Komisioni i Etikës, asnjë fjalë për trukimet në Superiore. Heton një ndeshje të…U19

15 Maj 2014, 19:20Sport TEMA

Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, nuk ka përmendur në asnjë fjalë gjatë mbledhjes së radhës, akuzat për trukime dhe tolerime në javët e fundit të Kategorisë Superiore.

Pritshmëria ishte e madhe për mbledhjen e radhës së Komisionit të Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, pas zhvillimeve të javës së fundit në kampionatin kombëtar, ku ishin disa takimet që u përfolën si të toleruara, në të cilat fituan praktikisht të gjitha skuadrat për të cilat kishte mbetur diçka në lojë kundrejt kundërshtarëve që i kishin arritur apo i kishin tanimë të pakapshëm objektivat. Por, me sa duket diçka e tillë nuk ka rezultuar për organin që është krijuar enkas për të survejuar ndershmërinë e lojës, që nuk ka patur si objekt gjykimi asnjë ndeshje të Kategorisë Superiore, siç konfirmohet në komunikatën zyrtare për shtyp të FSHF-s, raportonn Sport News.

Por, Komisioni i Etikës është marrë vetëm me një ndeshje të U19.

Në komunikatën e FSHF-së bëhet e ditur se Komisioni i Etikës, në lidhje me deklaratat publike për trukime të futbollistit të Tomorrit U-19, Daniel Zere, është thërritur dhe dëgjuar trajneri Arben Arbri, ndërsa vetë futbollisti megjithëse kishte patur njoftimin për paraqitje, ka munguar në mbledhje.

Gjithashtu, Komisioni i Etikës ka vendosur të thërrasë në mbledhjen e ardhshme zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit për ndeshjen mes Kamzës dhe Tërbunit, për të shqyrtuar problematikën në lidhje me vlefshmërinë e titullit të golashënuesit të Kategorisë së Parë, në ndeshjen në fjalë Kamza fitoi 6-5 dhe plot 5 gola u shënuan nga Agastra, i cili kryeson klasifikimin e golashënuesve në fund të kampionatit me 21 finalizime. Në drejtim të tij pati akuza publike nga sulmuesi i Butrintit, Rraboshta, që e akuzoi se i kishte vjedhur Këpucën e Artë me gola të falur.

Tashmë çështja e Këpucës së Artë të Kategorisë së Parë është zyrtarisht nën hetim dhe Komisioni i Etikës mund të vendosë edhe mosdorëzimin e këtij çmimi. Por, gjithsesi një çështje e tillë mbetet thjesht një thërrime në tavolinën e takimeve që u përfolën në javën e fundit e mbi të gjitha në komunikatën për mbledhjen e fundit nuk ka asnjë fjalë për Kategorinë Superiore. Ndoshta është vërtet çështje etike!

2 komente në “Komisioni i Etikës, asnjë fjalë për trukimet në Superiore. Heton një ndeshje të…U19”

  1. Malo says:

    Ky eshte komisioni i MAFIES dhe ne krye qendron Presileshi i zgjedhur me unanimitet. Kjo Federate duhet shkrire. Bashke me te duhet ti hiqet titulli edhe Skenderbeut. Ndryshe nuk duhet te flasim per futboll ne Shqiperi.

  2. Murlani says:

    Sa te jete Duka çdo vit dote dale Korça kampione .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje