Meta: Kuvendi duhet të kultivojë tolerancë dhe respekt

14 Shkurt 2014, 14:39Politika TEMA

Parlamenti duhet të kultivojë tolerancën dhe respektin. Ky ishte mesazhi që Kryetari i  Kuvendit Ilir Meta ka përcjellë nga salla e seancës plenare me të rinj ekselentë nga shkolla të ndryshme të Shqipërisë, në simulimin e një forumi sipas modelit të Kombeve të Bashkuara. Meta u shpreh se konsensusi është një ndër elementët më të rëndësishëm, që do të ushqehet nga përfshirja e të rinjve në politikë, pasi politika mbetet ende mënyra më ndikuese në jetën e individëve.

“Dikur salla e Kuvendit drejtohej nga një parti, e ndërsa sot në sistem shumëpartiak, është e nevojshme të rivendoset etika parlamentare, dhe Kuvendi të vihet në dispozicion të shqetësimeve të qytetarëve. Kjo sallë ka nevojë për të qenë arena e tolerancës, etikës, llogaridhënies. Kjo sallë ka detyrë të paralajmërojë rreziqet që shqetësojnë vendin, që për mua është varfëria. Sot ju të diskutoni për tema globale, jam i sigurt me më tolerancë, pa konfliktualitet, me maturi dhe me etikë parlamentare”, tha Meta.

Më tej, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se Shqipëria dhe shqiptarët janë të dedikuar ndaj tolerancës, e kanë të hershme dhe do të jetë gjithashtu edhe baza e zhvillimit të tyre të shpejtë. “Ne jemi kombi që ka nxjerrë një shenjtore të tolerancës dhe të përkujdesjes ndaj njerëzimit ndaj njerëzve më të varfër, ndaj njerëzve më të dobët si Nënë Tereza. Ne jemi një komb i cili ka një bashkëjetesë të shkëlqyer dhe një tolerancë të jashtëzakonshme ndërmjet komuniteteve të ndryshme dhe besimeve të ndryshme dhe është një shembull për të gjithë botën në këtë drejtim”, tha Meta.

Duke u ndalur në 70 vjetorin e clirimit të vendit pushtuesit nazifashistë, Meta theksoi se Shqipëria ishte ndoshta i vetmi vend dhe shqiptarët ndoshta i vetmi komb që nuk dorëzuan asnjë hebre te pushtuesit nazistë. “Përkundrazi i mbrojtën dhe ishte një vend që jo vetëm mbrojti të gjithë hebrenjtë kur filloi lufta e dytë botërore por ishte ndoshta një nga vendet e rralla ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa në fillim të saj. Dhe po kështu ne ishim një popull që edhe pushtuesit italianë kur kapitulluan i mbrojtëm dhe i ruajtëm nga pushtuesit e rinj nazistë, pra mbi 20 mijë ushtarë italianë. Dhe kjo tregon një dimension të jashtëzakonshëm të tolerancës të mikpritjes të respekti një sens të jashtëzakonshëm solidariteti, të cilat padyshim do të triumfojnë mbi konfliktualitetin dhe mungesën e tolerancës, e cila ende është e pranishme por me ndihmën tuaj absolutisht që jam i sigurt do të jetë krejtësisht e margjinalizuar në të ardhmen e Shqipërisë sonë dhe në të ardhmen e zhvillimit tone,” nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Salla e Kuvendit të Shqipërisë hapi dyert për 121 gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria, pjesëmarrës në Konferencën e 5-të të Modeli i Kombeve të Bashkuara. “Modeli i Kombeve të Bashkuara” është një simulim i një grupi të rinjsh të cilët krijojnë ekipe që përfaqësojnë shkollat e tyre dhe angazhohen në veprimtari simuluese të forumeve të Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në përshëndetjen e saj për projektin “Modeli i Kombeve të Bashkuara” vuri në dukje se promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit është tejet i rëndësishëm.

“Jam e entuziazmuar që ne jemi pjesë e kësaj iniciative globale që zhvillohet në 38 vende të ndryshme. Është i rëndësishëm për ne promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit. Është e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi për të marrë pjesë në modelin e Kombeve të Bashkuara për të përforcuar aftësitë e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, negociatat, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes rezolutave dhe pjesëmarrjes duke luajtur funksione reale,” tha Nikolla.  Ajo u shpreh se nëpërmjet modelit që ofrohet në këtë konferencë, shkolla merr një dimension të ri, por që njëkohësisht është edhe dimensioni i më i natyrshëm i saj si vatër e edukimit dhe përvetësimit dhe parimeve dhe vlerave të botës demokratike.

“Komunikimi ky mjet i rëndësishëm për të kapërcyer barriera dhe ndasi dhe krijimi i një platforme për bashkëpunim rajonal midis nxënësve, shkëmbimi i ideve për çështje të interesit global, çojnë drejt aftësimit për krijimin e rrjeteve ta bashkëpunimit për një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale në rajon e më gjerë. Ky model i ofruar sot nga ky projekt, në këndvështrimin tonë, e vë shkollën në një dimension të ri, madje do të thoja në dimensionin më të natyrshëm të saj. Shkolla, si vatra e edukimit, të përvetësimit të parimeve dhe vlerave të botës demokratike”, tha ministrja e Arsimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje