Pa “revolucion kopernikan" në arsimin e lartë nuk ka të ardhme të universiteteve

18 Qershor 2014, 20:23Blog TEMA

Nga Dr. Jorgo Mandili*

“Arsimi në botë sot po përjeton një revolucion kopernikan, më të madhin e të gjitha kohërave”. Nuk gjen shprehje më ekselente dhe shteruese se kjo e Ph.Jonnaret, dekani i Unescos për kurrikulën, sepse zbulimi i Kopernikut-babai i astronomisë moderne ka qene nga me te rendësishmit që ka bërë mendja e njeriut në rrugën e saj për njohjen e ndërtimit të Gjithësisë. Nga ana tjetër ky zbulim kaq i papritur, me atë thjeshtësinë dhe guximin e tij mahnitës , me tërë madhështinë e tij revolucionare, mundi të përmbyste një pikëpamje të rrënjosur prej shumë shekujsh të Ptolemeut, (sipas të cilit, qëndra e Gjithësisë ishte Toka  dhe përreth  saj nëpër orbita të përcaktuara rrotullohen planetet) duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë kësaj dogme më të cilën qe ushqyer jo vetëm shkenca, por edhe krejt botëkuptimi, për një kohë të gjatë i brezave të mëparshëm dhe fillimin e mbarë  të një botëkuptimi të ri shkencor modern në astronomi që ka në themel zhvillimin e shkencës. Sipas këtij botëkuptimi. Koperniku ndërroi vendin e Tokës me Diellin, duke realizuar kështu zhvendosjen e madhe të qëndrës së Botës nga Toka në Diell, gjë që coi në rikonceptimin e ridimensionimin e të gjithë sistemit Diellor, duke e transformuar atë këtej e tutje në një Kozmos, ku të gjitha fenomenet lidhen me të dhe më njëri-tjetrin në mënyrë fare të përsosur dhe, si të thuash, në një “zinxhir të artë” . Këtu qëndron thelbi i revolucionit kopernikan në astronomi. Po ku qëndron thelbi i revolucionit kopernikan në arsim? Dhe cfarë lidhje kanë midis tyre?

Futja në një stad të ri , më të lartë të emancipimit dhe civilizimit politiko-ekonomik, shoqëror , shkencor, teknologjik e kulturor i vendeve të zhvilluara euroatlantike gjatë 50viteve të fundit të shekullit të kaluar, u shoqërua me disa dukuri specifike, midis të cilave mund të evidentojmë rritjen e fluksit të madh shkencor , integrimin e shkencës me prodhimin, procesin e kompjuterizimit si dhe globalizimin në sferën ekonomike e kulturore. Këto zhvillime me arritjet e përfundimet e tyre treguan, se gjatë veprimtarisë prodhuese, biles të një brezi, ndryshon karakteri i punës dhe  shkenca bëhet një forcë prodhuese: për rrjedhojë rendi i ri i punës do të kërkojë punonjës të një tipi të ri që sot quhen “punonjës të dijes”(knowledge workers). Cfarë duhet bërë për edukimin e një individi të tillë? Përgjigjen e jep Odil Kuintin- (drejtore e përgjithshme për arsimin dhe kurrikulën në Komisionin Europian në vitin 2009) “Nëse duam t’i pergatisim të rinjtë që mund të përshtaten me ndryshimin dhe të punojnë në punë që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, ne duhet ta rimendojmë arsimin.Ne duhet të përqëndrohemi jo mbi dijet, por mbi kompetencat, në atë, që mund të bëjmë me njohuritë tona… për të cilat kanë nevojë njerëzit që të lulëzojnë në një shoqëri të dijes.  Ta rimendojmë arsimin: jo mbi dijet , por mbi kompetencat. Kjo do të thotë : Jo dije si fetish, si akumulim informacioni me argumentin se, kush e zotëron atë mund të operojë ne cdo nivel të sofistikuar. Kjo filozofi tashmë është e tejkaluar dhe e gabuar biles regresive. Ështe njëlloj sikur të thuash që Harpagoni ishte më i suksesshëm se D.Trump-i . I pari, fetishizonte akumulimin e parave, i dyti invenstimin e tyre. Harpagoni ishte i suksesshëm për një shoqëri të caktuar, kurse D.Trump-i i përket një shoqërie tjetër- asaj që quhet shoqëria dixhitale. Kështu ndodh edhe me dijet.Dijet e mbështetura në akumulim informacioni, dijet si pasuri intelektuale pasive, dijet e kodifikuara ne disiplina shkencore ishin të nevojshme  për një model të përcaktuar që i përgjigjej nevojave të mbijetesës së individëve dhe shoqërivë të së kaluarës. Ajo dije vazhdon të jetë edhe sot e nevojshme , por jo e mjaftueshme . Sot individët kanë nevojë jo vetëm të mësojnë se si të përshtaten me lëhtësi për të ardhmen, por edhe se si t’i japin formë asaj. Përgatitja për një botë që ndryshon shumë shpejt con domosdoshmërisht në nevojën e kultivimit të një mentaliteti të ri për dijen, krejtësisht i ndryshëm nga i mëparëshmi. Dija sot kuptohet si dicka e ngjashme me energjinë , dicka që përcaktohet nga aftësia e saj për “punë”, nga efekti i saj në veprim, nga produkti që merret. Një optikë e tillë përbën thelbin e kuptimit të ri të dijes e cila dallon ekstremisht nga kuptimi tradicional. Ky kuptim revolucionar mbi dijen përbën edhe filozofinë e re të teorisë së të mësuarit: jo të mbushë mirë kokën e individëve por të ndërtojë mirë kokën e tyre . Ky është sot misioni i institucioneve arsimore, sidomos i IAL-ve :të ndërtojë mirë kokën e individit në mënyrë të atillë që të garantojë përshtatshmërinë maksimale ndaj ndryshimeve të shpejta shkencore e teknollogjike , sociale e ekonomike. Por si? Në c;menyrë? Duke realizuar zhvendosjen e madhe nga dijet tradizionale , akademike të mbështetura në disiplinat, drejt dijeve “by doing” të mbështetura në kompetencat të kuptuara këto si kapacitete të individit  për të ndërtuar  dije të reja nëpërmjet “armatosjes “ së tij me aparatin e nevojshëm logjik e metodologjik (“critical thinking”) për ta përdorur atë dhe në fazat e tjera të karrierrës së tij.

Një vizion i tillë  është shenja e qartë e një transformimi të madh të individit nga “Homosapiens”- një njeri që di dhe parashikon e që përdor arsyen për të shpjeguar shkaqet, në “Homofaber”- një njeri që merr dije nga përvoja dhe eksperienca jetësore dhe me këto dije, di të bëjë gjëra, të nxjerrë një produkt të vetin. Ky është thelbi i revolucionit kopernikan në arsim. Tani e kuptojmë se ku qëndron lidhja e revolucionit kopernikan  në arsim me atë në astronomi . Kuptohet se lidhje direkte nuk ka, por lidhja ekziston në filozofinë e tij: në crrënjosjen e një dogme shumëshekullore dhe fillimin e mbarë të një konceptimi modern  të arsimit që ka në themel të tij  zhvillimet madhështore të shkencës dhe teknollogjisë duke vënë edhe “kufirin” e qartë midis dy modeleve arsimore. Pra ashtu sic u realizua zhvendosja e madhe e qëndrës së Botës nga Toka në Diell, kështu ndodhi edhe në arsim: zhvendosja e madhe e edukimit nga inteligjenca platoniane ku fuqia e individit për arsyetim abstrakt është forma më e lartë e inteligjencës (e kultivuar nga kurrikula tradicionale), tek inteligjenca, që zhvillohetnëpërmjet një procesi bashkëveprues të ndërlikuar ku: “inteligjenca nuk fillon as nga njohuritë që kam unë, as nga gjërat sikundër ato janë, por nga ndërveprimi mes tyre dhe vetëm duke organizuar ndërveprimin mes këtyre dy poleve që përfshijnë botën , argumentohet vetë inteligjenca. (Piazhe,  tek “Logjika e njohurive Shkencore”) Një zhvendosje e tillë i vuri “kufirin” një kurrikule tradicionale 2500 vjecare të Platonit dhe i hapi rrugën një kurrikule të re, moderne, të shekullit të 21-të, gurëthemeli i së cilës nuk janë tashmë dijet akademike, por kompetencat (akademike dhe metodollogjike) e cila synon të përgatisë individin e së nesërmes, i aftë të përdorë dijet si investim intelektual për inovacione, për të vendosur elementet në një mënyrë të re, ndryshe nga më parë , që tu shtohet vlera.

Kjo qasje e re e sistemit arsimor për edukimin e një individi të tillë coi në një korpus reformash që përbëjnë edhe boshtin themelor të “revolucionit kopernikan në arsim”, midis të cilave më të rëndësishmet janë:

1.Rikonceptimi dhe ridimensionimi i të gjitha hallkave dhe elementeve të sistemit arsimor si atij parauniversitar ashtu edhe atij universitar, si institucione, ku individët të kryejnë punë dhe veprimtari duke u mbështetur në dije, jo thjesht dije akademike për kulturë, por dije në funksion të ndërtimit të njohurive të reja, dije për të bërë gjëra, gjë që tregon tendencën e zhvendosjes së madhe të rolit të këtyre institucioneve shkollore nga konsumatorë të dijeve drejt prodhimit të dijeve në funksion të zhvillimit.

2.Reforma kurrikulare e cila duhet të harmonizojë në një zinxhir të vetëm të gjitha “hallkat” e procesit të të mësuarit dhe të menduarit, me filozofinë e re të përmbajtjes dhe metodave të mësimdhënies e mësimnxënies, me ndryshimin e rrugës tradicionale të transmetimit dhe përpunimit të informacionit dhe ideve, ripozicionimin e rolit dhe misionit të instruktorit, jo më tashmë si burim informacioni apo transmetues i thjeshtë dijesh, por si menaxher e moderator i procesit mësimor për modelimin dhe formimin e kompetencave si kapacitete për të bërë gjëra; ripozicionimin e statusit të individit nga qënie pasive në një qënie aktive, duke e vendosur atë në qëndër të skemës për vetëformimin e tyre nëpërmjet kërkimit dhe hulumtimit individual e në bashkëveprim me të tjerët. Sot aftësia për të bërë inovacione, për të shpikur, për të vendosur elementet në një mënyrë të re , ndryshe nga më parë, me qëllim që tu shtohet vlera dhe bukuria përcaktohet si aftësi për të tejkaluar mënyrat e vjetra të trajtimit të problemave me modele më të përsosura dhe më efektive.

3.Reforma mbi drejtimin administrativo-akademik gurëthemeli i të cilit është pjesmarrja e gjithë stafit në vendimmarrjet më të rëndësishme ku cdo punonjës të ndjehet pjesë e një ekipi ku drejtuesin e sheh si një person vizionar, me integritet të lartë shkencor, moral e profesional, krijues e me inisiativë që nëpërmjet gjenerimit të ideve të reja dhe ndjeshmërisë ndaj progresives, të fokusojë me autoritetin e vet akademik, moral, shkencor e profesional  të gjithë sinergjinë e stafit akdemiko-shkencor për projekte, reforma e vizione drejt një perspektive të qartë të institucionit.

Këto janë në vija të përgjithshme përfundimet e revolucionit kopernikan në arsim që përjetojnë sot vendet e zhvilluara dhe shumë të zhvilluara në botë.

 

Tani une shtroj pyetjen: A kemi ne studime programore  me vizione të reja filozofike , shkencore, pedagogjike për arsimin, shkollën, universitetin në korrelacion me zhvillimet e mundshme perspektive të shekullit të 21-të për vendin tonë, për produktin  human që duhet të prodhojë cdo nivel i shkollës në koherencë me këtë perspektivë dhe në përputhje me arritjet bashkëkohore në fushën e arsimit, të cilat do të përfshinin shkollat, universitetet, kurrikulat, programet , metodat e mësimdhënies e mësimxënies, bazën materialo –laboratorike shkencore- didaktike, stafin akademik etj, të krahasueshme këto me standartet akademike të këtyre vendeve euroatlantike? Si zor , mund të gjendej ndonjëri dhe të thoshte  me plot gojën : Po, kemi edhe ja ku janë! Reforma  dhe “investime” janë bërë në arsim! Po, ……Është e vërtetë, që janë “derdhur” para dhe janë artikuluar reforma. Po a kanë qënë serioze, shkencore, të vërteta këto reforma? Të ashtuquajturat reforma asnjëherë nuk kanë prekur thelbin e arsimit, por më shumë kanë synuar që të përshtasin programet politike të qeverive me interesa të caktuara . Edhe liberalizimi i arsimit të lartë nuk solli as alternativat dhe as konkurrencën, atë pritshmëri të pretenduar e cila ishte kryefjala e shumë reformave arsimore, por solli vetëm anarshi , kaos dhe kolaps deri në atë shkallë sa që të “vritej” dija, të lexuarit, të punuarit e mbi të gjitha morali.Ky është “transformimi haxhiqamilist”  në arsim në vendin tonë që goditi thelbin e vetëekzistencës së qënies- moralin dhe arsimin- binomi që përbën boshtin themelor të një shoqërie moderne i cili shkaktoi kaosin e madh nëpërmjet masivizimit, abuzivizmit me grada e tituj, rekrutimeve të pedagogëve jashtë kritereve, pa përvojë mësimdhënieje, korrupsionit i cili coi në degjenerimin e menjëhershëm të administratës universitare dhe shitjes së diplomave dhe provimeve me para etj.

Klonimi i përpiktë i një modeli universitar statik e konservator , me struktura pedagogjike relativisht të ngurtësuara, me veprime të nxituara për të hapur programe të reja studimi pa konsoliduar paraardhëset, me stafin cilësor më të ulët në historinë e akademizmit shqiptar, pa bazë materiale e biblioteka, i transformoi të gjitha universitetet e vendit në “kufoma politike” që ende “kundërmojnë” në dekompozim e sipër dhe i infektojnë cdo ditë e më tepër shoqërisë shqiptare. Lemeri universitare: studentë renzobossi, doktorë e profesorë OMGJ, kllounëri shkencore, lidership akademik mediokër, universitete e departamente me “frymëra të vdekura”. Kjo njollë murtaje e civilizimit duhet hequr shumë shpejt do të thoshte Ajnshtajni. Duke parë gjëndjen e mjeruar të sistemit tonë arsimor me të drejtë shtrohet pyetja: kujt i duhet një shoqëri “sharlatanësh me diplomë” dhe servilë të rregjimit? Përgjigjen na i jep Lordi Braugham i cili ka theksuar se : “Arsimi e bën një popull të lehtë për ta udhëhequr, por të vështirë për ta sunduar, të lehtë për ta qeverisur, port ë pamundur për ta skllavëruar”. Është e qartë se cdo njeri me intelekt mesatar e kupton se përse arsimi ynë nga politikanët dhe qeveritarët ka arritur në këtë ferenxhe që të gjithë e njohin.

Sot , më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për dije se sa për diploma. Nga niveli i dijeve dhe aftësive praktike jemi shumë larg vendeve ku aspirojmë të hyjmë. Dhe duhet të hyjmë jo si inferiorë, por me dinjitet. Dhe kjo kërkon që vendi ynë të ndjekë rritmet e zhvillimit të arsimit bashkëkohor për ta zvogëluar këtë distancë . Jo me evolucion , por me revolucion. Cfarë duhet bërë? Nga duhet filluar? Së pari nga “skanimi i universiteteve por duke i dhënë “hakun” secilit. Sfida e menjëherëshme dhe më dinjitoze e kësaj qeverie e cila do të japë qoftë edhe një provë të vetme që e ka seriozisht Rilindjen është që të sigurojë ndryshimin më të madh të mundshëm duke zbatuar me rigorozitet aLigjin ekzistues të Arsimit të Lartë duke filluar që nga standarti i departamentit , nga cilësia e kapaciteteve mësimdhënëse, integriteti shkencor e moral i lidershipit akademik , zbatimi i kritereve për gradat dhe titujt dhe kontrolli i disertacioneve për plagjiaturë (nëpërmjet një softëeri, sic e bën gjithë bota), verifikimi i artikujve në revistat me faktor impakti (të cilat në shumë raste janë revista fantazmë pa editorial). Po me këtë seriozitet duhen kontrolluar kurrikulat , tekstet, baza materiale etj. Por ko kërkon një qasje dhe axhendë të re nga qeveria, kërkon filozofi të re dhe vullnet p-olitik se bëhet fjalë që “haka të shkojë tek i zoti”, që do të thotë që të kemi aq universitete sa staf cilësor e me integritet universitar ekziston realisht. Vetëm pas “skanimit” të universiteteve për ti pajisur ata me “pasaportën” përkatëse, mund të kalohet më tej.

Së dyti njohja e korrelacionit midis zhvillimit gjigand të shoqërisë dixhitale dhe dijeve që kanë cuar në një kuptim të ri të botës dhe marrëdhënies sonë me të ku përvoja e vyer e vendeve të zhvilluara kapitaliste duhet të shërbej si orientim dhe si kriter objektiv në konceptimin dhe modelimin e reformës në arsimin e lartë. Jashtë këtij kuptimi dialektik të lidhjeve , varësive dhe ndikimeve të ndërsjellta të mësipërme nuk ka patur dhe nuk mund të ketë progrese, ndryshime e shndërrime të reja , radikale, sasiore e cilësore në fushën e arsimit të lartë. Pikërisht kjo lidhje nuk është marrë parasysh nga politika , e cdo qeverie gjatë këtyre 20 vjetëve , prandaj  dhe reformat nuk janë marrë seriozisht  apo janë tallur me universitetet , me hapjen e yre , stafin e tyre, infrastrukturën etj.

Për këtë qëllim, kudo u zhvilluan veprimtari të gjithanshme dhe të dendura shkencore e pedagogjike  në të cilat u atakuan , rishikuan rivlerësuan e ridimensionuan nga  këndvështrime të reja bashkëkohore shumë filozofi e teori të ndryshme  e të njohura të të mësuarit , konceptime dhe parime, synime e qëllime praktike, ideologjike, shkencore e pedagogjike , struktura organizative e administrative, ligje dhe norma juridike që bazoheshin në to dhe që u kishte ikur koha .

Në të gjitha këto veprimtari të pasqyruara në botime të ndryshme shkencore, monografi, artikuj manuale, udhëzues etj, u evidentuan të përpunuara koncepte, parime , qëllime e objektiva të reja kombëtare të arsimit, me një nivel shumë më të lartë në krahasim me ato të dhjetëvjecarëve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

Nga kjo përvojë duhet të përfitojmë edhe ne”Rrota është shpikur . Ta vëmë në lëvizje!”

Se cila do të jetë e ardhmja , ne nuk mund ta parashikojmë; por mund të themi me bindje se shoqëria e ardhme gjithnjë e më tepër zhvillimin e saj do ta mbështesë tek dijet, ku gjatë jetës së një individi shumë profesione do të zhduken nga tregu i punës dhe profesione të reja , të panjohura më parë do të lindin. Kjo është sfida më e madhe më të cilën do të përballet sistemi arsimor në të ardhmen. Ne nuk e dimë të ardhmen e universiteteve. Por dimë se pa të ardhme të universiteteve nuk ka të ardhme të shoqërisë moderne!

*Prof.Asoc. i Fizikës

4 komente në “Pa “revolucion kopernikan” në arsimin e lartë nuk ka të ardhme të universiteteve”

  1. Konica says:

    Para ca kohesh zoteria ngriti disa probleme qensore per arsimin e larte. Ne kete artikullin e dyte e paska qullosur fare…cjane gjithe keto enciklopedira…kujt i hyjne valle ne pune pervec egos se autorit. Vertete nuk e kuptoje se perse zgjidhjet jepen ne forme moralizimi dhe asgje me teper.

  2. Agroni says:

    epo kur flet dhe ky qe nuk ben asnje ore mesim , por ne kater lende qe na ka dhene na ka bere vetem kospektet e fizikes se pergjithshme , hapu dhe . Reforma e arsimit te larte duhet te filloje nga largimi i pseudoprofesoreve si ky mandili qe jo profesor , po as mesuesa nuk mund te jene

  3. assasin says:

    @agroni -po normal agron qe ke te drejte te flasesh ne ate gjuhe dhe mese normale qe ju ka dhene fizike te pergjithshme se po tju kishte dhene dicka me shume rreth fizikes te jesh i sigurt qe nuk do ta kuptonit dhe per me shume nuk do te kishit shanse te merrnit provimin …prandaj mendoje njehere thelle thelle brenda vetes pastaj shkruaj nje koment per nje person i cili ka studiuar aq sa ti ke ngrene capa buke ne kete jete!!!!

  4. Vangjush says:

    autori i ketij shkrimi Jorgo Mandili e ka vene gishtin ne plagen e arsimit shqiptar te semure nga fiktiviteti:mungesa e shpirtit praktik amerikan. Konfuci nje filozof i shquar kinez ka nje konceptim te drejte per arsimimin qe i ka reziztuar kohes: Une degjoj-une haroj. Une shikoj-une kuptoj. Une bej-une mesoj. Kjo e fundit eshte ajo qe i meshon dhe autori i shkrimit. Lexova dy replika pa argumenta dhe per te ardhur keq qe kane kenaqesi te denigrojne nje profesor pasionant, mendjehapur,kompetent ne profesion dhe njeri i moralshem.Une kam pasur kenaqesine qe te perdor librat e tij te vlefshem si pedagog i jashtem ne niversitetin “F.S.Noli”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje