Zbatimi i një reforme të vonuar

5 Mars 2014, 18:44Blog TEMA

Nga Diana Ndrenika

 

Vazhdon prej disa ditësh debati për kalanë e Lezhës dhe projektit të shfrytëzimit  të saj nga një subjekt privat. Kushtet e qiradhënies, kohëzgjatja, destinacioni dhe projekt-propozimi ia vlen të diskutohen në detaj, por vetë ideja e shfrytëzimit të ambienteve të kalave është një temë e shumëpërfolur, zbatimi i së cilës është i  shumëpritur që prej disa vitesh e që duhet mbështetur. Debati për kalanë e Lezhës prezanton  në thelb një nevojë të madhe për një diskutim  të thellë e të gjerë për një reformë në administrimin e trashëgimisë sonë kulturore, që e iniciuar nga qeveria e mëparshme duhej të ishte zbatuar tashmë.

Shteti ynë e ka të pamundur që krejt i vetëm të kryejë mirëmbajtjen, ruajtjen, konservimin dhe restaurimin e këtyre monumenteve brenda standardeve. Përvoja jonë si dhe vetë gjendja e monumenteve e dëshmon këtë. Ky debat përbën në vetvete një lajm të gëzueshëm që të bën shpresëplotë se gjërat më së fundmi do të nisin të lëvizin në drejtimin e duhur. Se do të nisë funksionalizimi i ambienteve të kalave dhe siteve të tjera të trashëgimisë sonë kulturore, çka është më se i nevojshëm në një kohë kur pushteti qendror i vetëm pa partneritet të ngushtë me pushtetin lokal në qytete e fshatra pranë bashkive e komunave, pa  donatorë e kujdestarë privatë të huaj e vendas e ka të pamundur të ruajë, mirëmbajë dhe konservojë sipas standardeve të kërkuara  sitet e trashëgimisë sonë kulturore. Është një bashkëpunim më se i domosdoshëm për gjallërimin, mirëfunksionalizmin dhe shfrytëzimin e tyre si dhe përfshirjen e punësimin e bashkësive të zonave përreth.

Cilido që ka vizituar Butrintin  është mahnitur me bukurinë dhe paqen e tij, por edhe me mirëmbajtjen e monumenteve, të pyllit,  vegjetacionit dhe ujërave. Gërmimet arkeologjike, konservimi i monumenteve, konsolidimi, projektet e trajnimit si dhe një sërë shërbimesh cilësore që ofrohen në ambientet e parkut për turistët janë një produkt unik në të gjithë vendin për nga cilësia e harmonia e tyre. Kjo në mënyrë të natyrshme ka çuar në rritjen e numrit të turistëve si askund tjetër në vend që ka arritur mbi 80 mijë në vit. Butrinti është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të administrimit shtetëror në një Park Kombëtar me donatorët privatë  dhe është modeli i vetëm në vend që ka përfshirë në mënyrë të vazhdueshme trajnimin e punësimin e  bashkësive aty pranë. Kështu për shembull rojet e Parkut vijnë nga Ksamili, suveniret turistike përgatiten në Shëndëlli e Vrinë por edhe në Xarrë. Vozitësit e varkave janë banorë prej nga aty afër. Po ashtu punëtorët e vegjetacionit janë banorë nga  bashkësia përreth. Shkollat e zonës janë pjesë e pandarë e programit të edukimit të parkut. ‘Dita e hapur’ është një aktivitet i gjithëpërfshirjes së komuniteteve me panaire e aktivitete. Orët edukative në ambientet e muzeut apo të dhomës –ekspozitë të Ugolinit pa dyshim janë pjesë e shfrytëzimit funksional të ambienteve. Hapësirat e tjera janë shfrytëzuar për zyra të stafit dhe vendosjen e objekteve, fondeve arkeologjike të gjetura gjatë gërmimeve. Është një ‘qytet’ i tërë i shfrytëzuar me nikoqirllëk, pasion e dashuri sipas një plani administrimi të mirëstudjuar për të shfrytëzuar çdo pëllëmbë sa më dobishëm, për t’i ardhur në ndihmë arkeologut e specialistit të konservimit e të mjedisit, por dhe turistit, mësuesit e nxënësit, pedagogut dhe studentit. Aty gjithçka harmonizohet bukur e në masë për t’i shërbyer tek e fundit sa më mirë turistit. Muzeu, panelet informuese, rrethimi e mbulimi i monumenteve a mozaikëve aty në sitin qendror apo dhe më tej në rrethinat e qytetit antik në fushën e Vrinës janë kryer e kryhen sipas standardeve. Teatri antik përdoret për aktivitete të shkollave të zonës por edhe për festivale e takime ndërkombëtare. Butrinti është një thesar antik i mirëmbajtur që i paraqitet denjësisht vizitorit të huaj dhe vendas sipas standardeve europiane. Butrinti sot flet e dëshmon për fonde e donacione të përdorura në mënyrë profesionale bujarisht me të.

Po çfarë ndodh ndërkohë kudo tjetër në vend?

Pa dyshim kush ka vizituar Sarandën, ka vizituar edhe dy site të tjera me të cilat sarandiotët krenohen që dominojnë qytetin nga mbikodrat aty pranë. Kalaja e Lëkursit dhe Kisha e Dyzet Shenjtorëve janë dy site që rrinë përkundruall njëri- tjetrit dhe rrokin thuajse  njësoj e në të njëjtën përmasë një pamje të mrekullueshme mbi krejt zonën përreth. Njëri krenar dhe i shumë i vizituar- në sajë dhe të restorantit që mban të trupëzuar brenda vetes dhe tjetri një monument shumë i rëndësishëm – rënkon tragjikisht i braktisur e i harruar në pakujdesje.

Po ashtu Voskopoja dhe kishat e saj kanë nevojë të vazhdueshme për mirëmbajtje, konservim e konsolidim por edhe për ruajtje. Aktualisht ‘Fjetja e Shën Mërisë’ është e vetmja kishë e restauruar në mënyrë dinjitoze në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve, mundësuar nga donatorë të huaj. Por rastet e shëmtuara të vjedhjeve të ikonave e ikonostaseve por edhe grabitjes e dëmtimit të kambanave e pikturave murale nuk janë të pakta. Gjirokastra e Berati gjithashtu kanë nevojë për ndihmë e sponsorizime të vazhdueshme  për mirëmbajte e restaurim. Lajmet e rënies së godinave në Gjirokastër  janë bërë të zakonshme. Në dallim, Muzeu i Gjirokastrës është një model i shfrytëzimit të denjë të hapësirës brenda kalasë, por natyrshëm edhe ai është realizuar në bashkëpunim me disa donatorë të huaj. Po ashtu Tuma prehistorike e Kamenicës dhe muzeu i ngritur pranë saj është një model tjetër i suksesshëm bashkëpunimi me donatorë privatë dhe bashkësinë vendore. Për fat të keq modelet e suksesit janë të pakta.

Rrënimi i vazhdueshëm i trashëgimisë është bërë aq i modës sa që titujt e të rejave në edicionet informative për këto çështje nuk përbëjnë më lajm. Lajm do të bënte  reforma, e duhura e shumëpritura që rrok në mënyrë të harmonishme shtetin e privatin, institutet e specializuara e donatorin, kishën dhe komunën, studiuesit dhe menaxherët. Për t’i mirëmbajtur e mirëshfrytëzuar sitet kulturore në funksion të turizmit dhe të bashkësive të banorëve aty pranë. Dhe nuk ka asgjë të pamundur këtu. Shembujt që Anglia, Franca, Italia e Greqia ofrojnë janë modele suksesi të vlefshme  për t’u ndjekur. Le të ndjekim modelet më të mira. Ashtu siç thotë një fjalë e urtë aty ku ka vullnet të mirë ka dhe një rrugëzgjidhje.

5 komente në “Zbatimi i një reforme të vonuar”

  1. Taruli says:

    Hahahaha, i tjerr e i tjerr ato te shkreta llafe e gje nuk thua….Te kam lexuar gjithnje, por gjithmone e kam pas te veshtire per te te kuptuar Nuk e di e ke nga djallezia apo mosdija… Apo te dyja bashke??? Media po cahet nga denoncimet per shkaterrimin e trashegimise e ti krihesh… E kupton qe vendi digjet????

  2. kleo says:

    Fal njerzve si zjn.ne fjale qe mendojne me b… dhe jo me tru, trashgimia kulturore eshte katandis ne nje gare ku fiton ai qe “rivitalizon” me qebaptoren me te madhe. Njerez si ju duhet te lajne gojen 100 here para se te flasin per trashgimine kulturore, jo per gje po aq b… sa keni lepire rrezikoni te na ndotni trashgimin.

  3. tahip shulku says:

    Me dukesh si teto Ollga te “nje shoqe nga fshati”. Prandaj kultura dhe monumente shqipetare kane perfunduar ne kete gjendje! Kush je ti qe na flet per keto reforma? Kush nga “dashamiresit” e monumenteve te ka paguar per te promovuar keto reforma kaq te rendesishme? Ai qe do kalane e ndroqit apo ai tjetri I lezhes apo keta te komepuarit ne butrint? Mi teto ollga rri merr ate rroge nese ta japin nje, dhe mos na jep keto idera perverse ne nje vend ku prona shteterore dhe e te gjith qytetarve eshte keq trajtuar pa leje, imagjino sikur tja japim vete… Ti varesh ujkut melcit ne qafe

  4. Elsa says:

    Meqe parafolesi te ka quajtur teto ollga ashtu po te drejtohem. Zakonisht ju ” moralistet” e trashegimise jeni kryehajdutet qe vidhni leket e mbysni specialistet qe nuk u degjohet zeri. Mbyten aq shume nga njerez si ju sa ngelen me goje hapur te shkretet. Nuk e di ku do shkoje ky vend. Moj teto ollga mos ke ngelur pa marre ndonje kocke nga qeveria qe po lepihesh e ben si dashamirese e trashegimise?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje