Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, KAS, shuajti edhe ato pak shpresa që kishte Barcelona për një reduktim të dënimit ndaj Luis Suarez.
Në Losanë të Zvicrës tre gjykatësit Bernhard Velten, Marko Balmeli dhe Luixhi Fumixhali lanë në fuqi vendimin e dhënë nga FIFA në dëm të sulmuesit uruguaian, pas kafshimit që i bëri ky fundit italianit Xhiorxhio Kielini, raporton Sport News.
4 muajt skualifikim nga aktivizimi me klubin dhe 9 ndeshje pezullim me kombëtaren e Uruguait mbeten në fuqi për Suarez, me sulmuesin që duhet të presë datën 25 tetor për të bërë debutimin e tij me Barcelonën.
Megjithatë, lajmi i mirë për 27-vjeçarin dhe Barcelonën është se Suarez që këtej e tutje do të ketë mundësi të bashkohet me skuadrën e tij të re dhe do të mund të stërvitet me shokët e ekipit.
Në këtë mënyrë Barça mund ta prezantojë sulmuesin para mediave, madje “El Mundo Deportivo” zbulon se një gjë e tillë do të ndodhë të hënën e ardhshme në trofeun “Gamper”.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv la gjithashtu në fuqi ndëshkimin me gjobë prej 100 mijë eurosh në dëm të Suarez.
Gjesti i kafshimit ndaj Kielinit ishte i treti për 27-vjeçarin në karrierën e tij, pasi uruguaiani më parë e kishte bërë një veprim të tillë edhe në dëm të Branislav Ivanovic dhe Otman Bakal, kur ishte pjesë e Liverpulit dhe Ajaksit.