A ka kuptim të flitet më për “krahun e luftës”

5 Dhjetor 2013, 21:49Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

 

Në qershorin e vitit që vjen do të shënohet 15-vjetori i hyrjes së NATO-s në Kosovë që praktikisht shënon edhe përvjetorin e çlirimit të Kosovës.

Edhe pse ka kaluar aq shumë kohë nga përfundimi i luftës temat e lidhura me të dhe me periudhën e pasluftës nuk po mund të largohen nga diskursi publik në Kosovë. Janë hetimet për krime lufte, hetimet për vrasjet e pasluftës, rikujtimet se kush ishte ku në atë kohë, publikimet e librave, filmat dokumentarë dhe intervistat me protagonistë të asaj kohe që vazhdimisht e riciklojnë luftën si temë.

Në anën tjetër numri aq i madh i të pagjeturve, kriza sociale, e cila i ka goditur disa nga familjet e dëshmorëve, moszgjidhja e fatit të shumë invalidëve të luftës ndikojnë shumë që të mos harrohet lufta. Dhe ajo nuk duhet të harrohet. Nuk duhet të jetë pengesë për të ardhmen, nuk duhet të jetë as pengesë për të falur e pse jo edhe për t’u pajtuar me ish- armiqtë nëse për një pajtim të tillë është koha, por të harrohet nuk duhet.

Lufta duhet të kujtohet për t’i kujtuar viktimat e saj, për të kujtuar edhe heronjtë e luftës, për të kërkuar drejtësi për krimet e bëra. Por ajo më pak duhet të përdoret në fushata politike. E pikërisht kur lufta përmendet për qëllime politike atëherë me të manipulohet. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka qenë e pranishme tendenca për një “luftë për të kaluarën më të mirë”. Secili ka pasur një interpretim të vetin të luftës, shpesh duke e paraqitur vetveten edhe në rolin kryesor dhe pa modesti.

Në kohën e sotme kur Kosova është në një gjendje shumë të rëndë ekonomike, kur popullata e saj është e izoluar sa u përket mundësive për të udhëtuar jashtë, kur edhe pas gjashtë vjetësh shtetësie shteti po e ka të vështirë të depërtojë në skenën ndërkombëtare, kur Kosova më së shpeshti përmendet për krim të organizuar, kontrabandë me drogë e me njerëz, korrupsion në nivel të lartë, nuk ka edhe aq shumë rëndësi se çfarë ka bërë kush në kohën e luftës dhe në ditët e para të pasluftës, natyrisht me përjashtim të krimeve të cilat gjithsesi duhet të zbulohen dhe për procesimin e të cilave nuk duhet të ketë limite kohore.

Këto ditë kohën e luftës na e kujtoi një prej personave më të angazhuar në Administratën amerikane të asaj kohe, ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, James Rubin.

Ai ishte në Kosovë dhe në një intervistë për gazetën “Zëri” porositi ish-liderët e UÇK-së të tërhiqen nga politika në kohën sa janë ende të popullarizuar. Kjo porosi nuk u pëlqeu atyre që mund ta kenë parë vetveten në këtë fjali. Kjo duket sikur ndonjë sportisti t’i thuhet të tërhiqet në kohën kur ende luan mirë, kur ende është në formë, në mënyrë që të mos mbahet mend si lojtar i dobët, por nga periudha e tij më e mirë.

James Rubin nuk është i vetmi që mendon kështu dhe mendimi i tij nuk do të duhej të ketë fare lidhje me luftën, por me faktin se skena politike edhe ashtu në një shtet normal duhet të ndryshojë, e ajo ndryshon kur ndryshohen aktorët kryesorë të saj. E, me përjashtim të Kroacisë, në rajonin e Ballkanit me dekada nuk ka pasur ndryshime rrënjësore.

Njerëzit kanë ndryshuar partitë, kanë ndërruar koalicionet, kanë ndryshuar edhe qëndrimet e tyre politike, kanë rënë dhe janë ngritur në pushtet, por pak a shumë kanë mbetur të njëjtët njerëz në skenën politike. Të rrallë janë ata të cilët janë larguar nga politika dhe shpesh ndarja nga jeta ka qenë ndarja e tyre nga politika. Duket sikur profesionin e politikanit e kanë kuptuar si diçka të përjetshme. Kjo vlen edhe për Kosovën.

Skena e sotme politike në Kosovë është edhe rezultat i proceseve që u nisën menjëherë pas luftës kur bashkësia ndërkombëtare donte t’u hiqte armët nga dora pjesëtarëve të UÇK-së dhe t’i përfshinte liderët e saj në proceset politike, ndërsa disa pjesëtarë në TMK.

Ja se çfarë thoshte për arsyet e krijimit të TMK-së, si një trupë të emergjencës civile që kosovarët e shinin si ushtri, një zyrtar i NATO-s në kohën kur u bë plani i themelimit të saj: “Duhet t’u mundësojmë disa pjesëtarëve që luftuan për vendin e tyre që të mund të japin kontributin edhe në paqe. Disa mund ta bëjnë këtë përmes angazhimit në politikë, disa në mënyra tjera. Këta njerëz që kanë bartur armë më mirë t’i kemi të angazhuar, të bashkëpunojmë me ta, t’u japim ndjenjën se janë duke bërë diçka për vendin e tyre, sesa t’i lëmë nën tokë”.

Na kujtohet koha kur Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj hynë në politikë, ndërsa Agim Çeku u bë komandant i TMK-së. Secili prej tyre mori me vete edhe disa ish- komandantë tjerë, i angazhuan ata nëpër struktura të ndryshme, qoftë në nivelin qendror apo edhe në atë lokal. Dhe gradualisht tejkaluan ndasitë që i kishte sjellë lufta.

Dhe duhet pranuar se skena politike e Kosovës në kohën e luftës ka qenë e ndarë edhe pse sot, kur shohim ish-komandantë të UÇK-së duke vënë kurora mbi varrin e ish-presidenti Rugova një gjë e tillë nuk na duket e besueshme.

Kur në këtë gazetë kisha shkruar në vitin 1998 se në protestat e shqiptarëve para selisë së NATO-s, ku kërkohej ndërhyrja e saj në Kosovë, protestuesit kishin brohoritur edhe “UÇK,UÇK” disa aktivistë të atëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës reaguan ashpër duke u munduar të mohojnë se ka pasur brohoritje të tilla. Kur ua lëshova audioincizimin thanë se “kështu ka brohoritur vetëm një numër i vogël ekstremistësh!”.

Disa muaj më vonë kur në qytezën Ramboulliet afër Parisit, para Kështjellës ku zhvillohej konferenca për Kosovën që duhej hapur rrugën për ndërhyrjen e NATO-s, dhjetëra e mijëra shqiptarë kishin protestuar, duke brohoritur “UÇK,UÇK-Rugova, Rugova”, ishte radha që të na kritikojnë, e edhe kërcënojnë disa të vetëshpallur “agjentë të UÇK-së!” Ata mohonin që të jetë përmendur emri i Rugovës nga protestuesit edhe pse dhe gjysmë të shurdhrit kanë mundur të dëgjojnë ato brohoritje. Të mos flasim për tentimet e doktor Bujar Bukoshit që nga Kështjella e Rambouilletit të përgënjeshtrojë shkrimin e “Kohës Ditore” se lideri i atëhershëm i UÇK-së Hashim Thaçi ishte zgjedhur si udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambouillet.

Këto ndasi vazhduan edhe gjatë luftës, por edhe pas saj. Nuk mund ta harrojmë sesa ditë kaluan pas çlirimit për të pritur që, me ndihmën e ambasadorit amerikan në Shkup, Christopher Hill, të kthehet në Kosovë nga Italia doktor Ibrahim Rugova.

E të mos harrojmë se në atë kohë Kosova i kishte dy qeveri, por nuk qeveriste askush. Kishte ndasi edhe mes vetë formacioneve të UÇK-së. Nëpër rrugët e Prishtinës dëgjoheshin dilemat se a është kryeqyteti i Kosovës në “Zonën e Llapit apo të Drenicës”. Në Dukagjin bëhej garë se cili krah ka luftuar më shumë, ai i Ramushit apo i Tahir Zemajt.

Ja Rubin na e pranoi se madje edhe vetë Departamenti Amerikan i Shtetit paska qenë i ndarë në atë kohë se a duhet favorizuar “njerëzit e UÇK-së apo ata të Rugovës”. Kështu ka qenë edhe në NATO. Për disa shtete UÇK-ja ishte e panjohur, nuk donin që formalisht të ketë punë me të.

