Moj e mjera Shqipëri

5 Dhjetor 2013, 20:15Blog TEMA

Nga Artan Mullaj

 

Gjykata në Shqipëri është një fjalë e tmerrshme, sepse drejtësia është një fjalë e përbindshme. Ajo krijon një iluzion frike dhe mallkimi. Ajo pjell një botë të tërë, makthin, nënkupto terrorin shpirtëror, dhe padrejtësinë, përfytyro korrupsionin.

Kjo botë e makthtë dhe e padrejtë ka fëmijët e saj që gjallojnë sallave ku merren vendime dhe lëvizin korridoreve, ku paralajmërohen vendime. Këta janë gjykatës, prokurorë, avoketër- armata famëkeqe e njerëzve me rasot e zeza.

Ky makth ka në krye të statutit të saj një akt të shëmtuar normativ: “bota është mizore, asnjëherë s’mund të kesh ç’të takon, pa paguar”. Akt shqiptar që përmbys edhe postulatin e hershëm të Krishtit për Cezarin në tokën e hebrenjve. Përpara këtij realiteti enigmatik, njëherësh të vyshkur dhe revoltuar, mendimi tronditet gjer në thellësitë e tij më të errëta: në Shqipërinë e mjerë, nuk ndëshkohet faji nga ligji, por ndëshkohet drejtësia nga vetëdrejtësia.

Këta “fëmijë” të kësaj bote të makthtë duhet të prodhojnë drejtësi. Duhet të gjykojnë hajdutët, zanatin e të cilëve e njohin më së miri vetë. Duhet të gjykojnë e dënojnë kriminelët, banditët, por edhe tatimorët, drejtorët, doktorët, pushtetarët që vjedhin dhe ia hedhin; duhet të çojnë drejt akuzës sekserët e politikës që zhvatin për të gënjyer të zhgënjyerit e saj, por që janë këta që në fakt i çojnë gjykatësit drejt llumit të mëkatit; duhet të gjykojnë biznesmenët, që jargosin duart e pushtetarëve me dhurata për të përfituar nga firmat dhe vulat e tyre dhe gazetarët mashtrues në shërbim të pushtetit, me rroga të vogla si organet e tyre, por me epshe të mëdha nënshtrimi e servilizmi.

Por në fund, në vend që të gjykojnë dhe dënojnë vetëm fajtorët, ndëshkojnë vetëm ata që s’mund të paguajnë…

 

Njerëzimi ka krijuar gjykatat edhe për t’i dhënë një përmasë hyjnore drejtësisë, që ajo të ngrihet mbi të. Kjo, sepse njerëzit nuk mund të jenë të drejtë nga natyra. Sa kohë në ndërgjegjen e tyre përplasen dy fuqi të mëdha që janë arsyeja dhe egoizmi, drejtësia do jetë një çështje përherë e vështirë. E drejta filloi të ngrihet si institucion vetëm kur nevoja për drejtësi filloi të ngrihej si institucion. Kjo nevojë u ndje kur lufta brenda llojit, filloi të kërcënojë njeriun.

Gjykatësit e parë qenë krerët e turmave, liderët e grupeve, krerët e fiseve, mbretërit, kadinjtë, sulltenërit, profetët, me një performancë të përzotshme, dhe më pas kanunet, kishat dhe xhamitë, të cilat u  paraprinë sistemeve të sotme të konsoliduara të drejtësisë. Elementi hyjnor është trashëguar deri sot dhe gjykatësit në botë nuk qasen si njerëz të zakonshëm, por si njerëz, të cilët i ka shenjtëruar drejtësia që japin.

Për fat të keq, kjo shenjtëri i mungon gjykatësve shqiptarë. Këta janë si priftërinjtë, por jo si shenjtorët. Njëlloj si priftërinjtë, mendojnë se janë të paprekshëm. Të parët, sepse besojnë te gjykimi i perëndisë, të dytët, sepse nuk besojnë as vetë te gjykimi që japin.  Të parët i mbron nënshtrimi i turmës ndaj frikës së qiellit, të dytët i mbron nënshtrimi i turmës ndaj padrejtësisë. Çdo padrejtësi shndërrohet në sundim. Çdo sundim është armë e një pushteti. Rrjedhimisht, gjykatat, nëpërmjet gjykatësve s’bëjnë veçse delegojnë apo shndërrojnë një pjesë të sundimit politik në një sundim shpirtëror. Ky është misioni i tyre. Dhe ç’kemi për rrjedhojë? Padrejtësia që prodhojnë, shkakton stresin psikologjik të turmave, që ndihmon gjunjëzimin e tyre.

Kam qenë dëshmitar i disa seancave gjyqësore, në të cilat, më shumë se çështjes, gjykatësit duhej t’i bënin gjyqin vetvetes. Kam parë me sytë e mi një mikun tim ndërtues që i dha nën dorë një avokati sekser 5 mijë euro, për të blerë drejtësinë që gjykata e shkallës së parë ja kishte shitur me të padrejtë, palës tjetër, për 3 mijë euro. Kam kafshuar thonjtë kur një njeriut tim të afërt iu kërkua në emër të trupit gjykues një çantë me miliona lekë nga një titullar i lartë i gjyqësorit, për të mbrojtur një vendim të mëparshëm, që e kishte fituar gjithashtu duke dhuruar miliona të tjera. Kam njohur një kryetar gjykate, i krimbur si dhëmballë e prishur mes aferave korruptive radhë, që sillej si kapobandë, te fuste kthetrat në çdo çështje që gjykohej. Ajo çfarë publikoi Fiks Fare, është një sekuencë e vogël e një shfaqjeje, e një skene gjigante mes një teatri të turpshëm kombëtar, ku drejtësia shitet e blihet si një lavire. Miq, të gjithë e dimë se drejtësia në Shqipëri nuk është alternativë, as mundësi, por mall tregu. Pazari ku blihet ky mall edhe shitet nuk ndryshon shumë nga pazari i putanave. Që ta kesh a fitosh drejtësinë duhet të paguash njëlloj si paguajnë klientët e prostitutave për to. Dhe ashtu si një prostitutë, edhe drejtësinë, nuk mund ta kesh gjithmonë. Që ta kesh sërish duhet të paguash sërish. Duhet t’u paguash gjyqtarëve për seancën e shkallës së parë. Pastaj duhet t’ju paguash më shtrenjtë atyre të apelit, ashtu si, një prostitutë e re dhe e bukur kushton më shumë se një e moshuar dhëmbërënë, mbrapa Pallatit të Kulturës. Shumë më shumë duhet të paguash në Gjykatën e Lartë, kryetarit të madh a sekserëve, ashtu si, pornostaret kushtojnë shtrenjtë dhe mund t’i paguajnë vetëm bobët dhe bosët e mëdhenj.

Është rutinë si fotot e grave në fb, të jesh dëshmitar i kësaj babëzie pa fre. Babëzi që flet. Babëzi që merr frymë. Babëzi që vret shpirtra të pafajshëm. Babëzi që shndërrohet shpejt në materie, ashtu si magnetizimi në Polin e Veriut, shndërrohet shpejt në aurorë. Kam dëgjuar për gjykatës të neveritshëm, avokatë të neveritshëm, kryetarë gjykatash të neveritshëm, që thithin si kanibalë gjakun e hallexhinjve. Që objekt, subjekt, mision, vizion kanë vetëm paratë, kjo dihet tashmë nga të gjithë. Që janë të shumtë dhe bastardë, s’ka më dyshime për askënd. Që ndyjnë imazhin e vendit, këtë na e thonë edhe të huajt. Shoqëria i ndesh sallave të gjykimit, duke mbajtur dosje në duar. Në këto dosje nuk ka ligje dhe nene, por ka oferta palësh në euro. Nuk i preferojnë lekët gjykatësit tanë. Prandaj është e kotë të kërkosh a shpresosh drejtësi. Thjesht duhet ta blesh. Por nuk mjafton vullneti të blesh drejtësi. Duhet vullnet më shumë për të paguar më shumë. Gjykatësit janë aty. Jo për të bërë drejtësi! Por për të bërë ankand drejtësie.

