RTSH, si t’ia kthejmë publikut*

9 Dhjetor 2013, 18:07Blog TEMA

Nga Alfred Peza

 

Shqipëria NUK ka sot “de facto” një transmetues publik. Një radio-televizion që ti shërbejë nevojave dhe interesave të pronarit të saj të vërtetë: Qytetarëve të kësaj Republike. Ai që ne sot e njohim si Radio Televizioni Publik Shqiptar, nuk është gjë tjetër, veçse një institucion që i ngjan asaj lopës që ushqehet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por qumështin dhe nën produktet e saj, i përfitojnë vetëm lidershipi i qeverive të radhës dhe disa nga drejtuesit kryesorë të institucionit. Kështu ka qenë dhe kështu është ende edhe sot, pas plot 23 vjetësh pluralizëm në këtë vend.

E gjithë bota e pas luftës së ftohtë është transformuar, ku më shumë e ku më pak, duke iu përshtatur rregullave të ekonomisë së tregut. Vetëm këtu në Shqipëri, mund të gjesh ende një institucion monist, që ushqehet me paratë e taksave kapitaliste. Funksionimi i të cilit buron nga Parlamenti pluralist, i një shteti me ekonomi tregu dhe e një vendi që po merr statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo korporatë e çuditshme quhet Radio Televizioni Shqiptar.

Transmetuesi ynë publik është punëdhënësi më i madh në Shqipëri, me mbi 1 000 punonjës, por me rendimentin më të ulët. Pasi shikueshmëria e tij është në kufijtë e 2-3 përqindëshit të totalit të tortës së shikueshmërisë së televizioneve. Megjithëse me kapitale që vlerësohen në mbi 1 miliardë euro dhe me histori mbi gjysëm shekullore, ky transmetues sot konkurrohet në treg nga të gjitha radiot dhe televizionet private me histori 10- 15 vjeçare, e deri tek çdo kioskë mediatike një dhomë e kuzhinë, që kanë mbirë ngado.

Dikur ëndrra e çdo shqiptari për të dalë qoftë edhe një herë në ekranin e tij, sot turpi ynë kolektiv. Dikur ëndrra e çdo gazetari, e çdo të riu apo të reje që synonte gazetarinë, sot zgjedhja e tyre e fundit profesionale.

– Çfarë duhet bërë me një institucion që ka 1 miliard euro asete?

– Që e fillon 1 janarin e çdo viti me 10 milionë euro buxhet fillestar në arkë?

– Që ka të punësuar mbi 1 000 njerëz?

– Që ka shtrirjen më të madhe të sinjalit televiziv në një vend thellësisht malor si yni?

– DHE që ka arkivën filmike më të pasur në historinë e këtij vendi?

Sigurisht që ai duhet reformuar, mendojnë të gjithë. Por, çfarë konsiderohet rëndom reformë në këtë vend? Aq më tepër sa herë që ka rrotacione pushteti si ky që realizuam pas zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti? Ndryshim i ca drejtuesve të zgjedhur nga një mazhorancë e djeshme, me disa të tjerë të zgjedhur nga mazhoranca e re që unë përfaqësoj sot? Vetëm ndryshim të kuajve të karrocës, për shkak edhe të ligjit, për të zëvendësuar anëtarët e vjetër të Këshillit Drejtues të RTSH me anëtarë të rinj? Kryetarin e këtij këshilli me një tjetër? Dhe drejtorin e përgjithshëm aktual me një drejtor të ri?

