(S)tekat e arsimit të lartë

20 Qershor 2014, 19:07Blog TEMA

Nga Dr. Gafur Muka

 

Këto ditë ka marrë një theks te veçantë diskursi për reformën në arsimin e lartë. Janë ndërmarrë hapa konkretë me ngritjen e komisionit të reformës, janë prononcuar e me siguri do vazhdojnë të prononcohen zëra të ndryshëm politikanësh e jo politikanësh dhe në fund do merret vendimi për ndryshime, duke shpresuar që të arrihen rezultatet e pritshme për përmirësimin e cilësisë në diplomat universitare. Personalisht nuk dua të vë në diskutim vullnetin e mirë për ta përmirësuar situatën ekzistuese, e cila për mua është shqetësuese por jo katastrofale. Dhe në këtë kuptim është e nevojshme të ndërmerren ndryshime të cilat lidhen me analizën konkrete të produkteve konkrete si të njerëzve ashtu edhe të institucioneve.

Si fazë përmbyllëse e periudhës së arsimimit në vazhdimësi, numri i pjesmarrësve në stafetën e arsimit të lartë është ndjeshëm më i reduktuar se në stafetat e tjera. Ky reduktim është krejt i natyrshëm, ndërkohë që të larguarit nga gara gjejnë angazhime profesionale të tilla që përshtaten me aftësitë e tyre. Ata bëhen më shpejt pjesë aktive e prodhimit të vlerave të dobishme si për veten ashtu edhe për shoqërinë. Për kontigjentin që mbetet në garë shoqëria ka pritshmëri më të mëdha ndaj dhe investon që ky kontigjent t’i justifikojë sa më mirë pritshmëritë për to. Përballë këtij investimi qëndron edhe investimi i individëve të kësaj gare për të fituar dije gjithsesi të specializuara dhe me impakt më të madh në krijimin e vlerave. Edhe thjesht, paraqitja e kësaj panorame të shkurtër, shpjegon detyrimet, përkatësisht përftimet e ndërsjellta midis shoqërisë dhe arsimit të lartë. Natyrisht realizimi i detyrimeve nga ana e shoqërisë lidhet dhe me angazhimin e qeverisë (detyrimisht qeverive) për të ndërmarrë dhe realizuar reforma sa më efektive për arsimin e lartë.

Mendoj se reforma e shpallur më së fundi duhet konsideruar më së pari si një reformë normale. Ajo synon rezultate në një fushë që është detyrim i të gjithë shoqërisë dhe, nga e cila do të përfitojë e gjithë shoqëria. Të gjithë elementët përbërës të arsimit të lartë- infrastruktura, kurikula, personeli dhe kontigjenti- sido që të pozicionohen tashmë-në sektorin publik apo atë privat- kërkojnë vemendje të posaçme, posaçërisht nga institucione shtetërore e qeverisëse. Këto institucione duhet ta mbështesin vendimmarrjen e tyre jo vetëm në vullnetin e mirë por edhe në analiza të thella e gjithpërfshirëse të arritjeve e mosarritjeve të deritanishme me synimin që nga “brumi” ekzistues të piqet “buka” me cilësinë e dëshiruar. E them këtë, se sido që të jetë vendimmarrja, ajo nuk mund të gjejë “brumë” tjetër përveç atij që është aktualisht kontigjent apo parakontigjent i arsimit të lartë. Natyrisht ndryshime më të shpejta mund të reåalizohen në infrastrukturë dhe personel por edhe këto, po të analizohen pa paragjykime, nuk dalin se janë vërtet problemi real i arsimit të lartë. Po t’u referohesh produkteve të Agjensisë së Akreditimit, të cilat janë të aksesueshme online, mund të fitosh një panoramë edhe të përgjithshme edhe reale lidhur me problematikën aktuale të arsimit universitar në vendit tonë. E, meqë jemi të Agjensia e Akreditimit, do të doja të jepja disa konsiderata për punën e saj. Detyra kryesore e këtij institucioni mbetet ekspertiza në plotësimin e standarteve të vendosura për të katër elementët e cituar të arsimit të lartë. Kjo ekspertizë është bërë me angazhim ekspertësh vendas, natyrisht të trajnuar nga Agjensia, sipas modeleve të simotrave të saj jashtë vendit si dhe me ekspertë të huaj (kryesisht akreditimi institucional). Produktet e këtyre ekspertëve janë afishuar në websajtin e Agjensisë. Kushdo që flet për cilësinë e punës së këtyre ekspertëve mund ti konsultojë këto produkte dhe, mbi bazën e referencave konkrete, mund të japë gjykimet e tij për to. Ta sulmosh punën e Agjensisë së Akreditimit do të thotë të sulmosh dhe ta dekualifikosh këtë ekspertizë. Të konkludosh që akreditimi i universiteteve ka çuar në prodhimin e diplomave pa vlerë është ta shpikësh problemin dhe jo ta gjesh atë. Në këto kushte mendoj se kërkimi dhe angazhimi i një agjensie të huaj nuk do ta zgjidhte problemin. Uroj që koha të mos më japë të drejtë.

Unë mendoj se rezultatet më të shpejta dhe njëkohësisht më cilësore lidhen me marrjen e masave për të rritur cilësinë e përzgjedhjes së kontigjentit. Është në vetë misionin e arsimit të lartë puna me një kontigjent sa më të përzgjedhur. Problemi është tek përcaktimi i kritereve. Natyrisht kriteri më i paqortueshëm do të ishte mesatarja e arritur gjatë viteve të shkollës së mesme. Në kushtet e një çertefikimi të drejtë të saj edhe kontigjenti do të ishte më i orientuar në zgjedhjet e tij por edhe steka për kalimin në universitete do të vendosej më objektivisht. Për shkaqe që dihen ky kritet është i kompromentuar. Ama, duke qenë se është i paneglizhueshëm ai merret në konsideratë duke i dhënë një peshë të caktuar (nuk mendoj që sugjerimi për rritjen e peshës së saj do të jetë eficent). Për të verifikuar objektivitetin e mesatares së shkollës së mesme u krijua një stekë e re- ajo e konkursit. Në fillimet e tij u duk se zgjidhja ishte ajo e duhura. Por me kalimin e disa kontigjenteve, nën presionin për ta fituar atë me çdo çmim, edhe kjo stekë u bë krejt formale. Atëhere u kalua në provimet e maturës. Vlersimi me dëshirë-meritë, ku merita peshohej me disa “peshore” dhe dëshira shpërfaqej në dhjetë drejtime, rezultoi efikas në kontigjentet e para por më vonë jo vetëm u prishën “peshoret” por edhe dëshirat e humbën identitetin. Edhe kjo stekë është bërë krejt formale dhe lehtësisht e kapërcyeshme aq sa zor se mbetet kontigjent pa hyrë në portën e arsimit të lartë. Po ta kemi parasysh edhe hapsirën që ka zënë arsimi i lartë privat dhe prirjen e tij të përgjithshme për ti ofruar shërbime gjithkujt që ka para (për takatin, pra njohuritë nuk e vret kush mendjen realisht) konkludohet lehtë që steka për arsimin e lartë në Shqipëri ka rënë plotësisht. E pra, sido që ta analizosh, kjo situatë nuk mund të quhet normale. Kjo e bën të domosdoshme reformën. Dhe për mendimin tim, sado e dhimbshme, kjo reformë duhet të synojë më së pari ngritjen e stekës. Steka mund të ngrihet jo vetëm duke rritur çmimin e shërbimit (drejtim që përflitet se do të sendërtohet në reformë) por edhe duke përfshirë kritere më objektive nga ato që ekzistojnë. Propozimi im në këtë aspekt do të ishte futja e provimeve të pranimit. Duke marrë në konsideratë specifikat e diplomave të studimit, siç merren aktualisht për arkitekturën, artet apo sportet etj do të sugjeroja konkretisht për fakultetet e inxhinjerisë si provim pranimi provimin e matematikës. Ky provim do të frekuentohej nga i gjithë kontigjenti që ka besim në njohuritë e tij për këtë lëndë. Ai me siguri do ta dekurajonte atë kontigjent që edhe pse ka pikët e përgjithshme për pranim nuk ka “haber” nga matematika. Ai do ti dekurajonte edhe ata prindër që nuk lënë “gur” pa lëvizuar që fëmija e tij të vazhdojë një studim për të cilin nuk e ka takatin. Me një përzgjedhje të tillë edhe fakultetet e inxhinjerisë shpëtojnë nga sikleti për tu mësuar edhe njëherë studentëve… teoremën e Pitagorës por, edhe studentët do të komunikonin më mirë jo vetëm me pedagogët por edhe me njëri tjetrin. I njëjti standart mund të vendoset edhe për fushat e tjera të studimit duke marrë në konsideratë specifikat e tyre. E rëndësishme është që numri i provimeve të mos jetë më i madh se një, pasi kjo do të çonte në humbje identiteti e për pasojë në zhvlerësim të tyre.

Nevojë, pse jo urgjente, për reformë kanë edhe ciklet e studimeve në shkollën e lartë. Dakord që cikli bachelor do të jetë më i hapuri. Por ai duhet të jetë domosdo selektiv për ciklet mastër, sikundër këto duhet të jenë shumë selektivë për ciklin e doktoraturës. Kriteret e cilësisë për të vazhduar ciklet tej bachelorit duhet të definohen qartazi në akte ligjore e nënligjore. Është e qartë psh që doktorata duhet të lidhet me një projekt, ku doktoranti të krijojë e përpunojë një bazë reale të dhënash. Pa dyshim që kjo punë nuk mund të realizohet pa financime. Kudo në perëndim, barrën kryesore për këto financime e mban ekonomia, ndërkohë që tek ne ekonomia, për aq sa di unë, nuk ka financuar asnjë projekt. Në këto kushte rrezikohen rezultatet e një pune serioze dhe do të aktivizohet edhe më tej prirja për tu bërë të gjithë doktora shkencash.

Një masë tjetër reformuese do të ishte konsiderimi specifik i diplomës universitare. Në vendet e shpallura të punës nuk duhet lejuar që gjithkush që ka mbaruar një shkollë të lartë të mund të punojë kudo, pavarësisht specifikës së diplomës (le të verifikohet psh si përputhen diplomat me vendet e punës në dogana, polici apo dhe gjetkë). Specifikimi i diplomës duhet të bëhet detyrim ligjor, pra moszbatimi i tij duhet të penalizohet. Ne pedagogët, më shumë se kushdo tjetër e ndjejmë presionin e madh për të çertefikuar dhënjen e diplomës, pasi ajo i duhet studentit vetëm për të marrë, apo edhe ruajtur vendin e punës në administratë.

Natyrisht që reforma në arsimin e lartë ka shumë përmasa. Ata duhet të shqyrtohen jo thjesht në planin teorik. Situata është konkrete prandaj edhe referimet në diskursin e nisur duhet të jenë sa më konkrete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje