Kryeministrat e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian formalizuan në samitin e Brukselit dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Vendimi u morr më 24 qershor në Luksemburg nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, ndersa sot u konfirmua edhe nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare.
Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian të mbledhur në Luksemburg vendosën unanimisht pro statusit për Shqipërinë, duke vlerësuar reformat e ndërmarra. Komisioneri Stefan Fyle deklaroi se Shqipërisë i janë njohur përpjekjet për reforma, ndërsa nxitet të vijojë në këtë rrugë.
“Urime për statusin kandidat miratuar nga ministrat. Urime Shqipërisë për statusin kandidat. Njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë. Ministrat e Jashtëm sapo ranë dakord për statusin”, shprehet Fyle.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian gjithashtu publikoi konkluzionet për Shqipërisë, për të cilën u vendos që t’i jepet statusi i vendit kandidat. Në një dokument me 6 pika, i kërkohet Komisionit që të ndjekë dhe monitorojë plotësimin e prioriteteve kyçe nga ana e Shqipërisë.
Në përputhje me konkluzionet e 17 dhjetorit 2013, Këshilli mirëpret raportin e Komisionit Europian të 4 Qershorit dhe pas shqyrtimit të tij në lidhje me progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë, vendosi t’i akordojë Shqipërisë statusin kandidat që pritet të marrë edhe miratimin e Këshillit Europian.
Pas dhënies së statusit kandidat, Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri në përputhje me të gjitha rekomandimet e bëra në raportin e Komisionit dhe të intensifikojë përpjekjet për të garantuar zbatimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës dhe koherent të prioriteteve kyçe, kryesisht përsa i takon reformës në administratën publike, në gjyqësor dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, po ashtu mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe politikave antidiskriminuese, duke përfshirë rajonet minoritare, trajtimit të barabartë të tyre, dhe zbatimin e së drejtës së pronësisë.
Këshilli thekson rëndësinë që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet antikorrupsion dhe zbatimin e strategjisë dhe planveprimit në luftën ndaj korrupsionit, gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligj-zbatuese dhe krijimit të një historiku të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë të veçantë krimit të organizuar në emuigracion, përdorimin e dokumenteve false, pastrimin e parave, kultivimin e drogës dhe trafikun e qenieve njerëzore.
Këshilli gjithashtu nënvizon rëndësinë për Shqipërinë që të forcojë pavarësinë, transparencën dhe besueshmërinë tek gjyqësori, duke përfshirë garantimin e sigurisë ligjore më të mëdha për operatorët ekonomikë dhe të rrisë besimin për investitorët,
Këshilli gjithashtu pret që Shqipëria të intensifikojë mbështetjen e saj për reduktimin në kohë të presionit imigrator ndaj BE-së, përfshirë vazhdimin e përpjekjeve të saj në përmbushjen e të gjitha kushteve për planit të veprimit të regjimin e vizave dhe duke ndërmarrë hapa shtesë për adresimin e çështjeve të kërkimit të azilit nga shtetasit shqiptarë.
faleminderit BE…http://goo.gl/ZSVqCF
Me kete vendim,tregohet se ka nje ndryshim ne Shqiperi,por mendoj me shume se ndryshimi i Shqiperise ka nje ndryshim esencial te vete Europes.Faleminderit Europes se shekullit 21.Shqiptaret u jane mirnjohes ndersa vete kemi shume pune perpara.Edhe nje here faleminderit Europe.