Vetëm pak orë para përballjes me Dortmundin, Pep Guardiola u shfaq i shqetësuar para gazetarëve.
Trajneri i Bajernit të Mynihut deklaroi se ndryshe nga një vit më parë, në dispozicion ka shumë pak lojtarë që janë në formën optimale, raporton Sport News.
Në këto kushte, hakmarrja bavareze për humbjen 4-2 në “Signal Iduna Park”, duket një mision më shumë se i vështirë për teknikun spanjoll:
“Vitin e shkuar ishim më të fortë në Superkupën e Gjermanisë.
Kam vetëm 8 apo 9 futbollistë në formë, asnjë më tepër.
Do të vendos për formacionin pasi të kem biseduar me të gjithë lojtarët.
Kjo është një finale, jo një test stërvitor dhe unë e kam të qartë se çfarë duhet të bëjmë.
E njohim kundërshtarin dhe e dimë sa të vështirë do ta kemi.
Dortmundi është një ekip me kundërsulme të rrezikshme dhe strukturë të fortë në mbrojtje”.
Më pas vëmendjen Guardiola e kaloi te merkatoja e verës, duke paralajmëruar se te Bajerni nuk do të ketë më prurje të reja, pavarësisht disa mungesave nga dëmtimet:
“Jo, jo. Nuk do të vij asnjë lojtar tjetër, pasi jam i kënaqur me këtë skuadër.
Tani presim vetëm rikthimin e atyre që janë në proces rikuperimi”.
Ashtu si në Superkupën e vitit të shkuar, Dortmundi dhe Bajerni do të përballen në shtëpinë e verdhezinjve, në një finale që veç trofeut, vlen për të treguar edhe potencialin e dy gjigantëve të Bundesligës.