Vizita në SHBA/ Nishani-Donfried: Integrimi në BE, synimi ynë strategjik

8 Shkurt 2014, 13:07Politika TEMA

Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim në Këshillin Kombëtar të Sigurisë me Karen Donfried, Ndihmëse e Posaçme e Presidentit Obama dhe Drejtoreshë e Lartë për Çështjet Evropiane.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit, Presidenti theksoi se ky është një synim i yni strategjik dhe alternativë e vetme, për të cilin ne kemi realizuar reforma transformuese dhe arritje të prekshme, si dhe kemi vullnetin për të shkuar përpara, duke u fokusuar në mënyrë më të detajuar në nevojën për ruajtjen e një dialogu të qëndrueshëm politik, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformimin e drejtësisë, përmes një procesi, të drejtuar nga juristë dhe të bazuar në profesionalizëm, transparencë dhe pavarësi të plotë nga influencat politike dhe grupet e interesit.

Kreu i Shtetit  tha se në këtë synim tonin strategjik, përgjegjësitë janë tonat, ndërsa ndihma e partnerëve është e domosdoshme, duke veçuar Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë pranë nesh me mbështetjen e reformave, me veprime diplomatike dhe me këshilla miqësore.

Nishani theksoi se marrëdhëniet me SHBA mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për vendin tonë duke nënvizuar se, ashtu si deri tani, Shqipëria do të vazhdojë të jetë përkrah këtij aleati dhe partneri strategjik, në frontin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, në Afganistan dhe në përballjen e sfidave të mprehta të sigurisë që janë përpara.

Për qasjen rajonale, Presidenti Nishani shpreh se politika e fqinjësisë së mirë, ruajtja dhe konsolidimi i paqes dhe stabilitetit demokratik, sikundër thellimi i bashkëpunimit rajonal me pikësynim final integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE, përbëjnë shtyllat  kryesore, ku drejtohet politika jonë e jashtme në rajon.

Në këtë kuadër ai shtoi se praninë e faktorit shqiptar në të gjitha vendet e rajonit e konsiderojmë si një mundësi konkrete që mund të kontribuojë në lidhjet midis vendeve tona, forcimin e zhvillimin e tyre dhe se ne inkurajojmë shqiptarët në rajon të jenë promotor bashkëpunimi dhe nxitës të proceseve të përbashkëta eurointegruese të vendeve ku ata jetojnë.

Ai e vlerësoi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si model i zgjidhjes së problemeve me synim të ardhmen e përbashkët euroatlantike, duke lënë pas të shkuarën dhe si një hap thelbësor në qetësimin e rajonit.

Donfried shprehu vlerësimet e saj për mbështetjen e Shqipërisë në Irak, Afganistan dhe sfida të tjera të sigurisë në të shkuarën dhe vullnetin për bashkëpunim për çështje aktuale të sigurisë, ndërsa vuri në dukje se, sikurse bëri me anëtarësimin e vendit tonë në NATO, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin edhe në vazhdim integrimin evropian të Shqipërisë, duke shprehur bindjen se, pas zgjedhjeve të suksesshme të vitit të shkuar, Shqipëria do të vazhdojë me ngulm procesin e reformave të nevojshme për arritjen e standardeve evropiane.

3 komente në “Vizita në SHBA/ Nishani-Donfried: Integrimi në BE, synimi ynë strategjik”

  1. GAVRIL says:

    Mire socialistet qe kane ” prere goje ” per mungesen e fteses per Ramen ne Mengjezin e Lutjeve ne SHBA, po per ftesen per Nishanin pse kane frike te komentojne sallaksit e politikes e te medias? Te kete lidhje kjo me deklarimet e J. Kerry dhe J. Moore per korrupsionin oligarkesh ne Ballkan?

    1. NjeQytetarOptimist says:

      GAVRIL, te shkosh ne “Mengjeset e Lutjeve”, duhet te kesh xhep te thelle dhe te fryre se kushton shume “pjata”..Mund te shkosh dhe ti po te duash ne qoftese e ke nje luks te till..Por nje zyrtar me mend ne koke, kur e di qe ka nje popull ne krize e rimendon nje udhetim te till qe ato leke qe merr si grante nga buxheti i shtetit, mund ti ktheje ca mbrapa..Por me sa duket, “mustaqet” tona, kane per borxh ti bejn leket rrush e kumblla derisa te na vij data e skadences..

  2. Nje shqiptar i raskapitur nga Shqiperia says:

    Gavril,

    Kjo që ben Nishani eshte per te qare e per te qeshur. Nje President serioz takon personalitet me te larta sipas rangut qe i takon dhe jo çdo zyrtar qe i del perpara e qw i regullojnw bashkwkombasit tanw qw jetojnw nw Amerikw .

    Pa axhende, pa asnje mesazh te rendesishwm, vetem pwrserit pa pushim gjera tw sterthena e qe jane bere bajate si ndihma per hebrenjte e toleranca fetare.

    Sa me pare te kthehet aq mw mire se i luajti nga mendte pronaret shqiptare te restoranteve.

    Eshte nje njeri per te qare hallin, por per qendrimet qe mban nuk i dhimbet asnjeriu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje