INTERVISTA/ "Të mos biem në iluzione: Sfidat janë të mëdha"

27 Qershor 2014, 18:39Politika TEMA

Sekretari i Shtetit në ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth porosit nevojën e veprimit urgjent për zbatimin e reformave, që BE kërkon nga Shqipëria. Vendimtar jo miratimi i ligjeve, por zbatimi i tyre në praktikë.

DW: Zoti Roth, samiti i BE vendosi këtë të premte që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Por ky mund të konsiderohet si një hap simbolik, meqenëse Shqipërisë i duhet të zbatojë me rigorozitet reforma. Kur parashikohet se do të mundësohet hapja e bisedimeve për anëtarësimin?

Roth: Fakti, që Shqipëria ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, është një sukses i bukur. Bëhet fjalë për një miratim të përparimeve në rrugën e reformave. Bashkimi Evropian me të drejtë kërkon shumë nga ato vende, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtar i BE-së. Shqipëria bëri një hap të suksesshëm në drejtimin e duhur, ndërsa shpejtësia e afrimit e mëtejshëm me BE-në varet kryesisht nga vendosmëria, të cilën do ta tregojë Shqipëria lidhur me kryerjen e reformave të tjera. Të mos biem në iluzione: Sfidat janë akoma të mëdha! Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformimi i sistemit gjyqësor janë fusha me rëndësi thelbësore, të cilat kanë nevojë për veprim urgjent. Lidhur me këtë, duhet thënë se kriteri vendimtar nuk do të jetë miratimi i ligjeve, por vënia e tyre në jetë, zbatimi i tyre në praktikë.

Zoti Roth, ju theksoni nevojën e veprimit urgjent përsa i përket ndalimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformimit të sistemit gjyqësor. Si mund ta ndihmojë BE Qeverinë shqiptare në zbatimin e reformave në këto drejtime?

Roth: Asnjë vend nuk do të lihet pas dore në rrugën e tij për në BE. Mbështetja merr forma të shumëllojshme, duke qenë se procesi i reformave, me qëllim që të ecë përpara me sukses, duhet të depërtojë në tërë shoqërinë. Nga njëra anë kuptohet se duhet përmendur ndihma financiare: në vitin 2013, për afrimin e Shqipërisë me BE-në janë vënë në dispozicion gjithsej 95 milionë euro nga buxheti i BE-së. Mirëpo, jo më pak të rëndësishme janë edhe programet e BE-së, synimi i të cilave është që bashkërisht të arrijmë përmirësime konkrete në Shqipëri. Sa i përket tematikës vërtet thelbësore të sundimit të ligjit, programi EURALIS luan një rol shëmbullor. Nëpërmjet këtij misioni, i cili e mbështet sistemin gjyqësor shqiptar, afrimi i rendit juridik me standardet e BE-së shoqërohet me anë të ndihmës teknike të shteteve anëtare të BE-së. Krahas kësaj ka edhe një numër programesh teknike, të cilat për shëmbull i kushtohen reformimit të administratës publike, infrastrukturës së transportit – veçanërisht në zonat rurale – apo mbrojtjes së mjedisit në zonat bregdetare. Se fundmi, por jo së pakti, ne i japim mbështetje edhe zhvillimit shoqëror në Shqipëri, duke përfshirë mbrojtjen e pakicave.

Shqipëria që në vitin 2009 kishte paraqitur kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mirëpo iu desh që të pritej disa vjet, para se të merrte statusin e kandidatit.

Roth: Për çdo hap, i cili bëhet në rrugën e afrimit me BE-në, duhen plotësuar më parë disa kushte të përcaktuara qartë. Kjo do kohë dhe shpeshherë është tepër e mundimshme. Unë e di se Qeverisë shqiptare i kërkohet vazhdimisht marrja e vendimeve shumë të guximshme. Fakti që dhënia e statusit të kandidatit tashmë ka qenë e mundur, buron edhe nga përpjekjet e mëdha të Qeverisë shqiptare lidhur me reformat.

Shqipëria i bashkangjitet tani Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, që zyrtarisht e kanë marrë statusin e kandidatit. Por ky status nuk u është dhënë akoma Bosnjës dhe Kosovës. A përmban ky hap përpara i Shqipërisë edhe një inkurajim e një perspektivë për këto dy vende?

Roth: Perspektiva e BE-së vazhdon të ekzistojë për të gjitha vendet në rajon. Ne shpresojmë që vendimi pozitiv për Shqipërinë të shërbejë si shtytje e mëtejshme për vendet e tjera në rajon, që reformat e domosdoshme t’i nisin dhe t’i zbatojnë me më shumë energji.

Sa ka ndikuar konflikti në Ukrainë dhe acarimi i marrëdhënieve me Rusinë, si pasojë e këtij konflikti, ndaj vendimit për t’i dhënë sot Shqipërisë statusin e kandidatit?

Roth: Vendimi që Shqipërisë t’i njihet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE është marrë vetëm e vetëm në bazë të zhvillimit në Shqipëri.

Sa kohë parashikohet se i duhet Shqipërisë deri në pranimin si anëtar i BE-së?

Roth: Kjo nuk mund të parashikohet akoma. Hapi i ardhshëm do të jetë fillimi i negociatave për anëtarësim. Se kur mund t’i fillojmë negociatat dhe sa do të zgjasin, për këtë tani për tani mund të bëjmë vetëm spekullime.

2 komente në “INTERVISTA/ “Të mos biem në iluzione: Sfidat janë të mëdha””

  1. Shtet mafioz says:

    Shqiperia e tregoj veten se kush eshte ,fill mbas statusit,por
    do te na njihni edhe me mire.

  2. zari kozit says:

    Kerkon qy iluzionet t’na i shes’sh si prej verteti ti mer RRodhi ???
    leni pordhet tani , iluzioni mbetet iluzion ,sado te vesh ne perdorim ti aftesite e tua hipnotizuse .
    kerkoni t’na i tregoni prralen blue ne nji version te ri tani apo cfar ?! Boooooooooh ,sa kembengules qe jane kta gjimonet mre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje