Igli Totozani nuk është më i ri në detyrën e e Avokatit të Popullit që ka marrë në mes të vitit 2012. Këtë konstatim mund ta përforcosh edhe kur lexon sesa të vështirë e sfiduese e sheh ai sot funksionin e tij institucional. “Ndoshta pak njerëz e dinë, por të jesh Avokati Popullit në një vend si ky i yni është mjaft e vështirë. T’ju them një gjë të sinqertë, që e di veç familja ime. Unë e vuaj jo pak këtë punë, shpirtërisht e kam fjalën”, thotë ai.
Intervistoi: Skënder Minxhozi*
Zoti Totozani, prej mesit të vitit 2012 ju drejtoni një institucion që asokohe ishte ende i ri. Si e konsideroni tani atë fillim mandati, kur keni përshkuar një “copë” rrugë të mirë si Avokat i Popullit?
Së pari, do të desha t’ju falenderoj për këtë intervistë. Revistën tuaj e pres me ëndje ditën që del dhe duke besuar që janë të shumtë njerëzit si unë, atëherë ndjehem shumë i vlerësuar që nëpërmjet jush të komunikoj me lexuesit tuaj.
Po e nis me një korrigjim dashamirës. Nuk ka qenë thjesht një institucion i ri dhe kaq. Paraardhësi im ka bërë një punë të rëndësishme, qysh në ngritjen e institucionit dhe ka arritur në dy mandate ta lërë atë në një fazë që do ta quaja të konsoliduar, me praktika dhe procedura të përcaktuara, të cilat na shërbejnë edhe sot e kësaj dite. Pra unë e gjeta institucionin me një traditë disavjeçare. Natyrisht, ecuria e një institucioni varet deri diku edhe nga programi apo idetë e titullarit, aq më tepër në një institucion monokratik, siç është Avokati i Popullit. Por “themelet”dhe “ndërtesën” i gjeta të ngritura.
Duke iu kthyer edhe njëherë asaj periudhe, ju keni të drejtë në një pikë. Për shkak të situatës politike jo të favorshme, zgjedhjen time si Avokat i Popullit e parapriu mungesa për dy vjet e titullarit. Dhe natyrisht që kjo ndikon, aq më tepër në një institucion relativisht të ri dhe sidomos në një vend me demokraci të brishtë. Jam i sigurt se mungesa e një homologu tim në vende si Suedia apo Danimarka, nuk do të ndikonte aq shumë në mbarëvajtjen e institucionit, sepse janë tashmë institucione të konsoliduara prej vitesh, në vende shumë demokratike.
Duke iu kthyer edhe njëherë pyetjes suaj, mund të them se fillimin e mandatit e kam përjetuar si një nga gjërat më të bukura dhe emocionuese në jetë. Në atë kohë isha mjaft entuziast. Po nisja një punë shumë fisnike, të mbroja njerëzit në nevojë dhe për herë të parë gjithçka kisha ëndërruar, mësuar dhe dëshiruar për të ndryshuar në vendin tim, në jetën e njerëzve, kisha mundësi ta bëja. Kush nuk do ta donte këtë? Kisha një besim të madh se gjërat do të mund të ndryshonin për mirë. Ndoshta e dua aq shumë Shqipërinë, sa më kish penguar ta njihja mirë, thellë, në të gjitha përmasat dhe shtresat e saj.
Jeni propozuar nga opozita e asaj kohe, e cila sot ndodhet në pushtet. Si kanë qenë marrëdhëniet që keni pasur me qeverinë Berisha?
Gjatë periudhës së qeverisë Berisha, me administratën kemi bashkëpunuar mirë dhe rezultatet në zgjidhjen e çështjeve individuale kanë qenë të larta. Kemi pasur një bashkëpunim institucional korrekt, serioz dhe të përgjegjshëm. Në këtë kuadër do të veçoja bashkëpunimin me ministrin e Drejtësisë z.Halimi, sidomos në ndryshimet e Kodit Penal të cilat përfaqësonin një zhvillim të ri në disa fusha të të drejtave të njeriut. Po kështu një bashkëpunim mjaft korrekt dhe rezultativ kemi pasur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Burgaj në mënyrë të veçantë në hapjen e policisë ndaj bashkëpunimit me shoqërinë civile. Me z.Berisha jam takuar dy herë në zyrën e tij. Kam vlerësuar faktin se ka qenë ai që ka urdhëruar në mënyrë të veçantë administratën për të bashkëpunuar sa më korrekt me institucionin e Avokatit të Popullit. Kuptohet kemi patur edhe kontraste, të cilat janë të natyrshme në punën tonë. Por ka ekzistuar një vullnet i përbashkët për bashkëpunim, pa të cilin suksesi në dobi të qytetarëve është i vështirë të arrihet.
Po sot, cilat janë marrëdhëniet e Avokatit të Popullit me qeverinë Rama?
Bashkëpunimi edhe sot vazhdon të jetë i mirë me administratën publike. Ka vullnet dhe gatishmëri për të punuar bashkë dhe ka një dëshirë, për të bërë punë të mira për qytetarët. Ne kërkojmë dhe japim bashkëpunim për të gjithë por do të veçoja disa ministra me të cilët na lidh më shumë puna. Në këtë drejtim do të veçoja Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, me të cilin kemi një komunikim të vazhdueshëm për gjendjen e spitaleve. Nuk harroj një detaj, kur i kam kërkuar takim për t’i dorëzuar një raport plot kritika për gjendjen e shëndetësisë; erdhi vetë në zyrën time (është i pari ministër në këto vite të mandatit tim që e bën këtë) dhe më falënderoi për ndihmën që po i jepnim. Ndoshta në Suedi kjo do të ishte normale, por në Shqipëri kritikat jo gjithmonë kapërdihen lehte. Dhe në këtë drejtim them që është vërtetë kënaqësi të punosh me të. Po kaq pozitiv është dhe bashkëpunimi me Ministrin e Brendshëm Tahiri, me Drejtorin e Policisë Didi, me Ministren e Integrimit Gjosha, apo dhe me Ministren e Arsimit znj. Nikolla.
Një bashkëpunim pozitiv kemi dhe me Ministrin Veliaj, që dha shenjën e parë optimiste për trajtimin e qytetarëve Romë. Por do të veçoja dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, i cili më ka dhënë përshtypjen se do të bëjë gjëra të mira. Po kështu kemi krijuar një komunikim shumë të mirë dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave z.Agaçi.
Ju nuk e keni pjesë të pyetjes Tuaj, por do të doja të shtoja diçka dhe që lidhet me bashkëpunimin me Kuvendin. Ky bashkëpunim po njeh vetëm rritje sidomos në cilësi. Aktualisht jemi duke zhvilluar një bashkëpunim mjaft rezultativ që na mungonte prej kohësh dhe për këtë sinqerisht falenderoj Kryetarin e Kuvendit z.Meta. Ka dhe të tjerë që po punojnë mjaft me ne në këtë drejtim, si z Dule, Znj. Vokshi, z.Xhafaj, znj Hysi etj.
Sa e vërtetë është që të bësh Avokatin e Popullit në një vend të varfër si Shqipëria, do të thotë të përballesh me të pamundurën?
Ndoshta pak njerëz e dinë, por të jesh Avokati Popullit në një vend si ky i yni është mjaft e vështirë. T’ju them një gjë të sinqertë, që e di veç familja ime. Unë e vuaj jo pak këtë punë, shpirtërisht e kam fjalën. Ne nuk jetojmë në një vend të lehtë. Ju thashë pak më lart se si e kam nisur këtë punë. Nëse do të më pyesni , a jam sot njësoj si ditën e parë, do t’ju thosha: Jo, nuk jam më i lumtur dhe entuziast si në ditën e parë. Ose ndoshta kam qenë naiv atëherë kur nisa dy vjet më parë.
Për nga natyra e punës së tij Avokati i Popullit është një institucion që “shkel në kallo” njerëzve apo interesave të ndryshme. Këto të fundit, për një mijë arsye janë të dukshme e të padukshme. E pra, ndërsa nisesh të mbrosh qytetarin, për të vendosur një të drejtë që i është shkelur ballafaqohesh edhe me njerëz që kultura profesionale ua u bën të pamundur të kuptuarin e kritikës apo rekomandimit tënd. Jo rrallë herë, me pa të drejtë, këto konsiderohen sulme apo goditje dhe duke i konsideruar si të tilla, edhe kundërpërgjigjet ndaj nesh atëherë vijnë si të tilla .Dhe jo rrallë herë këto “kundërpërgjigje” vijnë në forma nga më të ndryshmet, duke filluar nga vështirësimi i bashkëpunimit, e deri tek më të rëndat, fyerje apo shpifje personale, apo ndaj institucionit në tërësi.
Nuk është e lehtë të jesh sot Avokat i Popullit, të paktën ashtu siç e mendoj unë këtë funksion të nderuar. Por megjithatë do të vazhdoj deri në ditën e fundit të mandatit të punoj me pasion, dashuri dhe ndershmëri, për të kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vlerave të një shoqërie sa më demokratike.
Cili ka qenë momenti më i vështirë, deri në momentin që flasim?
Ka shumë momente të vështira në punën tonë. Është vështirë kur ti mbron kategoritë më vulnerabël në vend dhe një pjesë e shumicës së shoqërisë nuk të kupton për këtë dhe madje një pjesë e vogël edhe të sulmon. Është e vështirë kur, për hir të qytetarëve, kritikon dikë dhe si kundërpërgjigje merr sulme dhe gjithfarë epitetesh. Është e vështirë kur vë dorën mbi një plagë, të cilën askush nuk ka dëshirë ta shohë.
Por të gjitha tejkalohen, natyrisht në rrafshin personal jo aq lehtë. Por vështirësia më e madhe mbetet polarizimi i tejskajshëm i shoqërisë sonë. Dhe bashkë me të tensionimet e herë pas hershme të jetës sociale, ekonomike e politike. Ky është momenti më i vështirë në punën e institucioneve të pavarura pra jo vetëm i Avokatit të Popullit. Institucionet e pavarura, këto gardiane të demokracisë dhe të drejtave të qytetarit, si të reja dhe të brishta që janë, kanë nevojë përveçse për reforma, edhe për besimin e publikut. Natyrisht, ky besim në radhë të parë varet nga vetë ato. Por si mund të fitojnë ato besimin e publikut kur, në kushtet e një polarizimi të tejskajshëm, çdo hap apo çdo veprim i tyre paragjykohet dhe dënohet sipas rrethanave?
E kam ndjerë personalisht në disa raste, kur për një rekomandim të caktuar jam sulmuar dhe vlerësuar njëkohësisht nga palë të ndryshme. Nuk është e thjeshtë të punosh në të tilla rrethana dhe kjo vlen jo vetëm për mua, por edhe për stafin tim . Megjithatë, ne kemi një gjë që na lehtëson dhe na fokuson në punën tonë: përmbaju ligjit, të drejtës dhe interesit legjitim të qytetarit. Kjo është shtylla ku “mbahemi”, kur erërat e forta të tensionimit apo polarizimit “fryjnë” poshtë dritareve tona.
Duket sikur shoqëria shqiptare dhe sidomos elitat drejtuese, nuk janë ende koshiente për peshën dhe rëndësinë e një hallke institucionale ndërmjetësimi, siç është institucioni që ju drejtoni. Pse ndodh kjo?
Jo vetëm elitat, por në tërësi shoqëria jonë ende nuk është bartëse e një kulture të mirëfilltë dhe aq më pak tradicionale demokratike. Do të duhet ende shumë kohë që kjo të ndodhë. Në këtë kuptim, pavarësisht se kushtetuta dhe ligjet e votuara nga populli dhe përfaqësuesit e tij flasin për një vend demokratik, shoqëria jonë ende nuk e di dhe ndjen thellësisht demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Siç nuk ndjen dhe nuk kupton ende rolin e madh emancipues dhe zhvillues që kanë institucione të tillë, siç është Avokati i Popullit.
Këtë fenomen e shoh dhe e konstatoj përditë. Për disa, Avokati i Popullit është një lloj prijësi dhe institucioni avangarde, për mbrojtjen e të drejtave të çdo individi. Për disa të tjerë, më mirë do të ishte që ky institucion të mbyllej fare. Pse ka qëndrime kaq të largëta? Mendoj, sepse janë të paktë ata që para se të flasin, “të lodhen”paksa për ta njohur më mirë institucionin. Ajo që dua të nënvizoj është fakti se pa e njohur, është vështirë ta “duash” diçka.
Motoja e punës sime është mbrojtja e individit. Nëse një individ i vetëm vuan apo persekutohet, atëherë vuan dhe persekutohet e gjithë shoqëria. Nëse do të kuptojmë këtë parim themelor të shoqërive demokratike, atëherë do ta kemi më të lehtë të ndihmojmë njerëzit apo dhe shtresat e margjinalizuara, që fatkeqësisht shoqëria jonë vazhdon që t’i mbajë në qoshe të saj. Ne si institucion mundohemi që këtë parim të shenjtë t’ia kujtojmë për ditë shoqërisë civile, vendimmarrësve dhe qytetarëve.
Sa ka të bëjë në këtë mes paaftësia e klasës tonë drejtuese për të zgjidhur konflikte dhe për të pranuar ndërmjetësim në evitimin e krizave? Apo është një problem protagonizmi i politikës shqiptare, që kërkon të jetë ajo dhe vetëm ajo ofruesja e kompromisit në momente kolapsi?
Kjo pyetje është e “rrezikshme”. Sepse kalon një kat më lart nga “banesa” ku unë punoj aktualisht. Megjithatë një gjë do ta thoja me siguri: Politika duhet të respektojë institucionet e pavarura, edhe nëse për këtë do t’i duhet të “shtrëngojë” dhëmbët.
Marrë nga revista Java
po ju them nje sekret thote qe e di vetem familja ime, une vuaj shpirterisht nga kjo pune… ha hahaaaaaaaaaaaaaaaa, haaaaaaaaaaaaaaa, haaaaaaaaaaa.
Avokati i Popullit … rom, se i popullit shqiptar nuk eshte ky. Megjithese eshte se harrova bq qe i mbron lart e poshte