Të gjitha vendet e rajonit kanë përspektivë europiane, por anëtarësimi do të varet nga shpejtësia e implementimit të reformave.
Kështu ka deklaruar kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel gjatë një bisede me politologun Konelius Adebar në prag të Konferencës për Ballkanin që do të zhvillohet në Berlin më 28 Gusht.
Kancelarja Merkel ka sqaruar se Qeveria gjermane ka vendosur ta organizojë konferencën, në të cilën janë ftuar Kryeministra, ministra të Punëve të Jashtme dhe ata të ekonomisë, me rastin e 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Në mesit e të ftuarve është edhe Kryeministri Edi Rama, i cili është përzgjedhur nga Kancelarja, për të mbajtur deklaratën në media.
“Ne kemi menduar se çfarë të bëjmë me rastin e këtij përvjetori, për të mos parë vetëm të kaluarën por dhe si mund të drejtohemi nga e ardhmja. Qeveria gjermane ka ardhur te ideja që t’i ftojë të gjitha shtetet e rajonit në mënyrë që të tregojë që sot nuk ekzistojnë më përleshje, edhe pse ende janë disa konflikte të vogla, por në përgjithësi ekziston unitet. Kjo, sipas mendimit tim, është e mundshme, sepse të gjitha vendet e kanë përsepektivën evropiane”, ka thënë Merkel.
Ajo ka theksuar se kjo do të thotë që të gjitha vendet e kanë mundësinë të jenë anëtare të BE-së dhe se ky është qëllim i përbashkët.
“Ne ende i kemi në mendje luftërat e ashpra dhe për këtë kjo konferencë tregon se po shkojmë tutje, që i kemi tejkaluar përleshjet dhe kjo është shënjë e mirë. Të gjitha vendeve të Ballkanit Përendimor iu kemi premtuar përspektivë evropiane dhe qëndrojmë pas kësaj. Korniza kohore ndërmjet anëtarësimit të Sllovenisë dhe Kroacisë nuk duhet të jetë kurrfarë matësi për anëtarësimin e vendeve tjera, por kjo varet nga secili shtet se kur mund të na bashkohet”, ka thënë Merkel.
Kancelarja gjermane ka kujtuar se me Serbinë dhe Malin e Zi i kanë nisur negociatat për anëtarësim, që Shqipëria dhe Maqedonia e kanë statusin e kandidatit, ndërsa Kosova dhe Bosnja po punojnë në atë drejtim.
“Sa më shpejt që vendet e caktuara i kalojnë proceset e reformave aq më i shpejt është edhe anëtarësimi në BE”, ka thënë Merkel.