzibar” prishi koalicionin me LDK-në e Fatmir Sejdiut, i cili s’pati guxim të kundërpërgjigjej dhe të dilte nga Qeveria. Jo, LDK-ja lejoi të poshtërohet, për të satën herë. Atëbotë Sejdiut i pëlqente të shijonte postin e presidentit, të shkatërronte LDK-në, të punësonte djemtë dhe shokët e djemve në PTK dhe të fliste kot “bashkazi-shkarazi”. Tallje ka qenë edhe kur PDK-ja shprehte keqardhje për (vetë)vrasjen e Dino Asanajt, shefit të privatizimeve dhe përvetësimeve. Tallje e rrezikshme nga ana e PDK-së ishte kur Behgjet Pacolli u bë president i Kosovës për disa ditë. Kryetallësi gjendej në tribunën e Kuvendit dhe shkruante SMS, sipas detyrës që ia kishte caktuar vetes: shërbëtor i së keqes.

Tash tallja ka arritur kulmin dhe po e nxjerr Kosovën si vend të padenjë. Një ndër shembujt më të neveritshëm dhe më tallës është sjellja e Qeverisë së Kosovës lidhur me moslejimin dhe pastaj lejimin e vizitave të zyrtarëve të Beogradit. Ky shembull tregon sërish se kabineti i kryeministrit Hashim Thaçi është një trupë kaotike – pa plan e pa agjendë, pa sens për çështjet e rëndësishme të shtetit, pa takt për aksione të mirëfillta politike dhe pa ndjeshmëri strategjike në raport me Serbinë.

 

Përbetime të rrejshme

Si të merret seriozisht një qeveri, e cila më 2 tetor, përmes ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se që nga nesër, pra nga 3 tetori, kur do të fillonte fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale, asnjë zyrtari të Serbisë nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë – deri në përfundim të fushatës (1 nëntor). Po atë ditë, më 2 tetor, mediet e Beogradit njoftuan se Qeveria e Kosovës kishte refuzuar të lejonte kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të vizitonte Komunën e Shtërpcës.

Pastaj tallja vazhdoi, kori ia nisi të këndonte.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, fluturimthi konfirmoi për Radion Europa e Lirë se ministri Kuçi “ka marrë vendim” që zyrtarëve serbë t’u ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore. Tahiri nënvizoi:“Dihet që fushata zhvillohet brenda një shteti dhe nuk ka nevojë që zyrtarët e një tjetër vendi të vijnë”.

I trimëruar nga kolegu Kuçi dhe kolegia Tahiri fjalën tani e mori vetë ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Ai u përbetua se “vendimi është definitiv”, pra përkthyer në shqip: përfundimtar: Daçiqi nuk hyn në Kosovë. Hoxhaj vazhdoi me arsenal edhe më goditës: “Kjo nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh presionin që do të bëjë Serbia në Bruksel. Nuk kam çfarë të them më shumë se ç’ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Asnjë zyrtar i Serbisë nuk do të mund të vijë në Kosovë derisa mbahet fushata zgjedhore”.

 

Me tërfurk dhe tëhollës

Pas këtyre deklaratave dhe pas kërcënimit të Ivica Daçiqit se do t’i bojkotonte bisedimet në Bruksel me gjasë dikush nga “miqtë ndërkombëtarë” sërish i kishte shkruar një SMS kryeministrit Thaçi. Menjëherë në raport me Serbinë u hoq tymi i barutit dhe deklaratat e qeveritarëve të Kosovës në drejtim të Beogradit dhe Brukselit filluan të parfumohen. I pari që u urdhërua të marrë tërfurkun në dorë dhe të heqë plehun që e kishin shkaktuar Kuçi, Tahiri dhe Hoxhaj ishte këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku. Duke u shtirur sikur s’dinte gjë, duke lozur rolin e të befasuarit, duke folur si me naivitet Çollaku tha: “Si duket është krijuar ndonjë keqkuptim i panevojshëm. Nuk ka ndonjë vendim të tillë në fuqi (për ndalimin e vizitave, v.j.). Qeveria e Kosovës ka në fuqi procedurat për vizitat e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë në Kosovë të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen”. Për të nënvizuar këtë qëndrim në fushëbetejën e politikës u dërgua ministrja Vlora Çitaku. Kësaj nuk ia dhanë një tërfurk në dorë (nuk do t’i rrinte mirë!), por tentuan t’i japin një tëhollës për të shtrirë qëndrimin e Qeverisë në opinion: “Ndalesa nuk vlen për të gjithë zyrtarët serbë, por vetëm për kryeministrin Ivica Daçiq”, tha ajo dhe sqaroi se “lajmi për ndalesën” kishte qenë një – “keqkuptim”.

Foli edhe Thaçi, por si përherë duke i ikur përgjegjësisë. Foli siç flet rëndom: një grumbull fjalësh të pakuptimta, të mësuara përmendsh, thuajse po shërbehet me gjuhën esperanto apo po flet jerm. Vendimi për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë zyrtarëve të Serbisë, shtoi ai, “ka qenë autonom”. A ishte kjo kritikë ndaj Kuçit për marrjen e vendimit apo një kryengritje e Thaçit për të treguar se Kosova mund të marrë vendime autonome?

Përgjigjen e dha vetë kryeministri i Kosovës, kur vrapoi në Bruksel për të hequr një grumbull plehu që vartësit e tij e kishin shkaktuar me apo pa dijen e tij. Sidoqoftë, shpejt e shpejt në këtë pleh përfunduan edhe përbetimet skenderbegiane se Daçiqi nuk hyn në Kosovë. Kryeministri i Serbisë do të vizitojë Kosovën së shpejti. Thaçi dhe shërbëtorët e tij do të thonë se Daçiqi nuk mori pjesë në tubime elektorale të serbëve, por vizitoi Manastirin e Graçanicës, ndonëse këtu nuk ka ndonjë dallim, sepse Kisha Ortodokse Serbe pothuaj përherë ka qenë edhe institucion politik dhe herë iu ka paraprirë, herë i ka përkrahur nga prapaskena fushatat antishqiptare.

 

Para falimentimit

Qeveria e Kosovës sa herë që pafalshëm i lëshon pe Serbisë, këtë e arsyeton me “integrimet europiane”. Thuajse duke e integruar Serbinë brenda sistemit shtetëror të Kosovës republika jonë e re do të mbërrijë më shpejt para portave të Bashkimit Europian. Kush e ka lexuar Raportin e fundit të Progresit të shkruar nga BE-ja e sheh se lavdërimet që i bëhen Thaçit për “dialogun me Beogradin” janë vetëm fasadë diplomatike. Konstatimi thelbësor i raportit është ky: Kosova është vend i korruptuar dhe kriminalizuar. Në këtë situatë kjo Qeveri ia bën Beogradit dy shërbime të mira: e forcon rolin antishqiptar të Serbisë në Kosovë dhe i ndihmon Serbisë të përparojë në integrimet europiane.

Cila do të ishte zgjidhja? Një këmbëngulje e Kosovës në të drejtat e veta, të cilat do të duhej të ishin të patjetërsueshme dhe jo pre e sharlatanëve vendorë e ndërkombëtarë. Po dialog (madje edhe me Serbinë), por jo vetëposhtërim. Po marrëveshje me Beogradin, por jo të tilla që marrin parasysh mbijetesën politike të Hashim Thaçit dhe jo përjetësinë e Republikës së Kosovës. Nuk është vetëm Kosova e varur nga integrimet europiane, por edhe Serbia, madje për momentin më shumë se Kosova. Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këto ditë tha se pa masa të rrepta kursimi Serbia do të falimentojë brenda dy viteve. Borxhi publik i këtij vendi nga viti 2008 deri vitin e kaluar është shtuar nga 33 për qind në 61 për qind. Ministri i ri i Financave, Lazar Kërstiq, llogarit se vendi i tij ndoshta do të stabilizohet tek në vitin 2017. Qeveria serbe ka marrë vendim të shkurtojë rrogat në sektorin publik dhe të shtrenjtojë tatimin në vlerën e shtuar. Kryeministri Ivica Daçiq ka paralajmëruar se kudo që është e mundshme do të largohen nëpunës nga sektori publik, në të cilin punojnë 660 mijë veta, pa llogaritur të angazhuarit me kontratë. Daçiqi ka nënvizuar se Serbisë i duhen vende pune në sektorë ku prodhohet diçka: “Kemi shumë që punojnë atje ku nuk krijohet asnjë vlerë e re. Është e pamundshme të mbijetojë një lloj i tillë i sistemit”. Deklaratën e tij Daçiqi e përfundoi me ton dramatik, duke thënë se, me sa duket, “jemi mbështetur për muri”. Për këtë përdori fjalën osmane “duvar”. Në këtë situatë krize Serbia ua ka shtrirë dorën Emirateve të Bashkuara Arabe, me shpresë se mund të marrë hua ndonjë miliard dollarë. Serbia me vite të tëra ka shpresuar se do të gëzojë përkrahjen e Rusisë në çdo rrethanë, por duket se Moska e ka kuptuar se Serbia, megjithatë, është një vend i vogël dhe me ekonomi të shkatërruar për të luajtur rolin e Kalit rus të Trojës pranë apo brenda BE-së.

Po të kishte Kosova qeveri legjitime, të pakorruptuar dhe të pakriminalizuar interesat e shoqërisë do të gëzonin prioritet, sidomos tani kur gjendja ekonomike e Serbisë është e rëndë. Para një viti disa politikanë të Prishtinës dhe opinionistë çajtoresh i rroku paniku kur Vuk Jeremiqi mori drejtimin njëvjeçar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por, përveç disa provokimeve në “Twitter” dhe sjelljen e një kori serb në New York për të kënduar para sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moonit këngën nacionaliste “Marshi në Drinë” Jeremiqi realisht nuk arriti asgjë. Është kthyer në Beograd dhe po kërkon një vend pune. Serbia nuk është më në pozitë t’i poshtërojë orë e çast shqiptarët në Ballkan, sepse kanë ndryshuar rrethanat gjeostrategjike dhe historike. Por, këtë mundësi kësaj Serbie ia jep Hashim Thaçi me kamarillën e tij. Prioritet i kësaj kaste nuk është shteti, por pushteti si mundësi për pasurim ilegal dhe mbrojtje nga ndjekja penale. Për këtë flet edhe lehtësia me të cilën Thaçi shpërndan miliona të rrejshme anekënd Kosovës me shpresën se edhe njëherë do t’i mashtrojë votuesit.

Nuk ka pasur situatë më të përshtatshme se kjo e Kosovës për ta ilustruar me një konstatim të sociologut dhe filozofit gjerman Siegfried Kracauer. Në kryeveprën e tij “Propaganda totalitare” Kracauer shkruan: „Asgjë nuk mund të mësohet mbi zhvillimet reale historike nëse i hani parullat politike dhe pikëpamjet që reklamohen. Një parullë mund të tingëllojë shumë ideale, për këtë arsye ajo është e lidhur me interesa të kapshme materiale, prej të cilave madje edhe kushtëzohet. Bile sa më ideale të duket parulla, aq më i afërt është dyshimi. Në një shoqëri në të cilën një klasë apo shtresë sundon klasat apo shtresat e tjera, janë para së gjithash interesat e grupeve sunduese, të cilat kanë nevojë për idealizimin dhe maskim; sepse ndryshe këto interesa siç janë shfrytëzimi i të shtypurve dhe etja për pushtet nuk do të ishin atraktive nëse do të shfaqeshin lakuriq. (…) E tërë kultura që pranohet zyrtarisht i shërben legjitimimit të interesave sunduese”.

*KOHA DITORE

17 komente në “Tallu me Kosovën!”

  1. cubi says:

    i lexoj me deshire shkrimet tuaja zoti Enver,pergezime

  2. ruzhdi says:

    Më vjen shum keq që kjo Qeveri e Thaqit po dështon por cillen Parti me votue ësht dilem e madhe per Popullin e Kosovës LDK,AAK,PDK tash edhe Limaj edhe ky një hajdut përveq se AKR e VV që jon ma të Besueshmet pa Korrupsion kto 2 Parti jon të vogla për të i Fituar Zgjedhëjet haj medet për Shqiptarin Kosovare.

    1. drinni says:

      Ruzhdiut

      Zoteri AKR eshte ne te njejten group me pdk, ldk, dhe aak, shumica e tyre vijne prej Ldk, dhe kryesorja kur ta lexosh kend e kane kryetar te partise, misionarin e Rusise dhe te sllobos Pacollin alias Pacovin,dhe siq thote edhe Enver Robelli Sherbetori i se keqes

  3. Taulant/Tirane says:

    Shpresoj qe vetem bashkimi kombetar te na zbuse plaget e forta qe kemi marre si komb,duke na rritur kurajon,entusiazmin ,vullnetin dhe energjite

  4. alban4eva says:

    shqiptaret e Shqiperise e bene te tyren, e shporren serbin e Shqiperise, S-halè kerme Berishovicin. tani e kane radhen vellezerit tane te Kosoves, te shporrin serbin tjeter, Hashim Thaqiqin..!!!

  5. Bardhi RKS says:

    Ky enver robelli,robi i LDK se isa mustafes kur shkruan bene mire te shkruaj si mik i isa mustafes,propagandues i LDK dhe nostalgjik i jugoshkinise.Edhe nuk e di pse lodhen me shkru keta ldkelbcat ndikimi i tyre te votuesit e PDK eshte ZERO,keta veq i ndihmoin PDK duke i mobilizu si me kan kohe lufte.Kuptone o udbasho kumnista se PDK e ka nje elektorat rreth 30% te cilet me voten per PDK votoin kunder zagarve te udbes qe sot quhen LDK e VV.
    Klika e suurroive,robellve &co i kan bere sherbim PDK kur e larguan fatmir sejdiun nga kreu iLDK dhe emruam ministrin e rrahmon morines,shokun mutafa!!!

    1. titi says:

      Ke ba nje koment te jashtzakonshem.Ketu shifet niveli yt i leximit dhe kultura jote .PDK,AAK,LDK te gjitha njesoj jan ,por si duket ti qenke ndonje zagar i PDK-se , sepse realiteti qendron krejt ndryshe . Kjo eshte qeveria ma e poshter qe ndonjehere ka qeverisur , don zoti i ka ditet e numeruara .Krejt kta qe jan ne pdk jan berllogu i Kosoves.

      1. Bardha RKS says:

        [email protected] edhe robellit po ju them ndikimi i juaj te elektorati i PDK eshte ZERO,sa here keta e kritikoin PDK veq ja ngritin rejtingun.
        Per juve te vetfundosjes te gjitha partit jan te njejta,edhe mund te jet ashtu veq ju vetfundosja jeni partia me e keqe.
        Sulmet qe i behen PDK nga banda udbashe behen nga urrejtja qe ka kjo bande ndaj Drenices dhe UCK.

        1. albert says:

          Bardhi!
          Per ty rob i LDK eshte Kimete berisha.
          Per ty rob i LDK eshte Enver Robeli.
          Secili qe e kundershton PDK tende eshte rob i LDK. Secili qe e kundershton PDK tende eshte bande udbashe.
          Ti nuk e kupton nje gje, qe z. Robeli eshte nje opinionist serioz dhe qe e thot te verteten. Ty t’i ka marre mendet Hashimi dhe nuk sheh qe Kosova kurre nuk ka qene me keq.

          1. Bardhi RKS says:

            @[email protected] nuk muj i duroi kimetet e robellat qe e paraqesin ldkj si shpetimtare….e sa per hashima e hamama ne rrot te sames hashimi bashk me mutafen,ramushin,pacollin e al binin.

            Keta b/Analistat nuk mund ti duroi edhe per nje aresye,shmica prej tyre jan militant te partive politike e paraqiten si b/Analist te pavarur.Ky robi ne te shkruan si b/Analist dhe propagandues i ldkj dhe eshte ok. me mua!!!
            Pse ky robi nuk flet kurre per gjendjen ne Prishtine dhe per vjedhjen e fondit te 3% NGA SHOKU MUTAFA???

  6. ''evgjitngrenesi'' says:

    kete fat do kene shqiptaret persa kohe ndjekin matoshiste te shtetit-krahine.
    vetem nje shtet shqiptar ne gadishullin ilirik.kjo eshte zgjidhja. te tjerat jane muhabete grash te deshperuara.

  7. arti says:

    Hashim Thaqi ka kohe qe tallet me Kosoven,por edhe me palacot qe i shkojne mprapa ketij kllouni.

  8. pak drejtesi says:

    O Bardhi hap syte or ti,ai le te kete qene me UDBne me UCKne apo me ABCne me djallin vet ,problemi ketu eshte qe ai po thote te verteta dhe realitetin sepse keshtu ka ndodhur,ai po te tregon ujkun ti thua ja gjurmet.

  9. Bardhi RKS says:

    Cilin realitet tregon robelli?
    Nese e ke fjalen per raportet me serbin gabon rende,qe nga perfundimi i luftes politikanet kosovar nuk pyeten fare per kete pune,veq kan me ja bere amin vendimeve te SHBA&BE.
    Ju nuk doni ta kuptoni qe Kosova nuk ka alternative keta qe e shajn Thacin jan dhjete here me te keqi se ai.Ne Shqiperi patet fat qe keni Edi Ramen se ende do te kaleronte saloja…..po cila eshte alternativa ne Kosove?LDKJ don mi ringjall rugoven!!!AAK,Ramushi don me punu!!!Al bini don mi bashku kombin!!!Pacolli nuk e din as vet cka don!!!
    E b/Analistat doin mi kthy kohen e shokut tito……….

    Krejt kjo propagande e bandes behet vetem me nje qellim ardhja ne pushtet e bandes se OJQve te surrovit permes LDK dhe VV.

  10. ylli rks says:

    Enver, ki beshtetjen tone te pa rezerv, a din pse? Sepse je analist cilsor dhe me vlere, i gjykon gjerat ne menyre perendimore e jo ballkanike!

  11. luci oh says:

    bardhi [email protected] boll o mjekrrosh,ske faj ti po ka faj gazeta ortodokse qe ti lejon ty propagandat

  12. arti says:

    Bardhi RKS,je nje komunist tipik,eshte veti e komunisteve qe ne mungese te argumenteve shpikin cilesime si tradhetare,spiun,udbash etj.Sa per spiun e udbashe e bije te rankovicisteve te gjithe sot jane ne radhet PDK se.Se paku ne rrethinen ku jetoj une kjo qe thashe eshte qind per qind e sakte.Bile edhe per vellane e idhullit tend Hashimutos nga shume njerez kam degjuar se para lufte ishte ne raporte shume te aferta me policine serbe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje