Berisha akuzon qeverinë për thyerjen e embargos me Iranin. Rama: Po, ka ndodhur, por kur qeverisnit ju/ Debatet në Kuvend (VIDEO)

8 Maj 2014, 09:49Politika TEMA

Kuvendi u përfshi nga debatet dhe akuzat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, në një kohë që seance nisi me 1 minutë heshtje në nderim të shkrimtarit dhe përkthyesit Amik Kasoruho pas ndarjes nga jeta. Në vijim seance vijoi me diskutimet e deputetëve dhe paraqitjen e amendamenteve nga ana e ligjvënësve të opozitës në lidhje me kalendarin e punimeve të Parlamentit. Seanca u përfshi nga debatet e forta, deri në ndërprerjen e saj, pasi deputetët demokratë dolën në foltoren e Kuvendit, pasi drejtuesi i seancës Vangjel Dule nuk i dha fjalën ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Berisha: Komision hetimor për thyerjen e embargos me Iranin

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në Kuvend në lidhje me thyerjen e embargos ndaj Iranit, duke akuzuar Qeverinë se ka blerë naftë nga Irani. Berisha tha opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për të qartësuar lajmet e përhapura së fundi në disa media ndërkombëtare, për thyerjen e embargos së naftës me Iranin nga ana e Shqipërisë. Duke e quajtur këtë një akt të rëndë, Berisha u shpreh se po cënohen rëndë marrëdhëniet me dy aleatët e Shqipërisë, SHBA dhe BE.  Lidhur me këtë çështje, Berisha ka kërkuar raportimin në Parlament të Kryetarit  të Kuvendit Ilir Meta, ndërsa theksoi se opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të shqyrtojë këtë rast.

“Denoncoj në emër të grupit një problem tmerrësisht serioz, Shqipëria ka thyer embargon e naftës me Iranin. Aleati juaj e di mirë vizitat e shpeshta në Iran, që janë zhvilluar nga ekspertët më kryesorë të opozitës së mëparshme, për arsye të cilat pyesni zotin Meta, për raste të cilat i dinë ata vetë. Kanë lidhje, s’kanë lidhje këtë nuk e di, por thyerja e embargos përbën një akt shumë të rëndë ndërkombëtar. Qeveria ka thyer embargon me Iranin, me blerjen e naftës, një akt i rëndë kombëtar e ndërkombëtar. Qeveria ka heshtur, Irani e ka mohuar. Potenciali i Iranit është rrezik për paqen. Në Iran janë bërë vizita të fshehta dhe po cënohen marrëdhëniet me 2 aleatët tanë. Opozita nuk ka asnjë lloj mëdyshje në qëndrimin e saj të prerë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, pasi ne nuk mund të pranojmë që interesat kombëtare të shiten në këtë mënyrë dhe të bashkëpunohet më armiqtë e kombit shqiptar. Ç’është kjo dashuri në një kohë të papërshtatshme? Kam respekt për qytetërimin iranian, por vendet e Gjirit janë shtete të gjithë tmerrësisht të kërcënueshëm. Ilir Meta të vijë të raportojë në Kuvend”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha ka sulmuar sërish deputetin e PS-së Koço Kokëdhima, duke e akuzuar për vjedhjet në Albpetrol ndërsa e këshilloi “mos vidh”. Ndërkaq, Berisha ka denoncuar vjedhjen e 500 metër tokë në Golem, sipas tij nga Këshilltari i Ramës, Alket Hyseni. “Këshilltari i Ramës, Alket Hyseni pushtoi 500 metër tokë në Golem. E pushtoi tokën në emër të INUK. Tani hodhet në erë edhe kampin e punëtorëve. Diçka fshihet pas kësaj shembje”, tha Berisha.

Rama: U thye para 1 viti

Kryeministri Edi Rama reagoi në Kuvend ndaj deklaratës së bërë nga paraardhësi i tij në postin qeveritar në lidhje me thyerjen e embargos me Iranin. Rama theksoi se fatkeqesisht nga letrat që kemi ne dhe pala tjetër, Shqipëria e ka thyer embargon e naftës me Iranin, por sipas tij, publikimi që lidhet me këtë çështje, është i para një viti. Rama akuzoi opozitën se kjo është një e vërtetë e hidhur, e cila ka ndodhur në kohën e qeverisjes së mëparshme, e cila sot po e përdor për të akuzuar Qeverinë e sotme.

“Fakti që sot po tentoni ta përdorni kundër nesh këtë çështje, ju bën që të ndjeheni përgjegjës. Në informacionin e bashkërenduar me partnerët, rezulton se gjatë periudhës shtator 2013 dhe në vazhdim nuk ka asnjë deklaratë dhe fakt që të lidhë Shqipërinë me eksportin e vajit bazë nga Irani, i cili është zhvilluar në kornizën e 5 hyrjeve të mëparshme”, theksoi Rama.

Sipas tij, kompania që ka bërë këtë do të kalojë në skaner të plotë.

“Më detyruat të dal këtu dhe t’u them se po ka ndodh, fatkeqësisht ka ndodhur, bazuar në dokumentacion që disponohet qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh., Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por dhe duke u përpjekur të respektoj paraardhësit. Nuk dua se ajo çka do them, të shfrytëzohet në dëm të Shqipërisë. Më vjen keq për ata që u besojnë dhe shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare. Ndërkohë, publikimet e sotme i përkasin vitin të shkuar. Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë-Thana”, tha Rama.

Kryeministri ka saktësuar edhe kur ka ndodhur importi dhe sasia që është importuar. Ai ka saktësuar se importimi është bërë në datat 4, 18 dhe 25 mars 2013.

“Dogana hyrëse Qafë –Thanë, dogana Tiranë, vendi eksportues Irani numër deklarate 12718. Pesha neto 21500 kg DATA 04, 03, 2013. Dogana hyrëse Kapshticë, dogana Tirana vendi eksportues Irani numri i deklaratës 14752 kodi 42710 data 18,03, 2013. Dhe për të qenë i saktë datat janë 4, 18 dhe 25 mars 2013. Qafë- Thana dogana hyrëse, dogana Tirana vendi eksportues Irani, pesha 21820 kg dhe e fundit dogana hyrës Qafë Thanë. 25 mars, pesha 21780 kg. Kaq për sot, fillo hetimin se do dëgjosh të tjera”, u shpreh Rama.

Batutat e Ramës

Referuar daljeve të shpeshta të ish-Kryeministrit Berisha në foltoren e Kuvendit, Rama reagoi përmes një batute. “Sa herë del këtu me atë në dorë dhe e paraqet si provë, me kujton një fjalë të avokat Ngjelës. Ai më ka thënë se Saliu ka problem me tastierën, përdor vetëm sent dhe delete, ndërsa numrat ia mban Fahriu në një bllok”.

Kundrejt kësaj batute ka tentuar të reagojë ish-Kryeministri Berisha, por një ndërhyrje e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta duket se i ka prerë hovin. “Nuk ishte gjë, për Fahriun më shumë më takon të reagoj unë sesa Berisha”, theksoi Meta.

Ish-kryeministrit Berisha këmbënguli se organizmat ndërkombëtare flasin për thyerje të embargos nga Shqipëria në vitin 2014.
“Raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në Vjenë thekson se në maj 2014 në importuesit e naftës iraniane përfshihet dhe Shqipëria e Siria dhe është papërgjegjshmëri t’u thuash shqiptarëve se nuk ke asnjë dokument”, iu drejtua Berisha kryeministrit Rama.

Kokëdhima i përgjigjet akuzave të Berishës

Deputeti socialist Koço Kokëdhima i është kundërpërgjigjur akuzave të ish-Kryeministri Sali Berisha, duke i thënë se, “ti në 25 vjet qeverisje e fute vendin në katastrofë”. Më tej Kokëdhima, tha se ishte Berisha ai që nuk bëri një ngatërresë të vogël, por e la vendin pa pyje, pa bregdet, i la shqiptarët pa para, pa shëndetësi etj. Sipas tij, Berisha është kthyer në një personazh komik për popullin dhe askush nuk e beson, duke shtuar se njerëzit që qëndrojnë para televizorit dhe shikojnë Berishën tallen me mashtrimet e tij të paskrupullta dhe të shpifura .

“E ndoqa me vëmendje zotin Berisha dhe besoj se dhe ai është dakord se këtu nuk bisedohet dhe nuk ka dëgjim dhe komunikim të sinqertë. Saliu nuk flet dhe as dëgjon sinqerisht. Nuk është në një sallë Kuvendi por është në miting. Thelbi i gjithë sjelljes së Saliut është ta kthejë Parlamentin në një gjyq publik të kundërshtarëve. Ai është 70 vjet dhe me një karrierë të gjatë dhe e di se e udhës për një vend normal do ishte që politikanët mos e kthejnë Parlamentin në një miting, e komedi ku bëhet gjyqi i kundërshtarëve. Saliu dhe çdo politikan tjetër duhet të ndiqnin rrugën ligjore për çdo fakt komprometues që disponojnë. Kjo nuk është një ngatërresë e vogël. Me këtë strategji parlamenti arratiset nga përgjegjësitë e vërteta të politikanëve. Sjelljet e mashtrimet tuaja janë aq të pa skrupull, ju bën dhe jeni shumë qesharak. Këto mijëra viktima që mbolle ti, shohin televizor dhe qeshin me ty. Ty të njeh çdo shqiptar dhe nuk mashtrohen dot. Unë nuk kam frikë nga shpifjet e tua”, u shpreh Kokëdhima.

Përplasja Topalli- Dule 

Pas fjalës së kryeministrit Rama, ish-kryeparlamentarja Topalli fillojë të debatojë, ndërsa Nënkryetari i Parlamentit Vangjel Dule, ia ktheu duke i thënë se seanca tashmë drejtohet prej tij, dhe jo më nga ajo.

 “Çfarë ka ndodhur zonja Topalli, ju lutem shumë respektoni. Nuk keni asnjë të drejtë të shpjegoni veç vetes suaj. Ju lutem shumë. Gjerat kanë një rregull dhe një rend. Po bëheni kolegji më problematike për zhvillimin e seancave. Nuk do të jetë parlamenti që do të drejtoni ju, harrojeni ju”, tha Dule.

Situata u përshkallëzua edhe më shumë kur pas fjalës së kryeministrit Rama, deputeti demokrat Sali Berisha kërkoi sërish të marrë fjalën, çka nuk u lejua nga nënkryetari i Kuvendit.

Seanca është përfshirë në debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, duke e detyruar drejtuesin e seancës Dule ta ndërpresë atë për disa minuta.

AMA, debate pozitë-opozitë

Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan në Kuvend anullimin e procedurave të inicuara nga mazhoranca, që kërkon ndërprerjen e mandateve të katër anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), përfshi dhe kryetaren, Endira Bushati.  Kryetari i komisionit të Medias Genc Pollo, e konsideroi të paligjshëm ndëprerjen e mandatit të kreut të AMA-s, e cila, sipas tij, duhet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2016.

“Kjo qasje e mazhorancës ka të bëjë me monopolizimin e pushtetit dhe kapjen e gjithçkaje, nga një qeveri që nuk i njeh parimet e shëndosha të Europës për ndarjen e pushteteve. Po marrim një institucion që nuk është i pavarur, INSTAT-i, që ishte dhe viktima e parë e zgjerimit të pushteteve. Drejtoresha e Përgjithshme, Ines Nurja, u shkarkua në kundërshtim me ligjin, duke qënë një personazh që nuk kishte lidhje me PD-në. Personi që emëroi kryeministri ishte shquar në debate si mbrojtës i opozitës së atëhershme dhe kritk i politikave ekonomike të qeverisë së mëparshme”, tha Pollo.

Por në reagimin e tij, nënkryetari i komisionit të Medias, Alfred Peza, theksoi se mazhoranca nuk merret me emra të përveçëm dhe se vendimet e saj mbështeten në ligj.

“Opozita ka shumë çështje për të cilat do t’i bëjë beteja politike dhe më pas t’i shndërrojë në kauza. Pikërisht, në një kauzë po tenton ta shndërrojë dhe vendin e punës së kryetares së AMA-s. Në shtator 2012 ju (opozita) i kishit mundësitë që t’ia jepnit asaj postin në mënyrë të ligjshme, edhe për një mandat tjetër. Ne nuk bëjmë betejë me emra, por me ligje”, tha Peza.

Ai ftoi sërish opozitën që të bashkëpunojë dhe të përfshihet në procesin e zëvendësimit të katër anëtarëve të rinj të AMA-s, përfshi dhe postin e kryetares, i cili tha ai eshte vakant që nga shtatori 2012.

Bregu: Kuvendi të detyrojë Qeverinë për të zbatuar vendimin e Kushtetueses  

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, deputetja demokrate Majlinda Bregu kërkoi nga Kuvendi të detyrojë Qeverinë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Nënpunësin Civil.  Bregu paraqiti një amendament në Kuvend, sipas të cilit mazhoranca duhej të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të rikthente në detyrë të gjithë nënpunësit e administratës që u pushuan padrejtësisht nga puna.

“Se çfarë respekti ka kjo qeveri për administratën e pamë më 1 Maj në panairin e kingave”, theksoi Bregu.

Në vijim ajo theksoi se numri i të larguarve nga administrate është 7 mijë, ndërsa ministrat nuk i janë përgjigjur kërkesave të deputetëve demokratë në lidhje me numrin e personave që janë pushuar nga puna.

Balla: 2 në 3 të larguar nga administrata humbën gjyqet

Deputeti socialist Taulant Balla duke reaguar ndaj kërkesës së bërë nga ligjvënësja Majlinda Bregu tha se më në fund pas 8 vitesh, ministrat po i përgjigjen çdo kërkese që shtrohet për ta nga ana e deputetëve. “Për 8 vite, ish-spikerja e Kuvendit bllokonte çdo kërkesë të deputetëve të opozitës së asaj kohe, kur na thuhej se kërkesat tona ishin jo kushtetuese, nuk ishin komform ligjit etj etj”, theksoi Balla. Në vijim duke iu referuar numrit të punonjësve të administratës së larguar nga puna, Balla theksoi se janë vetëm 1200 punonjës që i janë drejtuar gjykatës, nga të cilat vetëm 400 janë fituar në shkallën e parë nga paditësit.

“Pra 2 në 3 raste fitohen nga shteti.  Amendamenti juaj kërkon të shkrijë Gjykatën dhe të rikthejmë në punë të gjithë ata që janë pushuar. E latë pushtetin me 5700 kontrata të përkohshme, madje një pjesë e tyre i gënjyet dhe nuk u paguan. Kishte 6 mijë mësues me kontrata të përkohshme, madje ka pasur shkolla që kishte 6 mësues për 8 nxënës, duke lënë një model tuajin në këtë drejtim.  Këtë e bënit për të mbledhur vota, ju duheshin votat bënit kontrata të përkohshme”, theksoi Balla.

Ndërsa në lidhje me shifrat e pretenduara nga opozita për të larguarit nga Ministria e Drejtësisë dhe institucionet në varësi të saj, Balla ironizoi duke thënë “të liruarit nga burgu për shkak të Ministrisë nuk janë punonjës të Ministrisë së Drejtësisë”.

Topalli: Enverizmi është në sallën e Kuvendit

Ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në fjalën e saj në seancë u ndal në debatin e ditëve të fundit mbi nderimin me grusht apo përkuljen para fotos së diktatorit Hoxha të ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.

“Ajo që kemi parë në varrezat e Përmetit me nxënësit me grusht, ajo që pamë në Berat kur ministri i Drejtësisë u përkul para kriminelit, Hitlerit të Shqipërisë, ajo që kemi dëgjuar qysh në ditët e para që kur kjo Qeveri  erdhi në pushtet, nuk janë rastësi. Enverizmi nuk është vetëm shfaqja e portretit, enverizmi nuk është vetëm grushti që detyruat fëmijët e vegjël, enverizmi është i pranishëm edhe në këtë sallë”, theksoi Topalli.

Në vijim duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës,  ish-Kryeparlamentarja theksoi se “Ju kur përkuleni nuk i shihni portretet, mbyllni sytë dhe bëni sikur nuk dini se cfarë keni përpara? Unë e shoh si provokim dhe duhet të kërkoni të falur për të gjitha krimet e asaj periudhe, por ajo që më shqetëson është se gjithçka që ndodh në këtë sallë, varfërimi i shqiptarëve, urrejtja, gjuha e kërcënimit, arroganca, marrja e kompetencave të Presidentit, uzurpimi i institucioneve të pavarura, janë enverizëm”.

Në fund të fjalës së saj, Topalli i drejtoi një apel shqiptarëve që të mos presin rradhën, por të reagojnë pasi sipas saj ne ia kemi borxh fëmijëve tanë të ardhmen.

6 komente në “Berisha akuzon qeverinë për thyerjen e embargos me Iranin. Rama: Po, ka ndodhur, por kur qeverisnit ju/ Debatet në Kuvend (VIDEO)”

  1. beqiri says:

    E po e di mir ku e ka shkaterruar kete vend ky plera, e di mir ku godet tani te gjerat qe i ka bere vet.

  2. idealist says:

    Po kapem nga fundi… Flet për “kërcënime dhe arrogancë”, Xhozefina Topalli…(!!!) O Zot! Një fytyrë të tillë palaçoje, me lëkurën shollë, nuk do të mund ta kishin as rrugaçë e kriminelë mafiozë…Megjithatë, e kanë të gjithë pasuesit e Saliut, duke treguar çdo ditë e më shumë, se janë fundërrina e pjesa më e ndyrë e kombit… Pa u “çliruar” prej tyre, nuk ka përparim…

  3. kuvend,parlament, drejtues shteti,e etj. keto jane fjalet me te larta per nje shtet,kushdo qofte ai. parlamenti shqiptare: bar,kafe,bordello, bythqira, kurva. ky eshte parlamenti yne dhe keta jane parlamentaret tane.
    njerez pa seder,njerez pa karakter,njerez pa seder.me pak fjale persona qe nuk kane asnje lloj etike. sa dote vazhdoje kjo situate? debila,pijanece,
    qe e kan kthyer parlamentin ne kuplara,bordello.e si mund te jete me keq.
    persona pa asnje lloj niveli.cfare dote mesojne shqiptaret nga keta drejtues te larete te shtetit qe na drejtojne per 23 vjet??? jam 43 vjec
    dhe banoj ne itali prej 20 vjetesh, me vjen keq ta them por me vjen turp dhe besoj nuk jam i vetem te them qe jam shqiptare.opozite qe kerkon me te gjitha menyrat te mbroje te pambrojtin qofshin keta edhe me rriskun nderkombetare duke akuzuar ushtrine ne teresi. ky eshte kulmi. nuk gjej dot fjale sesi ta peshkruj parlamentin dhe parlamentaret tane, qe vetem parlamentare nuk mund te jene. keta persona ku i akne bere nje shplarje truri dhe ne vend te trurit i kane vene telekomande dhe jane me keq se rroboti i telekomanduar. TURP,TURP,TURP:

  4. Arben says:

    ORE PO PERSE, CFARE KA NAFTA E IRANIT QE NUK BEN.

    KETO JANE LLAFE KOTI EDHE VENDET QE JANE NE “BALLE” TE SANKSIONEVE NDAJ IRANIT, NDONJEHERE E “DREDHIN” KUR ESHTE LEVERDIA EKONOMIKE.

    ME ZHVILLIMIN E EKONOMISE, PUNESIMIN, SIGURINE E JETES A KA NJERI QE MERRET NE KETE VEND SE PO DEGJOJME VETEM MUHABETE HORDHA PORDHA.

  5. Lumjani says:

    Po eshte e vertete qe Sali Berisha e theu embargon ne 1992 vendosur kunder Jugosllavise. Nuk merakoset per kete? Nuk deshiron te ngreje nje komision parlamentar per hetime mbi kete ngjarje te dhimbeshme?. Me ate nafte e benzine u furnizua makina serbe e luftes ne ish-Jugosllavi.
    Ne ndergjegjen e tij peshojne – ndonese ne menyre te terthorte – edhe viktimat e Srebrenices. Kete mos ta harroje!

  6. Erenik Doli says:

    Edhe transporti i droges me aeroplane eshte bere ne kohen e Berishes. Burre me te qelbur nuk ka pjelle nena shqiptare, me besoni Saliu eshte me qelbesire se Sllobodani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje