Futbollisti që gëzoi së fundmi zemrat ‘kuqezi’ duke zgjedhur Shqipërinë, Loret Sadiku, mund ta vazhdojë karrierën në një ndër kampionatet më të forta në botë, Bundesligë.
Paraqitjet fantastike me suedezët e Helsingborgut, duket që kanë mbërritur edhe në Gjermani. Skuadra e njohur e këtij vendi, Schalke 04, ka shprehur interesim për mbrojtësin kosovar dhe dëshiron ta ketë atë në radhët e veta në të ardhmen. Lajmin për Arena e konfirmuan burime pranë futbollistit, raporton Ora info.
“Për Loretin së fundmi është interesuar edhe Schalke 04. Ky klub e pëlqen shumë atë dhe në të ardhmen mund të pritet edhe ndonjë ofertë zyrtare”, tha në kushte anonimiteti ai.Në anën tjetër, lajmin nuk e mohoi as futbollisti, duke deklaruar që për gjëra të tilla merret agjenti i tij. “Nuk mund të konfirmoj apo të mohoj interesimin e Schalkes për mua, pasi që për këto gjëra është i angazhuar menaxheri im. Unë nuk di asgjë rreth së ardhmes time”, tha ai për gazetën Arena.
Të kujtojmë që pika e dobët e Schalkes në këtë edicion është pikërisht reparti i mbrojtjes. Në nëntë ndeshje të zhvilluara, kjo skuadër ka pësuar plot 19 gola, duke u bërë kështu ekipi i pestë me më së shumti gola të pranuara në elitën gjermane.