Është koha për të reformuar thellësisht njëherë e përgjithmonë Radio Televizionin Shqiptar. Për t’ia rikthyer njëherë e përgjithmonë, pronarit të saj të vërtetë: Publikut shqiptar. Shpreh vullnetin e mazhorancës qeverisëse që përfaqësoj, se: Qeveria e Edi Ramës dhe mazhoranca e majtë që qeveris sot Shqipërinë, nuk kanë as më të voglën dëshirë dhe vullnet për të bërë në vijimësi me RTSH, atë që kanë bërë qeveritë dhe mazhorancat e derisotme. Ne shprehim angazhimin tonë të plotë, për të reformuar thellësisht, njëherë e përgjithmonë transmetuesin publik shqiptar. Për ta transformuar atë cilësisht ndryshe nga ana profesionale, strukturore, teknike dhe ligjore po qe nevoja. Si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Për ta futur njëherë e përgjithmonë edhe këtë institucion, në rrugën e pakthyeshme të shndërrimit në një nga instrumentet kryesore në dobi të opinionit publik shqiptar, si të gjitha mediat publike në shoqëritë e zhvilluara të epokës sonë.

Ne duhet të synojmë të shndërrojmë TVSH në garanten e sistemit të vlerave mediatike, vlerave tona kombëtare dhe profesionalizimit. Rregullatore të balancave në tregun e transmetimeve në përgjithësi dhe operatorëve televizive privatë në veçanti. Rruga drejt këtij objektivi, nuk do të jetë e thjeshtë. Përpara nesh ka shumë pengesa për të kapërcyer, mentalitete për të tejkaluar, interesa për të anashkaluar dhe kohë të humbur për të rikuperuar.

Një gjë është e sigurt. Se kjo reformë nuk mund të realizohet as me terapi shoku, as me orën zero, as me skenarë grekë dhe as me shkopin magjik. Por, me durim, me profesionalizëm, me sa më pak dhimbje, por mbi të gjitha me vizion. Nëpërmjet një platforme gjithëpërfshirëse, projekti të qartë dhe strategjie që arrin të harmonizojë vlerat më të mira të së shkuarës dhe nevojave më të mëdha të së ardhmes.

Kjo reformë duhet të arrijë që ti afrojë qytetarëve shqiptarë, një transmetues publik sa më profesional, sa më të balancuar për informimin dhe argëtimin e tyre. Për ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe ecurinë e rrugëtimit tonë integrues. Një mundësi për të rirregulluar njëherë e përgjithmonë balancat e shprishura në tregun mediatik shqiptar. Vetëm në këtë mënyrë, militantizmi, klientelizmi, parcelizimi dhe dilitantizmi i sotëm do të zëvendësohen nesër, me magjinë e marrëdhënieve të kërkesë- ofertës së tregut. Mbi bazën e cilësisë, shikueshmërisë, vlerave dhe nevojave të opinionit publik shqiptar.

Modelet që ne mund të ndjekim për ta realizuar këtë reformë janë të shumta. Si në perëndim, ashtu edhe në ish- lindjen komuniste. Ato mund të jenë një pasqyrë ku ne mund të shohim të ardhmen e RTSH. Një pasqyrë që nuk duhet të na bëjë gjithsesi që ne të humbim vlerat, traditën, veçoritë dhe specifikat tona. Dixhitalizimi i transmetimeve radiotelevizive në Shqipëri deri në mesin e 2015, përveçse një proces detyrues në përpjekjet tona për përafrimin me Bashkimin Europian, është edhe një mundësi e artë, për të krijuar më shumë hapësira për transmetimet tona publike.

Sipas mendimit tim krejt personal, i zhveshur nga kostumi i deputetit të PS, por thjeshtë si ish gazetar televiziv mendoj se:

Kjo duhet të na çojë drejt ruajtjes së RTSH si një institucion me vlera të pacenuara mediatike mbarëkombëtare shqiptare. Duke i lënë hapësirë shfrytëzimit të kanaleve të tjera publike, për të plotësuar nga ana editoriale, nevojat e realitetit tonë politik dhe pluralist. Që do të thotë se RTSH në kanalin e pare qe ka pasur dhe ka sot duhet ruajtur edhe net ë ardhmen. Por duke u reformuar plotësisht për të pasur vlerat e paanësisë së plotë profesionale në transmetimet publike mbarëkombëtare shqiptare.

Ndërsa një kanal i dytë dhe një kanal i tretë i televizionit publik shqiptar, mund ti kenë të orientuara politikat e tyre editoriale, drejt pasqyrimit të qëndrimeve politike në interes të publikut, njëra pranë mazhorancës dhe tjetra pranë opozitës. Duke krijuar në këtë mënyrë, jo një ekran të vetëm, por një buqetë transmetuesish publikë. Ku të harmonizohen pa interferuar tek njëra- tjetra, vlerat më të mira profesionale dhe pluraliste.

E gjitha kjo, duke menaxhuar shumë herë më mirë se deri më sot pasuritë, burimet teknike dhe financiare të transmetuesit publik. Pa pasur nevojën e investimeve te reja të paparashikuara dhe duke mos ngritur asnjë lek, taksën që qytetarët e këtij vendi, paguajnë sot për aparatin televiziv. Kjo mbetet një çështje për tu diskutuar edhe përtej kësaj tryeze. Pasi vendimmarrja për çështje të tilla, përveç të tjerash, kërkon edhe një vullnet të plotë dhe një pakt të madh politik mes mazhorancës dhe opozitës.

Pjesë e kësaj nevoje për një reformë të thellë, mund të jenë paralelisht, edhe kultivimi i kulturës së matjes së audiencave radiotelevizive, sondazheve dhe exit poll-eve, publikimit të detyrueshëm të tirazheve të gazetave dhe revistave, etj. Si një mundësi për të rritur transparencën, konkurrencën reale në treg dhe për të rritur presionin pozitiv mbi mbi ligjvënësit, qeverisjen e vendit dhe politikbërësit në përgjithësi.

Është nevojë urgjente që paralel me ndryshimin e drejtuesve të RTSH, të përgatitet një kornizë, një platformë apo një program reformash orientuese dhe detyruese për zbatim. Në mënyrë që ekipi i ri drejtues, që zgjidhet në fillim të vitit të ri, ta ketë në dorë, si një busull orientuese në rrugën e tyre të re. Një rrugë e gjatë pa kthim, drejt reformimit të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Deri në shndërrimin e tij të plotë, nga pronë e elitës qeverisëse të radhës, në pasuri të përbashkët të publikut shqiptar.

* Fjala e mbajtur sot në tryezën e organizuar nga OSBE për reformimin e transmetuesit publik shqiptar 

13 komente në “RTSH, si t’ia kthejmë publikut*”

  1. Bigj Shkodrani says:

    Ky eshte nje televizor tersisht shteterore dhe deri sot asnjehere nuk i ka sherbyer publikut por ka propaganduar sukseset e qeverise , haram paret qe i paguajme ….turp

    1. Arian Cani says:

      Alfred Peza ka treguar se di te beje televizion. Dhe do ia dale te beje TVSH sic e duam ne

  2. ra ta si says:

    O fred tvsh eshte vari kabllin.Hallall atyre qe rrine gjithe diten kot dhe marrin gjithe ate rroge.

  3. yp xhixhi says:

    Zoti Peza, thuhet “qumeshtin dhe nenproduktet e tij” jo “qumeshtin dhe nenproduktet e saj”.
    Nenproduktet jane te qumeshtit, jo te lopes, e kupton? Dikush qe ka marre persiper te rindertoje RTSH-ne duhet ta dije kaq je, them une.

  4. pelivan says:

    Eh moj TVSH e dashur
    do rrish gjat si refugjat?!
    Kur do vish moj buzeplasur,
    te shoc Shqiperin’ nje nate?!

    Ti qe ditke se ne xhungel
    rojne aq e kaq fjallesa,
    S’ditke gje per shqipetaret
    qe po rrojn’ vetem me shpresa?!

    Ti qe ul e ngre avjona,
    Flet per Majkell e Ornela…
    S’ditke gje per kenget tona
    qe bota i quan perla?!

    Namin ke qe je i shtetit,
    (Fare s’sheh nga Shqiperia!)
    Diten shkon nga bot’ e qejfit,
    darken ha te Qeverria…

    Me ca filma pergjerate…
    Lakuriqer qosh me qosh!)
    Hiqu dreq, na ndyn dhe grat,
    Shohem meshkujt mbi shoshoq!…

    Vishuni sic u ka dhe hie,
    Jo dhe fare lakuric
    Se dhe kafshes Perendia
    i ka ven nga pas nje bisht!…

    Hajt,per hajer kjo reforme
    Por dote une nuk e bej hasha,
    Do u duhet shume “Tritol”
    aqsa te pallati,Basha…

  5. Shkrimtari says:

    tvsh eshte nje corbe qe e ka gatuar pd sipas oreksit te vet dhe ua jep ta hajne me zor populli

  6. studenti says:

    kam degjuar per profesionalizimin e zotit peza e menoj qe ai do te beje dicka te madhe

  7. Juli says:

    po lejani ne dor ktij e do e shikoni j se si bohet tvsh

  8. gazetari says:

    kam punuar me kete zoterine dhe eshte i vetmi qe di te ngreje nje tv nga hici, sic ishte ORa News dhe ta beje ate ne lider televizion qe te rrembeje kohen e me shume shqiptareve se asnjehere tjeter. Suksese zoti PEza

  9. Albani says:

    he mo se na plaset hiqni aty ca kane ngel dhe bojeni thajrit

  10. Ledio says:

    je krenaria jone. do jemi gjithe krenar per ty ne Peqin

  11. Mico says:

    Kur lexon kete shkrim dhe te tjera nga te quajtur gazetare,te vjen per te qare per gjithe ato fjale te huaja qe jane futur ne gjuhen shqipe.Vaj medet sa mund ti kuptoje keto shkrime nje lexues i thjeshte i gazetes tuaj.Nuk me duket cudi qe femijet tane kuptojne me shume fjalet e huazuara nga anglishtja sesa ato shqip.Lum si ne se nuk kemi nevoje,si mergimtare,tu mesojme shqip.Ata dine gjysmen e fjaleve pa u mesuar gje fare nga shqipja.Rrofshi e shumofshi gjuhen shqipe me sa me shume fjale te huaja!

  12. DRAPRI says:

    ZOTI PEZA ME HABIT MENDIMII YT PER3 EKRANE.KESHTU DHE SE SHIKON NJERI,MJAFTO QE NA VIDHNI CDO MUAJ NGA 1000 LEK PERFAMILJE.NUK E DI NE SE ESHTE E DREJTE APO JO,POR NJE GJE DIHET ME SAKTESI QE TELEVIZIONIN SHQIPTAR VETEM ATO FAMILJE QE NUK KAPINAS DHE NJE STACION TJETER E SHOHIN.PO TE BEHEN 3 EKRANE DHE TE NDJEKINATE NDARJEN TUAJ,KORRUPSIONI DO TE BEHET I LIGJERUAR SEPSE PARTIT ENJEKRAHU DOI JAPIN TELEVIZIONIT TETYRE PARA VETEM NGA POPULLI,MOS MENDO ASDHE NJE HERE SE DO NXJERRIN NGA XHEPI.NUK E DI PSE DUHEN 1000 PUNONJES APO I DUHEN SHEFAVE PER TE TUNDUR ZINXHIRAT ETYRE?A E SHIKONI SE PRODUKTET EKETIJ TELEVIZIONI JANE XERO.NUK E DI PO QETE VIHEN PIKAT MBI IIIII,MEPATJETER DUHET QE TE MARREPJESE NE DISKUTIMIN E KETIJ TELEVIZIONIAI QE E PAGUAN…POPULLI DHEJO POLITIKANET E ASNJE KRAHU.REFORMAESHTE E DOMOSDOSHME QENEKONCEPTIMINETIJE,SHKURTIMETDRASTIKE DHE KERKESAEPERGJEJESIS PER PRODUKTETEREJA.DRAPERI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje