Shpallen 12 të përzgjedhurit për çmimin Onufri

24 Dhjetor 2013, 09:50Kulturë TEMA

Me datë 26 Dhjetor 2013, ora 18.00, në Galerinë Kombëtare e Arteve do të të hapet ekspozita kolektive Elozhe Dyshimit.

Ekspozita është përzgjedhja përfundimtare për Edicionin e 20 të Çmimit Onufri, që organizohet çdo vit nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe mban emrin e ikonografit të shquar mesjetar shqiptar.

Çmimi Onufri është çmimi më i rëndësishëm publik për artet pamore në Shqipëri dhe zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

Qëllimi i tij është të promovojë dhe mbështesë rolin vital që luan arti në rritjen e ndërgjegjësimit publik, si dhe aftësisë së artit për të “matur pulsin” e kohës sonë.

Ekspozita mbledh sëbashku veprat e 12 artistëve nga vende të ndryshme, dhe është përzgjedhja përfundimtare pas shqyrtimit të 130 aplikimeve që u bënë për këtë ekspozitë që nga njoftimi për hapjen e tij.

Elozhe Dyshimit, propozuar nga kuratori italian Claudio Cravero për këtë edicion të ri të Onufrit, hulumton disa nga praktikat dhe temat e reja artistike që ndërmerren në ditët tona, duke treguar lidhjet e tyre me situatën e sotme politike, si një pasqyrë e dyshimit tonë të vazhdueshëm.

Në veprat e përzgjedhura dyshimi shfaqet si diçka që pashmangshmërisht na prek të gjithëve. Në nivel social, sidomos në dekadën e fundit, për brezin e ri (të lindur mes viteve 1970 dhe fundviteve 1980) dyshimi është kthyer në një ndjenjë bazë, një instikt vital që i tregon këtij brezi rrugën që duhet ndjekë.

Po ashtu, në ato vende që tashmë konsiderohen si vendet e ish Europës Lindore, ku forma të reja të demokracisë duket se përplasen me një dëshirë për të provuar modelet e Perëndimit, artistët duhet të bëjnë një zgjedhje mes: qëndrimit dhe praktikës në kontekstin kulturor në të cilin janë lindur e rritur, apo lëvizjes përfundimisht jashtë tij.

Si rrjedhim, ëndrrat për ndryshim, utopitë, janë zënë mat. E në këtë gjendje pezullie, ajo çka mbetet është gjendja këmbëngulëse e dyshimit, që korrespondon me gjendjen e të “gjendurit në të tashmen”. Artistë si Driton Selmani (dtl. 1987, Kosovë), Endri Dani (dtl. 1987, Shqipëri) dhe Irgin Sena(dtl. 1982, Shqipëri, jeton në New York) janë “në mes të rrugës” mes një dëshire për të krijuar dhe ndërtuar për vendin e tyre, dhe një ndjenje zhgënjimi nga premtimet e shkuara për ndryshime sociale e kulturore. E megjithatë, në këtë epokë globale të hiper-fleksibilitetit dhe hiper-shpejtësisë artistë nga Shqipëria deri në Kosovë, por edhe nga Egjipti deri në Itali, po ndërmarrin qasje të reja për të përballur të tashmen e ditëve tona.

Rëndësi të veçantë nuk ka dhe aq mediumi (teknika) e përdorur, sesa kërkimi i thellë për kuptim. Jasmina Metwaly (dtl. 1982, Poloni, jeton në Egjipt),Alban Muja (dtl. 1980, Kosovë), Ivi Topp (dtl. 1985, Shqipëri, jeton në Francë) dhe Marzia Migliora (dtl. 1972, Itali) janë të ndarë në mes nga një epokë revolucionare dhe politike që duket se nuk i shpie shumë larg: kjo epokë edhe në të shkuarën nuk rrëmon (në kuptimin e nostaligjisë për atë që iku), por as nga e ardhmja nuk sheh.

Kjo mungesë e perspektivave afatgjata influencohet nga “gjurmë të padukshme” nga e kaluara. Diktatura të shkuara apo forma të ndryshme politikash të dhunshme, edhe pse janë pjesë të historisë, duket se lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe.

Disa nga dyshimet që dalin në pah nga Elozhe Dyshimit përbëjnë një lloj “zone të lirë”, ku gjendja e artistit sot duhet patjetër të mbrohet si një hapësirë e padhunueshme polivalente dedikuar transformimit dhe lirisë. Ky lloj “imuniteti” duket qartë në tekstet artistike të Ergin Zaloshnjës (dtl. 1979, Shqipëri),Flaka Halitit (dtl. 1982, Kosovë, jeton në Gjermani), dhe në vizatimet e Elton Kores (dtl. 1981, Shqipëri). Në këtë këndvështrim, edhe instalacionet ngaPy Verde (dtl. 1981 Itali; 1986 Francë; ata jetojnë në Belgjikë) dhe videoja e Silva Agostinit (dtl. 1979, Shqipëri, jeton në Gjermani) sugjerojnë një vend të nënshtruar nga një seri tensionesh dhe forcash. Ato reflektojnë këmbëngulje dhe mundim fizik ekstrem, të ngjashëm me një eksperiment ku forca ushtrohet midis ngarkesës dhe aksit mbajtës. Kështu, Elozhe Dyshimit shndërrohet në një metaforë për të qenë pozitivisht hezitues kur ndërmarrim një përpjekje të fortë mendore me shpresën për të arritur rezultate të efektshme apo të paefektshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje