Fryma e bashkëpunimit dhe jo e bllokimit duhet të na udhëheqë të gjithëve. Shpresoj që opozita të frymëzohet nga integrimi dhe jo nga bllokimi, që është një sëmundje e vjetër e politikës sonë.
Kështu u shpreh Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në konferencën e përbashkët për mediat me Presidentin e Senatit francez Jean-Pierre Bel, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Ndërsa shprehu vullnetin maskimal të mazhorancës qeverisëse për të bashkëpunuar me opozitën në realizimin e reformave, përfshi këtu edhe atë territoriale, Meta tha se jemi të hapur për një bashkëpunim dhe konsesus të plotë. Në vijim Kryetari i Kuvendit duke e vlerësuar vizitën e Bel në Tiranë si mjaft të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Francës, Meta vuri theksin në rivitalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Në këtë kuadër Meta tha se Shqipëria është një vend i hapur për investimet e huaja, ndërsa i cilësoi investimet franceze si një asset i vyer për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
“Forcim i bashkëpunimit midis dy vendeve, edhe në kuadër të integrimit europian. Pa një ballkan të integruar tërësisht në BE edhe vetë Europa nuk do të jetë e integruar dhe e plotësuar. E falenderova Kryetarin e Senatit francez për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në proceset integruese. E garantova kreun e Senatit të Francës se do të avancojmë me reformat e nisuara dhe do të përmbushim të gjitha prioritetet në rrugën e integrimit”, theksoi Meta. Sipas tij, perspektiva e integrimit në BE është rruga më e mirë që i shërben të gjithë qytetarëve tanë. “Ne besojmë fort tek vlerat europiane, me Ballkanin si pjesë integrale e saj, pavarësisht situatave të vështira ekonomike që po kalon kontinenti ynë”, tha Meta.
Ndërsa, Kryetari i Senatit të Francës Jean-Pierre Bel u shpreh se miqësia mes dy vendeve ka rrënjë të thella, por që duhet të konkretizohet edhe më tej.
“Keni mbështetjen e Francës për të përparuar në proceset integruese në BE. Marrëdhëniet mes dy vendeve do të njohin një dimension të ri dhe ne do të mbështesim aspiratën e popullit shqiptar”, theksoi Bel.
I pyetur sepse Franca i tha ‘Jo’ marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në muajin Dhjetor, Kreu i Senatit francez theksoi se ne nuk i kemi thënë jo perspektivës europiane të Shqipërisë, por është e nevojshme që Shqipëria të krijojë një kredibilitet në rrugën e saj të integrimit.
“Kjo rrugë është shumë e ngadaltë, por kjo shërben për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve aspirante dhe BE. Pra ne kemi thënë që të vazhdojmë sëbashku dhe në muajin qershor kemi një tjetër takim”, theksoi Bel.