Real, Perez sulmon Di Marian: Donte më shumë para se Ronaldo!

5 Shtator 2014, 19:06Sport TEMA

“Di Marias i bëmë ofertën më të mirë të mundshme, do të kishte qenë lojtari më i paguar i Realit të Madridit pas Kristiano Ronaldos. Por ai nuk pranoi dhe u largua”. Kështu u shpreh presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, gjatë konferencës për shtyp ku u prezantua bilanci i klubit, në të cilën ai shpjegoi lamtumirën e anësorit argjentinas, që kaloi te Junajtidi i Van Galit.

PRAPASKENA – “Nëse do të kishim pranuar kërkesat ekonomike të Di Marias, do të kishim vënë në rrezik stabilitetin financiar të klubit. Donte të paguhej më shumë se Kristiano Ronaldo. Kështu, duke marrë për bazë refuzimin që i bëri ofertë sonë për kontratën e re, vendosmën të merrnim Hamez Rodrigezin”.

SQARIMI – Perez foli edhe për intervistën e fundit të Kristiano Ronaldos, në të cilën portugezi kritikoi zgjedhjet e merkatos të bëra nga drejtuesit, duke e filluar me shitjen e argjentinasit: “Kristianon e njoh mirë, e di që në deklaratën e tij nuk kishte asnjë kritikë për blerjet e reja. Përkundrazi, është më se i kënaqur. Marrëdhënia jonë është fantastike dhe besnikëria e tij ndaj Realit të Madridit nuk vihet në diskutim”.

BILANCI – Polemika në distancë Real Madrid-Di Maria la në plan të dytë temën e ditës, prezantimin e bilancit të klubit kampion të Europës. Një bilanc ku u shënua rekordi i xhiros me 603.9 milionë euro gjashtë sezonit 2013-2014. Pra një rritje me 10.9% në krahasim me një sezon më parë. Fitimi neto është 38.5 milionë euro (+4.4 %), ndërsa borxhi neto tashmë është 71.5 milionë euro (-21%).

“Për të dhjetin vit me radhë, Reali është institucioni sportiv me arkëtimet më të mëdha”, theksoi Florentino Perez. Në 5-vjeçarin e fundit Reali ka blerë lojtarë me vlerën totale të 559 milionë eurove, ndërsa ka shitur lojtarë në total me vlerë 289 milionë. Mesatarisht, çdo vit fushata e blerjeve është mbyllur me -54 milionë euro. Në fund Perez bëri të ditur se në sezonin 2013-2014 Reali i ka paguar shtetit spanjoll 167 milionë euro taksa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje