Valdet Rama drejt Xhenoas në Serinë A

13 Gusht 2014, 15:11Sport TEMA

Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare mund të përfundojë në Itali, madje në elitën e futbollit të shtetit fqinj, Seria A. Bëhet fjalë për Valdet Ramën, mesfushor i avancuar, i cili deri para pak kohësh, ekzaktësisht deri më 14 korrik, ishte pjesë e Vajadolidit në Spanjë.

Më pas, Rama prishi në mënyrë konsensuale kontratën me këtë klub, i cili ra edicionin e fundit nga kategoria (në fakt lojtari nuk ishte në planet e trajnerit të ri të ekipit, ndaj u detyrua të largohej thuajse me pahir nga Vajadolidi).

Duke qenë një lojtar i lirë, ai është vënë në qendër të vëmendjes të disa klubeve, ndër të cilat edhe Xhenoa, Sasuolo dhe Atalanta.

Valdet Rama, i cili sikurse thuhet edhe nga “tuttomercatoweb”, është një nga “fiksimet” e trajnerit të përfaqësueses së Shqipërisë, Xhani de Biazi, vlerësohet si një lojtar me profil të lartë, pasi përveç talentit zotëron edhe pasaportë gjermane, pra është komunitar.

Ky fakt u mundëson skuadrave italiane që të kursejnë vendin e ekstrakomunitarit për ndonjë lojtar tjetër, ndërkohë fakti tjetër që Rama është pa kontratë, i bën këto klube që të kursejnë shumë parà nga 1 milion euroshi që aktualisht vlerësohet kartoni i tij. Ndërkohë, burime të sigurta për “Panorama Sport” bëjnë me dije se në këtë garë treshe, duket se për momentin më e avantazhuar është Xhenoa, gjithsesi Rama do të firmosë për klubin që do i japë ofertën më të mirë financiare dhe natyrisht do t’i sigurojë vendin në skuadër.

Duhet thënë se jo më larg se një javë më parë, nga Spanja u raportua lajmi se Valdet Rama mund të qëndronte sërish në Primera Division pasi për të interesoheshin Deportivo La Korunja dhe Eibari, por asnjëra nga këto skuadra nuk pat bërë një ofertë konkrete ndaj lojtarit, duke u mjaftuar vetëm me një interesim për të.

Tanimë, sipas uebsajtit italian, Xhenoa duhet më parë të shesë dhe të sistemojë lojtarët që i ka cilësuar si të panevojshëm.

Gjithashtu “tuttomercatoweb” cilëson si një faktor kyç faktin se Valdet Rama është klient i avokat Frederiko Frenit nga Torino (i cili rezulton të jetë dhe burimi i informacionit për portalin italian), që ka shumë kontakte me klubet respektive.

Në rast se do arrijë të firmosë një kontratë me njërën nga këto klube, Rama do të jetë lojtari i katërt shqiptar që do të luajë këtë sezon në Serinë A së bashku me Lorik Canën, Etrit Berishën e Tomas Strakoshën (Lacio) dhe Elseid Hysajn (Empoli).

1 komente në “Valdet Rama drejt Xhenoas në Serinë A”

  1. Eri says:

    Do behet lojtari i peste i Serie A, eshte arithmetik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje