T’ia nisim nga numri e të ndajmë territorin, apo të bëjmë ndarjen e numri del vetë?

5 Mars 2014, 20:55Blog TEMA

Nga Gjovalin Gjeloshi

 

Përveç qeverisë, që së paku deri më tash njihet si autore e projektit të “36 rrethe- 36 bashki”, edhe organizma të tjerë jashtëqeveritarë kanë dalë në këtë “treg”, secila me një numër të caktuar të njësive lokale në shkallë vendi: 80-90, 100-110 apo edhe deri në 150, janë disa prej shifrave të njësive vendore për të gjithë territorin e republikës.

Kushdo i prodhoftë këto shifra, kësaj i thonë që një punë që kërkon një kujdes tepër të veçantë, një studim tepër të thelluar, të bëhet prej tavolinës sipas opinionit të njërit apo tjetrit. Tashmë ka kaluar koha të diskutojmë domosdoshmërinë e ndarjes së re administrative-territoriale të Shqipërisë. Tash jemi në fazën: si, kur dhe sa? Nëse dikush do të tentojë të vërë në hartë lapsa të kuq dhe blu, do të bëhet një gabim i pallogaritshëm me pasoja që do të na ndjekin vite e vite të tjera. Nëse dikush do të mundohet të bëjë “bashki për vete”, ato nuk do të jenë asnjëherë për banorët. Nëse do të marrim bishtin e njërës “blu” e do ta bashkojmë me të tërën “të kuqe”, enkas për të humbur bluja apo anasjelltas, kjo do të ishte e pafalshme. E them këtë, sepse në diskutimet apo propozimet që bëhen, kryesisht ato me origjinë qeveritare, ka tendenca të tilla. Më të pandikuara duken këto të shoqatave, po i quaj unë, të mbështetura nga donatorë të ndryshëm.

Të caktosh përpara një numër bashkish e pastaj të mundohesh ta përshtatësh territorin sipas këtij numri, i thonë ta fillosh punën së prapthi dhe në fund do të na duhet të fusim 7-ën tek 13-ta dy herë. Gjithkush e shikon se kur caktohet përpara një numër, e ke filluar punën nga zyra, nga tavolina dhe jo nga terreni. Përveç Shtetiweb, të paktën ne të qarkut të Lezhës nuk kemi parë kënd tjetër që të diskutojë me shoqërinë civile, me faktorë përgjegjës. Mendoj se në këtë fazë është puna edhe në qarqet e tjera. Tavolina të tilla nuk “konsumohen” nga hotelet e Tiranës, sado luksoze qofshin ato. Ky program duhet të diskutohet në ato zyrat e thjeshta të rretheve apo qarqeve deri edhe komunave të veçanta. Vetëm atje e dinë se cilat bashkime janë më të efektshme. Në çdo rreth ka specialistë, ekspertë të çështjeve vendore, ish- drejtues lokal prej vitit 1992 që i kanë pasur në kurriz problemet vendore, që e kanë vuajtur realisht centralizimin. Që janë votuar, kanë besuar njerëzit tek ata e nga ana tjetër nuk kanë pasur asgjë në dorë për të zgjidhur. Madje do të thosha se përpara aftësisë që kanë sot shumë ekspertë vendorë nëpër rrethe, stonojnë vetë qeveritarët e sotëm që me pa të drejtë çirren se “do të bëjmë reformën edhe pa këtë e pa atë”. Kjo reformë nuk mund të bëhet pa asnjë. Jo vetëm faktori politik, po e po, por duhet të ziejnë mendimet e të gjithë atyre që kanë ç’të thonë në të mirë të saj. Unë nuk mendoj që kjo punë të diskutohet “fshatçe”, por edhe “fshati” edhe “qyteti” e thotë mendimin e vet nëpërmjet përfaqësuesve të vet, nëpërmjet shoqërisë civile që tashmë nuk mungon në asnjë rreth e qark dhe është më e ndërgjegjësuar se asnjëherë për “prapashpinat” që organizohen pas kulisave të pushtetit.

Nuk e di se si del shumatorja në shkallë kombëtare e numrit të bashkive dhe se me cilin propozim përkon ky numër, por sipas konsultimeve të organizuara në qarkun e Lezhës jo vetëm nga Shtetiweb, por edhe nga faktorë të tjerë që kanë pasur e kanë peshë në organizimin territorial të qarkut, në Lezhë nga 21 njësi vendore që ekzistojnë sot, numri më optimal pas rindarjes së re territoriale do të ishte 7. Tre njësi vendore (bashki) Lezha, 2 bashki Mirdita dhe 2 Kurbini. Me këtë rindarje, në rrethin e Lezhës dhe të Kurbinit krijohen bashki me mbi 30 mijë banorë, ndërsa në rrethin e Mirditës, kuptohet, ky numër është më i vogël. Në ndarjen e re duhet të bëhet kujdes (aq sa është e mundur) edhe në emërtimin e këtyre bashkive. Fjala vjen për rrethin e Lezhës, nëse emërtojmë: bashkia Lezhë-Shëngjin ku përfshihet edhe Malësia e Lezhës; bashkia e Bregut të Matit, ku bëjnë pjesë Shënkolli, Zejmeni, plus ndonjë shtesë tjetër që mbetet dhe bashkia e Zadrimës ku përfshihen komunat e pjesës veriore të qytetit të Lezhës: Balldre, Kallmet, Blinisht e Dajç, do të humbisnim shumë pak nga identiteti i sotëm. Vetëm Ungrej mund të lihej të zgjidhte: me bashkinë e re të Zadrimës apo me njërën prej atyre të Mirditës. Po kështu edhe dy emrat e bashkive të Mirditës: Orosh dhe Rrëshen, do të përfaqësonin për bukuri të gjithë ndryshueshmërinë e asaj zone. Për të përfunduar te Kurbini: kur vjen fjala te emri i Laçit, edhe sot ekziston në fjalorin popullor shprehja: “Laçi i Milotit” apo “Laçi i Vaut të Dejës”. Me fjalë të tjera, identiteti i Laçit të sotëm, është i lidhur me Milotin. Pra bashkia Laç-Milot dhe Mamurras-Fushkuqe, do të ishin dy bashkitë e reja të Kurbinit.

Ka ndonjë mendim që duke krijuar rrethin e dikurshëm të Zadrimës, kanë bashkuar në një bashki disa komuna të Lezhës dhe disa të Shkodrës së bashku. Ne nuk mund të marrim metrin e të matim largësinë e çdonjërës komunë nga qendra e nesërme, por hartën duhet ta shfrytëzojmë, ndoshta edhe “shkeljen me këmbë”, për të parë realisht bashkinë e nesërme përpara se të flasim e të vendosim. Zadrima e Lezhës vjen deri te portat e qytetit të Lezhës dhe ajo e Shkodrës po ashtu në Shkodër. E nëse qendrën e saj do të vendosim dikund në mes dy qyteteve, ku do ta çojmë komunën e Balldrenit që ka me vete edhe Torovicën e fshatra të tjera që përfundojnë në Shkodër nga ana perëndimore? Ç’është e nevojshme që territore krejt të afërta të ishin në njësi vendore të ndryshme, apo territore të largëta t’i bashkonim në një njësi. Sipas konsultave me të gjithë faktorët, së paku për Shkodrën dhe Lezhën, organizimi i ri duhet të bëhet pa prekur kufijtë ekzistues të rretheve të sotme.

Për të përfunduar me organizmin rajonal, qarku i sotëm i Lezhës mendohet së bashku me Kukësin dhe Shkodrën nën emrin “rajoni i Shkodrës”. Dhe me këtë emërtim askush nuk mund të ndihet i përthithur apo të bëhet “xheloz”. Ne nuk mund të harrojmë sanxhakun e vjetër të Shkodrës, vilajetin apo edhe prefekturën e viteve të mëvonshme. Gjithkush duhet të ndihet mirë kur ka një emër të madh.

9 komente në “T’ia nisim nga numri e të ndajmë territorin, apo të bëjmë ndarjen e numri del vetë?”

  1. Qetësori says:

    Bravo, kjo eshte. Territori nuk ndahet nga ministria e Çuçit. Ai nuk e din ku bjen Shqiperia.

  2. ralfi says:

    Zotnia , ka te drejte per disa gjera . Por duhet te dini se sot pak ose aspak kryejne funksione ne sherbim te qytetareve komunat apo bashkite e krujuara per interesa elektorale . Me shume jane çerdhe militantesh si komunat ashtu edhe zyrat e qarqeve . Po i quaj zyra sepse perveçse kane punesuar militantet me te thekur te partise qe ka shumicen , nuk bejne asnje gje ne sherbim te publikut . Kryesisht japin vetem vertetime toke per ndihmen sociale dhe bejne vleresime ne raste te fatkeqesive ( keto te fundit me vonesa te imagjinueshme , dhe jane te rrala rastet kur ndihmohen nga Drejtoria e Emergjencave civile ) .Para viteve ’90 organizimi me rrethe ishte shume i studiuar , pasi kishin bere per vite te tera ndarje dhe bashkime te ndryshme . Kemi patur 26 rrethe . Pas ’90 u ndane disa rrethe si Delvina nga Saranda , Devolli nga Korça , Peqini nga Elbasani , Mallakastra nga Fieri Kurbini nga Kruja , Malesia e madhe nga Shkodra ,Hasi nga Kukesi dhe Bulqiza nga Peshkopia . U krijuan 36 rrethe . kam qene dhe jam akoma i bindur se krijimi i qarqeve ishte nje nga veprimet me antishtet te bera ndonjehere . u krijuan bashki e komuna pa fund me nga 500 banore dhe 200 votues , kur ne te kaluarev as kooperativa nuk i merrte ne konsiderate . Zgjidhja e vetme dhe me e sakta eshte organizimi administrativ mbi bazen e rretheve . Nese bashkia e Tiranes del me 1,5 milion banore mund te kete status te vecante . Kete e ka patur gjate 23 viteve ne te gjitha ligjet organike . Bashkite e tjera mund te ndahen deri ne 20 mije banore , 20-50mije banore , 50-100 mije banore 100-250mije banore dhe mbi 250mije banore . Pra te kete 5 kategori bashkish dhe te kene kompetenca te njejta me perjashtim te atyre me mbi 250mije banore .Aktualisht shumica e hallexhinjve udhetojne ne qendrat e qyteteve dhe i takojne aty te zgjedhurit e tyre si kryetar komunash dhe zgjidhin hallet qe kane . bashkimi i 2ose me shume komunave duke i lene perseri zyrat ne njerin nga fshtatrat e komunave nuk do te funksionoje asnjeher . Gjovalin Gjeloshi ndoshta ka hallin e tij se i shkurtohet vendi i punes dhe mendon se duhet te kete 80 , 100 ose 150 bashki, por une qytetari i thjeshte qe kam 23 vjet qe nuk firmos ne borderone e shtetit por vetem paguaj taksat dhe punoj me sezone duke emigruar ne greqi nuk me intereson shume sa bashki ngelen 36 apo 436 sa jane aktualisht . Mjafton qe tu sherbehet qytetareve . Fatkeqesisht ne e dime se ♪5’heqim nga keta te rrogtare zyrash .

  3. miri shkodra says:

    A e din zoteri se fjala latine “komune”, perkthehet ne shqip “bashki”? Ate here cfare kuptimi ka te thuash komuna dhe bashki?

    1. neda says:

      Bashkia ka kuptimin, per mendimin tim, e kryerjes se funksionit brenda qytetit,per problemet e qytetit dhe sigurisht kur ka nje numer te pranuar si popullesi, ndersa komunat jane struktura qe merren me fshatin dhe besoje se edhe ne ndarjen e re administrative disa komuna mund te bashkohen ne nje komune por kurrsesi nuk mund te bashkohen me bashkin e nje qyteti.Ne fakt vendi yne ka shume sidomos komuna, nje administrat e tere jo frutdhenese, por edhe pagesa e tyre si ne bashki dhe ne komuna mendoje se nuk duhet te financohen nga buxheti shtetit por nga te ardhurat e grumbullimit te taksave. Nje numer kaq i madh komunash e bashkish dhe i financuar nga buxheti bene q vendi te mos kete mundesi te zhvillohet sic duhet dhe fruyen organikat padrejtesisht e sidomos ne prag zgjedhjesh,por edhe mund te arsyetosh psh.qe Vora e disa vende te tjera te konsideruara si qytete ,ska pse te quhet bashki por komun, qyteti mendohet e perceptohet si zone industriale dhe jo bujqesore.Nje zone,apo qender e banuar, nuk mund te quhet qytet edhe ne qofte se e quan bashki.

  4. Koz Dynjaja says:

    – Me qe po flasim per Lezhen . Fillohet me zvogelimin e numrit te Prefekturave. Keshtu qe Prefektura e Shkodres duhet te perfshije ,Shkodren, Malesine e Madhe ,Puken , Lezhen, Mirditen.
    -Pastaj percaktohen Bashkite e kesaj Prefekture ,Bashkija perfshin nje zone qe ploteson edhe nr.e banorve ,Lezha +Shengjini +fshatra te sotem rrotull ose Shkodra + Komuna Rrethina .
    – Pastaj Komunat sipas percaktimit nr.te popullsise dhe as mbi baze bajraku,as mbi baze kooperative pasi sot pyet personin se si mendon e neser ky person iken me banim ne Durres se nuk e ndalon kush.
    – Ndersa ajo idea e Qarqeve nuk duhet te diskutohet. Qarqet te hiqen fare se do na dalin sikur jane Parlamente zonale dhe kjo ka shume pasoja ! tung

  5. Qetësori says:

    Nua me inteeson çfare shkruan Gjovalin Gjeloshi, jo kush eshte

  6. andi says:

    Mua me duket se deri tani jane vetem duke u shqyrtuar opsione. Eshte shume mire qe ka shkrime te tilla te pamotivuara politikisht, por qe propozojne zgjidhje. Ministria dhe ekspertet e saj ti marrin dhe ti analizojne te gjitha keto, bashke me analizat qe bejne vete. Pastaj eshte parlamenti qe vendos. Si gjithmone ne Shqiperi do kete kritika pse keshtu e pse ashtu, por ne fund kjo eshte nje ceshtje kompromisi. Me keq se cfare eshte nuk do te behet. Opozita ne vend qe te marre pjese ne diskutim dhe te jape opsione dhe propozime, se i kane dhene te drejte vetoje ne komision, ben ca deklarata boshe per konsensus, etj. Mire eshte te dale me propozime dhe mos ta sulmoje reformen apriori dhe pa arsye. Hajde te behemi nje here bashkepunues dhe te perpiqemi per me te miren.

  7. Billy says:

    Ne ndarjen e re administrative, duhen patur parasysh disa faktore:
    E para- Tradita e Shqiperise. Shqiperia ka patur traditen e lokaliteteve. Dhe pikerisht mbi kete baze mund te ngrihen bashkite e reja. Lokalitetet kane funksionuar si ne kohe te Zogut edhe pas clirimit.
    E dyta: Ne Shqiperi funksionon, ka funksionuar dhe duhet te vazhdoj qeverisja mbi baze njohje. Jemi nje vend qe kemi shume probleme dhe me nje frekuentim te larte te zyrave te shtetit. Ne se do te kemi ndarje me baze vetem bashki qender rrethi, atehere sherbimet do te largohen shume nga hallet e njerezve. Dyndja e tyre drejt zyrave te qytetit do te jete e madhe. Shikoni zyrat e regjistrimit te pasurise dhe perfytyroni c’do te ndodhe. Kryetari i bashkise dhe zyrtaret e saj as qe do ta kene mendjen ne hallet e fshatrave te larget, para halleve te qytetit ku jetojne.
    E treta: Organizimi i para viteve 90, nuk ka qene sic pretendojne te na e sjellin disa qe thone se, komitetet ekzekutive drejtonin dhe zgjidhnin gjithe hallet e rrethit te tyre. Nuk eshte aspak e verete. Komitetet Ekzekutive ishin vetem zbatues te urdherave qe jepnin Komitetet e Partise te rrethit. Fshataret as e dinin se ku binte komiteti ekzekutiv. Per cdo hall qe kishin ata kishin organizimin kooperative ose ferme. Dhe shkonin tek sekretari i byrose te partise, tek kryetari i keshillit popullor, tek drejtori i fermes apo kryetari kooperatives.
    E katerta: Mesa duket ata qe po merren me reformen teritoriale, as qe e kane lexuar fare kushtetuten dhe as ligjin nr. 8652 Per organizimin e qeverisjes vendore.
    Kushtetuta e ndalon shprehimisht ndryshimin e teritorit te komunave dhe bashkive, pa mare mendimin e banoreve te tyre.
    Dhe ligji 8652 percakton REFERENDUMIN formen e shprehjes te mendimit te banoreve.
    Ja pra, perse ata qe po meren me reformen administrative e teritoriale, duhet te qartesohen fillimisht vete ne pikpamje ligjore.
    Ata duhet te kene te qarte, se ne terren ka mjaft persona, shume te zote dhe te zgjuar, mendimet e te cileve do te jene shume te vlefshme.
    Gjithashtu nuk duhet harruar se nje studim pothuaj i perfunduar eshte bere per kete qellim ne vitin 2003, i cili nuk mund te anashkalohet. Kete studim e kane bere njerez te kualifikuar e te perkushtuar, te cilet sot nuk po pyeten, sipas te dhenave qe kemi.
    Doni sukses ne kete reforme. Bejeni me kujdes, dhe mos anashkaloni kushtetuten. Ndryshe, bejeni perseri pas 10-15 vjetesh.

  8. vajzukeja says:

    Gjykon drejt ti artikullshkrues. por mos harro se e keni bere Shqiperine han me disa porta,qellimisht qe ujqit te kene sa me shume mjegull per ti vjedhur ato vota, sic keni bere 8 vjet te shkuara per mos me diskutu 96, merruni me katrahuren, athua mund e ndreqni ju ma mire,apo keni hallin e atyre dreq votave qe svotuan per ju, me 23 qershor, e tani bilbilosni si e ema e Zeqos.
    Edhe gabim te jete krejt projekti, do jete me i mire se katrahura e juaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje