Krisja e tabusë

18 Nëntor 2013, 19:34Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

 

Vendi i madh përtej Atlantikut, superfuqia e vetme e botës, ishte Perëndimi i premtuar nga lindte dielli, siç do të thuhej që në Rilindjen e hershme shqiptare. Nën komunizëm, SHBA ishte tabu e rëndë. Çfarë vinte nga andej, që nga armët e muzika, që nga Coca-Cola e Hollivudi, ishte dekadente, imperialiste, e kalbur dhe armiqësore për vendin e vogël kryeneç, këtej nga Ballkani. Por fatmirësisht ndodhi si me pendulin e shkuar në ekstrem dhe në dy dekada e ca pluralizëm, SHBA u bë sërish tabu në Shqipëri. Kësaj here në kahun e kundërt të pendulit: çfarë vinte nga SHBA ishte e vërteta e kulluar, ishte libri i shenjtë i besimtarëve; një foto me Presidentin amerikan, fjala vjen, për politikën lokale merrte më shumë vlerë ari sesa gjithë pikturat e Rilindjes evropiane. Dhe argumentet pro nuk mungonin. Mjaft të kujtohet nga historia e re roli amerikan në shembjen e komunizmit dhe në luftën e më pas, në pavarësimin e Kosovës. Por në Rilindjen e re shqiptare të propozuar nga socialistët e Edi Ramës, në një kombinim të çuditshëm e fatkeq rrethanash e faktorësh, vetëm mbas dy muajsh qeverisje, kjo tabu u godit në mënyrë të pabesueshme tre herë rresht. Nga aktorë tejet të ndryshëm nga njëri-tjetri, përjashtues dhe detyrimisht bashkëjetues me njëri-tjetrin. Dhe për arsye që përjashtojnë tërësisht njëra-tjetrën.

Tabuja u godit nga protestuesit kundër armëve kimike. Për herë të parë në historinë e re shqiptare, protesta e rrugës u devijua dhe nën muret e ambasadës amerikane. Një skenë e njohur në Evropë e gjetkë larg Evropës, por fare e pamendueshme më parë për Tiranën.

Tabuja u godit nga opozita shqiptare, e cila bëri një lidhje të shkurtër e naive mes mundësisë së eliminimit të armëve kimike siriane në Tiranë, rrezikshmërisë së mundshme të procesit, të panjohurave të tij dhe kërkesës amerikane për të ndodhur një gjë e tillë.

Tabuja mori një goditje të detyruar zyrtare me “Jo”-në përfundimtare nga goja e vetë kryeministrit të ri shqiptar Edi Rama. Pikërisht në fjalimin më proamerikan të tij dhe sulmin më të egër ndaj “antiamerikanëve” të supozuar se ndodheshin sa në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, sa në selinë e një partie blu në breg të Lanës së ndotur.

Zyrtarisht, Edi Rama refuzoi rolin e mundshëm shqiptar në një nga lëvizjet më të ngatërruara gjeopolitike të viteve të fundit. Në një lojë të madhe që përfshinte edhe SHBA-në, edhe Rusinë, edhe Lindjen e Mesme nën zjarrminë e luftës dhe paqartësive për të sotmen dhe të nesërmen e rajonit dhe shumë më tej.

Pak nga pak, po qartësohen edhe arsyet se pse ndodhi kështu, por natyrisht, jo në mënyrë përfundimtare. Janë të gjitha brenda, edhe paniku i turmës nga e panjohura që nuk doli kush ta shpjegojë ose u shpjegua keq se çfarë po ndodhte, edhe llogaria meskine e politikës së ditës në Tiranë që çdo mizë që fluturon nga ana e kundërshtarit e qëllon me top të kalibrit të rëndë pa menduar për efektet anësore, edhe qasja e papërshtatshme me të cilën ky problem ndërkombëtar u trajtua nga një pjesë e Tiranës zyrtare. Çfarë mungoi në këtë të fundit? Në fjalimin e gjatë të kryeministrit, shkruar me pezmin dhe pengun e një njeriu të keqkuptuar që besonte se i kishin rënë të gjithë goglat për të bërë bingo politike dhe ekonomike për gjithë shqiptarët, kishte vetëm një fjali të shkurtër që shpjegonte heshtjen e tij, misterin që krijoi dhe mungesën e transparencës: “Na u kërkua konfidencialitet dhe procesi ishte në fazën fillestare, atë të vendosjes së kontakteve në parim”! A kishte mundësi të tjera që pa goditur konfidencialitetin dhe duke e respektuar atë, të kishte një qasje tjetër që edhe nëse nuk garantonte transparencë të plotë, qetësonte shumë shpirtëra? Që në fund të fundit, pavarësisht rezultatit përfundimtar të negociatave, të mos linte asnjë shteg për keqkuptime, sidomos në boshtin strategjik e jetik të marrëdhënies së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në veçanti dhe pjesën tjetër të botës në përgjithësi? A do të ishte e udhës të merrej “një leje” për të komunikuar gjithashtu në mënyrë konfidenciale me Presidentin e Republikës, pavarësisht se ai sot quhet Bujar dhe fotove të tij nuk i gjendet më nishani në mure zyrash? Ishte e nevojshme që të kishte një urë diskutimi me opozitën? Me një grusht tejet të reduktuar politikanësh, nga të paktit profesionistë që ndodhen në Kuvend? Me aktorë të tjerë që kanë ndikim në opinionin publik, përfshi dhe veprimtarë të shoqërisë civile? Asnjë nga këto nuk ndodhi, ndonëse askush nuk mund të thotë sot se cili do të ishte rezultati nëse do të ndodhnin të gjitha bashkë.

Qeveria shqiptare humbi që në krye të herës betejën me opinionin publik. Kryesisht sepse refuzoi fare ta bëjë një betejë të tillë. Këtu nuk shtrohet çështja se cili do të ishte vendimi përfundimtar i Shqipërisë. Këtu çështja është tek serioziteti i vendit në një negociatë të nivelit të lartë ndërkombëtare, të cilës i mungoi tërësisht komponenti lokal. Çdo manual universitar në shkolla diplomatike, tregon sesi zhvillohen negociatat. Edhe me shembullin banal mes dy miqsh që diskutojnë se në cilin bar do të ulen për të pirë një kafe me qumësht.

Rezultati ishte dramatik për të gjithë. Një gjë është e qartë, nga e premtja Shqipëria do të shihet me më pak seriozitet në arenën ndërkombëtare; nga e premtja Shqipëria fitoi megjithatë, një përmasë thelbësore: forcën e opinionit publik që ka mundësi të korrigjojë qeverisjet e tij, të majta apo të djathta. Të premten ra përfundimisht miti se politika është vendimmarrja e vetme në këtë vend siç ka bërë që prej 101 vjetësh në këtë skaj të Ballkanit. Kostoja e kësaj fitoreje erdhi me një goditje të trefishtë e fatkeqe ndaj tabusë sonë amerikane. Politika tashmë, e majtë dhe e djathtë, ka për mision urgjent të riparojë pjesën shqiptare të kësaj goditjeje edhe të pamerituar, edhe të gabuar. Do të dijë ta bëjë sa kohë që sipas zakonit, topat e saj të rëndë gjëmojnë edhe kundër mizave në fluturim?

2 komente në “Krisja e tabusë”

    1. AC/DC says:

      Ose bytha e krisur(plasur).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje