Kualifikimi i mësuesve, jo konkurrencë që cenon shërbimin në arsim

24 Shkurt 2014, 20:00Blog TEMA

Nga Prof. Dr. Lavdi Hasani*

 

Kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve ngelet një prerogativë me efektivitet në cilësinë e punës së përditshme të tyre pasi koha që rrjedh vepron krahas me harresën edhe me risitë që sjell në fushën e secilës shkence. Kualifikimi i vazhdueshëm didaktik dhe shkencor i kontingjenteve arsimore të arsimit parauniversitar, pasi ata të nivelit universitar kanë obligacione të drejtpërdrejta dhe të përditshme kualifikuese, është parashikuar edhe në Ligjin Nr. 21 datë 21.06.2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë “, me një tjetër skemë ku çdo mësues duhet që të grumbullojë 3 ECTS (kredite) kualifikuese për çdo vit akademik të punës së tij si mësues.

Kjo parashikon që secili mësues duhet të trajnohet me rreth 24 orë në vit duke i dhënë atij mundësinë dhe fleksibilitetin që të zgjedh vet modulet e trajnimit dhe agjencinë përkatëse që i ofrohen këto programe trajnuese sipas nevojave dhe interesave që i parashtron ushtrimi i profesionit të tij ne funksion të përmirësimit të punës dhe rritjes së cilësisë dhe standardeve të saj në funksion të mësimdhënies. Për këtë shumë agjenci private apo edhe institucione publike arsimore paraqitën kurikulat dhe programet e plota te trajnimit pranë Komisionit të Akreditimit të Programeve të Trajnimit pranë MASH. Në këtë garë u përfshinë dhe u akredituan krahas institucioneve përkatëse të arsimit të lartë edhe shume agjenci private puna e të cilave u vlerësua dhe u licencua duke i pajisur të gjitha këto njësi kualifikimi me certifikatat përkatëse me afate  4 vjeçare.

Nga ish-Ministria e Arsimit dhe Shkencës u përcaktua edhe një tarifë e përafërt (tavan) për çdo modul dhe kredit të fituar gjatë këtij trajnimi. Kështu, me shkresë Nr.2453 Prot. datë. 03.05.2013 të MASH u përcaktua se kuota që ky kontingjent i detyrohej agjencisë përkatëse ku do të zgjidhte të kryente trajnimin duhet të jetë jo më shumë se 1500 lekë për çdo kredit (ECTS). Por, për të rritur konkurrencën për një trajnim sa më fleksibël, çdo i interesuar në këtë fushë (çdo mësues) zgjedh në mënyrë të lirë agjencinë ku mund ta kryejë këtë atestim.

Parimisht i kemi dhënë hapësirat e duhura “konkurrencës së lirë” dhe pikërisht po e shprehim në thonjëza pasi siç po ndodh vetëm e tillë nuk është. Shumë agjenci private përbëhen nga një numër shumë i vogël specialistësh dhe me një kufizim specialitetesh dhe kuualifikimesh në raport me ato çka ofrojnë institucionet e arsimit të  lartë (universitetet publike) të certifikuara si të tilla në këtë drejtim. Për t’ju bërë të ditur DAR-ve, ekzistencën dhe funksionimin e këtyre agjencive publike ish-MASH ju ka nisur atyre shkresën Nr.639 Prot. datë 04.02.2013. Por edhe këtu nuk duket ajo për të cilën ngrihet ky shqetësim. Në praktikë ne po shohim se kualifikimet e deritashme po kryhen vetëm nëpër agjencitë private të licencuara. Përse po ndodh kështu? A mos vallë këta ish-studentë kanë humbur besimin tek Institucionet ku ata u diplomuan? A mos vallë këto institucione nuk u japin atë që ata e gjejnë në këto agjenci? Fatmirësisht po të qe kështu, por fatkeqësisht nuk është kështu. Kjo rrjedhje vjen nga që këto agjenci i ulin tarifat për kredit në vlera shumë të ulëta në raport me tavanin e përcaktuar nga ish-MASH. Pikërisht kjo s’është më konkurrencë vlerash por garë përfshirjesh. Për këtë shpesh këto agjenci, në mungesë të profesionistëve të vetë akordojnë punën më inspektorët e DAR duke e realizuar nëpërmjet tyre këtë trajnim. Kështu ky trajnim kthehet në një konkurrencë tarifash dhe jo vlerash kualifikuese. Qëllim në vetvete bëhet grumbullimi i disa të ardhurave nga ky proces duke e kaluar në plan të dytë, për të mos thënë duke e anashkaluar fare, kualifikimin real të këtyre mësuesve. Pa folur pastaj që, në varësi të “lidhjeve” që krijojnë miqësisht apo privatisht zyra e drejtori arsimore në rrethe me këto agjenci private, siç kemi ndonjë informacion nga disa mësues, ju imponojnë këtyre të fundit edhe agjencinë ku ata duhet të kryejnë këtë kualifikim.

Pra, konkurrenca e vlerave për të fituar kohë rentabilitet dhe cilësi në këtë proces po shndërrohet në “konkurrencë” antivlerash, thjeshtë për t’ju siguruar disa të ardhura këtyre agjencive private që një aktivitet të tillë e kanë të vetmin, të parin dhe të fundit. Ky proces po u la kështu do të degradojë, në mos ka ndodhur, vetëm në një regjistrim formal dhe pajisjen formale të këtyre kontingjente mësuesish me një dëshmi po ashtu formale. Kështu as punës nuk i shërbehet. Atëherë, që të rrisim konkurrimin e vlerave dh jo të tarifave pse mos të caktohet nga dikasteri, mbi një logjikë të caktuar ekonomike bazë të domosdoshme një tarifë dysheme për kredit ? Një gjë e tillë zhduk konkurrencën tarifore dhe lë aktive konkurrencën e vlerave. Atëherë mësuesi me të vërtet do të zgjedh burimin më cilësor të kualifikimit të tij. Ai tashmë është i çliruar ekonomikisht dhe i përkushtohet cilësisht e realisht procesit. Kjo duhet bërë sa më parë.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti “Eqrem Çabej” – Gjirokastër

3 komente në “Kualifikimi i mësuesve, jo konkurrencë që cenon shërbimin në arsim”

  1. snobi says:

    Ke shume te drejt Z.Ladi!
    Por edhe ti nuk je i paket,e ke provimin 150 Euro,edhe sikur te shkosh ne hene dhe te vish,nuk ta jep!

  2. valter says:

    Gjithçka behet per te vjedhur, mjere mesueset!

  3. Iliri says:

    Kryehajduti ne arsimin e larte eshte Dhori Kule. Ai e futi korrupsionin ne arsimin e larte, ai eshte shkaterrimtari i arsimit te larte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje