Partia Demokratike nis hartimin e një rezolute në lidhje me reformën territoriale, e cila do ti drejtohet Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën Territoriale. Rezoluta pritet të zyrtarizohet më 2 Korrik në një takim që kjo forcë politike do të zhvillojë me të gjithë të zgjedhurit e saj vendorë, kryetarë komunash apo bashkish. Burime nga PD theksojnë se rezoluta do të përfaqësojë jo vetëm qëndrimin e kësaj force politike, por edhe të shoqatës së bashkive dhe komunave.
Rezoluta, sipas burimeve, e trajton reformën territoriale të ndërmarrë nga mazhoranca dhe variantet e propozuara me karakter elektoral, duke ngritur dyshime se njësitë e reja vendore sikundër propozohen favorizojnë mazhorancën aktuale në proceset zgjedhore, qofshin ato vendore apo parlamentare. Burimet theksojnë se rezoluta vë theksin në autonominë dhe decentralizimin e pushtetit vendor, si hapin e parë që duhej të ndërmerrej përpara se Kuvendi të miratojë ndarjen e re territoriale. Në rezolutë pritet të përfshihen shqetësimet e drejtuesve të bashkive dhe komunave, që me ndarjen e re territoriale nuk do të ekyistojnë si njësi më vete, ndërsa do të propozohet një numër shumë më i madh njësish vendore sesa varianti integral që pritet të miratohet në Kuvend, sipas të cilit vendi do të ketë jo më pak se 39 njësi, por jo më shumë se 47 të tilla.
Në varësi të qëndrimit që do të mbahet nga mazhoranca ndaj rezolutës që do të propozohet, do të jetë edhe qëndrimi i Partisë Demokratike mbi Reformën Territoriale. Përmes rezolutës demokratët i kërkojnë mazhorancës që të marrë parasysh propozimet e komuniteteve dhe grupeve të interesit me synim ofrimin e shërbimeve për ta në mënyrë sa më të përafërt me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu mazhorancës i kërkohet që të heqë dorë nga praktikat ultimative në lidhje me procesin e reformës territoriale dhe të synojë konsensusin me opozitën, të zgjedhurit vendorë dhe grupet e interesimit, në mënyrë që ky proces ti përgjigjet zhvillimeve për të paktën 10 vitet e ardhshme.
Rezoluta që pritet të marrë mbështetjen e të zgjedhurve vendorë është hapi i parë konkret i Partisë Demokratike në procesin e reformës territoriale, pasi nuk morri pjesë për 3 muaj në Komisionin parlamentar të ngritur posacërisht nga Kuvendi. Opozita në këtë komision kishte një numër të njëjtë anëtarësh me atë të mazhorancës, ndërsa kjo e fundit i njohu PD edhe të drejtën e vetos.
***************************************************************
Nuk ka me “komunitare droge” dhe “zona te varfera”
qe t’ju vidhni voten apo t’ju sherbejne juve te Cetes-Veriore PD.
****************************************************************