Shqiptari S.D. – heroi i vërtetë i barrikadës

21 Qershor 2014, 19:37Blog TEMA

Nga Adriatik Kelmendi

Si e negocioi shqiptari 40-vjeçar nga Peja, fill i vetëm, heqjen e barrikadës në urën e Mitrovicës?

 

ADRIATIK, KEMI SHUME presion për të hequr dorë. Ka ndërruar plani. Barrikadën po e heqim tash, për një orë, jo nesër në mëngjes. Hajde ti, ose dërgoje një ekip”, po më fliste pa frymë në telefon S.D.

Ora tregonte 24:05.

“Kush po ju bën presion?”, e pyeta.

“Këta të mëdhenjtë. Politika. Edhe të Beogradit, edhe këta tanët. Po thonë duhet pritur, s’është momenti. Na po ia grahim, se nesër nuk na lënë”.

Gjatë gjithë ditës isha zier më vete. Si gazetar është torturuese situata kur e ke një informacion ekskluziv dhe nuk mund ta bësh publik, për të mos e penguar një qëllim më të lartë. Besoj se heqja e barrikadës në urë është një nga këto qëllime të larta dhe si e tillë vlerësoja se e meritonte sakrifikimin tim të dhimbshëm profesional.

Sidoqoftë, nuk isha duruar krejtësisht. Në orën 18:00 e dhashë një paralajmërim të koduar në “Facebook”- “A keni flejtë Mitrovica?”. Pak më vonë postova këngën e njohur të bendit Spandau Ballet “Through the Barricades”. Dhe pas orës 24:00 sërish “…Në orët e hershme të mëngjesit”.

Ndërkohë e kisha telefonuar Artën, e cila ndodhej në studio dhe ia kisha shpjeguar situatën. Me të përfunduar emisionin, ajo bashkë me Agronin, kameramanin, u nis për në Mitrovicë.

Në orën 1:00, S.D. mora foton e parë ekskluzive, ku shihej buldozeri duke hequr rërën. E postova me fjalinë e thjeshtë “Ia nisi…”

Disa minuta më vonë të njëjtën e pashë të publikuar në shumë portale.

S.D., NJë DYZETVJEÇAR shqiptar nga Peja, më kishte kontaktuar para një muaji.

“E kam shansin ta heq barrikadën në urën e Mitrovicës”, po më thoshte, teksa lexonte në fytyrën time skepticizmin e papërmbajtur. Natyrisht, mendova, po flet pa lidhje.

Filloi të më tregonte detaje. Rastësisht derisa po qëndronte në Mal të Zi, më tha, një mik e kishte lutur që ta takonte një mik tjetër tijin. Me t’u takuar bashkë, ky miku kishte dalë të jetë një nga personat e njohur si “Roja të urës”. Kërkesa e tij kishte qenë e thjeshtë:

“Unë e kam vendosur barrikadën në urë dhe vetëm unë mund ta heq. Jam i gatshëm ta bëj. A mund të shërbesh si ndërmjetësues me përfaqësuesit ndërkombëtarë?! Vetëm dua garanci se nuk do të kem probleme dhe do të më mbështesin ndërkombëtarët.”

Dhe S.D. po më tregonte se si pa pritur e pa kujtuar kishte filluar të shkonte nga ambasada në ambasadë dhe i kishte treguar edhe një ministri, të cilin e konsideronte mik.

Të gjithë e kishin pritur me skepticizmin me të cilin e kisha parë edhe unë dhe ia kishin shtruar të njëjtën pyetje që ia kisha shtruar edhe unë.

“Ku është interesi yt këtu?”

Ai përgjigjej me pyetje: “S’ka. A po doni me e heq apo jo?”.

Më KONTAKTOI NJë javë para zgjedhjeve.

“Të enjten po hiqet. Çka po thua?”

“Ku të marrim që të hiqet sot”, i thashë. “Por, nëse po thua që ke ndikim te ta, atëherë nëse të dëgjojnë thuaju që kjo është e kundërta që po duan ta arrijnë. Tri ditë para zgjedhjeve do të çohen peshë të gjithë politikanët të marrin meritat për vete dhe do të mund ta ndikojnë edhe procesin”.

Ashtu edhe u bë. U shty për pas zgjedhjeve.

Të DIELëN S.D. Më tha se duhet ta takoja me urgjencë personalisht. Kishte hartuar një tekst të shkurtër në iPhone.

“Si po të duket? Po mendoj që ta nënshkruaj vetëm me ‘miqtë e Kosovës’. Dhe është shumë me interes që të tregohet se barrikada po hiqet pa ndërhyrjen e politikanëve nga Prishtina e Beogradi. Edhe ‘ata’ po duan që të mbetet që populli që e ka vënë ai edhe po e heq”.

“Vetëm korrigjoji gabimet drejtshkrimore”, e talla.

“Mirë, ju vetëm publikojeni që njerëzit ta dinë që është bërë nga qytetarët, jo nga politikanët. Të mërkurën hiqet, beso!”, ishte i vendosur.

E vërente se gjatë gjithë kohës po e merrja me rezervë.

“E pse po m’i tregon të gjitha këto pikërisht mua?”, s’u durova pa e pyetur në fund.

Për herë të parë e pashë të hutuar pak.

“Normal, po më duhet dikush me të cilin do të konsultohem, se ndoshta edhe nuk po bëj mirë. Dhe, ku i dihet, mund të më ndodhë diçka dhe dua ta kem një dëshmitar të besueshëm”, ishte i sinqertë.

FOTOJA Që E postova në “Facebook” në mëngjesin e hershëm të së mërkurës ishte bërë prej tij. Ishte i vetmi shqiptar në anën veriore të urës (“Hera e parë pas luftës që dola këndej”). Më vonë aty do të kishte qasje ekskluzive edhe ekipi i KTV-së.

“Krejt është në rregull. Situata nën kontroll. Mos u mërzit”, po më fliste në telefon.

Në orën 5:00 kishte përfunduar puna. Dhe kishte ndodhur ajo që unë, S.D. dhe “ata” ishin druajtur se do të ndodhte.

Nga fundi i punës në urë, aty ishte shfaqur kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. “Unë me homologun tim serb në veri po e heqim barrikadën”, po përpiqej të luante blofin ai. Kishte pasuar një e sharë nga buldozeristi në serbisht: “Ik more rrenacak, se po të shkeli me buldozer, nëse ti po e heq eja, nëse ta mban, pak më afër këtu”.

Gjatë ditës Hashim Thaçi, Edita Tahiri e të tjerë kishin filluar të flisnin për meritat e tyre për heqjen e barrikadës.

“Më kallën”, shfrynte S.D.

NATYRISHT, “ROJAT E URES” janë duke shikuar që të fitojnë ndonjë lloj amnistie tash pasi që politika ka relaksuar pak raportet Kosovë-Serbi dhe situata në terren po ndryshon. Ata ndihen të tradhtuar nga politika e Beogradit dhe sigurisht duan të shpëtojnë kokat e veta.

Por duan që t’u njihet merita. Dhe kanë dashur që edhe ambasadat e rëndësishme ta dinë planin.

Njësoj, mbi të gjithë, e meriton t’i njihet merita qytetarit të thjeshtë shqiptar të Kosovës. Dyzetvjeçarit S.D.

Ai është heroi i vërtetë i barrikadës.

Duke rrezikuar sigurisht edhe  kokën.

POST SCRIPTUM: ATA të Beogradit që një ditë më parë kishin kërkuar që të mos hiqej barrikada, të enjten pasdite kishin dalë për ta rivënë atë. Marko Gjuriq, shefi i Zyrës së Serbisë për Kosovën, kishte urdhëruar njerëzit e vet në veri të Mitrovicës që ura sërish të mbyllej. Mirëpo kësaj radhe me një ide më origjinale, duke sjellë dhe duke mbëltuar lule.

Për emër e kishin menduar një oksimoron: “Parku i Paqes”.

“çka po i thua tash kësaj situate?”, e pyeta S.D.-në.

“Ne e hoqëm një herë”, foli i pakënaqur. “E këta tanët që s’kanë ditur asgjë e menjëherë u ngutën t’ia veshin vetes meritat të thirren në nogociatat e Brukselit e çka jo tjetër, i kanë dy mundësi: Le t’i shohim ta heqin, ose le të shkojnë e t’i vadisin lulet”.

*KOHA DITORE

7 komente në “Shqiptari S.D. – heroi i vërtetë i barrikadës”

  1. Spiridoni says:

    N’dash botes ti veshe zjarre mere nja dhjet kosovar, nuk ka rrace ne bote me te zote se kosovaret individualisht ne kolektiv apo grupe sikur deshtojm pasi te gjithe dojme te jemi komandant kjo eshte dobsia qe kemi.

    Mere nje kosovar dergo ku te duashe ne bote ne russi ne lufte ne siri apo irak ku do ne afrike ne indi ne kine pase nje viti aje ben emer atje

    1. Pelasgian says:

      Para pak kohesh ktu te ky forum u publikua nje dokumentar i bere hga History Channel me duket per Shqiptaret dhe flitej per individualizmin tone . Eshte e vertet …Shqiptari ndoshta eshte individualisti me i perkryer ne Europe dhe ndoshta edhe ne bote …e kemi ne gen por mos harro se nuk eshte dicka pozitive . Shumica ben fuqine …eshte shkak individualizmi jon qe perballe armiqve qe kemi pasur gjat gjithe historise sone ne kemi dale pothuajse gjithmon te humbur . Jo me kot i vetmi person qe arriti te beje emer ne bote edhe per Shqiptaret quhet Gjergj Kastrioti dhe me dinakeri arriti ti bashkoje princat Shqiptare dhe SE BASHKU ( pra te bashkuar ) arrit ti rezistoje fuqise me te madhe te botes ne ate kohe .

      Ne cdo vend ku kam pas mundsi te kem te bej me Shqiptar kam vene re nje individualizem qe askush se ka …sidomos tek ne te Shqiperise . Ata te Kosoves dhe te Maqedonise jan me te bashkuar .

  2. I LUMTE says:

    I LUMTE, KETIJ 40 VJECARI Z. Kelmendi.
    Mbase edhe serbet kane filluar te mendojne per paqe ne Kosove, se ne finde te fundit nuk kane rruge tjeter per momentin.

    1. Blue Jasmine says:

      Serbet vetem paqe nuk duan e as do duan ndonjehere.Presin vetem mjergull te godasin perseri. Ujku qimen e nderron, por zakonin se harron.

  3. visar says:

    po a nuk e shihni se ky “hero” shqiptar nuk është gjë tjetër pos njê bashkëmafioz me serbin. nê Pejê miqêsitë serbo shqiptare janë me të medha se te serbeve me serbê… provokator ai dhe ky gazetari, i biri i prokurorit të kohës së Millosheviqit…

  4. taso kume says:

    @Jasmine 100% e vertete ZAKONI NUK HAROHET DHE SE NDEROHET QIMJA,Europa ka fatin e keq te kete dy RUSI te madhen DHE TE VOGLEN NE BALLKAN SERBINE,qe jane ne gjendje te ndezin luftrat ne çdo raste,kjo eshte ironia e fatit te SHQIPTARTEVE,pa permendur fene qe e kane aleatin strategjik te tyre.

    1. Andi Ballshi says:

      Nuk eshte rastesi qe nga kombi i vogel kane dale njerez te medhenj, andaj as qe e shoh te arsyeshme t’permend, pos te madhit Skenderbe, Enciklopedise se gjalla- Faik Konica dhe te shenjtes Tereze.
      A nuk e vertetton edhe gjesti “rasti” S. Devolli dhe A. Kelmendi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje