Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur një bashkëbisedim me nxënësit e shkollave të mesme në lidhje me reformën në Maturën Shtetërore. Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, nisi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë nga Berati, për ta vijuar më pas në qytete të tjera të vendit.
“Duke qenë se politika shqiptare merret me probleme më madhore, ndër vite nuk i është kushtuar rëndësia e duhur çështjes së maturantëve dhe kjo ka bërë që sistemi aktual të prodhojë një brez që nuk do jetë në gjendje të drejtojë veten e aq më tepër vendin në të ardhmen”, tha Mehmetaj.
Gjatë bashkëbisedimit me maturantët beratas, deputetja e LSI-së theksoi disa nga problemet më shqetësuese të sistemit të sotëm të maturës shtetërore siç janë kurikulat, pamundësinë të konkurrimit të barabartë nëpërmjet pikëve të nxënësve të shkollave profesionale, heqjen e gjuhës së huaj si provim i detyruar, etj.
Ajo ka theksuar se të gjitha shqetësimet e maturantëve që do të bëhen publike në takimet që do të zhvillohen me ta, do të jenë pjesë përbërëse e rezolutës dhe paketës që do të përcillet nga deputetët e LSI-së në Parlament.
Deputetja Kejdi Mehmetaj, e ka cilësuar këtë nismë të grupit të deputetëve të LSI-së, “jo si një iniciativë politike, por si një nevojë imediate për ti vënë një ‘notë’ Maturës Shtetërore në vend”.