Për zëvendëstrajnerin e Kombëtares shqiptare, Altin Lala, fitorja ndaj Portugalisë nuk do të kishte asnjë kuptim në rast se skuadra nuk do të mund të merrte pikë në dy takimet e radhës në muajin tetor ndaj Danimarkës dhe Serbisë. Në një intervistë dhënë faqes zyrtare të klubit të Hanoverit, Lala ka bërë një rezyme të kësaj fitoreje, objektivave të skuadrës sonë përfaqësuese drejt “Francë 2016″, si dhe është ndalur te talentet kuqezinj. Sipas tij, një lojtar si Odise Roshi duhet të luajë në një “top-klub” të Bundesligës gjermane. Në fund, ish-kapiteni i Hanoverit, aktualisht trajner i Kombëtares U-19 të Shqipërisë, ka zbuluar edhe mënyrën dhe kohën kur vendosi që të niste rrugën e trajningut.
Fitore në transfertë ndaj Portugalisë, një nisje perfekte apo jo?
E sigurt është se ishte një surprizë e madhe për të gjithë. Ishte fitorja e parë e jona në startin e një kualifikimi dhe fitorja e parë ndaj Portugalisë, që gjithsesi mbetet favorite te grupi ynë.
Një ndeshje me shumë kartonë, si e shpjegoni?
Nuk ishte një nga ato ndeshjet e forta. Dy faulle në anësore, sipas meje, nuk ishin fare për kartonë, por kur fiton ndeshjen i harron të gjitha. Në tërësi nuk luajtëm ashpër, por arbitri nuk na kurseu.
Për lojtarët kjo fitore ka qenë sensacionale, si e pritën?
Të gjithë normalisht kanë shpërthyer nga gëzimi, por nuk duhet të harrojmë se ishte vetëm ndeshja e parë e kualifikimeve. Në tetor na presin dy ndeshje të tjera shumë të vështira, me Serbinë dhe Danimarkën. Në këto dy ndeshje duhet me patjetër që të shënojmë gola dhe të marrim rezultat, pasi në të kundërt tri pikët në Portugali nuk do të vlejnë për asgjë.
Tanimë jeni edhe ndihmëstrajner i Shqipërisë, sa kohë keni në këtë detyrë dhe si ju duket?
Jam në atë pozicion që nga marsi i këtij viti, por ndeshja me Portugalinë ishte e para zyrtare për mua. Në maj-qershor patëm disa ndeshje miqësore me Kombëtaren, ndaj u përgatitëm më së miri për Portugalinë. Gjatë kësaj kohe u informova me detaje për secilin lojtar tonin dhe portugez, duke gjetur kështu mënyrën sesi ta fitonim takimin. Për këtë arsye ishte shumë e rëndësishme që lojtarët tanë të ishin në formë perfekte, pasi po luanin ndaj skuadrës favorite të grupit tonë. Me portugezët gjithë kjo punë ia vlejti dhe nuk ishte një fitore thjesht me fat.
A mund të themi se pas kësaj fitoreje Shqipëria mendon kualifikimin për në Europian?
Tifozët u surprizuan në fakt nga kjo fitore në Portugali dhe tani duan kualifikimin. Në bazë të formatit, dy skuadrat e para kalojnë direkt dhe e treta luan “play-off”, por grupi ynë nuk është edhe aq i lehtë. Portugalia, sipas meje, do t’i fitojë takimet e tjera dhe do të kualifikohet për në Europian. Sakaq, për ne është e rëndësishme që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që mund të na jepet për t’u kualifikuar. Ky është objektivi ynë.
Besoj se jeni krenar që po drejtoni kombëtaren e vendit tuaj, apo jo?
Absolutisht po. Kam në dorë aktualisht Kombëtaren U-19 dhe po stërvis disa talente të vërtetë, që mund t’i bëjnë punë Shqipërisë në të ardhmen. Në nëntor kemi ndeshjet zyrtare kualifikuese, por më e rëndësishme për ne është evidentimi dhe afrimi i sa më shumë të rinjve te skuadra e parë.
Në fund të karrierës luajtët pak kohë edhe me Bajernin e Mynihut II. Në atë kohë e vendosët të bëheshit trajner?
Jo tamam. Fillimisht mendova të bëhesha këshilltar futbollistësh, por zbulova menjëherë se kjo nuk ishte ajo që doja. Para një viti e gjysmë nisa të punoja si trajner dhe vërejta se aty ka shumë adrenalinë, pasi eksperiencën që ke mund ta transmetosh tek të rinjtë. Odise Roshi i FSV Frankfurtit, për shembull, ka kualitet të paparë dhe tani luan në Bundesligë 2. Por unë them se ai është një lojtar për Bundesligën e parë, madje në klubet elitare.
Çfarë e lidh akoma Altin Lalën me Hanoverin?
Unë jetoj këtu me familjen, e cila, edhe po të doja të shkoja në Shqipëri, nuk do të më ndiqte. Ndaj kur jam në qytet mundohem t’i ndjek të gjitha ndeshjet e skuadrës.
Ka ndryshim skuadra e një klubi me atë kombëtare?
Sigurisht që po. Diferenca qëndron në faktin se në Kombëtare, pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga vende të ndryshme ku ata luajnë. Nëse te Gjermania pjesa më e madhe luajnë në Bundesligë, nuk është kështu te Shqipëria. Kësisoj, në një kohë shumë të shkurtër, të duhet të ndërtosh një skuadër me lojtarë që vijnë nga klube shumë të ndryshme, ndaj është disi më e vështirë se sa kur punon në një klub.
Marrë nga Panorama Sport
ja paska mbledh gruja rrup sup ktij Lales!
e ca lesh trajneri kombtareje shqiptare do jet ky kur familja e vet nuk e deshiron shqipnin!? dhe ky vje n shqipni sic duket “me u xan Kola n pun”!
shifeni kur ti boj mutin kombtares shqiptare sapo ti dali nanji rast me i mir jasht shtetit!
prandaj s bojn hajer shqiptart.
Miqte e mi, gazetare, lexues dhe komentues, sinqerisht une besoj se Shqiperia do te hyje ne Europian (apo cfaredo kompeticioni nderkombetar i ketij niveli), vetem kur kjo pyetje te mos behet me!!! Jo se pyetja ka ndonje gje te keqe ne vetvete, absolutisht, por konteksti ne te cilin shtrohet ka te beje me perceptimin tone shqiptar, qe fjalen e fundit ta themi ta paren. Sapo vjen miku ne shtepi, ne e pyesim kur do ikesh?! Sapo vjen nje kusheri, apo i njohur nga jashte vendit, ne e pyesim sa do rrish?! Miqte e mi, cdo gje ka nje proces. Por jo cdo proces shkon deri ne fund, dhe jo cdo proces ka fund te pelqyeshem per te gjithe. Kombetarja jone ka nisur nje rrugetim. E ka nisur me kembe te mbare, me fitore. Bravo i qofte. Po procesi i kualifikimit ne Europian nuk mbaron me nje ndeshe. Ju lutem shume! Po perdor nje shprehje vulgare, mos fluturojme me pras nga prapa! Harrojeni fitoren me Portugaline, tashme eshte futur ne statistika! Te shikojme ndeshjen e radhes! Te perpiqemi te bejme me te miren! Te perpiqemi ta fitojme! Dhe vetem nese ne fund te procesit do te jemi ne pozita per ta bere nje pyetje te tille, atehere o burra, te pergatitemi shpirterisht… te enderrojme… te bejme pyetje, a do hyjme ne Europian?!
Nje femije, sapo hedh hapin e pare… ne themi ky do behet (politikan, sportist, doktor, piktor, muzikant… oh come on!!!) Lereni kombetaren te rritet! Pyeteni si do luani ndeshjen e ardhshme! Do hyni ne fushe me konceptin e fituesit… apo me konceptin e pordhacit! Lereni procesin ne rrjedhen e tij te natyrshme.
Eshte interesante, por drejtuesit e skuadres tone kombetare kane filluar te flasin sic ju ka hije njerzve te arsyeshem. Kjo ndodh ngaqe ata kane punuar ne toke te huaj dhe kane pervetsuar mentalitetin e atjeshem.
Sa per dy ndeshjet e radhes, neve mund te arrijme dicka, vetem nese lozim duke e ndjere vehten inferior. Pra, nese taktikisht lozim si ne Portugali, mendoj se mund te marrim pike, por nese lozim per te fituar doemos, atehere humbjen e kemi te sigurt ne te dy ndeshjet.
Suksese Lale, i ke dhene futbollit qe 15 vjec dhe e meriton. Pac kemben e mbare per kombetaren.