Edhe Kievo në garë për Valdet Ramën

16 Gusht 2014, 14:46Sport TEMA

Vijon mësymja e klubeve italiane karshi Valdet Ramës. Sipas informacioneve në mediat italiane, dje në garë është futur edhe Kievo.

Klubi i presidentit Luka Kampedeli ka kërkuar informacione për mesfushorin e avancuar të Kombëtares shqiptare, si dhe i ka bërë një telefonatë avokatit Federiko Freni, i cili mbron interesat e Ramës në merkaton italiane. Veronezët nuk kanë bërë një ofertë konkrete financiare karshi lojtarit, por gjithsesi e konsiderojnë atë si një afrim të mundshëm në grupin që aktualisht drejtohet nga Euxhenio Korini, raporton Panorama Sport.

Ndërkohë, edhe dje, Atalanta ka vijuar tratativat për të marrë shërbimet e Valdet Ramës. Problem për zikaltrit nga Bergamo mbeten largimet, me qëllim lehtësimin e organikës në repartin e avancuar. Kështu, pas largimit të Brienzas, pritet që edhe Bonaventura të marrë rrugëtimin drejt Firences, aty ku parapëlqehet nga trajneri Montela.

Ndërkohë, nuk duhet harruar që në gatishmëri të plotë për Ramën është edhe Xhenoa me Sasuolon, gjithsesi asnjëra nga këto klube nuk ka bërë hapa konkretë ndaj lojtarit.

Kujtojmë që Valdet Rama prishi kontratën e tij me Vajadolidin më 14 korrik të këtij viti dhe u largua nga kjo skuadër.

Vajadolidi ra edicionin e fundit nga kategoria dhe afrimi i trajnerit të ri solli largimin e disa lojtarëve, ku mes tyre ishte edhe Rama. Duke qenë një futbollist i lirë dhe me pasaportë gjermane, pra është komunitar, ky fakt u mundëson skuadrave italiane që të kursejnë vendin e ekstrakomunitarit për ndonjë lojtar tjetër. Sakaq, edhe fakti tjetër që Rama është pa kontratë, i bën këto klube që të kursejnë shumë parà nga 1 milion euroshi që aktualisht vlerësohet kartoni i tij.

Në rast se do të firmosë për njërën nga këto skuadra, Valdet Rama do të bëhet futbollisti i gjashtë shqiptar që do luajë në elitën e futbollit italian. Tek Lacio janë aktualisht Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, me dy të parët që luajnë thuajse rregullisht.

Tek Empoli aktivizohet Elseid Hysaj, një titullar i padiskutueshëm te kjo skuadër. Te Torino është Migjen Basha, i cili është në fazë rikuperimi pas operacionit në këmbë, ndërsa te Palermo aktivizohet Samir Ujkani, që sipas presidentit Zamparini do jetë numri 1 i sicilianëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje