Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët për ambasadorë në Bullgari dhe Republikën Çeke, përkatësisht Dhimitër Kureta dhe Riza Poda. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, prezantoi dy kandidatët për ambasadorë, të cilët tha ai vijnë nga sistemi i diplomacisë dhe kanë një karrierë të pasur në fusha të ndryshme.
Kandiati për ambasador në Bullgari, Dhimitër Kureta, theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe si dhe nxitje të mëtejshme në bashkëpunimin parlamentar. Ai u ndal sidomos tek rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e politikës, ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës, etj. Gjithashtu, Kureta tha se programi i qeverisë për politikën e jashtme ka përcaktuar objektiva ambicioze për të ecur përpara në rrugën drejt procesit të integrimit të vendit në BE.
Kandidati Kureta shprehu dhe mbështetjen që shteti bullgar i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe në axhendën e saj të integrimit evropian. Po ashtu, ai vlerësoi mbështetjen bullgare për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha forumet e integrimit në rajon dhe idenë se kjo pjesëmarrje forcon sigurinë, paqen dhe politikën e fqinjësisë së mirë në Evropën Juglindore.
Ndërsa kandidati për ambasador në Republikën Çeke, Riza Poda, u shpreh se një Shqipëri më pranë BE-së do t’i shërbejë alternimit të rolit konstruktiv të saj dhe do të rrisë bësueshmërinë në ndikimin pozitiv në zhvillimet në rajon. Marrëdhëniet dypalëshe, shtoi ai, janë shumë të mira dhe tradicionale. Poda vlerësoi dhe zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me kompaninë CEZ, duke i dhënë fund pretendimeve të të dy palëve që lidhen me përmbushjen e detyrimeve respektive.Sipas tij, rëndësi të veçantë do të ketë nxitja e bashkëpunimit dhe partneritetit mes dy vendeve në fusha si industria, transporti, arsimi, politika, ekonomia, kultura, turizmi, etj.
Kryetarja e komisionit, Arta Dade, i vlerësoi dy kandidaturat për vizionin e qartë duke shprehur vullnetin e Kuvendit për t’i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe, por dhe me ndikimet që kanë Bullgaria dhe Çekia, si dy vende anëtare të BE-së për të mbështetur vendin tonë edhe në NATO e BE, duke patur një bashkëpunim më të ngushtë për të avancuar në axhendën tonë evropiane.
Anëtarët e Komisionit të Jashtëm shprehën mbështetjen e tyre për dy kandidaturat në fjalë