Erjon Bogdani mbetet në qendër të vëmendjes në Itali, pavarësisht se ka më shumë se pesë muaj që nuk stërvitet me një klub (që nga momenti kur përfundoi sezoni me Sienën në muajin maj). Pasi u kërkua nga skuadra të dorës së dytë në Serinë C si Leçe, apo edhe Noçerina, të cilave sulmuesi u ktheu një “jo” kategorike, në plan të parë ka dalë klubi i Barit, i cili militon në Serinë B. Sipas “Corriere del mezzogiorno”, drejtuesit e këtij klubi, duke parë problematikën e shfaqur në këto javë të para të kampionatit në repartin e sulmit, kanë vënë në listë edhe emrin e Erjon Bogdanit. 36- vjeçari, i mbetur pa skuadër, mund t’i ndihmojë barezët që të shpëtojnë sezonin dhe të ngjiten në renditje, duke qenë se për momentin ndodhen në vend të katërt nga fundi (renditen në vend të 19-të me 9 pikë, duke lënë pas vetëm Rexhinën, po me 9 pikë, Padovan me 7 pikë dhe Juve Stabian me 5 pikë). Madje, sipas kësaj media, nëse Bari humbet edhe në ndeshjen e kësaj jave ndaj Empolit në transfertë, atëherë shkarkimi i teknikut Nuncio Zavetieri do të jetë i paevitueshëm. Momentalisht Bari ka në organikë dhjetë sulmues (Albadoro, Marota, Galano, Zhoao Silva, Fedato, Partipilo, Alonso, Beltrame, Leoneti dhe Kaputo), por të gjithë bashkë nuk kanë shënuar më shumë se 9 gola, raporton “Panorama Sport”.
Në këtë këndvështrim, është menduar afrimi i një sulmuesi me eksperiencë, nga ku pritet të vijnë edhe golat e munguar. Ndërkohë, në merkato kohët e fundit është edhe mesfushori i Karpit, Ledian Memushaj. Madje, ky i fundit, nisur nga lojërat e bukura që ka bërë te kjo skuadër, është vënë në qendër të vëmendjes nga drejtuesit e Katanias. Sipas “tuttomercatoweb”, fantazisti është vëzhguar nga afër nga klubi sicilian, por problem për të mbetet fakti se ai është në pronësi të Leçes (është në huazim te Karpi) dhe duhet më së pari gjetur një akord për kartonin. Gjithsesi, nëse kjo lëvizje do ndodhë, sipas kësaj media, Memushaj mund të kalojë te Katania në Serinë A që në merkaton e janarit. Kujtojmë që pronë e Katanias është edhe Edgar Çani, i cili është dhënë në huazim pikërisht te Karpi, ku luan edhe Memushaj.