Bajerni i Mynihut do të hyjë sërish në merkato për të gjetur një lojtar që do të zëvendësojë Havi Martinezin, i cili u dëmtua rëndë në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë përballë Dortmundit dhe do të mungojë për rreth 6 muaj.
Kështu u shpreh trajneri i bavarezëve, Pep Guardiola në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Kupës së Gjermanisë që skuadra do të zhvillojë këtë të dielë me ekipin e kategorisë së tretë Preussen Munster, raporton Sport News.
Edhe pse tekniku spanjoll e kishte cilësuar të mbyllur merkaton e Bajernit pas blerjes së portierit Pepe Reina, dëmtimi i Martinez ka prishur planet në shtëpinë e kampionëve të Gjermanisë:
“Do të kemi nevojë për një tjetër futbollist.
Duhet të arsyetojmë për alternativat e mundshme, pasi dëmtimi i Havit na ka prishur shumë punë.
Unë personalisht kam në mendje disa emra lojtarësh që mund ta na bënin punë, megjithatë më parë duhet të konsultohem me drejtuesit e klubit në mënyrë që të marrim një vendim të përbashkët”.
Havi Martinez është një lojtar thelbësor për Bajernin, pasi përveçse në mesin fushës, mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes dhe sipas mediave gjermane, drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë do ta kenë shumë të vështirë për ta zëvendësuar atë.
Madje te Bajerni nuk janë ende të vendosur nëse do të blejnë një qëndërmbrojtës apo një mesfushor shkatërrues.
Së fundmi në skenë ka dalë emri i Sami Khediras, i cili dëshiron të largohet nga Reali, ndërkohë që edhe Rafel Varane dhe Diego Godin mbeten dy alternativa të vlefshme për Bayernin.