Por për disa shtete tjera Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij ishin të pavendosur. Për këto mund të shkruhen libra të tërë por po i përmendim vetëm si elemente për të rikujtuar se arritja e rezultatit, Çlirimi i Kosovës, e bën të pakuptimtë debatin sot se kush ka pasur çfarë qëndrimi dhe kush ka thënë apo bërë çka. Ja në qytetin tim, në Pejë, njëri nga kandidatët për kryetar komune u kritikua pse, si deputet i një partie tjetër në Kuvendin e Kosovës, nuk kishte votuar që Ibrahim Rugova të zgjidhej kryetar i shtetit dhe për koalicionin e LDK-së me AAK-në. Në atë kohë ai ka qenë kundër koalicionit të tillë, sepse partia e tij nuk e ka mbështetur atë koalicion.

Por vetëm disa ditë para zgjedhjeve  të cilat sollën atë koalicion nëpër Deçan ishin ngjitur fotografitë e mëdha të takimit gjatë luftës të dr. Ibrahim Rugovës me ish-diktatorin serb, Slobodan Milosheviq, në një tentim të kundërshtarëve të LDK-së që ta dëmtojnë atë në prag të zgjedhjeve.  Sot edhe në LDK ka njerëz të luftës, edhe në AAK-në e Ramush Haradinajt ka njerëz të LDK-së e Hashim Thaçi sot në qeverinë e tij e ka hiç më pak se Bujar Bukoshin, i cili ishte anëtar i listës së të birit të Ibrahim Rugovës e i cili në zgjedhje ishte në listën e AAK-së. Nuk ka parti politike në Kosovë e cila nuk thirret në luftën e UÇK-së. Nuk ka as parti politike e cila sot nuk përmend lëvizjen e udhëhequr nga Ibrahim Rugova si një fakt historik që luajti rol të madh për të qenë Kosova sot aty ku është, e lirë dhe në masë të madhe edhe e pavarur.

Vërtet disa diplomatë ndërkombëtarë që kanë qenë aktivë në atë kohë sot pranojnë se nuk kanë paramenduar se edhe 15 vjet pas luftës ata që bënë luftën do ta kenë rolin kryesor në politikën e Kosovës. Por ka në Bruksel shumë njerëz që mendojnë ndryshe nga James Rubin.

Ata pikërisht mendojnë se për momentin është mirë që “njerëzit e luftës” janë në pushtet edhe në Kosovë e edhe në Serbi, sepse, thonë mendimtarët e tillë, “ata mund të bëjnë kompromise të rënda për vendet e tyre dhe nuk mund të akuzohen për tradhti”. Megjithatë mund të thuhet se sot nuk ka kuptim të flitet më për “krahun e luftës”, sepse më në Kosovë as vetë partitë politike nuk mundohen të marrin vota duke u thirrur në këtë luftë. Ndërsa zhvillimet e pasluftës nuk i japin askujt arsye për të qenë krenar. Pjesëmarrja në luftë kurrsesi nuk duhet të jetë hendikep për t’u marrë me politikë.

Pjesëmarrja në luftë në fakt nuk do të duhej të ishte pengesë për asgjë. Ajo ka qenë sakrifica më e madhe që ka mundur në atë kohë ta bëjë dikush për popullin dhe vendin e tij. Por sot pjesëmarrja në luftë nuk mund të jetë as argument për të arsyetuar shkeljet e ligjit, manipulimin apo korrupsionin. Pasi po i përkujtojmë kohërat e luftës të na kujtohet porosia që na e dha ish- presidenti amerikan Bill Clinton kur erdhi në Kosovë: “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen”.

Tash Kosova më nuk mbrohet dhe as nuk zhvillohet me luftë, por me angazhim për një shtet funksional. Nuk është problemi se a ka qenë apo jo në luftë ndonjë udhëheqës politik, por a është duke punuar mirë apo jo.

*KOHA DITORE

1 komente në “A ka kuptim të flitet më për “krahun e luftës””

  1. Natasha says:

    Shkrim i bukur dhe shume aktual. Lufta u fitua, tani te gjithe te mendojne per PAQEN, qe Kosova te ndryshoje ekonomikisht politikishht dhe etj etj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje