Kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Punës Dritan Ylli gjatë një turi takimesh në qytetin e Kukesit, bëri një vizitë inspektuese të kushteve të punës, për të pare nga afër masat teknike dhe ligjore të sigurisë në një kantier ndertimi në këtë qytet. Gjithashtu ai zhvilloi një takim në formë dëgjese dhe bashkëbisedimi me përfaqesuesit kryesorë të sipërmarrjes private të qarkut të Kukësit.
Referuar kontrollit të ushtruar në kantierin e ndërtimit, Ylli tha se ai është në vazhdën e kontrolleve për kushtet e sigurisë dhe shëndetit në pune në sektorin e ndërtimit, që ka nisur në të gjithë Shqipërinë.
“Ky kontroll është në përmbushje të misionit të Inspektoriatit te Punes për rritjen e standarteve të kushteve të punës, për t’i bërë vendet e punës më të sigurta dhe të shëndetshme dhe ka për synim minimizimin e aksidenteve”, sqaroi Ylli.
Sipas tij, Inspektoriati Shtetëror i Punës, e ka parë një domosdoshmeri nisjen e këtij aksioni, duke qenë se rastet e fundit të evidentuara të aksidenteve në punë, i përkasin aktiviteteve të ndërtimit, si dhe situatës së dukshme të punës pa masa mbrojtëse individuale, si kaskat, veshjet përkatëse të punës, rripin e sigurimit, sigurinë e skelave, etj. Kreu i Inspektoriatit theksoi me tej se ky kontroll synon kryesisht që permes informimit, këshillimit, rekomandimeve dhe vërejtjeve të lëna nga inspektoret e punës ne terren, të fillojë të kultivohet një kulturë ndërgjegjësimi për punëdhënësit dhe punëmarresit, që të përdoren pajisjet mbrojtëse individuale, sipas specifikave të proçesit të punës që kryejnë.
Ndërkohë në takimin me përfaqësuesit e sipërmarrjeve në Kukës, Ylli vuri theksin në standartin e ri në marrëdhënien e Inspektoratit të punës me sipërmarrjen private në tërësi, një bashkëpunim dhe komunikim që do jetë i panderprere dhe i vazhdueshëm. Ylli u njoh nga afër me problematikat e komunitetit të biznesit, ndërsa theksoi se “synimi kryesor i këtij takimi, që nuk është i vetmi, i organizuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës është vendosja e një standarti të ri në marrëdhënien e Inspektoratit të Punës me biznesin, ku do të prevalojë bashkëpunimi dhe komunikimi intensiv për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, të cilat kanë të bëjnë me kushtet e sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës, respektimin e kontratës se punës dhe Kodit te Punës me qellim reduktimin e informalitetit dhe punës ilegale”.
Problematikat e konstatuara në sektorin e sigurisë dhe shëndetit në punë janë moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik, mos-marrja e masave mbrojtëse kolektive, mospërdorimi i mjeteve mbrojtëse personale të cilat sjellin aksidente në punë. Gjithashtu është e rëndësishme mbulimi me shërbim mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës, i cili do të vlerësojë realisht sëmundjet profesionale dhe do të mundësojë marrjen e masave për parandalimin e tyre. Ylli u shpreh gjithashtu se në kuadër të standardit të ri të vendosur nga Inspektorati i Punës, me përfaqësuesit e biznesit, ku do te prevaloje bashkëpunimi dhe komunikimi intensiv dhe jo penalizmi, ne ju ftojmë të gjithë ju, përfaqësues të punëdhënësve, por njëkohësisht edhe punëmarrësit te denoncojnë çdo rast të mosrespektimit të legjislacionit të punës si dhe të abuzimit me detyrën apo shkelje te etikes nga ana e inspektorëve te punës.