Sipas presidentit Josep Maria Bartomeu, Luis Enrike është blerja më e rëndësishme e vitit për Barcelonën.
51-vjecari katalanas, i cili kryesoi ditën përmbyllëse të edicionit të 35 të Kongresit Botëror të Penyes, foli gjerë e gjatë mbi zhvillimet e muajve të fundit.
Në eventin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Katalunja, presidenti blaugrana i siguroi të gjithë të pranishmit se klubi ka nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e përjetuara gjatë sezonit të kaluar, por gjithashtu ai foli edhe për punën e madhe që është bërë së fundmi për të rinovuar ekipin, raporton Sport News.
Pjesën më të madhe të diskutimit të tij e zunë fjalët për trajnerin e ri si dhe sulmuesin uruguaian Luis Suarez:
“Premtuam një rinovim të thellë të ekipit dhe e mbajtëm fjalën.
Luis Enrike është përforcimi më i rëndësishëm i vitit.
Ai përcjell pasion, udhëheqje dhe sakrificë.
Presim shumë prej tij.
Gjithçka e përballon me entuziazëm maksimal dhe këtë ia transmeton edhe të tjerëve.
Edhe Luis Suarez ka ardhur te ne plot entuziazëm.
Kishte kohë që po kërkonte të vinte të luante këtu dhe e kishte këtë ëndërr që i vogël”.
Përpara se të merrte në shqyrtim zhvillimet e sezonit të fundit, Bartomeu kujtoi Tito Vilanovën, njësoj siç veproi edhe në rastin e trajnerit argjentinas Tata Martino, të cilin e falënderoi, duke shtuar se pavarësisht se erdhi në momentet e fundit, ai dha një kontribut të çmuar. Presidenti i 40 i Barcelonës shpjegoi se pas gjithë problemeve të shumta me të cilat u përball klubi gjatë sezonit të kaluar, si sëmundjen e Tito Vilanovës, çështja e transferimit të Neimar, problemet fiskale të Mesit, si dhe rasti i FIFA-s për bllokimin e përkohshëm të transferimeve të futbollistëve, që të gjitha këto probleme tashmë janë kapërcyer dhe përbëjnë një provë pjekurie.
Por, tregojnë më së miri gjithashtu që ky klub është i fortë dhe në gjendje të reagojë pozitivisht, tha ai.
Bartomeu shtoi se që të gjithë në ambientin blaugrana kuptuan ato që ndodhën, duke nxjerrë edhe mësimet e duhura.
Në fund presidenti i Barcelonës nënvizoi edhe punën e madhe që është duke bërë klubi në aspektin ekonomik.
Sipas tij, gjatë këtij viti janë regjistruar të ardhura rekord me një shumë 630 milionë euro, e më një përfitim prej 41 milionë.
Por, edhe sivjet drejtuesit kanë vazhduar si çdo vit të reduktojnë borxhin, me qëllim drejtimin në mënyrë sa më të përgjegjshme dhe efikase të këtij klubi.