 

Situata është emergjente. Reformimin e gjyqësorit në Shqipëri, është një çështje e shtruar për zgjidhje. Europianët nuk janë fokusuar thjesht për hobi në të. Sistemi gjyqësor, si një institucion i besimit, gjykimit dhe i ndëshkimit, aq më pak mund të supozohet i tillë sa kohë shoqëria nuk ka besim tek ai. Rikthimin e besimit te  drejtësia, është detyrë imediate e politikës. Madje, politika ia ka borxh këtë gjë shoqërisë. Sepse është politika shkaktarja kryesore e rebelimit kurvëror të “drejtësisë” që prodhojnë gjykatat tona. Është politika ajo që ka futur duart në gjyqësor, sipas joshjes dhe interesave, duke krijuar këtë mutacion të përbindshëm, që pjell, por vret drejtësinë.

Reforma në drejtësi është më emergjente se koha! Ajo duhet bërë në kohë emergjente për sa kohë që është e vetmja alternativë për ta shndërruar këtë gjënë, që ne e quajmë shtet, në një shtet ligjor. Reformë, nënkupto çmontim të korrupsionit mizor në drejtësi; reformë, nënkupto krijimin e një sistemi të shëndetshëm që do hedhë në erë këtë makth si po hedhin në erë ndërtimet pa leje. Reformë në drejtësi nënkupto nevojën për një vullnet politik të njëjtë me vullnetin që qeveritarët kanë për të bërë udhëtime jashtë vendit. Me vullnet politik nënkupto filtrimin e ndershëm të njerëzve të cilëve do t’u karikohet shenjtëria e gjykimit. A kemi njerëz të tillë? Le të përpiqemi seriozisht të kuptojmë këtë gjë. Përndryshe, të kërkojmë asistencë të huaj si bëjmë për dogana dhe hetimet e buxheteve. Qeveria duhet ta ketë nën dritën e bardhë këtë gjë: Asnjë nismë, vullnet, institucion nuk ndikon në imazhin e një vendi, sa drejtësia. Liria, civilizimi, pra edhe rilindja, fillojnë aty. Rendi dhe policia janë derivate të saj. Janë imediate, por ato vijnë pas. Të ndjekësh dhe kapësh kriminelët që më pas gjykata e korruptuar i lëshon, është si të ndërtosh në fillim avllinë, pastaj shtëpinë.

9 komente në “Moj e mjera Shqipëri”

  1. kunji says:

    a do kene bythe shqiptaret te vene drejtesine ne vend? gjarpri kapet nga koka dhe koka ne kete rast eshte Presidenti qe duhet hequr nga ai post i pari pasi eshte mburoja e pare e padrejtesive ne sistemin e drejtesise ne vend.

  2. Lulip says:

    Sistemi i drejtesise me ne krye presidentin ulok eshte bere anti demokratike,e kunderligjshme ne veprimet e saj,kunder shoqerise me veprimet e saj,gjerat e mira qe kan filluar te behen i hedh ne ere sistemi i drejtesise me ne krye presidentin me detyre sekser i Berishes,prandaj urgjentishte sic hidhen ne ere ndertimet e pa ligjsme,te “hidhet ne ere edhe sistemi aktual i drejtesise” si e paligjshme antikombetare e antidemokratike,shkaterrues e shoqerise dhe penguese numer nje i ecjes perpara te shoqerise.

  3. Lul Tyta says:

    Mos ofendoni punonjeset e seksit duke I barazuar me keta gjyqtare bastarde, ne fund te fundit ato shesin dicka te veten per te bere pare, kurse keta monstra shesin dicka qe kane premtuar te mos e shesin, kurse ata e kane hedhur ne treg duke kerkuar cmime te majme dhe mburren se I kerkojne keto cmime meqe po shkelin betimin qe kane bere kur kane marre kete detyre.Jane futur gjith ato femra ne burg per shitjen e trupit te tyre, kurse keta pimpa qe shesin nderin e shtetit nuk I prek kush.Turp e faqe e zeze.

  4. Pëllumb zaimi says:

    Një shkrim i thellë ,i shkruar me filozofi,elegancë e thellësi mendimi. Të shtie në mendime, te bën ta lexosh për herë te dyté,të tretë që të kuptosh spektrin e pamatë të ideve që të afron. Bindës i pakundershtueshëm kur shtròn tezën se pa u bërë drejtësia asgje nuk mund te ketë një të ardhme. Eshtë gazetar shume i kendshem,me nje stil plot figuracion e bukur shprehëse. Une e pelqej shume stilin e ardian mullajt . Vallezon çdo frazë,çdo paragraf ! Edhe kur mallkon fraza e mallkimit është e bukur. Ka forcë mendimi. Ka forcë bindese. Ka art në të prezantuarit e idese më të nderlikuar dhe kjo nuk te lodh gjate leximit por të bën ta ndjekësh me kënaqësi nepër të gjithë labirinthin ku të fut. Nderime ardian! Ju kam lexuar shume here por ështe hera e pare që ju komentoj!

  5. Pëllumb zaimi says:

    Një shkrim i thellë ,i shkruar me filozofi,elegancë e thellësi mendimi. Të shtie në mendime, te bën ta lexosh për herë te dyté,të tretë që të kuptosh spektrin e pamatë të ideve që të afron. Bindës i pakundershtueshëm kur shtròn tezën se pa u bërë drejtësia asgje nuk mund te ketë një të ardhme. Eshtë gazetar shume i kendshem,me nje stil plot figuracion e bukur shprehëse. Une e pelqej shume stilin e artan mullajt . Vallezon çdo frazë,çdo paragraf ! Edhe kur mallkon fraza e mallkimit është e bukur. Ka forcë mendimi. Ka forcë bindese. Ka art në të prezantuarit e idese më të nderlikuar dhe kjo nuk te lodh gjate leximit por të bën ta ndjekësh me kënaqësi nepër të gjithë labirinthin ku të fut. Nderime artan! Ju kam lexuar shume here por ështe hera e pare që ju komentoj!

  6. shpetim says:

    Mendoj se aktualisht ka filluar vullneti politik qe se shpejti do te realizohet per te shkundur e per ta ripertrire drejtesine,vecanrisht gjyqtaret e prokuroret por edhe disa avokate te pamoralshem.Sot gjithsejcili e ka patur rastin te ballafaqohet me felliqsirat e drejtesise me korrupsionin e papare qe ato bejne.Do te ishte mire qe ne rrjetet sociale e ne komentet te shkruheshin emrat e ketyre te gjyqtareve e prokuroreve apo avokateve te korruptuar.Per shembull ne Elbasan emra te zinj jane Ilir Pashaj qe nuk te jep drejtesi pa euro e leke, po te tille jane dhe avokati ish prokurori I shkarkuar per abuzime Vaso Jano apo notere te ndyre si Majlinda Lato,behar Leka[ish prokurore] qe kane vure nji pasuri te jashtzakonshme …….Shpetim

  7. genti says:

    Me te vertete situata e gjyqesorit eshte emergjente.Duhet bere dicka per ta ndrequr.Bravoo

  8. Luani says:

    Shkrimi eshte aktual dhe shume i drejte por nuk jam dakort me krahesimin e gjyqtareve me prostituta sepse ne shumicen e rasteve ato shesin trupin e tyre per te mbijetuar ndersa qellimi i vetem i gjykatesve prokurorev dhe avokateve eshte vetem te pasurohen sa me shume dhe nuk duan tja dine se sa mundesi kane njerezit per te jetuar.
    Mendoj se ne te gjitha shkrimet eshte mire te vihen emrat e ketyre qe pine gjakun e popullit pa meshire. Nese nuk fillohet te denohen te paret ghyqtaret dhe prokuroret e koruptuar nuk mund te vihet drejtesia ne vend. Se fundi kam edhe nje pyetje se a njef njeri ndonje gjykates apo prokuror qe nuk kerkon para tja thote emrin qe ta njohim te gjithe.
    Por kjo eshte absolutisht e pamundur.

  9. valter says:

    Bravo! Ja nje gazetar qe duhet te jete standart per te tjeret! Bravo!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje