Java siguron gjithë ndryshimet ligjore për ILDKP-në, gjithë mekanizmat e rinj që sigurojnë gjurmimin e parave të zyrtarëve të lartë. Ngushtohen hapësirat për të krijuar pasuri të paligjshme, një kërkesë edhe e rekomandimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit. Çudia, opozita kundërshton mjetin që do t’u sjellë shumë kokëçarje zyrtarëve të rinj në pushtet
Nga Lorenc Vangjeli*
Duhet të ishte normalisht një nga rastet e rralla që e gjithë politika shqiptare të ishte dakort dhe në një zë, por sërish sherri u bë kryefjalë në ndeshjen mes palëve. Ndryshimet e shumëdiskutuara në ligjin për funksionimin e ILDKP-së, shkaktuan sërish rrëmujën e zakonshme. Fillimisht në komisionin e ligjeve dhe më pas edhe në seancë parlamentare. Në pamje të parë ishte një debat grotesk: synimi i ndryshimeve ishte afrimi i më shumë instrumeve të kontrollit dhe shtimi i mjeteve ligjore për identifikimin e pasurive të dyshimta që krijojnë zyrtarë të shtetit. Me fjalë të zakonshme, thellimi i luftës kundër korrupsionit. Diçka të cilën, të majtë e të djathtë e kanë kryefjalë. Por kësaj here, e majta kërkon të marrë “revansh” në këtë përpjekje, kurse e djathta e konsideron këtë përpjekje si revansh ndaj saj dhe presidentit të republikës që i hiqet e drejta e dekretimit të kryetarit të institucionit.
“Më nevojitet çadra sepse bie shi, por e refuzoj çadrën sepse nuk më pëlqen ngjyra”, ishte në thelb kundërshtimi i ashpër që PD i bën projektligjit.
Revista Java ka mundur të sigurojë tekstin integral të projektit së bashku me relacionin shoqërues. Ndryshimet në të paktën 10 nene të ligjit, në rreth një të katërtën e tij prej 42 nenesh, afrojnë së paku një mundësi më shumë në kontrollin e zyrtarëve të lartë. Askush nuk ka dalë hapur kundër kësaj mundësie, por PD e Berisha, e refuzojnë duke u kapur vetëm në një pikë, në atë që ata e quajnë zhveshje graduale të kompetencave të presidentit të republikës. Kurse për Pandeli Majkon, ish-kryeministër ka dhe një shpjegim tjetër.
“Eshtë si shpjegimi për kulmin e imoralitetit që ndodh kur në një kuplara, gratë akuzojnë njëra-tjetrën për imoralitet”, thotë me një gjuhë të ashpër Majko.
Ndryshimet e plota
Eshtë paraqitur nga një grup deputetësh të majtë.
“Ne marrim shkas edhe nga shqetësimet e ngritura nga vetë drejtuesit e ILDKP-së dhe vlerësojmë se ndryshimet e propozuara adresojnë një sërë çështjesh që mund të ndikojnë pozitivisht në rritjen e luftës kundër korrupsionit brenda sistemit të administatës publike”, thonë ata në relacionin që shoqëron projektligjin.
Sipas firmëtarëve, ky është një reagim institucional për forcimin e instrumentave të kontrollit dhe gjithashtu, vjen edhe si një mbajtje në konsideratë e “…rekomandimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, planit strategjik për zbatimin e MSA-së dhe strategjinë ndërsektoriale për parandalimin, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente…”.
Ka disa mekanizma për ta garantuar një gjë të tillë dhe ligjvënësit e majtë kanë zgjedhur që të gjejnë mënyrat për të shmangur minimizimin e mundësisë që zyrtarët që ushtrojnë funksione publike, t’ju shmangen detyrimeve ligjore ose të “…krijojnë pasuri në mënyrë të paligjshme…”.
Kështu, ulet pragu i deklarimit të sendeve me vlerë dhe shpenzimeve të deklarueshme. Tani e tutje, çdo subjekt do të jetë i detyruar të deklarojë sende me vlerë të veçantë mbi 300 mijë lekë, nga 500 mijë që ishte më parë. Do të deklarojë gjthashtu edhe çdo shpenzim me të njëjtën vlerë, mbi 300 mijë lekë, të kryer gjatë periudhës një vjeçare që kryen vetëdeklarimin.
Ata duhet të demonstrojnë edhe vlerën e likujditeteve në llogari rrjedhëse në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, pavarësisht se këto transaksione janë bërë në monedhën shqiptare apo në valutë të huaj.
Ka pasur një problem të mbartur në vite. Së paku që nga viti 2003 kur për herë të parë në Shqipëri, zyrtarët e administratës së lartë apo të zgjedhurit në nivel qëndror apo lokal, u detyruan nga ligji që të deklarojnë pasuritë e tyre.
“Shumë prej tyre deklaronin sikur dispononin shuma të mëdha në cash, të pakaluara në sistemin bankar. Në të vërtetë këto para nuk ekzistonin, por pritej që të fitoheshin gjatë viteve të shërbimit në postin zyrtar. Pra, paradeklaroheshin para, në lekë shqiptarë apo valutë të huaj, që do të fitoheshin nëpërmjet korrupsionit dhe shfrytëzimit të postit, që nëpërmjet atij deklarimi, quheshin të pastra”, shpjegon një nga inspektoret e ILDKP-së, në kushtet e anonimatit.
Rasti klasik i një epidemie të tillë mashtrimi, të paktën nga media e djeshme dhe ish-opozita, është konsideruar ai i kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha. Në deklarimin e tij të parë të pasurisë, kur ai u bë subjekt i ligjit të kontrollit të pasurisë, Basha deklaroi një pasuri personale të vlerësuar në shifrën e 1 milion eurove. Pak më shumë se 30 vjeç, atëherë zoti Basha e firmosi se kishte në pronësi të tijën një apartament në Hollandë, një tjetër në Tiranë e Durrës, makinë luksi, piktura, ora të çmueshme, unazë diamanti, servis pjatash kineze dhe aksione në bursë.
“Sot i ka padyshim e ndoshta dhe më shumë”, thotë Armando Subashi, një nga firmëtarët e ndryshimeve ligjore.
“Me mjetet e deritanishme ligjore që kemi pasur në dispozicion, edhe duke përjashtuar ndërhyrjen e politikës, ne e kishim të pamundur verifikimin e kësaj pasurie. Sidomos kur bëhej fjalë për të ardhura që disponoheshin cash”, thotë inspektorja e ILDKP-së.
Sipas saj dhe ndryshimit të ri ligjor, askush nuk “…mund të mbajë dhe të deklarojë gjendje cash mbi shumën 1.5 milionë lekë”.
“Për zyrtarët që deklarojnë sipas nenit 5/1 të këtij ligji, depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve cash mbi vlerën e parashikuar (1.5 milionë lekë), është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së interesave private në ILDKP”, thuhet në ligjin e ri të ndryshuar për këtë institucion.
“ILDKP-ja, nga eksperienca e deritanishme ka ardhur në përfundim se shumë zyrtarë, kryesisht deklarues për herë të parë, kanë deklaruar shuma në vlerë të konsiderueshme në cash duke i përdorur më pas këto shuma si burime krijimi të pasurive apo të aseteve, gjë që ka sjellë si pasojë mungesën e transparencës në vështirësinë e verifikimit të burimeve për shtimin e pasurive të tyre”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin. Dhe kështu do të ndodhë. Një detaj interesant: në shënjestër, sipas ndryshimit të ri, janë më së shumti zyrtarët e rinj të majtë që llogjikisht duhet të kenë probleme me deklarimin e tyre. Pikërisht të së majtës që inicoi dhe mbrojti nevojën e fortë për të ashpërsuar kërkesat e ligjit. Duhet të ishte e kundërta, normalisht. Por në Shqipëri, zakonisht rendi i gjerave nuk ndjek një linjë normale dhe logjike. Ndaj të djathtët e kundërshtuan fort serinë e ndryshimeve.
Rritet probaliteti për t’u kontrolluar
Ka dhe një ndryshim tjetër të ndjeshëm. Rritet probaliteti për zyrtarin për të qenë nën kontroll të plotë. Një kontroll që përfshin në mënyrë të detajuar gjithë arsyetimin për ndershmërinë” e pasurisë së tij. Ishte: “Kontrolli i deklarimeve përfshin kontrollet, aritmetik e logjik, dhe verifikimin e miratimin e të dhënave të deklaratës (kontroll i plotë).
Kontrollet, aritmetik dhe logjik, kryhen për çdo deklarim për të vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurisë nga burimet e deklaruara”.
Bëhet: “Për të gjitha kategoritë e tjera të zyrtarëve që i nënshtrohen deklarimit periodik, kontrolli bëhet çdo vit për një numër prej tetë për qind të numrit të përgjithshëm të deklaratave. Përcaktimi i nivelit të përqindjes për çdo grup funksionesh… bëhet nga inspektori i përgjithshëm bazuar në vlerësimin e riskut dhe numrin e zyrtarëve për çdo grup. Përzgjedhja e deklaratave bëhet me short, në prani të medias, të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të sindikatave. Përzgjedhja e një zyrtari në një vit, nuk e përjashton atë nga shorti për vitin pasardhës”.
Ka dhe një tjetër risi në të nesërmen e institucionit. Të gjitha deklarimet e pasurisë do të përpunohen paraprakisht. Dhe kur gjatë këtij përpunimi vërehen gabime materiale apo plotësime të gabuara, inspektoriati njofton subjektin dhe i jep një afat dy javor për ta korrigjuar. Dhe korrigjimi është gjithashtu një detyrim ligjor. Të gjitha deklarimet skanohen, regjistrohen dhe ruhen në sistemin elektronik të ILDKP-së.
Po Presidenti, po kryeinspektori?
Deri dje, Presidenti i Republikës firmoste një dekret të dyfishtë me dy kandidatura alternative. Kuvendi jepte pëlqimin për një të tillë, për zyrtarin që zgjidhej në postin e kryeinspektorit. Në fillim të vitit, kryeinspektorja Zana Xhuka i la vendin me votim kandidaturës së vjetër të Nishanit, Shëlqim Gani, i cili mori detyrën. Tani kjo formulë do të ndryshojë. Ka disa ndryshime thelbësore në të.
Së pari, inspektori i përgjithshëm zgjidhet me shumicën e gjithë antarëve të kuvendit për një periudhë prej shtatë vjetësh me të drejtë rizgjdhjeje.
Së dyti, të ketë vjetërsi në profesion, si jurist ose ekonomist financiar për jo më pak se 15 vjet.
Së treti, mund të shkarkohet nga Kuvendi vetëm me kërkesë të motivuar të jo më pak se një të tretës së deputetëve.
Shkarkimi mund të ndodhë vetëm në tre raste: për shkelje të ligjit për ILDKP-së, për kryerje të veprimtarive që krijojnë konflikt interesi dhe kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij. Por dhe në këto raste, kuvendi vendos për shkarkimin vetëm me shumicën e të gjithë antarëve të tij, pra me 71 vota.
Çfarë do të ndodhë nesër? Në Shqipëri tradita ka demonstruar se zbatimi i ligjit është dhe vullnet politik dhe kur ky vullnet ka munguar, ligji është trajtuar si llastik çorapesh: i përshtatej çdo këmbe.
Mire qe po bejne ligje te reja(edhe PD keshtu veproi kur mori pushtetin)
po a ka mundesi te tregojne se kur do mbledhin miliardate vjedhura,e qe po acarojne popullin,nga ato qe po shohim e degjojme si jemi grabitur deri aty ku nuk mban me?Mblidhni miliaradat nga hajnat,nga pushtetaret,ministrat,deputetet e djeshem e te sotem,se jane shume,shume pasuri,aq shume sa ……paskemi qene komb teper i pasur,paskemi trasheguar pasuri te pa matura nga sistemi i kaluar,me miliarda euro vetem mall ushtrie kemi pasur,mblidhini Zoti Rama,mblidhini,konfiskoini se jane djersa e brezave……Ligje beni perseri,por mos haroni te konfiskoni ato te grabiturat,se po i late ato,atehere pyet populli; KETA QE I DININ KUSH I KA GRABITUR DHE NUK I KONFISKUAN,A THUA EDHE VETE KESHTU DO VEPROJNE? KESHTU THOTE POPULLI,SE PROVA TE TJERA NUK KENI DHENE DERI ME SOT,PAS 8 MUAJ NE QEVERI.
RINIJA SHQIPETARE ME E POSHTERUARA E ME E VJEDHURA NE BOTE
Kush ndihet akoma shqipetar te perkrahe e jape mendim ne tere te perditeshmet e mjetet e informacionit per nismen:”KU JANE DEPOZITUAR PARATE E SHQIPETAREVE E PASURIJA E SHQIPERISE”.Pse jemi ne borxh e kujt ja kemi per borxh.KREU I BANKES SE SHQIPERISE E I PROKURORISE NE PARLAMENTIN E POPULLIT NE TRASMETIM DIREKT TI JAPIN PERGJIGJE PYETJES PO QE SE NUK JANE TE INKRIMINUAR E JANE AKOMA PJESE E KETIJ POPULLI.
O “shqiptar”,po te kishte pushtetare,deputete,politikane,kryekomunare,e kryebashkiake,gjyqtare e prokurore te pa inkrimininuar ky vend,nuk ishin grabitur miliarda euro te djereses e gjakut te ketij populli,por nuk ka,se po te ishte ndryshe sot nuk do jetonte ne mizerje ky komb,ketu e matane kufirit ne kosove.Ketu nuk ka rini….ka vetem njerez qe zvariten ne token e bukur te lene nga brezat dhe qe u perçudnua ne 23 vjet.Besoj kaq te duhet te kuptosh se si ka degraduar natyra e kesaj parajse dhe te kuptosh,se ne kete vend,kane mbetur,mjeranet,ketu nuk as shoqeri civile,as sindikata,as njerez Atdhetare,as njerez qe ti peshoje fjala(edhe ata pak qe kane mbetur jane te trembur nga mafjozet e majte e te djathte e heshtin),nuk ekziston kultura demokratike,etj,etj….Prandaj gjej ndonje rruge tjeter per te ndryshuar mizerjen ku jeton ky popull.
ndryshimet e ligjit nuk jane konsultuar me askend tjeter vec metes dhe drejtorit te It se tatimeve spartak brahos. nje parlament te fshehe pasurine e ilirit, turp i madh i kesaj klase politike.
te gjitha ndryhsimet jane te kritikueshme dhe favorizojne korrupsionin. keni per ta pare qe do hidhen ne plehra bashke me regjisorin