Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore, pa praninë e opozitës, me zv.ministrin e Jashtëm Sokol Dervishaj mbi “Dokumentin e Strategjisë të Sigurisë Kombëtare”.
Në cilësinë e drejtuesit të grupit të punës për hartimin e këtij drafti, Dervishaj bëri të ditur se një ndër risitë e tij është zgjerimi i kuptimit të konceptit të sigurisë si dhe krijimi i një agjencie pranë ekzekutivit, e cila do të jetë një instrument që do të merret me çështjet e sigurisë kombëtare, duke grumbulluar dhe filtruar informacione që vijnë nga institucione të specializuara.
“Një nga risitë më të rëndësishme të dokumentit të strategjisë së sigurisë kombëtare do të jetë ngritja e një departamenti apo agjencie pranë ekzekutivit, i cili duhet të jetë një instrument permanent që merret me çështjet e sigurisë kombëtare, përmes grumbullimit dhe filtrimit të informacioneve që vijnë nga institucione të specializuara. Këto informacione, më pas do të kthehen në informacion të përpunuara, që do t’i vihen në dispozicion ekzekutivit, parlamentit dhe çdo institucioni që ka përgjegjësi direkt për implementimin e një strategjie të sigurisë kombëtare, duke e përballur frontalisht dhe me koherencë ndaj pasigurisë, pra ne duam të punojmë për parandalimin dhe jo pas-reagimin”, deklaroi Zv.Ministri i Jashtëm.
Sipas tij, krijimi i kësaj strukture është i nevojshëm pasi vendi ka një qasje të fragmentizuar ndaj problemit dhe se nuk ka një strukturë permanente, ekzekutive, në mënyrë që të informojë dhe të prodhojë një informacion të specializuar, të filtruar dhe të koordinuar, që më pas t’u vihet në dispozicion institucioneve vendimmarrëse. Zv.Ministri i Jashtëm nënvizoi se përmes këtij dokumenti do të arrihet që të ketë një strategji kombëtare që në vetvete do të jetë shtysë e do t’i hapë rrugën ndërtimit të strategjive sektoriale në raport me qëllimet e saj dhe me detyrimet që Shqipëria ka në raport me detyrimet e brendshme, si siguria energjetike, siguria ushqimore, mjedisore, etj.
“Të qenit anëtar i NATO-s ka detyrimet dhe përftimit e saj, prandaj pasja e një Strategjia të re kombëtare të sigurisë e cila ofron një qasje të re për vendin në raport me pozicionin e tij ndërkombëtar dhe me rolin që ai luan në rajon, por dhe në raport me procesin e integrimit.”, tha Dervishi. Megjithatë, pavarësisht kësaj qasje dhe ekuilibri të ri ne nuk kemi lënë jashtë vëmendjes dhe problematika që janë tradicionale. Ngjarjet në Ukrainë, na risjellin në vëmendje që konfliktet në afërsi apo në kufijtë gjeografikë të rajonit tonë janë elementë që nuk duhen nënvlerësuar apo anashkaluar dhe duhen marrë në konsideratë në elementët e sigurisë”, tha ai.
Në përgjigje të pyetjes së bërë nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho se cilët janë hapat ligjorë që do të merrem dhe nëse ka një afat për ta përfunduar këtë draft, Dervishi u shpreh se drafti është në përfundim të hartimit dhe në ditët në vijim do të konkludohet me draftin përfundimtar që do iu shpërndahet të gjitha institucioneve të cilat janë pjesë e këtij procesi, por dhe shoqërisë civile, Kuvendit dhe partnerëve të rëndësishëm me të cilët po punohet në këtë proces.
“Shpresohet që miratimi i tij të bëhet brenda shtatorit, kur dhe Shqipëria do të marrë pjesë në Konferencën e NATO-s në Britaninë e Madhe për përfaqësuar pas pesë viteve me një strategji të denjë për vendin tonë”, sqaroi ai.
Deputeti Braho deklaroi se grupi i punës së Komisionit të Sigurisë Kombëtare do të përcjellin një material lidhur më propozimet apo vlerësimet që do të bëjë komisioni për draftin në fjalë. Ndërsa deputeti i LSI-së Luan Rama shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në seanca të tilla të rëndësishme.
“Unë do t’i kërkoj Zv.Ministrit të Jashtëm që t’i dërgojë zyrtarisht me një kërkesë me shkrim duke i dërguar edhe draftin opozitës dhe të kërkojnë qëndrimin e tyre pasi unë nuk besoj që opozita të ketë gjëra ndryshe sa i përket çështjes së sigurisë kombëtare dhe standardeve mbi të cilat duhet ndërtuar strategjia e sigurisë kombëtare për Shqipërinë si një vend anëtar i NATO-s. Insistoj që ne të ushtrojmë dhe të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat e mundshme për ta prurë opozitën tek një qëndrim, cilido që të jetë ai në raport me këtë dokument të rëndësishëm”, tha Rama.
Deputeti i PS-së Taulant Balla tha se duhet t’i kushtohet një rëndësi e veçantë dimensionit të etikës së komunikimit lidhur me çështjet e sigurisë kombëtare.
“Ndoshta do të ishte kapitulli i parë në këtë strategji kombëtare që miratojmë jo vetëm në nivelin qeveritar, jo vetëm në nivelin e deputetëve por në çdo nivel, madje edhe në atë të mediave. Kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare komunikimi duhet të jetë i rregulluar sipas ligjeve që rregullojnë komunikimin e materialeve dhe dokumenteve të cilësuar sekret shtetëror që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Sepse rastet e fundit të komunikimit edhe të shkresave që vijnë nga shërbimet sekrete janë shkelje e hapur e çdo norme ndërkombëtare, çdo norme të vendeve anëtare të NATO-s për dokumentet shkresore apo të tjera që lidhen me sigurinë kombëtare”, tha Balla.