INTERVISTA/ Totozani: Ja pse duhen hapur dosjet

5 Mars 2014, 10:18Sociale TEMA

Drama e shfrytëzimit të fëmijëve shqiptarë në punë, trafikimi dhe rrugët që do të çonin drejt eliminimit të këtij fenomeni. Çfarë po ndodh me të miturit në burgje dhe fëmijët e ngujuar. Volumi i punës së një Ombudsmani

Nga Rozeta Rapushi, Revista KLAN

 

Mes kapicës së problematikave ende të pazgjidhura në këtë vend, për të cilat jo pak herë edhe Avokati i Popullit ka ngritur zërin, plaga e fëmijëve që detyrohen të punojnë, të lypin, që shfrytëzohen apo detyrohen të ngujohen është shumë e madhe. Në drejtimin e një institucioni që nuk mund të shkojë përtej rekomandimeve, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka dosje të tëra me rekomandime, propozime për zgjidhje dhe përmirësime jo vetëm për fëmijët por edhe drama të tjera të shoqërisë shqiptare që nuk po arrijnë të zbehen, por që për t’u vënë në jetë kërkojnë angazhimin dhe përkushtimin e një sërë institucioneve. Në një intervistë për revistën Klan, Totozani, pohon se zgjidhjet janë, rekomandimet po ashtu por ato duhet të vihen në jetë. Si për shembull, zbatimi i ligjit që parashikon masa shtrënguese për prindërit që braktisin fëmijët, që nuk i dërgojnë në shkollë, apo dhe ata që i detyrojnë fëmijët të punojnë. Ai flet për krijimin e një Komisioneri për Fëmijët apo një Seksioni të veçantë brenda Zyrës së Avokatit të Popullit, që do të ishte një kundërpërgjigje për një zgjidhje optimale për çështjet kryesore ku ka probleme me të drejtat e fëmijëve. Lehtësim mund të ketë edhe për fëmijët e ngujuar, për të burgosurit, e shumë të tjerë, në rast se pushteti lokal e qendror do të kontribuojnë për to. Në këto kushte, Avokati pa frikë pohon se detyra që mori dy vite më parë është shumë më e vështirë nga çfarë ai kujtonte. Por ajo që e motivon çdo ditë e më shumë, është krenaria për punën e bërë prej tij dhe stafit të gjithë institucionit dhe sensibilitetit më të madh të shoqërisë për çështje që deri dje ishin tabu.

 

-Zoti Totozani, është folur shumë për largimin e fëmijëve nga rruga, për ndalimin e ushtrimit nga ana e tyre të punëve të rënda. A po bëhet gjë për këtë fenomen. Ju realisht çfarë do të propozonit?

Ajo çfarë ka bërë Avokati i Popullit deri më tani për këtë problem ishte takimi me Drejtorin e Policisë së Tiranës (sapo ky u emërua në atë pozicion) dhe me një pjesë të stafit të tij në Zyrën e Avokatit për këtë problematikë. Ka një iniciativë të përbashkët të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Zëvendësministres së Brendshme dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për veprime të përbashkëta e koordinim veprimtarie për heqjen e fëmijëve nga rruga. Avokati i Popullit në trajtimin e çdo rasti ankese, kërkese apo rasti të ndërmarrë me iniciativë për shkelje të të drejtave të fëmijëve, ka vijuar të nxisë respektimin e parimit të interesit më të lartë të fëmijës, si kryesori e mbizotëruesi në trajtimin e çështjeve që kanë lidhje me të drejtat e fëmijës. Aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve që punojnë dhe llojet e punës që ata bëjnë, por mund të dallohen dy kategori të fëmijëve që punojnë. Ata që punojnë në sektorin formal të ekonomisë dhe fëmijët që punojnë në sektorin joformal të ekonomisë, kryesisht në rrugë, si shitës ambulantë, lypsa, pastrues të makinave në semaforë etj, si dhe në një nga format më të këqija të punës së fëmijëve që është edhe trafikimi i fëmijëve për qëllim shfrytëzimi, si për shfrytëzim seksual, për vjedhje, përfshirje në aktivitete të paligjshme, etj. Kategoritë e rrezikuara të fëmijëve janë ata që lypin, që braktisin shkollën, ndaj këta fëmijë duhet të referohen, asistohen dhe trajtohen nga njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në çdo bashki e komunë, struktura të cilat në zbatim të detyrimit ligjor duhen ngritur në të gjitha njësitë vendore. Këshillimi dhe paditja e rasteve flagrante kur prindërit dërgojnë të vegjlit të lypin duhet intensifikuar nga ana e sektorit për të miturit dhe dhunës në të gjitha drejtoritë e policisë. Shkaqet e punës së rëndë të fëmijëve duhen kërkuar tek përjashtimi social, mundësitë e pakta të familjeve për të siguruar të ardhura, si dhe varfëria. Për aq kohë sa nuk punohet për zhdukjen e shkaqeve, shfrytëzimi ekonomik i fëmijëve do të përbëjë një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Nuk gjejnë zbatim përcaktimet ligjore që parashikojnë masa shtrënguese për prindërit që braktisin fëmijët, që nuk i dërgojnë në shkollë, apo dhe ata që i detyrojnë fëmijët të punojnë. Prandaj ndryshimet ligjore për krijimin e një Komisioneri për Fëmijët apo një Seksioni të veçante brenda Zyrës së Avokatit të Popullit, do të jetë një kundërpërgjigje për një zgjidhje optimale për çështjet kryesore ku ka probleme me të drejtat e fëmijëve.

 

-Pak ditë më parë, policia u angazhua në largimin e fëmijëve nga rruga, duke i çuar në qendra sociale. Cili është roli i Avokatit të Popullit në këtë nismë? Si mund të eliminohet ky fenomen njëherë e përgjithmonë? Ose të paktën të reduktohet?

Misioni i Avokatit të Popullit është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive njerëzore të shtetasve, garantimi i tyre nga çdo formë e mundshme shkeljeje nga organet e administratës publike. Duhet mbajtur parasysh se, ashtu si ligjet e mjaft shteteve të tjera që e kanë këtë institucion, edhe ligji shqiptar nuk i ka dhënë Avokatit të Popullit fuqi vendimmarrëse në raport me organet e administratës, por vetëm të drejtën e hetimeve dhe inspektimeve dhe në përfundim atë të rekomandimeve përkatëse. “Mjeti” më i rëndësishëm që disponon ky institucion është rekomandimi. Neni 54 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën e fëmijëve të kenë një mbrojtje të veçantë nga shteti. Fëmijëve u nevojitet një organizëm i posaçëm që të shumëfishojë zërat e tyre, në mënyrë që kërkesat dhe interesat e tyre të paraqiten në mënyrë sa më efektive tek Qeveria dhe shoqëria si një e tërë. Me mungesën e mekanizmit të posaçëm koordinues dhe monitorues për zbatimin e të drejtave të fëmijëve, qeveria, komuniteti dhe OJF-të kanë kapacitete të kufizuara për të marrë masa më efektive, edhe për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare. Më konkretisht, veprimtaria e Avokatit të Popullit synon në mbikëqyrjen e veprimtarisë së administratës publike si dhe të organizatave të tjera në shërbim të fëmijëve në territorin e Shqipërisë me qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre si dhe trajtimin e ankesave, kërkesave apo njoftimeve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve. Po kështu edhe rekomandimin e përmirësimeve të legjislacionit ekzistues që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe i veprimeve pozitive të organeve të administratës publike për mënyrën se si ushtrohen detyrimet e tyre ndaj fëmijëve. Bazuar në kuadrin ligjor ekzistues, prindërit, janë të detyruar të regjistrojnë fëmijët e tyre, në të njëjtin vend ku janë regjistruar edhe ata. Rezulton që në rastet e familjeve rome, ka një numër të konsiderueshëm fëmijësh të paregjistruar, pavarësisht iniciativave dhe programeve të aktorëve të ndryshëm si të administratës publike ashtu dhe të shoqërisë civile. E konsiderojmë të domosdoshme zbatimin e përcaktimeve ligjore që parashikojnë sanksione për prindërit që braktisin fëmijët, që nuk i dërgojnë ata në shkollë apo edhe ata që i detyrojnë fëmijët të punojnë. Është evidente se të miturit shpeshherë nuk dinë si dhe ku të ankohen, prandaj shpeshherë ne kemi vepruar me iniciativën tonë. Institucioni i Avokatit të Popullit konstaton se ende nuk janë ngritur në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore (qarqe dhe bashki), sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, mekanizmat e referimit të rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare. Zbatim të ligjeve kundër punës së fëmijëve, dhunës ndaj fëmijëve, ligjeve për arsimin e detyrueshëm, si dhe të ligjeve që në mënyrë indirekte synojnë dënimin e individëve abuzues me fëmijët; financim për shërbime mbrojtëse për viktimat fëmijë të trafikimit. Nevojitet gjithashtu, krijimi i kapaciteteve dhe mundësive financiare të mjaftueshme në qeverisjen vendore, për ngritjen e strukturave të reja në përputhje me nevojat e fëmijëve, trajnim i vazhdueshëm i stafeve respektive, si dhe një koordinim më i mirë mes këtij pushteti, dhe aktorëve të tjerë të kësaj fushe.

 

-Në jo pak raste keni ngritur zërin kundër fëmijëve të ngujuar, mosrespektimin e të drejtave themelore të tyre. Çfarë mund të bëhej për ta, në mënyrë që të paktën fëmijët të përjashtoheshin nga ngujimi? Si mund të luftohet ky fenomen?

Ngujimin e personave pa dallim gjinie e moshe është një nga pasojat tragjike të fenomenit të gjakmarrjes. Të ngujuarve u mohohen një sërë të drejtash kushtetuese themelore, si atë të lëvizjes së lirë, të arsimimit, të punësimit, të përfitimit të kujdesit shëndetësor, të votimit, të lirisë së organizimit, të lirisë së bindjes dhe shfaqjes së saj etj. Për shkak të këtyre pasojave duhet punuar intensivisht nga të gjitha strukturat qendrore e vendore për nxjerrjen e tyre nga ngujimi. Megjithatë, për nga rëndësia e pasojave dhe traumave që shkakton ngujimi tek fëmijët, është një nga detyrimet imediate të strukturave shtetërore qendrore dhe vendore dhe gjithë shoqërisë tonë, nxjerrja e tyre nga ky “burgim” i padrejtë. Duke qenë të ngujuar ata do të rriten të cunguar, pa u edukuar e shkolluar, do të bashkëjetojnë me ndjenjën e frikës, të urrejtjes dhe të gjakmarrjes.

Për këtë duhet të bëhet një plan-veprimi ndërmjet strukturave shtetërore qendrore e vendore të Policisë së Shtetit (Drejtoritë e Policisë në Qarqe, Komisariatet), të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (Drejtoritë Arsimore Rajonale, Shkollat), Komunave dhe Kryetarëve të fshatrave, si dhe të ftohen në këtë veprimtari edhe shoqëria civile, media dhe komunitetet fetare. Ajo që duhet bërë është të identifikohen të gjithë fëmijët e ngujuar në territorin e vendit tonë dhe të sensibilizohet publiku për pasojat e ngujimit të fëmijëve dhe të shoqërisë në të ardhmen, si dhe të promovohen toleranca e bashkëjetesa si virtyte dhe vlera të një shoqërie të civilizuar. Duhet t’u qëndrohet pranë fëmijëve të ngujuar dhe familjeve të tyre, ndërkohë të thirren nga policia kryefamiljarët e familjeve potenciale për të kryer krimin e gjakmarrjes dhe të këshillohen me qëllim parandalimin e krimit që mund të kryejnë ata me fëmijët që do të dalin nga ngujimi etj.

 

-Ambientet e paraburgimit apo edhe burgjet kanë një numër të lartë të dënuarish që janë në moshë të mitur. A nuk mund të ketë një zgjidhje për këtë kategori? Kaq shumë kushton një ambient i ri për ta?

Ambientet e paraburgimit për të miturit në sistemin e IEVP-ve janë ambiente të veçanta të cilat teorikisht nuk duhet të kenë asnjë kontakt fizik me të dënuarit apo të paraburgosurit madhorë. Kjo në shumicën e rasteve zbatohet, ndërsa në disa institucione ambientet e ajrimit apo fusha e futbollit është e ndarë vetëm me një rrjetë ndarëse, e cila lejon komunikimin e të miturve me madhorët. Në shumicën e rasteve, ambientet e paraburgimit për të miturit nuk plotësojnë standardet e kërkuara në aspektin e kushteve materiale apo dhe të shërbimeve (IEVP 313, IEVP Lezhë). Stafi mbështetës psiko-social nuk është i mjaftueshëm dhe në kontakt të vazhdueshëm me të miturit e paraburgosur. Them në plan të parë, pasi gjatë aktiviteteve dhe veprimtarisë ditore ky staf duhet të shoqërojë të paraburgosurit e mitur dhe jo punonjësit e policisë së burgjeve. Kemi vlerësuar ndërtimin dhe vënien në funksion të Institutit të të Miturve Kavajë, i cili gëzon standarde të larta përsa i përket kushteve materiale dhe mundësisë së ofrimit të shërbimeve ndaj të miturve të dënuar, por mendojmë që një institucion paraburgimi për të miturit i tillë dhe me të tilla parametra, duhet të ishte ndërtuar paralelisht, për arsyen se shumica e të miturve në Shqipëri vuajnë kohën e paraburgimit dhe një pjesë e vogël e tyre dënohen nga gjykatat respektive me dënim me burg.

 

-Zoti Totozani, pak ditë më parë kërkuat nga Parlamenti miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve të shërbimit sekret. Jo pak herë është tentuar të bëhet një hap i tillë nga politika dhe rezultati ka qenë gjithnjë dështim. Mendoni se këtë herë, do t’i shkohet deri në fund dhe propozimi juaj do të merret në konsideratë?

Më lejoni t’ju them se përgatitja dhe dërgimi i këtij rekomandimi ka qenë një proces në vijimësi dhe i natyrshëm i punës sonë të përditshme. Vetë përmbajtja e rekomandimit dhe qëllimi i tij, niset nga nevoja që shoqëria jonë ka për hapjen e dosjeve dhe duke e vlerësuar atë nga një aspekt edhe më teknik, nga boshllëku ligjor i krijuar me shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit nr. 10034 datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, me vendimin nr. 9 datë 23.03.2010 të Gjykatës Kushtetuese. Duke përfaqësuar një institucion të pavarur dhe paanshëm politikisht mendoj se, procesi i hapjes së dosjeve, sikurse ka ndodhur në shumë vende të tjera me një të kaluar të afërt totalitare, është një proces purifikues dhe transparence në dobi të shoqërisë shqiptare, përfshirë këtu edhe pjesën politike, që i shërben shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Detyra ime është që të sjell në vëmendjen e subjekteve që kanë iniciativë legjislative, nevojën e miratimit të një ligji të tillë dhe të këmbëngul në këtë gjë, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore institucionale si dhe komunikimin publik për këtë qëllim.

 

-Për çfarë do të shërbente realisht një ligj i tillë?

Ne kemi gjykuar se miratimi i një ligji për hapjen e dosjeve, megjithëse një proces i vonuar, do të shërbejë si një mjet efikas për procesin e verifikimit të së shkuarës dhe si një nga mënyrat e nxjerrjes së drejtësisë historike, kapërcimit të së kaluarës së hidhur dhe bërjes së transparencës në jetën publike. Sikurse kemi theksuar edhe në rekomandim, nevoja për një ligj të tillë është e lidhur ngushtë edhe me krijimin e besimit në opinionin publik, për kryerjen e një procesi real të hapjes së dosjeve që, do të bëjë transparencën e krimeve dhe pasojave të tyre nga sistemi i mëparshëm dhe që do të sigurojë të qeverisurit sot se, klasa aktuale qeverisëse dhe individë në nivele të tjera postesh publike, apo edhe përfaqësues të shoqërisë civile, nuk do të mbartin paragjykimin dhe frymën antidemokratike të përsëritjes të asaj ç’ka ndodhur në të shkuarën. Gjithashtu, ne gjykojmë se, një ligj për hapjen e dosjeve, për më tepër pas kaq vitesh tranzicion, nuk duhet të kthehet në një ligj “represiv” ndaj disa individëve të caktuar, por në një mundësi reflektimi për shoqërinë në tërësi.

 

-Pak kohë më parë ju publikuat një sërë rekomandimesh për zgjidhjen e çështjes së toponimeve. Çfarë e pengon këtë çështje të zgjidhjet përfundimisht? A janë bërë hapa para?

Ne kemi bërë rekomandime drejtuar institucioneve shqiptare, nuk kemi dijeni mbi pengesat që kanë ato aktualisht në zgjidhjen përfundimtare të problemit. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërkohë që Ministria e Brendshme na ka informuar kryesisht mbi procedurat e lëshimit të dokumenteve të udhëtimit dhe standardeve të përkthimit të dokumenteve zyrtare, por pa dhënë një përgjigje konkrete për rekomandimet që u kemi drejtuar. Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka asnjë informacion dhe nuk është njohur konkretisht mbi Notën Verbale të paraqitur nga përfaqësuesi i shtetit grek para Ministrisë së Punëve të Jashtme si dhe me rekomandimet konkrete apo rezultatet e punës së Grupit Ndërinstitucional, që është ngritur pas paraqitjes së Notës Verbale nga përfaqësuesi i shtetit grek.

 

-U përfol shumë për ndryshimin e Kodit të Familjes, për lejimin e martesave gay, apo bashkëjetesave. Çfarë po bëhet në këtë aspekt. A kanë ecur diskutimet. Jam në dijeni se edhe zyra e Këshillit të Evropës është angazhuar në këtë çështje.

Ka një iniciativë nga ana zyra së Këshillit të Evropës në bashkëpunim dhe me organizatat që mbrojnë të drejtat e personave LGBT e cila në dijeninë time ndodhet aktualisht në ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në lidhje me një ndryshim në Kodin e Familjes për njohjen ligjore të bashkëjetesës së personave të së njëjtit seks.

 

-Zoti Totozani, përballë tërë këtyre problemeve dhe çështje me të cilat jeni hasur, sa e vështirë është të kryesh detyrën e Avokatit të Popullit në kushtet shqiptare?

Shumë më e vështirë nga çfarë kujtoja në fillim të marrjes së mandatit.

 

-Çfarë problemesh keni hasur?

Nga më të ndryshmet por ajo që të mundon më shumë është të moskuptuarit e rolit dhe punës sonë.

 

-Për cilën çështje jeni krenar që jeni marrë dhe keni zgjidhur nga zgjedhja në këtë post?

Jam krenar për gjithçka të punës së jashtëzakonshme me stafin e Avokatit të Popullit. Jam krenar që kemi mundur të zgjidhim shumë prej halleve dhe problemeve të qytetarëve tanë në këto dy vjet. Jam gjithashtu i lumtur që vë re një sensibilitet më të madh të shoqërisë për çështje që deri dje ishin tabu.

8 komente në “INTERVISTA/ Totozani: Ja pse duhen hapur dosjet”

  1. SeVret Katovica says:

    KY ‘PURIFIKUESI’ TOTOZANI ME SE E KALON DITEN PER TE MARRE RROGEN KUR FEMIJET SHQIPETARE VDESIN PER BUKE?KY ISTITUCION FANTAZME TEK NE NGA KA ARDHUR NGA KATOVICA?

    1. Oketo says:

      O katovice, pa e lexuar intervisten e ke shkruar komentin ?
      Per injorante si ty e te tjere, mund te shpjegoj : se Av.P. jep vetem rekomandime dhe propozime. Atyre femijve cohu dhe jepi ti per te ngrene o trap.

  2. endi says:

    Totozani eshte KRYETURPI i ketij shteti.

  3. Ariu rus says:

    Tani pas 23 vjetësh, të hapen dosjet…U rregulluan e u “pastruan” “elefantët” e “luanët” dhe kanë mbetur “minjtë” dhe “mizat”…Totozani, si gjithë të tjerët, tallet me neve…

  4. Albani says:

    Totozani i pavarur????!!!! Ha ha ha! As ai vete nuk e beson!!!

  5. tani says:

    shikoni se ca behet sot ne komisionin e sigurise, kreu i shish ndrepret mbledhjen http://dielli.al/lajme.php?id=44178&k=2

  6. Ipersekutuar nga Regjimi Komunist says:

    Tallje
    Pa mendoni sikur Krimineli te Hape Dosjen e Krimeve te Tij.
    Kete po ben Partia Socialiste pas 23 vitesh Shfarosje te Dosjeve te Diktatures Komuniste.
    Socialistet po Tallen me Popullin.
    Dosjet duhet te Hapen dhe te kerkohet hapja vetem nga ish te persekutuatit e regjimit komunist jo nga ata qe vrane populin

  7. ari says:

    Hapi po hapni-se edhe femijet ne barke qe kane kokepalaret do ju dalin si enveri e negjmija.juve stalini ju ka perzier Spermen me qen zagare qe i qendrojne rusit ter jeten Besnik.pse mbani edhe sote ricin,doklen,gjinushin ,spartak brahon dhe negjmijen gjalle.babai i kryekokepalarit ne rusi eshte shkolluar dhe aty me fare qeni e beri ramen,pastaj ja fekondoje sdhe gruan.dhe qfare doli nje gregore i marre si babai shizofren rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje