Enver Hoxha, armët kimike dhe Barak Obama

9 Dhjetor 2013, 00:47Blog TEMA
Enver Hoxha, armët kimike dhe Barak Obama

Ilir Yzeiri

Emrat që përmenden në këtë titull nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Si në çdo gjë absurde, ato mund t’i bashkosh ose ato mund të prodhojnë një argument vetëm në qoftë se i vendos në tekstin e ngjarjeve që shtillen në Shqipëri, në vendin me ngritje të lehtë të absurdit thuajse në çdo stinë. Edhe Shqipëria, ashtu si vendet e tjera me shtyp të zhvilluar karakterizohet nga dy botë ose thënë më shkoqur njerëzit në vendin tim absurd jetojnë edhe në botën reale edhe në botën virtuale, në atë botë që e krijon media dhe informacioni. Siç vënë në dukje specialistët e komunikimit, gjithë globi për shkak të zhvillimit të jashtëzakonshëm të teknologjive të informacionit, ka tendencën që të kthehet në një fshat të madh global sepse në autostradën gjigande të internetit lundron gjithë bota. Emocionet, ndjenjat, mendimet tona manipulohen me një shpejtësi të madhe njësoj si në rastin kur shohim me sytë tanë një aksident, ashtu edhe kur shohim drejtpërdrejt asksidentin e aktorit të famshëm Paul Walker. Në anë tjetër, njeriu është kafsha me kuriozitetin më të madh dhe zgjerimi i fshatit global ka vënë në rrezik kufijtë tradicionalë të sekretit ekonomik, politik, shtetëror. Në mënyrë paradoksale, zhvillimi i jashtëzakonshëm i teknologjive të informacionit, pra kontrolli i gjithçkaje që ndodh në botë dhe i gjithkujt, i ka dhënë informacionit një fuqi të jashtëzakonshme, e ka bërë atë padron të vetvetes dhe shkencëtarët e komunkimit thonë se tani nuk ka më monopol mbi informacionin. Askush nuk mund ta kontrollojë atë. Pikërisht këtë kuptim ka edhe këshilla që i kanë dhënë ndihmësit e tij Barak Obamës që ai të mos përdor I-phone. Po mirë kush mund ta kontrollojë Barak Obamën? Cili do të kishte fuqinë në një shtet super të mbrojtur si SHBA, që të përgjohej apo të kontrollohej edhe telefoni mobil i Presidentit? Këtë fuqi e ka vetë informacioni, ky zot i plotfuqishëm që tani ka shpëtuar nga kontrolli dhe ashtu si ato kafshët e egra që ikin nga cirku, mund të rrezikojë gjithkënd. Mjafton një nëpunës i thjeshtë i një agjencie telekomunikacioni siç ishte rasti me amerikanin Eduard Snowden që hija e rëndë e ngrehinës së sekretit shtetëror të vihet në dyshim ose mjaft të kujtojmë skandalin e Wikiliks që të bindemi se zhvillimi i paimagjinueshëm i teknologjive të informacionit e kë bërë informacionin vetë një perëndi që ashtu si Zotët e Olimpit në Greqinë e lashtë dikton jetën e njerëzve në tokë. Media, nga ana tjetër, ka një fuqi të madhe për ta manipuluar opinionin. Informacioni që përcjell media ushqen ndërveprimet,rrit njohuritë dhe udhëheq veprimet tona. Një informacion është një tërësi njohurish për një ngjarje të caktuar, për një fakt real ose imagjinar që i shtohet njohurive të një individi ose të një publiku. Njohja e qëllimit që ka një mesazhi që vjen nga një informacion na lejon të kuptojmë këtë mesazh dhe funksionin që atij i jep media. Mesazhet mediatike kombinojnë gjithmonë një përzierje qëllimesh. Gjatë leximit, gjatë shikimit ose dëgjimit të një informacioni, lexuesi, spektatori ose dëgjuesi duhet të kërkojë të njohë qëllimin e komunikimit të autorit ose të shpërndarësit. Pas këtij sqarimi teorik le të kthehemi te dy ngjarje të tjera mediatike. Protesta masive, sidomos e të rinjve për të mos pranuar armët kimike të Sirisë që të shkatërroheshin në Shqipëri, është një ngjarje edhe mediatike që meriton të studiohet nga shumë anë. Sipas mendimit tim, këtu, u shfaq ajo që teoricienët e komunikimit e quajnë rastin kur informacioni manipulon median dhe jo anasjelltas. Natyrisht ky është vetëm një nga intepretimet, sepse në fushë të komunkimit nuk ekziston kurrë një e vërtetë, por një ngjarje e përbëjnë disa të tilla. Pa u zgjatur shumë, këtu mund të shtojmë se edhe psikanaliza e Frojdit është kritikuar për determinizëm, pra për shpjegim shterues dhe pa alternativë. Ndërsa ne që vijmë nga komunizmi e kemi thuajse sëmundje të pashërueshme që të vërtetën nuk e lëmë atje ku është, pra askund, por e bëjmë pronë tonën edhe kur themi idotësinë më të madhe edhe kur themi frazën më naive. Vetëm ndër shqiptarë mund të dëgjosh shpjegime apo analiza që nuk mund të diksutohen, po kjo është një temë tjetër. Pra, në rastin e armëve kimike, informacioni qysh në fillim u shfaq si me drojtje, madje iu dha publikut duke u marrë nga një i tretë. Pra një agjenci lajmesh e huaj kishte shkruar mbi atë informacion. Mediat qëndrore nuk i dhanë shumë rëndësi në fillim. Pastaj, një shoqatë paralajmëroi një tubim në një sallë të Universitetit të Arteve, pastaj dolën në Bulevard dhe njerëzit filluan të shtohen e të shtohen pa fund. Po çfarë kishte ndodhur ? Informacioni kishte rrjedhur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ishte bërë pronë e gjithkujt. Lajmi paraqitej me të gjitha ngjyrat. Ata që e kundërshtonin me argumente të qartë si ambientalistët erdhën e u bënë të pakët në numër. U shtuan shumë të rinjtë që e përdornin këtë kauzë si një mundësi për identifikim në një vend që po i harronte të rinjtë. Politikanët e opozitës u bënë groteskë dhe Jozefina Topalli e gjendur nën ekstazën e propgandës, manipuloi në mënyrë makabre dhe pa asnjë lidhje një faqe të një tabloidi anglez. Informacioni ishte shpërfyturuar dhe në fund, në vend të demontimit u duk sikur Shqipërisë i kërkohej që miqësisht ta qëllonin me armë kimike. Është rasti klasik kur media i nënshtrohet informacionit dhe nuk ka asnjë fuqi që ta manipulojë apo ta ndryshojë opinionin. Në këtë rast ajo kthehet në funksionin e saj të parë ; thjesht rrëfen. Ndërkaq një ngjarje tjetër provoi një aksiomë të përkundërt. Me rastin e festave të nëntorit, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, gjatë ceremonisë zyrtare, kur krerët më të lartë të shtetit po kryenin homazhe, në sfond u shfaq portreti i Enver Hoxhës. Ata që e kishin sjellë atë portret aty u përmendën vetëm njëherë në fillim dhe askush nuk u interesua më për ngjarjen. Pra si u fut ai portret aty, a përfshihej në protokoll apo jo. Media nxitoi me vrap diku tjetër. Ajo iu vu punës me ngulm që të manipulonte opinionin publik dhe të ndizte ndjenjat antikomuniste duke marrë shkas nga ky rast. Nuk kishte gazetë, televizion apo studio që të mos merrej me këtë ngjarje. Opozita ashtu e lodhur dhe pa fat nxitoi që ta bënte kauzë këtë ngjarje dhe paralajmëroi përplasje me qytetarët, revoltë e protestë. U tha madje se dikush kishte lajmëruar përmes rrjeteve sociale një tubim të madh, por atë ditë në tubim ishte vetëm ai që kishte lajmëruar. Në këtë rast nuk më intereson të analizoj se përse shqiptarët nuk ngrihen të protestojnë kundër Enver Hoxhës. Kjo është një temë më vete. Ajo që më intereson për argumentin që po shtjelloj është fakti se media jo gjithmonë e ka fuqinë që të manipulojë opinionin, ta manipulojë në kuptimin që t’i japë një informacion dhe ta drejtojë atë në një qëndrim të caktuar. Në këtë rast, media vetëmanipulohet dhe prish harmoninë me informacionin dhe mesazhin. Ky është rasti klasik kur media e kalon vetveten dhe nga një mjet për të rrëfyer jetën, kthehet e rrëmben monopolin e së vërtetës dhe kërkon t’ua diktojë atë edhe lexuesve, shikuesve apo dëgjuesve. Kështu media del e humbur dhe informacioni e sfidon atë.

