Territorialja, protesta në disa Qarqe/ PD e Sarandës kundër: Prapaskenat e Koços me Sarandën dhe Himarën

31 Korrik 2014, 12:02Politika TEMA

Në një kohë kur pritet që Kuvendi të votojë reformën administrative-territoriale, në bazë të të cilës vendi do të ketë 61 Bashki, vijojnë protestat në disa zona të vendit dhe kundërshtirë mbi variantin përfundimtar.

Partia Demokratike dega Sarandë, denoncon atë që e cilëson si tentativë të qeverisë për të vënë në shërbim të interesave personale reformën territoriale.

Sipas PD-së, “reagimet e ditëve të fundit të mjaft grupeve të interesit, si këshilli i komunës Ksamil, përfaqësues të fshatrave minoritare apo banorë të zonës “Baba Rexhepi”, fshatit Shën Vasil etj. tregojnë se qeveria ka vepruar pa pyetur e pa marrë aprovimin e banorëve të prekur nga reforma e re territoriale.” 

Partia Demokratike dega Sarandë thekson se është “pro decentralizimit të pushtetit vendor dhe kundër përdorimit të tij për interesa personale të dyshes Rama-Meta e veçanërisht klientelistit Koço Kokëdhima, deputet i zonës”. 

“Është e papranueshme që Himara të vijë me kufij deri në brendësi të lagjes nr.4 të Sarandës duke bërë pronë të saj jo vetëm qindra banesa por edhe disa nga brigjet më të bukura si plazhi i Kasolles etj. Më shqetësues bëhet ky fakt, kur dihet që pjesë e Himarës bëhen qindra banorë të zonës “Baba Rexhepi” që ndodhet pak minuta larg qendrës së Sarandës e rreth dy orë larg qendrës së Himarës. Prapaskenat e këtij vendimi janë të qarta. Koço Rama plotëson interesat e tij personale për zaptimin e zonave të virgjëra bregdetare e largon nga Saranda një komunitet të tërë për interesa të qarta politike dhe klienteliste. Pasi mashtruan banorët e zonës “Baba Rexhepi” për të marrë votat për Bashkinë e nuk kryen asnjë investim e pasi mashtruan serish për zgjedhjet e 23 qershorit, tashmë po i shpërfillin ata në mënyrë çnjerëzore duke i çuar në Himarë qoftë edhe për një certifikatë. Partia në pushtet po i detyron këta banorë tani që të shpërngulen”, thuhet në deklaratën e PD-së në Sarandë.

Ndërkohë banorët e tre komunave Gurrë, Xibër, Suç kanë bllokuar rrugën Klos-Burrel në shenjë proteste kundër reformës territoriale.  Banorët kërkojnë që këto komuna të jenë njësi më vete. Protestuesit kanë vendosur një automjet në mes të rrugës në Suç dhe nuk lejojnë kalimin e mjeteve të tjera. Ata shprehen se do të mbajnë të bllokuar rrugën për rreth një orë.

Banorët e Paskuqanit në Tiranë kanë protestuar gjithashtu kundër bashkimit me Kamzën, duke kërkuar që të jenë bashki më vete.

Këshilltarët e komunës së Paskuqanit kanë firmosur një peticion kundër reformës.

“Po bëhet masakër ndaj Paskuqanit. Nuk është dëgjuar mendimi ynë”, deklaroi kryetari i komunës së Paskuqanit, Fatos Rexha

Protesta ka patur edhe në komunën Cakran në Fier, ku banorët kërcënojnë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në rast se miratohet varianti i propozuar në Kuvend. Banorët në protestë mbanin në duar pankarta ‘Cakrani zonë historike”, ‘Cakrani komunë që prej 1917’. Ata kanë bllokuar për 30 minuta rrugën, në shenjë proteste.

Ndërkohë katër fshatra në Peshkopi, Maqellara, Kastrioti, Melani,Tomini, kundërshtojnë ndarjen e Dibrës së njësi më vete.

“Jemi kundër që Dibra të jetë një njësi më vete. Dibra një njësi më vete, diskriminim Dibra një njësi më vete, na largon nga shërbimet.”- shprehen banorët e këtyre fshatrave.

3 komente në “Territorialja, protesta në disa Qarqe/ PD e Sarandës kundër: Prapaskenat e Koços me Sarandën dhe Himarën”

  1. pedleshi says:

    Mos harroni qe PD e la Saranden pa det,ka sjelle edhe kapuconet e zinj…..

  2. drejtesia says:

    Forca Mero, bjeri Kocos.Ai eshte ”armiku” me i madhe i Shqiperise dhe jo Saliu.Lere Saliun, bjeri Kocos.Pikaaaaaaa.

  3. sh says:

    Lojtari Kokedhimi po ben nje lemsh para porte.!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje