Një studente, një vajzë në lulen e moshës zgjodhi të ndahej nga kjo jetë duke bërë një gjest spektakolar dëshpërimi: hedhjen nga maja e një ndërtesë të famshme në qendër të Tiranës, në mes të ditës. Në fakt, del se zgjedhjen e bluante prej kohësh dhe shenjat i kishte dhënë. Trazimet e thella shpirtërore, siç rezultoi më pas, problemet në familje kombinuar me streset e forta të shkollës së lartë, ku kishte mbetur katër herë në një provim, u kishin dhënë të kuptonin diçka edhe atyre që rastisi ta kishin afër: Shkurt, kjo vajzë vuan nga depresioni. Tani thonë se edhe trupa pedagogjike e Fakultetit Ekonomik i paskësh “ndenjur afër” Iris Belbës. Por mesa duket, jo aq afër sa të shmangej ngjarja që lemerisi dëshmitarët dhe gjithë njerëzit që e morën lajmin.
Kur dëgjon për një nxënëse të shkëlqyer që merrte pjesë rregullisht në olimpiada matematike, dhe ngel në matematikë në universitet; që provimet dhe problemet e shtëpisë i bëhen aq shumë “gangrenë” sa humbet orientimin dhe koordinatat e së ardhmes, rëndom kërkon të gjesh sa më shumë motive e fajtorë. Pati dhe asish që nënkuptuan se ky person depresiv e kishte mbledhur mendjen dhe, keq na vjen po kështu e kishte të shkruar. Dikush fajësoi pedagogun e egër të ekonomikut, lënda e të cilit është me breza të tërë makthi i studentëve. Një e afërme e viktimës deklaroi se profesori mund të kishte kërkuar sa para të donte për provimin, veç kjo gjëmë të mos ndodhte. Të tjerë akoma, vunë në pah me të drejtë ato vajza e gra të dhunuara, apo nëna me fëmijë që s’kanë për t’u dhënë bukë e që vetëvaren në ndonjë kasolle fshati, apo gëlltisin fostoksinë dhe gazetat shkruajnë veç dy rreshta. Sepse këto të dytat nuk kanë as “luksin” të vijnë në kryeqytet për të hypur majë Kullës së Qiellit, Sky Tower.
Sigurisht, përpara vdekjes nuk duhet bërë të tilla kategorizime. Por le të na ndihmojë të paktën kjo ulërimë e heshtur e Irisit për të na bërë të analizojmë diçka. Të hedhim një vështrim mbi këtë realitet kaq të zhurmshëm, e njëherësh kaq të shurdhët që po jetojmë si shqiptarë modernë të erës teknologjike, megjithë varfërinë dhe vitet dritë larg vendeve të zhvilluara. Ngjan paradoksale, njeriu edhe pse ka kaq shumë friendsa në facebook, ka kaq pak miq në jetën e vërtetë. Na duket sikur flasim, por në fakt nuk komunikojmë. Përpiqemi me çdo kush të dokumentojmë me tekst e fotografi jetën që po bëjmë, duke harruar të jetojmë. Dhe të shprehemi. Të kemi përballë njeriun dhe jo një monitor sado të vogël, apo të madh. Dhe të mos gabohemi, kjo tendencë nuk është thjesht kapriçio e të rinjve dhe fëmijëve “urbanë”, por ekziston edhe nëpër zona rurale. Si konkluzion, ndërtojmë rreth vetes iluzionin e shokëve dhe të jetës komunitare, por jemi vetëm.
Një eksperiment social i publikuar së fundi tregonte një çift aktorësh ku burri dhunonte femrën në rrugë, ndërsa kalimtarët venin e vinin indiferentë. Në trazimin e saj shpirtëror, thonë mediat, Irisi i kishte dhënë ashtu shkarazi një shoqeje ndërsa ishin duke ecur: “Ç’do të ndodhte sikur të hidhesha në rrotat e kësaj makinës?” Kjo e fundit ishte shastisur dhe filloi t’i rrinte larg. Por nuk del të ketë njoftuar dikë, t’i ketë thënë dikujt. Aq më pak ta pyeste si e kishte hallin, ta ndihmonte. Padyshim, dukuria është ku e ku më e përgjithshme sesa kjo shoqe; për fat të keq, po mësojmë t’u rrimë larg të tjerëve e të na distancohen po ashtu, të bindur se një urim ditëlindjeje në rrjetet sociale mjafton për gjithë vitin.
Kemi pësuar edhe një tjetër mutacion si shoqëri: Presioni i shkollës dhe i provimeve, sa është inekzistent për ata që paguajnë dhe blejnë gjithçka me para, po aq i frikshëm po bëhet për nxënësit e studentët të cilëve prindërit ua ka bërë të qartë se ndihmë prej tyre nuk kanë; duhet të çajnë vetë dhe të bëjnë të pamundurën. Të gjithë kemi qenë nxënës dhe ideja e kthimit në shtëpi me lajmin e një note të keqe, ishte e frikshme. Në realitetin e xhunglës së sotme sociale, mesa duket është bërë e papërballueshme.
Por a ka ndonjë ilaç kjo punë? Mua vetëm diçka e thjeshtë më vjen në mendje: Të bisedojmë, të qeshim e të qajmë më shumë, e të çatojmë apo sms-zojmë më pak. T’u transmetojmë sa më pak ankth fëmijëve tanë; t’i inkurajojmë të lexojnë e mësojnë, por provimin e rradhës të mos ua kthejmë në fundin e botës. Dhe nëse vërtet duam ta pyesim dikë se si i ka pasur hallet së fundi, të bëhemi gati edhe për ta dëgjuar.
*Revista KLAN