 

6 komente në “Enver Hoxha, armët kimike dhe Barak Obama”

  1. ali says:

    Me pelqeu shkrimi yt z. Ilir, sidomos fillimi, ana teorike e problemit ,por edhe faktet qe sjell e analizat
    qe ben !! Por ne rastin e lendeve kimike siriane ,kam pershtypjen dhe bindjen se dore per perhapjen
    e panikut apokaliptik ka qene edhe propaganda ruso-serbe ,nepermjet rrjetit te mbrendeshem agjentu-
    ror shqiptar . Te lartpermendurit nuk donin ne asnje menyre qe keto lende kimike te demontoheshin
    ne nje vend si Shqiperia ,dikur aleati i tyre , sot armik i tyre dhe aleat besnik i SHBA. Idem Serbia !
    Se dyti , vendosja e ketyre armeve ne Shqiperi i tremb fqinjet tane ! Aresyet jane te shumta ,qe do kohe
    e vend t’i analizosh. Mbi keto fakte duhet medituar…
    Se treti , ana ekonomiko-financiare nga ana e SHBA-se do te ishte domethenese .Edhe ky aspekt duhet
    analizuar ne te gjithe aspektet….
    Se katerti , Strategjia afatgjate Shqiperi-SHBA eshte si nje hale ne sy per fqinjet tane dhe me gjere .Refuzi-
    mi qe i beri Shqiperia ketyre armeve i pelqeu fqinjeve dhe Evropes ! Pse u pelqeu ketyre vendeve ? Jo se
    e duan Shqiperine e popullin shqiptar , por se fuqizimin ekonomik shqiptar asnjeri nga vendet e Evropes
    dhe sidomos vendet e Ballkanik nuk e duan kurresesi . Edhe ky aspekt duhet pare .
    Se fundi , perkohesisht triunfoi kauza ruso-serbe -agjentuariale ne Shqiperi . Por ma do mendja se jo cdo
    gje ka perfunduar … Ardhja ne Shqiperi e zotit Moor eshte e lidhur me kete,pavaresisht se ne shtyp behen
    deklarata qe ne fakt nuk shprehin esencen e kesaj vizite . Tymi do te dale se shpejti ! Takimet ke autoritetet
    qeveritare jane ceshtje protokolli , por nuk shpjegohet takimi me ”deputetin e rreshtit te katert , karrikja nr.3”!
    Madje nje fraze si gjoja kalimthi e zotit Moor qe tha se ”nuk pati informacion te qarte per armet kimike, se
    demontimi i tyre ishte plotesisht insigurte…,, tregon se”loja armeve nuk ka perfunduar,, dhe se takimi depu
    tetin Berisha eshte i lidhur me kete problem qe ashtu sic i kundershtoi ashtu duhet t’i pranoi tani per ndryshe
    ”mund te kete fatin e Mubarakut., apo me keq te atij Norieges se Panamas ….

  2. ali says:

    Shenim: Berisha si pehlivan qe eshte me siguri i ka kerkuar siguri per jeten e tij ,familjes dhe prones se
    vjedhur si dhe ”mbylljen e ceshtjes Sabiel,, per krimet e bera …..

  3. ali says:

    Shenim : ndjese per gabimet e bera ,orthografike !

  4. rini demokratike says:

    Bravoooooooooooooo!!

  5. beso says:

    shkrim shume i sakte

  6. Parashikues says:

    Pse nuk thuhet qe ai i cili doli te bente proteste kunder Enver Hoxhes(bezes) dhe nuk u mbeshtet nga asnje njeri,pasi iku nga sheshi u fut ne nje klub dhe aty ai qe kish klubin i tha: ta jap une portretin e Enverit,e kam ketu! Provo te kunderten,dil ne shesh me portretin dhe ke per të pare sa do të vijnë!Mijra! Qe nga kjo kamarjerja jonë ketu gjer tek djali im ne shtepi! “Provo të kunderten kur deshton në një ceshtje publike,” thotë Cartesio!…Te tjerat mirë jane shtjelluar!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje