Ministeriali i Selanikut/Fyle: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor në BE. Bushati: Zgjerimi të jetë i besueshëm

8 Maj 2014, 12:55Politika TEMA

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Deklarata u bë nga komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle gjatë Konferencës Ministeriale që po zhvillohet në Selanik të Greqisë dhe që në qendër ka zgjerimin e Bashkimit Europian. Komisioneri Fyle deklaroi se zgjerimi me Ballkanin Perëndimor sjell paqe, stabilitet dhe prosperitet.

“Deklarata e Selanikut të vitit 2003 – një deklaratë ku Bashkimi Evropian përsëriti mbështetjen e saj pa ekuivoke për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nuk kishte asnjë dykuptimësi. Deklarata e shprehur qartë theksonte se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, një perspektivë e nënvizuar disa ne vazhdimësisë nga zyrtarët Europiane”, deklaroi Fyle. Ai thekson edhe rëndësinë e marrëveshjes Kosove-Serbi e cila demonstron mjaft qartë rëndësinë e bashkëpunimit dhe pajtimit.

Duke risjellë në vëmendje arritjet e Samitit të Selanikut, gjatë të cilit u rikonfirmua e ardhmja e vendeve të rajonit në BE, Konferenca e 8 majit rikonfirmoi mbështetjen e vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë  Evangelos Venizelos, Komisoneri për Zgjerimin  Štefan Fyle, ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë Federica Mogherini, si dhe pjesëmarrës të tjerë, ndanë mendimin se politika e zgjerimit të BE-së nuk është pjesë e problemeve me të cilat përballen vendet anëtare, por pjesë e zgjidhjes së tyre. Kjo politikë e ka mbajtur Evropën të sigurt dhe në paqe, ka transformuar e modernizuar vendet ish-komuniste, duke u dhënë qytetarëve të tyre paqe, liri dhe prosperitet.  Ata vlerësuan përparimin e bërë në agjendën evropiane të secilit vend të Ballkanit Perëndimor dhe analizuan sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit për sa i përket sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Të pranishmit shprehën vlerësimin se, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të kenë një perspektivë të qartë evropiane. Por pavarësisht nga arritjet, pjesëmarrësit në Konferencë e konsideruan të rëndësishme gjetjen e rrugëve dhe mënyrave të reja për të nxitur më tej agjendën evropiane të rajonit dhe për të konkretizuar impaktin e saj në jetën e banorëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo axhendë integrimi duhet pasuruar me projekte të mbështetura nga BE-ja dhe investitorë privatë. Në këtë pikë, theksi u vu në jetësimin e projekteve me impakt rajonal, si korridoret 8 dhe 10, projektet TAP dhe IAP.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati foli për rëndësinë që perspektiva evropiane ka për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Duke u dhënë këtyre vendeve perspektivën e një të ardhmeje të përbashkët, proceset e integrimit evropian inkurajojnë ndjenjën e bashkëpunimit rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe gjithë përfshirjen”, tha ai.

Krahas rezultateve pozitive, të pamohueshme për sa i përket bashkëpunimit rajonal, Ministri Bushati u shpreh se “është e rëndësishme që procesi i zgjerimit të jetë i besueshëm, i qëndrueshëm dhe të ketë parashikueshmëri, në mënyrë që të jetësohet procesi i normalizimit dhe i bashkëpunimit rajonal.”

Dinamika e zgjerimit, tha Ministri Bushati, “duhet mbështetur në dy parime themelore, përforcimi i bashkëpunimit rajonal duhet sinkronizuar me një perspektivë shumë të qartë evropiane dhe euro-atlantike të të gjithë rajonit dhe nevoja për një proces zgjerimi që orientohet nga projekte me impakt ekonomik rajonal”.

 Ministri Bushati vuri në dukje se, për Shqipërinë, perspektiva e anëtarësimit evropian shërben si një nxitje e pazëvendësueshme për kryerjen e reformave të thella dhe të gjithanshme, nëpërmjet të cilave synohet ndryshimi dhe modernizimi i vendit, si dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve. Ai nënvizoi arritjet e vendit, për sa i përket plotësimit të kritereve për statusin e vendit kandidat, dhe shprehu besimin se këto arritje do të njihen nga vendet anëtare në takimin e Këshillit të BE-së në qershor.

2 komente në “Ministeriali i Selanikut/Fyle: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor në BE. Bushati: Zgjerimi të jetë i besueshëm”

  1. beqiri says:

    Bravo ministrit per punen qe po ben, kurr nuk ka pasur Shqiperia marrdhenie kaq te mira me vendet e tjera.

  2. aliona says:

    Qeveria shqiptare po ben perpjekjen maksimale per tiu bashkuar Bashkimit Europian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje